VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PAS PAK ÇASTESH UJI DHE NATA DO TË JENË NJË TRUP I VETËMPoezi nga OCTAVIO PAZ (1914-1998)

                                                                                      

E Hënë, 05.06.2024, 07:00pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

PAS PAK ÇASTESH UJI DHE NATA DO TË JENË NJË TRUP I VETËM

Poezi nga OCTAVIO PAZ (1914-1998)


E Shtunë, 05.07.2011, 12:40pm (GMT+1)

PEIZAZH PASIONAL

 

Sqepi i zogut diellor hap zemrën e hapësirës

frut i gurit

frut i kohës

Hapësirë hapësirë e plasaritur

Vraga të rërës në ballin e flakës

varka poshtë një ylli idhnak

dialog në nënqiell mes hënës dhe reve

Shenja të kuqe gjurmë yjesh

veshje zjarri

kacavarëse e verës së zbrazur në gropa

Vende si një luan që fle

vende si një gosti në flakë

lëndë në ekstazë lumenj të ndalur

zgjerime mbretëri krahësh të shtrirë

 

Mes qetësisë dhe lëvizjes

pulsi i madh i qenies

Një gumëzhimë ere dhe shiu ngjitet në kufij

si zallahi dhe ethe turret përpara uragani

sytë e dyllosur

sytë e enjtur nga vizionet

Uragani ka lëshuar rrënjë në mes të shpirtit tënd

çfarë njëra e këmbë e tij ndrydh gjelbëron nën tjetrën këmbë

 

LIGJËRIM

 

Me gjuhën e prerë

dhe sytë e hapur

bilbili mbi mur

 

Sytë me dhimbje të grumbulluar

e puplajë gjaku

bilbili mbi mur

 

Pendë gjaku e afshi të shkurtër

ujë i sapolindur nga fyti

bilbili mbi mur

 

Midis gurëve të zinj zëri i bardhë

i ujit të dashuruar

bilbili mbi mur

 

Me gjuhën e prerë këndon

gjak në gur

bilbili mbi mur

 

SHTRËNGATA

 

Në malin e errët

rrebeshi dalldiset me zë të lartë

Ne të njëjtën orë saktësisht

turresh përpara përmes humnerave

në trupin tënd të fashitur

Era lufton në terr me ëndërrën tënde

pyllnajë e gjelbër dhe e bardhë

lis çunak lis mijëvjeçar

Era të çrrënjos të tund dhe të shtrin përtokë

e hap mendimin tënd dhe e davarit

Të vorbullt sytë e tu

e vorbullt kërthiza jote

të vorbullt e bosh

Era të shtrydh si një kalavesh

shtrëngata mbi ballin tënd

shtrëngata mbi zverkun dhe mbi barkun tënd

Si një rrem të thatë

era të hedh tutje

Në ëndërrën tënde hyn rrebeshi

duar të gjelbëra dhe këmbë të zeza

rrotullon nëpër fytin

e gurtë të natës

mbërthyer pas trupit tënd

të malit të fashitur

Mali dalldiset

mes kofshëve tua

monolog guri e uji

Mbi rreshpet

e ballit tënd kalon si një lum zogjsh

Pylli e ul kokën

si një dem i plagosur

pylli gjunjëzohet

nën krahun e erës

rrebeshi dalldiset

çdo herë e më thellë

në trupin tënd të fashitur

çdo herë më natë

 

ECEJAKET

 

I

Kthehu natën

kalavesh i orëve më të vona;

preje si frut të territ,

shijoje injorancën.

