VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 102 VJETORI I FUTURIZMIT OSE PRIMITIVËVE TË NJË NDJESHMËRIE TË REDossier i përgatitur nga ELIDA BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 01:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

102 VJETORI I FUTURIZMIT OSE PRIMITIVËVE TË NJË NDJESHMËRIE TË RE

Dossier i përgatitur nga ELIDA BUÇPAPAJ


E Martë, 10.25.2011, 08:45am (GMT+1)

Lëvizja që pati në qendër të saj dinamizmin, shpejtësinë, fuqinë e makinave, si dhe gjallërinë (vitalitetin) e ritmin e çmendur të jetës moderne, lindi 102 vjet më parë në Itali.

"Qëndruam zgjuar gjithë natën miqtë e mi dhe unë nën llampadarët e xhamisë me kubenë prej tunxhi të latuar, yjëzuar si shpirtërat tona, sepse si ato lëshonin rreze nga vezullimi i ngujuar i një zemre elektrike."

Me këto fjalë më 20 shkurt 1909 në faqet e së përditshmes Le Figaro do të shfaqej Manifesti i Themelimit të Futurizmit.

Futurizmi, lëvizje moderniste me zanafillë krejtësisht italiane, buruar prej intuitës së guximshme të Filippo Tommaso Marinetti, synonte ta përmbyste rregullin e të gjitha arteve dhe ta përballte jetën shoqërore me një ndjeshmëri të paparë kundruall kohës së saj, karakterizuar nga përparimi teknologjik dhe nga zbulimet e reja shkencore.

Qëllimi i futurizmit ishte për ta modernizuar botëkuptimin e jetës dhe të arteve zotëruese në Itali, duke iu kundërvënë klasicizmit dhe të gjitha dobësive që ai mbartte me vete në mjediset artistike, dhe duke imponuar dashurinë për makinat, teknologjinë dhe shpejtësinë.

"Bijtë e brezit të sotëm, të cilët jetojnë midis kozmpolitizmit, vërshimit sindikalist dhe fluturimit të aviatorëve janë projektime të njeriut të shumëzuar me vetveten të cilin ne po përgatitim."


Qysh nga publikimi i Manifestit të parë lëvizja shpërtheu me një vrull provokator gojor të dhunshëm dhe polemizoi për të gjitha rregullat sociale e akademike.

Të parët që iu përgjigjen thirrjes së lëshuar nga Marinetti ishin Umberto Boccioni, Luigi Russolo, Giacomo Balla, e Gino Severini, të cilët më 1910 do të shkruanin "Manifestin teknik të pikturës futuriste".


Ishin pikërisht manifestet programmatike ato që ia dhanë futurizmit shtyllën kurrizore, ato që i bënë të qarta konceptet novatore me të cilat propozonin të rindërtonin një ndjeshmëri të re ndaj jetës. Këto shkrime, tejet teknikë, nganjëherë ironikë e provokatorë, arritën të përftohen në përfytyrimin e shumë artistëve të tjerë, të cilët në fillim kishin qenë armiqësorë ndaj ndryshimeve rrënjësore. Shkrimet në fjalë arritën të krijojnë lidhjet midis popullit dhe artit.

Aavangarda futuriste ishte më poliedrike dhe bujare në kërkimet dhe në prodhimtarinë në të gjitha artet, (pa nënvlerësuar asnjërin, madje nuk mungonin as eksperimentimet kinematografike), përfshirë arkitekturën, fotografinë, deri te zakonet, tek politika dhe madje tek kultura e të gatuarit.

Marinetti u dëshmua skajshmërisht kreativ në të studiarit e mënyrave dhe mjeteve për të mbajtur në qendër të vëmendjes së publikut veprimtarinë e grupit, e duke ngjallur interesin e masave edhe jashtë vendit, ku përuruan ekspozita apo dhanë konferenca.

Një mënyrë e vrazhdë dhe një të folur i dhunshëm i karakterizoi mënyrat e të vepruarit të futuristëve, çka nuk mungoi së krijuari hutime, por pas një periudhe të shkurtër kundërshtimesh dhe mosbesimesh, shumë, para së gjithash artistë të rinj, u përfshinë në lëvizjen, e cila, sipas përkufizimit të vetë themeluesit, ishte "një lëvizje antikulturale, antifilozofike, lëvizje idesh, intuitash, grushtash, shqlemash pastrues dhe përshpejtësues. Futuristët luftojnë maturinë diplomatike, tradicionalizmin dhe neutralizmin, muzetë, kultin e librit."


