VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDICikël poetik nga BARDHYL MALIQI

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 06:51pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDI

Cikël poetik nga BARDHYL MALIQI


E Shtunë, 10.22.2011, 11:30am (GMT+1)

GJYSHJA...

 

Gjyshja kundronte qiellin e hapur

si tepsi,

plot thërrmija yjesh

si fluturza të bardha,

të mbetura nga kulaçi i grunjtë

i diellit;

ndërsa tej llamburiste nëpër natë Korfuzi,

dhe ne ngjyenim bukën në hijen e kandilit.

Dhe hëna krehte flokët e verdhë mbi malin e Nartës,

në pasqyrën vezulluese të Jonit

dhe dëshirat e ndaluara mbyteshin me ngashërim

në ujin qelibar të sterrës,

duke shpresuar për nesër,

nesër!...

 

KUFIJTË

Kanë kaluar katër muaj

nga takimi im me Frosinën

në një natë me hënë

në korijet e spitalit "Haxhikosta";

dridhem nga zëri kërkues

i mjekes sime, Kristinës,

dridhem si fleta e plepit

te liqeni i Janinës.

E di,

vjen një moshë,

kur burrat hutohen, tremben,

si fëmija që ka humbur çelsin e shtëpisë-sigurinë e tij,

varur në qafë

në vend të hajmalisë.

Unë përditë luftoj

të shtyj kufijtë e të qenit fëmijë,

për t'u ndarë me ju mendjekthjellët.

 

TRISHTILI

miqësisht

 

E njihni Trishtilin,

zogun e vogël të gjithkohshëm të pyllit,

që këndon bukur,

që përçartet pranverës me ngjyrën e gjelbër të krahëve,

me gushën e bardhë,

me sqepin e vogël të verdhë,

me lëvizje të gjalla,

vajzërisht të hijshme.

Por ty po më habit bre, Mustafë!

pse ngjyresh me poza patriotizmi,

pse lëviz me postura histerike,

me zë të çjerrë,

me sy të zgurdulluar?

mos vallë don të fshehësh

dobësinë tënde,

atë zogun e vogël të pyllit,

pas flatrave dhe sqepit të një shqiponje,

pas kokës së madhe dhe

syve të zgurdulluar të bufit?!

Mustafë,

o i biri i dikushit!

 

* * *

 

Poezia më e bukur e Kiplingut është në mundsh,

e Kadaresë llora

e Bilal Xhaferit baladë çame

ndërsa poezia jote më e bukur është grami,

ajo bima që të gjithë e luftojnë,

e shkulin, e mihin, e flakin,

se u zë tokën e bukës,

të grurit dhe thekrës.

por grami yt, bre Muçë, ja beh

me një ushtri të tërë filizash të gjelbër,

sikur mbin nga hiçi...

ndaj kur shoh që shtiresh,

ndaj kur shoh që çirresh,

për poetin-njeri,

trishtohem,

më dhemb shpirti!

 

TETI

 

Sikur të mos gjerbja maturimin e humbjeve

dhe mungesat të m'i kompensonte deti,

me gjallesa nënujore;

me ty do ta ndaja heshtjen,

Teti!

Dhe Akilë të rinj do të lindnin,

perëndesha ime thesprote.

Me dashuri,

Yti,

Pele,

Mbret i Mirmidonëve.


 

EKUINOKS

 

Në çdo datë 22,

ka një ngjarje të pashkruar,

një algoritëm të pathënë.

Më 22 mars ekuinoksi pranveror,

më 22 mars poetët i zenë dritën Njeri-Tjetrit,

22 vjeç isha në atëherë,

Nora,

Ti te Kulla Ejfel,

Unë te Portat e Shën Pjetrit!

 

NJË PROSTITUTE

 

Të falem ty,

Prostituta ime,

Sa të hirshme do ishin perënditë,

Nëse do kishin kandellën tënde!

Do ta ndërroj besën eunuke

Dhe Krishtin anemik,

Për të përqafuar

Fenë tënde.

Shërbëtori yt besnik!

 

PENDIMI

 

Dielli është penduar që lindi,

kur pa thertoren tënde,

Paramithi,

më 1945,

dhimbje!

gjak,

lotë dhe hi...