II

Me krenarinë e pemës

mbjellë në qendër të vorbullave

zhvishesh

me gjestin e ujit

duke kërcyer nga shkëmbi

braktis trupat e tu

me hapat jerme të erës

përplasesh mbi shtrat

me sy të mbyllur

kërkon nuditetin tënd më antik

III

Zbres në ty me rënien e verbër të valës

trupi yt më mban sipër vetes si vala që lind

jashtë era fryn dhe grumbullon ujërat

të gjithë pyjet janë një pemë e vetme

Në natën e thellë lundron qyteti

tokën dhe qiellin dhe vërshimin që s'pushon

elementët e ndërthurur endin

veshjet e një dite të panjohur

IV

Shkretëtirë e pafund dhe burim i fshehtë

bilanc i heshtjes dhe pemë e rënkimeve

trup që shpaloset krejt si vela

trup që paloset krejt si krahu

zemër që e shkëpus nga nata

akrep që ngulet në gjoksin tim

vulosje gjaku mbi vitet e mia të burrërisë

V

(Bëj atë që më thua)

Me një Po

llambë që prin në hyrje të ëndërrës

Me një Jo

bilanc që peshon mashtrimin dhe të vërtetën e dëshirës

Me një Ah

asht i lulëzuar për ta përshkuar vdekjen

VI

(Sot, gjithnjë sot)

Flet (ngatërrohen shiu mbi shiun)

nuk di çfarë thua (një dorë e verdhë mbështetet)

Hesht (lindin zogj mbi zogj)

nuk di ku jemi (një hoje ngjyralle mbyllet)

Qesh (këmbët e lumit mbulohen me gjethe)

nuk di se ku shkojmë (sot është tashmë ditë në mes të natës)

E sotme që hapet dhe mbyllet

që kurrë nuk lëviz dhe kurrë nuk ndalet

zemër që kurrë nuk shuhet

Sot (një zog ndalet

mbi një kullë breshëri)

Është gjthnjë mesditë

 

TJETRI

 

Shpiku një fytyrë.

Prapa saj

shumë herë

jetoi, vdiq dhe u ringjall.

Sot

fytyra e tij ka rrudhat e asaj fytyre.

Rrudhat e tij nuk kanë fytyrë.

 

VEGIM

 

Nëse njeriu është pluhur

njerëz janë ata

që përshkojnë pllajën

 

RINI

 

Kërcimi i valës

më të bardhë

çdo orë

më të gjelbër

çdo ditë

më të re

vdekja

 

MADRIGAL

 

Më transparent

se ajo pikë uji

mes gishtave të shpezës

mendimi im hedh një urë

mes teje dhe teje

Shikoje

më real se trupi që e banon

ndalur në mes të ballit tim

Ke lindur të jetosh në një ishull

 

SHEMBULLI

 

Bubullima përshkon pllajën

fsheh qielli të gjithë zogjtë e tij

Dielli ka dhënë shpirt

nën dritën e tij të fundit

gurët janë më gurë se kurrë

Murmuritje të gjethnajave

si qorra në kërkim të rrugës

Pas pak çastesh

uji dhe nata do të jenë një trup i vetëm

 

PEIZAZH

 

Më tepër se ajër

më tepër se ujë

më tepër se buzë

e lehtë e lehtë

Trupi yt është tani hija e trupit tënd

 

TEJPËRTEJ

 

Unë kthej faqen e ditës

duke shkruar çfarë më thotë

lëvizja e qerpikëve të tu

Unë hyj tek ti

e vërtetë e tërë e territ

Unë kërkoja prova të errësirës dua

të pi verë të zezë

merr sytë e mi dhe shtrydhi

Një pikël natë

në majën e gjirit tënd

misteret e mishërimit

Duke i mbyllur sytë

unë i hap ata brenda syve të tu

Gjithmonë zgjohet

në shtratin e saj ngjyrëshegë

gjuha jote e njomë

Ka shatrivanë

në kopshtin e damarëve të tu

Me një masë gjaku

i përshkoj mendimet e tua hutueshëm

mpirja e kujtesës më udhëheq mua

në anën tjetër të jetës

 

AGIMI FUNDIT

 

Floku it ka humbur në pyll

këmba jote prek timen

Në gjumë ti je më e madhe se nata

por ëndërra jote ndihet lirshëm brenda kësaj dhome

Sa shumë jemi ne që jemi kaq të vegjël

Jashtë taksia kalon

me ngarkesën e saj të fantazmave

Lumi që rend pranë

është gjithnjë

duke rrjedhur mbrapsht

A do të jetë e nesërmja një tjetër ditë

 