Pavarësisht një maskilizmi të shfrenuar, në Itali, futurizmi imponoi bazat për të drejtën e votës edhe të grave dhe për pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, me qëllim që të përtërijnë parlamentarizmin arkaik, si dhe për t'i rrënuar idetë paragjykuese për "femrën nënë" dhe për "femrën fatale". Dy nga femrat që lanë më shumë shenja të pashlyeshme në kuadrin e avangardës ishin Valentine De Saint Point, autore e Manifestit të femrës futuriste, dhe e Manifestit të Dalldisë, si dhe piktorja e poetesha Benedetta Cappa, e cila u martua me Marinettin më 1923.


Përveç manifesteve, mbrëmjet teatrore arritën ta fuqizojnë këtë revolucion kulturor, duke kulmuar me spektaklet qëllimisht kaotikë e provokatorë ku ekspozoheshin njëkohësisht leximet e poezive futuriste, muzika e zhurmshme dhe piktura dinamike. Shpesh këto mbrëmje bëheshin burim përplasjesh ideologjike mes mbrojtësve të akademizmit klasik dhe futuristëve e simpatizantëve të tyre, duke kulmuar me ndërhyrjen e forcave të rendit impenjuar të qetësojnë shpirtërat më të flaktë të të dyja palëve, detyruar të bëjë arrestime dhe procedime gjyqësore.


Në letërsi futurizmi imponohet me "Fjalë në liri", formulin i themeluesit të kësaj lëvizjeje që, shumë i vëmendshëm në kërkimin e formave të reja të komunikimit, për të kundërshtuar gjuhën dhe poetikat tradicionale, krijoi një gjuhë sintetike e cila zëvendësonte sintaksën normale dhe pikësimin me një gjuhë shumë të thatë, mbushur me onomatope, me akrostikë dhe me simbole, duke eliminuar sa më shumë që të ishte e mundur nyjat dhe lakimet. Nga poemat marinetiane Zang Tumb tumb, e Battaglia + peso + odore , e nga Parolibere të Govoni mund të jepet një shembull konkret.


Në pikturë e në skulpturë artistët futuristë i ngjiznin veprat e tyre duke u nisur nga plasticiteti dhe nga lëvizja në krejt dinamizmin e tyre, e me një vëmendje të veçantë ndaj përdorimit të ngjyrës. Sa i përket muzikës, muzikanët futuristë shfrytëzonin tingujt dhe zhurmat e metropoleve e të kantiereve për të shprehur forcën ndërtuese industriale duke shpikur disa instrumente të pagëzuar "Intonarumori" (Tingëllimzhurma).


Falë një vargu konferencash në Rusi në vitet 1910, e falë organizimeve të ekspozitave në Francë e Çekosllovaki, në pak kohë fama e futurizmit arriti në mbarë botën, duke sjellë stilin novator përveçse në gjithë Europën, edhe në Amerikë e në Japoni, duke frymëzuar krijimin e disa degëzimeve të avangardës, si egofuturizmi, kubofuturizmi, raxhiofuturizmi, dhe futurizmi rus.


Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore futuristët u deklaruan interventistë të flaktë dhe u nisën qysh në fillim vullnetarë në front. Për shkak të luftës disa prej tyre u zhdukën, duke mbyllur atë që historianët e avangardës e quajnë periudha e "futurizmit të parë", e cila ishte periudha më kreative e lëvizjes.

