VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TË LUTEM, MËSO TË LEXOSH HESHTJEN E ZEMRËS SIMESonete nga WILLIAM SHAKESPEARE (Uilliam Shekspir, 1564-1616)

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 01:50pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

TË LUTEM, MËSO TË LEXOSH HESHTJEN E ZEMRËS SIME

Sonete nga WILLIAM SHAKESPEARE (Uilliam Shekspir, 1564-1616)


E Mërkurë, 12.15.2010, 01:21pm (GMT+1)

 

 

SONETI 2: KUR DYZET DIMRA BALLIN TËND DO TA KENË KAPLUAR

 

Kur dyzet dimra ballin tënd do ta kenë kapluar

Dhe llogore të thella do ta brazdojnë arën e bukurisë tënde,

Petku krenar i rinisë, deri tani i admiruar,

Do të jetë bërë zhele, askujt për të nuk do t'i bjerë në mendje.

 

Atëherë, nëse do të pyesin se ku shkoi bukuria jote,

ku treti thesari i ditëve tua të ndritura të dikurshme,

t'iu përgjigjesh se ato tani në sytë e tu janë gdhendur fort

për ty turp përvëlues do të ishte lëvdatë e turpshme.

 

Sa lëvdata më shumë do të meritonte bukuria jote,

Nëse ti do t'ua ktheje: "Ky fëmija im bukurosh

Është fryt i bukurisë dhe vitet që kalojnë bën të mos i dallosh",

 

duke dhënë provë se bukuria e tij buron prej teje.

Kjo i bën të ndihesh i ri edhe kur plakur të jesh,

të vëresh gjakun tënd të ngrohtë, kur ai në damarët e tu është i ftohtë.

 

SONETI 21: UNË NUK JAM SI AJO MUZA

 

Unë nuk jam si ajo Muza

e frymëzuar për poezinë nga bukuritë bajate,

që ka si ornament qiellin vetë

dhe çdo bukuri e krahason me shkëlqimin e saja,

 

duke u rigrupuar në shembuj solemnë

diell, hënë, tokë dhe margaritarët e deteve,

lulet e para të prillit dhe gjithsa vlera

ndryn në vete kupa qiellore në këtë rrotullim të tmerrshëm.

 

I ndershëm në dashuri, lejon që unë të shkruaj të vërtetën

e pastaj besomëni, dashuria ime është e bukur sa edhe

biri i çdo nëne, edhe pse nuk llamburit

 

si ato drita të floririt fiksuar në kupën e qiejve:

lereni ta teprojë ai që dashuron frazat me shumë efekte;

unë nuk lavdëroj ato që t'i shes nuk kam qëllim.

 

SONETI 23: SI NJË AKTOR TEJET I KEQ NË SKENË


Si një aktor tejet i keq në skenë

harron rolin e tij nga frika i dambllosur,

apo si një tërbim i stërmbushur me pezëm

sfilit, zemrën e vet në turrin e pasosur,

 

edhe unë, tek ndjehem i pasigurtë, nuk gjej fjalët dot

për hymnet e domosdoshme të ritualit të dashurisë,

e në kulm të dashurisë sime më duket vetja kot

ndrydhur nën peshën e fuqisë së saj të pakufi.

 

Janë kështu vargjet e mia, e vetmja gojëtari

dhe mesazherët memecë të zërit e të zemrës sime,

për t'iu përgjëruar dashurisë e për të marrë pjesë në shpërblim

 

shumë më të madh se ajo gjuhë që foli pa pushim.

Të lutem, mëso të lexosh heshtjen e zemrës sime

Është zgjuarsi e dashurisë të synojë qëllimin me anë të syve.

 

 

 

SONETI 24: SYRI IM ËSHTË BËRË PIKTOR DHE KA TRADHTUAR

 

Syri im është bërë piktor dhe ka tradhtuar

Pamjen tënde të bukur në portretin e zemrës sime;

Trupi im është  kornizë në të cilën mbyllet

Panorama, arti i shkëlqyer piktorik,

 

Se nëpërmjet piktorit duhet të shikoni artin

Për të gjetur ku është përfytyrimi yt i mirëfilltë i pikturuar,

Ruajtur këtu në shishen e gjirit tim,

Që i ka sytë e tu dritare për të shikuar.