PREKJA

 

Duart e mia

hapin perdet e qenies sate

të veshin ty në një nuditet të mëtejshëm

Zbulojnë trupat e trupit tënd

Duart e mia

Shpikin një tjetër trup për trupin tënd

 

URA

 

Midis tani dhe tani

midis ku jam unë dhe ti

fjala urë

Duke hyrë në të

ti hyn në veten

fjala lidh

dhe mbyll si një unazë

Nga një breg në tjetrin

është gjithmonë

një trup i shtrirë

një ylber

Unë do të fle nën harqet e tij

 

ASHTU SI DIKUSH DËGJON SHIUN

 

Dëgjomë ashtu si dikush dëgjonë shiun

jo vëmendshëm jo shkujdesshëm

hapa drite vesë e hollë

ujë që është ajër ajër që është kohë

dita është ende duke ikur

nata duhet tashmë të vijë

figuracione mjegulle

në bërryl të kthesës

figuracione të kohës

në hark të këtij pushimi

dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun

pa dëgjuar dëgjo çfarë them unë

me sytë hapur brenda vetes në gjumë

me të pesë shqisat zgjuar

është duke rënë shi, hapa të lehtë, një mërmëritje rrokjesh

ajër dhe ujë fjalë pa peshë:

çfarë jemi ne dhe janë

ditët dhe vitet ky moment,

koha e papeshë dhe keqardhja e rëndë

dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun

asfaltet duke rrezatuar ti kapërcen rrugën

është mjegull duke u endur në natë

është natë duke fjetur në shtratin tënd

është kulmimi i dallgëve në frymën tënde

gishtat e tu prej uji njomin ballin tim

gishtat e tu prej flake djegin ballin tim

gishtat e tu prej ajri hapin qepallat e kohës

një pranverë vizionesh dhe ringjalljesh

dëgjomë ashtu si dikush dëgjon shiun

vitet shkojnë tutje çastet kthehen

a i dëgjon hapat në dhomën tjetër

jo këtu jo atje: ti i dëgjon ata

në një kohë tjetër që është tani

dëgjon hapat e kohës

shpikës i vendeve pa peshë askund

dëgjon shiun duke rënë mbi taracë

nata është më natë në korije

vetëtima ka bërë çerdhe mes gjetheve

një kopsht i pagjumë që shkon pas rrymës

hijen tënde e mbulon me këtë faqe

 

I shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUR VARROSEN PËR JETË TË GJALLËT, SI NUK NGRIHEN TË BREDHIN TË VDEKURITPoezi nga DRITA ÇOMO (1958-1981) (05.02.2011)
DRITË QË VJEN NGA HUMNERANga ISMAIL KADARE (05.02.2011)
TRIPTIKU ROMAKPjesë nga vepra poetike e KAROL VOJTILËS (1920-2005) (05.01.2011)
YLBERI POETIK7 poezi të reja nga MUHAMED KËRVESHI (04.25.2011)
A DO TË JETË BOTA ME NE EMBËL APO DO TË NA MBAJË MËRI, NUK NA PRISH PUNËPoezi nga PAUL VERLAINE (1844-1896) (04.22.2011)
PAPREKSHMËRIA ME MOLLËZA10 poezi të reja për "Nacional" nga PETRAQ RISTO (04.20.2011)
SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI!Poemë nga ADEM ISTREFI (04.18.2011)
KAMADEVAPoemë nga LASGUSH PORADECI (1899-1987) (04.16.2011)
A MJAFTON TË PRESIM VETËM E TË SHIKOJMË DUKE LARGUAR PERDEN PËR TË PARË SE SI PO VJEN LIRIA Poezi nga AGIM RAMADANI (1964-1999) (04.11.2011)
E ATJE KU RRËNJËT E DENDURA PËRHAP LUMI I ARTË I GJIRIT TËND TË PASTËR, NË TRUPIN TIM LINFAT RRJEDHIN TËRBUESHËMPoezi nga GIACOMO LEOPARDI (Xhakomo Leopardi, 1798-1837) (04.10.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]