Me të mbaruar lufta lëvizja iu dha jetë shoqërive të Fashistëve Futuristë (Fasci Futuristi) dhe manifestet e saj politike ndikuan Musolinin aq shumë sa bënë që ai të marrë prej andej shumë pika programore. Kjo çoi edhe në bashkimin e Fashove të luftëtarëve rreth duçes në propagandë të përbashkët me futuristët të cilët shpresonin se te ai do t'i shikonin të realizuar vizionet e tyre. Futurizmi politik karakterizohej nga sjellje antimonarkike e antiklerikale, si dhe nga ideja "e fshirjes së kujtimit brejtës të madhështisë romake, për ta zëvendësuar me një madhështi italiane njëqind herë më të madhe." Pikërisht këto pika përbënë pikëtakimet më të forta midis futuristëve dhe regjimit të ardhshëm, i cili i forcoi raportet me monarkinë dhe klerin, dhe ia ripropozoi popullit një estetikë të bërë prej klasikëve grekë dhe në mënyrë të veçantë nga Perandoria Romake. Prej vitit 1920 Marinetti dhe shumë futuristë u ditancuan nga Musolini dhe nga fashizmi duke e akuzuar për pasatizëm. Pavarësisht këtij ripozicionimi, Musolini gjithnjë u tregua i vëmendshëm ndaj liderit të lëvizjes dhe ndaj vetë lëvizjes futuriste, duke e zyrtarizuar si art të shtetit dhe duke ia dhënë Marinetit më 1929 karriken e Akademikut të Italisë.

Në rrjedhën e gjithë viteve 1920 e 1930 futurizmi vazhdoi kërkimet e tij stilistike dhe komunikative në art, duke u shtrirë sidomos në kërcimet (balet), në teatrin sintetik dhe në kulinari (artin e guzhinës).


Përgjatë asaj periudhe disa artistë të kësaj lëvizjeje filluan t'i rikushtohen klasicizmit, ndërsa të tjerë krijuan stile të reja dhe bënë eksperimente të reja.


Me zhvillimin e aviacionit lindi aeropoezia e aeropiktura, autorët, të nxitur nga fluturimet aeronautike do të sillnin në letër dhe në telajo ndjesitë dhe perspektivat e fluturimeve aeronautike.


Nëse do të kërkohej një datë përmbyllëse e aventurës futuriste, të cilën shumëkush, përfshirë Enciklopedinë Britanike e shënojnë më 1930 (kur vdiste Umberto Boccioni), ajo në të vërtetë mund të vinte më 2 dhjetor 1944, në të njëjtën datë kur vdiste themeluesi i kësaj lëvizjeje. Pavarësisht periudhës tejet të gjatë të mënjanimit dhe përjashtimit, realizuar nga kritikë pak të zgjuar, të cilët padrejtësisht e lidhnin lëvizjen avangardiste me fashizmin në çdo përbërës të tij, e që krejt gabimisht i kanë analizuar deklaratat më provokatore të futurizmit në temën e maskilizmit e militarizmit, ndikimi futurist nuk ka pushuar së ekzistuari në art dhe në komunikimin botëror.

Janë të mbështetura mendimet se Pop Art, muzika elektronike, publiciteti (reklamat), grafika, gjuhësia dhe letërsia e sotme kanë shumëçka prej futurizmit.

Ndërkohë, në degëzimin e saj rus, lëvizja futuriste do të kishte një ndikim të fuqishëm në Rusinë e viteve të Pas Revolucionit të Tetorit. Zëri më i spikatur i këtij degëzimi do të ishte padyshim Vladimir Majakovski, i cili i ruajti në krijmimtari e në veprimtarinë e tij politike e gazetare deri në fund të jetës së tij të ndërprerë, të gjitha shenjat e futurizmit. Ndërsa në degëzimin e saj perëndimor, pjellë e drejtpërdrejtë e futurizmit dhe paralele me të do të ishte dadaizmi, një tjetër lëvizje e fuqishme, e cila do të lindte në Zyrih më 1916 dhe do të kishte në qendër pikërisht nihilizmin ndaj traditave.

Elida BUÇPAPAJ

--

Themelimi dhe Manifesti i Futurizmit

Nga FILIPPO TOMMASO MARINETTI

Kemi qëndruar zgjuar gjithë natën miqtë e mi dhe unë, nën llampa të varura të xhamive me kupolat prej tunxhi të filigrantë, yjëzuar si shpirtërat tanë, duke ndriçuar si ata me rrezatimet e ngujuara të një zemre elektrike. Kemi shkelur për orë të tëra plogështinë tonë atavike mbi qilimat e pasur orientalë, duke diskutuar përballë kufijve ekstremë të logjikës dhe duke nxirë shumë letra me shkrimet tona të furishme.