 

Shiko tani si na ndihmojnë sytë në këtë punë, pra:

Sytë e mi kanë hetuar figurën tënde, ndërsa

Sytë e tu janë dritare në gjirin tim, ku Dielli

 

Arrin të mbështetet dhe të të admirojë ty,

Megjithatë artit të syrit i mungon cilësia më e mirë:

Portretizon atë që shikon, por zemrën nuk e njeh kurrsesi.

 

SONETI 25: KUSH ËSHTË NË FAVOR TË YJEVE TË TIJ

 

Kush është në favor të yjeve të tij

Merr ndere publike e tituj madhështorë,

Ndërsa unë, që fati më mohon triumfe të tillë,

Jepem pa shpresë pas asaj që më së shumti çmoj,

 

Favoritët e të fuqishmëve çelin petale të bukura

Vetëm si shtogu nën shkëlqim të diellit,

Tashmë është varrosur brenda vetes krenaria e tyre

Sepse nën renë e parë që vjen madhështia e tyre bie.

 

Lufta heroike, e famshme për vlera

Nëse pas shumë fitoresh pëson një humbje një ditë

Përgjithmonë kurorëzohesh nga mëngjesi i lavdisë

 

Dhe për më tepër harruar çdo sukses trimëror

I lumtur jam unë që dashuroj dhe më japin dashurinë

Atje ku dashuria nuk ndryshon dhe askush dot s'e braktis.

 

SONETI 27: SFILITUR NGA LODHJA, REND SHPEJT NË SHTRAT

 

Sfilitur nga lodhja, rend shpejt në shtrat

Të çlodh trupin e dërmuar në udhëtim;

por atëherë në kokën time një tjetër rrugë hapet

ta lodhë mendjen time tani që pushon trupi im.

 

Zgjuar mendimet e mia nga larg ku gjendem

Fluturojnë në pelegrinazh të pafund drejt teje

Dhe mbajnë hapur qepallat e mia të rënda

Duke kqyrur atë terr që e njeh vetëm i verbëri:

 

por ja që pamja përfytyruese e zemrës sime

sjell hijen tënde në shikimin tim pa dritë,

që, e ngjashme me diamantin e ruajtur në terrin më të zi,

 

e bën të bukur natën e errët dhe të re fytyrën e saj plakë.

Kështu ditë përditë mendja ime e ngratë

Për fajin tënd dhe timin nuk gjejnë kurrë qetësi.

 

 

SONETI 28: KU MUND TA GJEJ PRAPË PAQEN TIME

 

Ku mund ta gjej prapë paqen time

Nëse gjumi krejt më ka braktisur?

Nëse ankthi i ditës nuk gjen prehje natën

Por dita tryset nga nata dhe nata nga dita tryset?

 

Dhe të dyja, edhe pse armike të njëra tjetrës,

merren vesh mirë vetëm që të më torturojnë pafund

njëra me sfilitje, tjetra me ankthin

që ndodhem larg, gjithnjë më larg kështu.

 

Për t'u bërë i lig ditës i them se je dritë

Dhe e zbukuroj nëse retë ia errësojnë qiellin:

Kështu e zbardh natën e errët duke thënë

 

Se ti e argjendon mbrëmjen nëse nuk shkëlqejnë yjet.

Por dita çdo ditë m'i zgjat vuajtjet e mundimet

E nata çdo natë dhimbjet më të rënda m'i bën.

 

SONETI 29: NGANJËHERË, DUKE URRYER FATIN DHE NJERËZIT

 

Nganjëherë, duke urryer Fatin dhe njerëzit,

Unë qaj vetmitar në braktisjen time të trishtë,

Dhe e trazoj qiellin shurdh me thirrjet e mia të kota

Dhe e kundroj veten time, dhe e mallkoj fatin tim,

 

Duke lakmuar fatin e atyre që janë plot me shpresa,

Të atyre miqve të panumërt që iu ka ecur në jetë,

Duke lakmuar mendjen e disave, pushtetin e dikujt tjetër,

Të atyre që janë mirë dhe më të pakënaqur se unë vetë;

 

Por ja që në të tilla mendime pothuaj vetveten duke sfilitur,

Përfytyrimi yt më shfaqet, e atëherë merr fund nemitja

Dhe lauresha, në të aguar të ditës, fluturon

 

Nga toka e errët, lëshon hymne ndaj fronit të qiellit:

Sepse kujtimi i dashurisë sate të ëmbël sjell të tillë

Pasuri; që me një mbretëri unë kurrë nuk e ndërroj.