 

KRYQËZATA

 

Unë jam kryqëtar i së arthmes,

por pa kryq e pa shpatë,

për shpirtin tënd,

Amarda,

do të bëj

kryqëzatë!


 

PËR BESË!

 

Pak të zeshkëta dhe me shumë shije,

janë këto besimtaret e Jahovait

në qytetin tim jugor.

Sikur të isha ca vjet më i ri,

për besë,

s'do më njihnit

për shenjtor!






VETËM TI

 

Shenjtore e hershme,

Lezbike e vonuar,

Delikate si qelq,

Më bie nga duart...


 

'97-TA

 

Krismat bënë ngjarjet,

Ngjarjet lindën krisma,

Krim,

Kurthe,

Klithma!

...Kjo qe e gjitha!


 

"N"


 

Neuroni,

nervi,

Nevria.

Unë

mes dy veprave të Sartrit:

"Murtaja"

dhe "Neveria"...



 

KUMRIE

 

Pëllumbeshë e Jugut,

pelistere Kreshmoi,

kumri e Elbasanit,

sa herët më zgjoi!

 

PAGËZIMI I FJALËS

 

Ata erdhën

me zjarr e me hekur

për të pagëzuar heshtjen,

Pal Ëngjëlli pagëzoi fjalën:

"Në Emër të atit, të birit

dhe të shpirtit të shenjtë,

të pagëzoj...

Amen!"

Shkuan shekuj dhe

heshtja u shit në karton;

fjala

si fara e grurit,

gjithnjë bleron!


 

PRANVERA

 

Ky mulli i blojes

dhe kjo "Dredhëz Ere",

gjeratore e kaltër,

ti gush dallëndyshe,

bar që qesh në ledhe...

 

ABETARJA E KOHËVE TË VONA

 

E mirë dhe e keqe,

e bukur dhe e shëmtuar,

e suksesshme dhe e dështuar,

kjo kohë postmoderniteti,

e Abetares sonë të vonuar.

Globale dhe lokale,

e realizuar në gjithë potencialin e vet,

dhe njëkohësisht

foshnjë perverse

e ngecur në djep.

Njeri dhe kafshë,

e dashur dhe vrasëse,

heroike dhe antiheroike,

altruiste dhe egoiste,

kjo koha jonë shqiptare.

E shtypur dhe shtypëse,

e shfrytëzuar dhe shfrytëzuese,

e dhunuar dhe përdhunuese,

gjeratore

gjithërrotulluese!


Dele dhe qen,

qen dhe njeri,

viktimë dhe xhelat,

endem i pafat.

Ndërtuese dhe shkatërruese,

shkurt vetvetja siç është,

maksimë e përhershme,

moral i pamort:

"homos hominus lupus est"

edhe nesër,

si dje,

si sot!


 

EPITAF PËR BUKURINË


 

Bukuri e përpirë në endrra,

bukuri e shpalosur në zgjime,

mes luleve të bajames strukesh,

dhe shndrin në vezullime.

Robi yt kam lindur,

gladiatori yt kam mbetur,

laureshë e pafjetur...




 

SYTË E TU

Sytë e tu kopsa të kaltra,

në fytyrën time janë qepur.

Hiqi moj, të paça,

në s'më do të vdekur!


 

KOHA

 

Hënë e ngrënë,

vajzë e pafat,

rigat e shiut,

etja e tokës

i zgjat.


 

THYERJE

 

Bukë e thyer,

njerëz të thyer,

qiell i thyer,

dhe dyer, dyer, dyer.

Shqyer,

shqyer,

shqyer...


 

ETJA

 

Etje kam në zemër,

etje kam në sy,

etje kam në duar.

Eja ti ta shuash,

Shelgji im kulluar.*

Nora - floçkë burimesh,

shpirti im i zgjuar!

BOTA

Bota si tavëll duhani,

diku në pijetore...

prej mbetjesh tymon.

Fundi si fillimi:

lejlek që shtegton...

MË MIRË...

Më mirë dashuri buzë gremine,

më mirë psherëtimë galaktike,

se sa inekzistent

dhe peng

i vetvetes

në vite.

ÇURK I GJAKUT TË BUKUR

Në këtë botë,

vetëm një çurk gjaku

është i bukur.

Ajo e çvirgjërimit tënd,

laureshë e prillit,

kaçureleve

futur.