Një krenari e pafundme gufonte nga kraharorët tanë, sepse ne ndiheshim vetëm në ato orë, vetëm, zgjuar dhe më këmbë, si fenerë madhështorë apo si buri kushtruese, përballë ushtrisë së yjeve armike, duke na i lëbyrur sytë nga fushimet e tyre qiellore. Vetëm me zjarrtarët që ushqejnë zjarrin ferror të anijeve të mëdha, vetëm me fantazmat e zeza që rrëmojnë në barqet e vala të lokomativave të lëshuara në vrapin marramendës, vetëm me pijanecët që kalamenden si zogj të plagosur rrëzë mureve të qytetit.

U hodhëm përpjetë për një çast, tek dëgjonim zhurmën e fuqishme të tramave të panumërt dykatësh, që kalonin duke fërgëlluar, vezullues prej dritave shumëngjyrëshe, si fshatrat në festë, të cilët, pa pritur e pa kujtuar lumi Po iu vërsulet e i çrrënjos, për t'i tërhequr rrëshqanë deri në det, mbi kaskadat e përmes vorbullave të një përmbytjeje.

Pastaj heshtja u bë paksa më e thellë. Por teksa dëgjonim gurgullimën e njëtrajtëshme e të lodhur të jazit të moçëm dhe kërkëllimën e kockave të pallateve të mekur sipër mjekrave të gjelbërimit të lagësht, ne dëgjuam të hungërinin vërtikshëm nën dritaret tona automobilët e babëzitur urie.

"Ecim," thashë unë, "ecim, miq! Nisemi! Më në fund, mitologjia dhe ideali mistik janë kapërcyer. Ne jemi këtu për të marrë pjesë në lindjen e Centaurit dhe shpejt do të shohim të fluturojnë Engjëjt e parë!...Duhet t'i shpërthejmë dyert e jetës për t'i provuar menteshat dhe drynat!...Nisemi! Ja, mbi tokë, agimi i parë i vërtetë! Nuk ka asgjë në botë që të ngjasojë me shkëlqimin e shpatës së kuqe të diellit që çan tejpërtej për herë të parë terrin e mijëvjeçarëve tanë!..."

Ne iu avitëm tri bishave turfulluese, për t'i prekur me duart tona dashurisht gjokset e tyre zhuritëse. Unë isha lëshuar në makinën time si një kufomë e ngujuar në hekura, por u ngjalla menjëherë pranë timonit, tehut të gijotinës që kërcënonte stomakun tim.

Shkopi i furishëm i çmendurisë na rrëmbeu ne dhe na dërgoi përmes rrugëve, reshpore e të thella si shtretër lumenjsh të rrëmbyeshëm. Andej këndej ndonjë llampë e sëmurë, përmes xhamave të një dritareje, na mësonte ne të mos i besojmë matematikës rrenacake të syve tanë të shkimur.

Unë thirra. "Nuhatja, vetëm nuhatja iu mjafton bishave tona!"

Dhe ne, si luanë djalosharë, hap pas hapi ndiqnim Vdekjen, me pelerinë të zezë ndyer me kryqa të zbehtë, e cila ikte vrikshëm për në qiellin e gjerë të manushaqtë, qiellin e gjallë dhe regëtues.

Megjithatë ne nuk kishim një Dashnore ideale që do të ngjitte format e saj hynjore deri tek retë, as nuk kishim një Mbretëreshë mizore së cilës t'ia jepnim trupat tanë, spërdredhur si unaza bizantine! Asgjë që të na bënte të vdisnim, përveç dëshirës që të çlirohemi më në fund nga mbipesha e guximit tonë!

E ne rendnim duke shtypu në pragjet e shtëpive qentë rojtarë që kruspulloseshin nën zjarret tona përvëluese, si këmishat nën hekurin e rrobave. Vdekja, kafshë e zbutur, më lëpihej këmbëve, për të ma zgjatur këmbën e parë në shenjë mirënjohjeje, dhe kohë pa kohe përpëlitej përdhè me një kërcëllimë nofullash të shtrënguara, duke më dërguar shikime të kadifejta dhe ledhatuese.

"Le ta shpërthejmë arsyen si një guaskë të tmerrëshme dhe të dalim andej si fruta plotë aromë krenarie në gojën e madhe të haparavur të erës!...I bëhemi gjellë së Panjohurës, jo tashmë nga dëshpërimi, por vetëm për t'i kulmuar pusat e thellë të Absurdit!"