 

SONETI 35: MOS TË TË VIJË KEQ PËR ATË QË KE BËRË

 

Mos të të vijë keq për atë që ke bërë

Trëndafilet kanë gjemba dhe baltë kanë burimet argjendorë;

Retë dhe eklipset errësojnë diellin e hënën

Dhe në lastarin më të bukur fshihen krimbat më mizorë.

 

Çdonjëri nga ne gabon dhe edhe unë jam mashtruar

Duke shfajësuar fyerjet e tua me ngjashmëri

Duke poshtëruar veten time për të falur mangësitë e tua,

Duke bërë sikur i fyeri nuk jam unë por ti:

 

Pasi fal mëkatet e shqisave tua nis

Ana jote e mbrapshtë të bëhet avokati yt-

Dhe kundër meje ndërmerret mirëfilli një proces:

 

E tillë është lufta midis dashurisë dhe urrejtjes sime,

Ku fatalisht edhe unë jam bashkëfajtor i atij

Hajduti të dashur që pa mëshirë gjithçka më vjedh.

 

 


I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ASHTU EDHE MBI MENDIMET E TUA, KUR TË JENË TRETUR, DASHURIA VETË DO TË BJERË TË FLERËPoezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY (Persi Bisshi Shell, 1797-1851) (12.05.2010)
E DIJA QË E KAM MALLKIM TË KUNDROJ YJET NË NATËN STERRË TË ZEZËPoezi dhe përkthime të përzgjedhura nga ÇEZAR KURTIMe rastin e 75 vjetorit të lindjes të përkthyesit tonë të madh (12.02.2010)
 KE QENË PRANË MEJE MIJËRA HERË, TË SHIKOJA TY ME GËZIM FËMINORPoezi nga FRIEDRICH VON HARDENBERG - NOVALIS (Fridrih fon Hardenberg -Novalis, 1772-1801)  (11.25.2010)
MË SHPËTOI SI NEGRE NATA(Shqiptarëve që ikën nga Atdheu për një jetë më të mirë)Nga Elida BUÇPAPAJ (11.24.2010)
NESËR MIJËRA PUTHJE, PASTAJ QINDRA TË TJERA TË NIS, NË VIJIM MIJËRA, PASTAJ QINDRA TË TJERA SËRISHPoezi nga GAIO VALERIO CATULLO (Gaio Valerio Katuli, 87-54 aC) (11.20.2010)
MË DUKET SIKUR JAM NË QIELL MIDIS PERËNDIVE, KUR PRANË TEJE RRI DHE VËSHTROJ BUZËQESHJEN TËNDE TË BUKURPoezi nga SAFFO (Safo, 612-580 aC) (11.12.2010)
NË PRITJE QË MJEGULLA TË SHKRIHET DHE FURIA E SYVE TË TU TË VIJË ME DIELLINPoezi nga SEBASTIANO GRASSO në shqip nga VISAR ZHITI (11.08.2010)
PËRPIQEM TË MBUSH PLOT KRAHËT E MI ME BUKURINË TËNDE, PËRPIQEM TA VJEDH ME PUTHJET E MIA BUZËQESHJEN TËNDEPoezi nga RABINDRANATH TAGORE (1861-1941) (11.02.2010)
NGA ELIDA BUÇPAPAJLIQENI I OHRIT DHE LIQENI LEMAN (10.28.2010)
LARTOJE KOKËN, NUK LËKUNDET MË TOKA: ULËRI NGA DASHURIA, FITOJE, PO TË DUASH, BOTËNPoezi nga SALVATORE QUASIMODO (1901-1968) (10.24.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]