ANKESA E PORTËS DYKANATËSHE TË BASHKISË


Ankohet porta dykanatëshe e bashkisë,

pse i qajnë rrezet e reja;

por s'kërkon vaj për to,

kërkon kandilë për varreza...

pyes kush ka vdekur,

askush nuk e di,

mbase politikat e strehimit,

punësimi, çështjet sociale, s'e di!

Ankohet porta dykanatëshe e Bashkisë, se gjithë qyteti

hyn e del këtu, shoqatat, partitë,

kryetarët kuq e blu...

gejshat e politikës dhe bredharakët

hu më hu!

TË ARDHURIT

Ju zbritët nga malet

si përrenjtë në lumë,

ju bujtët nga kodrat

si lumenjtë në det,

me kuç e me maç,

me nuse të reja

dhe me foshnja në djep.

Por i druheni qytetit,

hoteleve dhe bareve

dhe sidomos...

pronarëve!

Se qytetet tona, mor zotërinj,

pjellin vetëm Luke.

Luke dhe "zoti të dhashtë!"

me shalët e holla lakuriq

dhe me kërthizat si bobla

jashtë..

Se shalët lakuriqe dhe

kërthizat jashtë' janë

limanet e vërtetë,

që ka ky qytet.

Këtu ankorohen bluxhinse

dhe kravata

dhe shkarkohet spermë pa doganë,

me para kesh në dorë,

me sekserë, me tutorë,

me shefa, me drejtorë...

BIE SHI NË VARREZA

Bie shi në varreza

dhe lagen krizantemat

deri në rrënjët e dhimbjes.

Bie shi në varreza

dhe heshtja plugon varret.

Vetëm trishtili

çurçuron në gëmushat e verdha

dhe fërshëllen

vetëm era.

STATUJAT

Natën,

njerëzit ëndërrojnë

vendin e statujave.

Natën,

statujat zbresin nga piedestalet.

Po s'më besoni,

pyesni fshesaret!

MANEKINËT

Manekinët janë të lumtur,

kaq shumë reklama,

kaq shumë butikë

vetëm për ta,

vetëm për ta.

Dhe vetëm vajza

dhe gra të reja

manekinët i veshin,

i zhveshin,

i reklamojnë dhe

kur vjetërohen ca,

pronarët,

pa problem,

shitëset i ndërrojnë.

Se manekinët,

vetëm të rejat

dhe vetëm të bukurat

preferojnë;

ndërsa ne

po plakemi vetëm me një grua,

që turfullon

e troshitet,

si kamjon i konsumuar.

Ndër kohë,

s'pyet njeri për Sokratin,

për Tolstoin apo për mua;

që xhaketa e kostumit

na është kuajtur në bërryle,

dhe pantallonat, si shumë

na janë holluar...

Ah, të isha manekin,

sa do të kujdesej

ky qytet

për mua!

REKLAMAT

Reklama majtas,

reklama djathtas,

na u bë jeta

reklama

dhe pasqyra.

E megjithatë,

më tepër

po na nxihet

fytyra...

RRËFIMTARËT E VDEKJES

Si këto fare

që tregojnë anijet e mbytura,

rrugën e mortjes

nga nuk duhet të shkojnë të gjallët;

mbi dhe janë ngulur

si rrëfimtarët e vdekjes,

...Statuja gjeneralësh!

MUZIKA MONOTONE...

Natën

fillojnë muzikën e tyre monotone,

bulkthat

dhe krimbat e drurit.

Ata s'pyesin

për veshët që i dëgjojnë.

Mjafton të dëgjohet

muzika monotone e bulkthave

dhe krimbave të drurit...

BARDYHL MALIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHMEPoezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA (10.19.2011)
EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALIPoezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940) (10.19.2011)
VALLËZIM ME FLAKËNFragment nga romani "Salla me hijet prej letre" i PETRAQ RISTOS (10.12.2011)
SAPUNI "LEDI MAKBETH"Poezi nga ISMAIL KADARE (10.11.2011)
BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËRKatër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.07.2011)
NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLITPoezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938) (10.02.2011)
SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOTLirika nga JORGO BLLACI (1938-2001) (09.30.2011)
VARGJE PËR PËRBINDSHAT E TRAZICIONITPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.29.2011)
DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIMCikël poetik nga FERIDE PAPLEKA (09.22.2011)
ORANZHPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.17.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]