Sapo i kisha nxjerrë këto fjalë nga goja, kur e vërtita furishëm makinën time rrotull si një qen tek përpiqet ta tundë bishtin e tij, dhe atje në çast u ndesha me dy çiklistë, që ma vunë fajin, duke m'i treguar grushtat, duke u tundur si dy argumente njësoj bindëse dhe kundërthënëse. Dilema e tyre e marrë ishte bllokimi i rrugës sime...Medet! Uh!...E ndala në vend makinën dhe, më e keqja, e pashë veten në një hendek me makinën e përmbysur me të katër rrotat përpjetë në ajër...

Oh! Hendek amnor, pothuaj plot me baltë kënetore! Hendek i hijshëm ofiçine! Unë e hurb babëzisht baltën tënde jetëdhënëse, që ma kujtoi sisën e shenjtë të dadës sime sudaneze... Kur u ngrita përlyer e përbaltur kokë e këmbë nën makinën e përmbysur, unë ndjeva hekurin e bardhë të valë të gëzimit të ma përshkonte ëmbëlsueshëm zemrën time!

Një turmë peshkatarësh të pajisur me grepa peshqish dhe majasëlle natyralistësh vërtitej tashmë rrotull mrekullisë. Me një përkujdesje të durueshme dhe plot dashuri, këta njerëz hodhën pajisje të stërmëdha dhe rrjeta të hatashme hekuri për ta peshkuar automobilin tim, i ngjashëm me një peshkaqen të madh të ngecur në rërë. Makina doli dalëngadalë prej hendekut, duke e braktisur në fund të hendekut, si luspën, karrocerinë e tij të madhe të mirëkuptimit dhe astarët e butë të komoditeteve të tij.

Ata kujtonin se peshkaqeni im i bukur kishte vdekur, por një përkëdhelje e butë e imja mjaftoi për ta ringjallur nga një sëmundje që dukej pa shërim, dhe ajo ku është, sërish e gjallë, duke rendur prapë mbi fletët e tij të stërfuqishme!

Dhe kështu, me fytyrën të mbuluar nga balta e ëmbël e ofiçinave brumosur nga zhgjyrat metalike, djersët e padobishme, nga blozat qiellore ne, të ndrydhur dhe me krahë të fashuar, por sypatrembur, ua shpallëm qëllimet tona të larta të gjithë njerëzve të gjallë të tokës.

Përktheu: Elida BUÇPAPAJ

--

Manifesti i Futurizmit

NGRINI KOKAT LART !

1. Ne duam ta këndojmë dashurinë e rrezikut, zakonin e energjisë dhe të mosfrikës.


2. Trimëria, guximi, ngritja krye do të jenë elementet themelore të poezisë sonë.

3. Letërsia deri sot ka ekzaltuar palëvizshmërinë medituese, ekstazat dhe gjumin. Ne duam të ekzaltojmë lëvizjen agresive, pagjumësinë e ethëshme, hapin e vrapimit, kërcimin mortal, shuplakën dhe grushtin.

4. Ne afirmojmë se mrekullia e botës është pasuruar me një bukuri të re: bukurinë e shpejtësisë. Një automobil garash me kapakun e motorit stolisur me tuba të mëdhenj të ngjashëm me gjarpërinj fryme shpërthyese... një automobil uluritës, që duket sikur rend mbi predha mitralozi, është më i bukur se Fitorja e Samotrakës.

5. Ne duam t'i ngremë hymn njeriut në timon, i cili hedh shtizën e shpirtit të tij tejet Tokës, përgjatë perimetrit të orbitës së saj.

6. Duhet që poeti ta filojë veten me guxim dhe bujari, për ta shtuar dalldinë entusiaste të elementëve zanafillorë (primordialë).

7. Përveç luftës nuk ka tjetër bukuri. Asnjë vepër që nuk ka një karakter agressiv nuk mund të jetë kryevepër. Poezia duhet ngjizur si një sulm i dhunshëm kundër forcave të panjohura, për t'i pakësuar ato dhe për t'i mbrojtur nga njeriu.

8. Ne jemi në vijën e parë të frontit të shekujve!... Pse u dashka të shikojmë prapa, nëse duam t'i shpërthejmë portat misterioze të të Pamundshmes? Koha dhe Hapësira vdiqën dje. Ne jetojmë tashmë në absolutin, sepse kemi krijuar ndërkohë shpejtësinë e përjetëshme të kundondodhshme.

9. Ne duam t'i thurim lavde luftës e vetmja higjienë e botës - militarizmi, patriotizmi, gjesti shkatërrues i lirisjellësve, idetë e bukura për të cilat vdiset dhe përçmimi i femrës.

10. Ne duam t'i shkatërojmë muzetë, le bibliotekat, akademitë e çdo lloji, e të luftojmë kundër moralizmit, feminizmit e kundër çdo qyqarie oportuniste apo dobiprurëse.


11. Ne do t'iu këndojmë turmave të mëdha të mllefosura nga puna, nga kënaqësia apo nga revolta: do t'iu këndojmë baticave shumëngjyrëshe dhe shumëzërëshe të revolucionit në kryeqytetet moderne; ne do t'iu këndojmë dalldive drithëruse netore të arsenaleve e të kantiereve të shkrumuar nga hënat e dhunshme elektrike; stacioneve të stërmbushura të trenave që lëshojnë gjarpërinj tymi; ofiçinave pluskuese mbi retë nëpërmjet vijave të harkuara të tymrave të tyre; urave që kërcejnë mbi lumenjtë si akrobatë gjigantë, që flakërojnë nën diell me një vezullim thikash; piroskafëve aventurozë që nuhatin horizontin, lokomotivave me gjokse të gjerë, që galopojnë mbo shinat si kuaj të përbindshëm hekuri shtrëgnuar me tuba, dhe fluturimin shkitës të aeroplanit, helika e të cilit valvitet në erë si një flamur dhe ngjason me duartrokitjet një turme entusiaste.

Nga Italia po ia shpallim botës këtë manifestin tonë të dhunës shkundulluese dhe përvëluese, me të cilin themelojmë sot "Futurizmin", sepse duam ta çlirojmë këtë vend nga gangrena e tij e qelbur e profesorëve, arkeologëve, e ciceronëve dhe e antikuareve.

Ka prej tepër shumë kohësh që Italia është një treg vjetërsirash. Ne duam ta çlirojmë nga muzetë e panumërt që e mbulojnë të tërën me varreza të panumërta.

Muzè: varreza!...Të njëjtë, sigurisht, për përzierjen e tyre të ligë të aq shumë trupave të panjohur ndaj njëri tjetrit. Muzetë: fjetore publike ku dikush shtrihet përgjithmonë pranë qeniesh të urryera ose të panjohura. Muzetë: thertore absurde piktorësh dhe skulptorësh që therin mizorisht njëri tjetrin me teha ngjyrash dhe vijash, përgjatë faqeve të mureve!

Që të shkosh për një pelegrinazh vjetor, bash si shkohet në varreza Ditën e të Vdekurve...unë e lejoj. Që një herë në vit të jesh gati për t'i bërë nderime me lule Xhokondës, unë e lejoj...Por nuk pranoj të na vënë në rresht çdo ditë për në muzetë e trishtimeve tona, të guximit tonë të munguar, të mosqetësisë sonë të qullët. Pse të dëshirojmë të helmohemi ? Pse të dëshirojmë të kalbemi?

E çfarë të shikosh në pikturat e vjetra përveçse përpëlitjet e stërmundimshme të një artisti, i cili sfilitet për t'i kapërcyer pengesat e pakalueshme të cilat i kundëvihen dëshirës së tij për ta shprehur tërësisht ëndërrën e tij?... Të admirosh një pikturë antike është njëlloj si ta harxhojmë ndjeshmërinë tonë në një urnë mortore, në vend që ta përkushtojmë atë larg, në rekasione të dhunshme krijimi dhe veprimi.

Dashkeni atëherë t'i çoni kot forcat tuaja më të mira, në këtë admirim të përjetëshëm dhe të padobishëm të së kaluarës, nga e cila dilni fatalisht tejet të drobitur, të zvogëluar dhe të rrënuar?

Në të vërtetë unë ju deklaroj se vajtja e përditshme në muzetë, në bibliotekat dhe në akademitë (varreza të stërmundimeve të kota, kalvarë të ëndërrave të kryqëzuara, regjistra të fillimeve të dështura!) është, për artistët, tejet më e dëmshme se tutela e stërzgjatur e prindërve ndaj disa të rinjve të dehur nga talenti i tyre dhe nga dëshirat e tyre ambicioze. Për fikanat, për plogështanat, për të burgosurit, qoftë edhe: - e kaluara e admirueshme ndoshta një ilaç ndaj dergjëve të tyre, sepse për ata e ardhmja është përmbyllur... Por ne nuk duam të dimë më për të shkuarën, ne, futuristët e rinj dhe të fortë.

Le të vinë, pra, zjarrvënësit gazmorë me gishta të shkrumuar! Ja ku janë! Ja ku janë!...

Ejani! Vërjuani zjarrin rafteve të bibliotekave!... Lëshojini jazet për t'i përmbytur muzetë!...

Oh, gëzimi i të shikuarit të kanavacave tek lundrojnë sipër ujërave, të shngjyrosura dhe të qullosura, kanavacat e vjetra e të lavdishme!... Merrni kazmat, sopatat e çekiçët dhe shkatërroni pa mëshirë qytetet e nderuara!

Më të vjetrit nga ne janë tridhjetë vjeç: na mbetet, pra, së paku një dhjetëvjetësh për ta përmbushur veprën tonë. Kur ne të jemi dyzet vjeç, njerëz të tjerë më të rinj dhe më të vlefshëm se ne, ndoshta do të na hedhin ne në kosha, si dorëshkrime të padobishme. Ne e dëshirojmë!

Do të na kundërvihen ne pasrardhësit tanë; do të vijnë nga larg, nga çdo anë e botës, duke kërcer nën ritme të mëkuara nga këngët e tyre të para, duke i zgjatur kthetrat grabitqare, duke nuhatur qenërisht në dyert e akademive erën e mirë të mendjeve tona në kalbëzim, tashmë ushqim për katakombet e bibiliotekave.

Po ne nuk do të jemi atje... Së fundi ata do të na gjejnë ne një natë dimri në fushëtirën e hapur, në një çati mbi të cilën kumbon një shi monoton, e do të na shikojnë kacul pranë aeroplanëve tanë të drithëruar dhe duke ngrohur duart në zjarrin e varfër që librat tanë të sotëm tek flakërojnë nën fluturimin e përfytyrimeve tona.

Ata do të vërshojnë rrotull nesh, duke gulçuar nga ankthi dhe marazi, pezmatuar nga trimëria jonë krenare, të palodhur së guxuari, do të vërsulen të na vrasin ne, shtyrë nga urrejtja aq e pashterrëshme sa më shumë që zemrat e tyre do të jenë të dehura me dashuri dhe me admirim për ne.

Padrejtësia e fortë dhe e shëndetëshme do të pëlcasë rrezatuese në sytë e tyre. Arti, në fakt, nuk mund të jetë tjetërgjë veçse dhunë, mizori dhe padrejtësi.

Më të vjetrit nga ne janë tridhjetë vjeç: megjithatë, ne i kemi zbrazur tashmë thesarët, një mijë thesarë force, dashurie, guximi, dhelpërie, dhe vullneti të egër; i kemi hedhur tutje më padurim, në furi, pa çarë kokën, pa nguruar kurrë, pa pushuar kurrë, pa frymë, pa u ndalur...

Shikonani! Ne jemi ende të palodhur ! Zemrat tona nuk ndjejnë asnjë lodhje, sepse janë ushqyer me zjarr, me urrejtje dhe me shpejtësi!... Çuditeni ?... Është e arsyeshme, sepse ju nuk mbani mend as që keni jetuar ! Ngjitur në majën e botës, ne e vazhdojmë ende sfidën tonë tek yjet!

Kini kundërshtime?... Mjaft! Mjaft! I dimë... I kemi kuptuar!... Mençuria jonë e bukur dhe mashtruese na rrëfen se ne jemi rilindja dhe zgjatimi i të parëve tanë. Ndoshta!... Le të jetë ashtu!... Po ç'rëndësi ka? Nuk duam t'ia dimë !... Mjerë kush na i thotë ato fjalë të mbrapshta edhe një herë !...

Ngreni kokat lart!...

Ngjituni në majën e botës, ne vazhdojmë edhe njëherë sfidën tonë tek yjet!...

Përktheu: Elida BUÇPAPAJ

--

Automobilit të garës

NGA Filippo Tommaso Marinetti


Perëndi e furishme e një race çeliku,
Automobil i dehur për hapësirë,
që çukërmon dhe drithëron nga ankthi
duke brejtur ngojzën me dhëmbët krakëllitës
Kuçedër e përkryer japoneze,
me sytë prej skëterre,
ushqyer me flakë
e me vajra minerale,
i etur për horizonte, për prè yjore
unë e lëshoj në turr zemrën tënde që shfryn djallëzisht,
lëshoj në turr pneumatikët e tu gjiganteskë,
për kërcimin që ti di ta kërcesh
përpara nëpër rrugët e bardha të të gjithë botës!
Lëshoj përfundimisht
frerët e tu metalikë,
e ti me dalldi vërsulesh
në Pafundësinë çlirimtare!
Në lehjet e tua me zë të lartë
ja ku perëndon dielli tek të ndjek shpejt
duke përshpejtuar regëtimën tënde

të përgjakur, në horizont

Ja, si shkon revan, thellë pyjeve, tej poshtë !

Ç'rëndësi ka, djallushi im i bukur?

unë jam në dorën tënde! Merrmë! Merrmë!

Mbi tokën shurdhane, ndonëse e tëra drithëron

nga jehonat zhurmëtare;

nën qiellin e qorruar, ndonëse plot me yje,

unë shkoj duke rënduar ethet e mia

dhe dëshirën time,

duke i kamzhikuar me goditje të forta shpate.

Dhe tash e tevona ngre kryet

Për t'i ndjerë mbi qafë

Në shtrëngim të butë krahët

E çmendur të erës, të kadifejta e tejet të freskëta

Janë tutë ata krahë magjepsës dhe të largët

Që më tërheqin, dhe era

S'është tjetër veç krahu yt i humnerës,

o Pafundësi pa fund që me gëzim më përthith!

Ah! Ah! Shoh për një çast mullinjtë

Të zes, plogështanë,

që duket sikur rendin mbi flatra

pëlhure të ashtëzuar

si mbi këmbë zgjatane

Tashmë malet kanë për të hedhur

Mbi vrapin tim mitanin e flladit përgjumës,

atje, në atë bëmë ogurkeqe

Male! Kopè e përbindshme mamutësh,

çfarë trokthesh të rënda, duke harkuar

kurrizët tuaj të hatashëm,

nganjëherë pështjellë, nganjëherë pse jo

nga lëmshi gri i mjegullave!
Pikas zhurmën bubulluese të vagullt

që vulosin sipër rrugëve

çizmet përrallore shtatë legash

të këmbëve tuaja kolosale

O male me mitanë të bruztë flladitës!

O lumenj të bukur që frymoni

Lumnisht netëve hënëplota!

O rrafshnalta të mugëta! Unë ju kapërcej revan!

Mbi këtë përbindëshin tim të çmendur!

Yje! O yjet e mi! E dëgjoni ju

Kalërimin e hapave të tij!
E dëgjoni ju zërin e tij, të cilin furia e spirron

Zërin e tij shpërthyes, që leh dhe prap leh

Dhe kumbimin e mushkërive të tij të hekurta

Rrrrrreknyes në humnerrrrrë

Pambarrrrrrimishshsht?

E pranoj sfidën, o yjet e mia!

Sa më shpejt! Edhe sa më shpejt!

Dhe pa ndalje, as pushim !

Lëshoi frenat! Nuk mundesh?

Thyeji, atëherë,

që pulsi i motorit t'i qindfishojë vrullet e tij!

Urrà! Pa lidhje më me këtë tokë të plehtë!
Unë lodhem fundja, dhe fluturoj vrikshëm

Sipër lumit dehës të yjeve
që gufon tejetej në shtratin e madh qiellor!

Shqipëroi Elida BUÇPAPAJ

Përgatiti: ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDICikël poetik nga BARDHYL MALIQI (10.22.2011)
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHMEPoezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA (10.19.2011)
EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALIPoezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940) (10.19.2011)
VALLËZIM ME FLAKËNFragment nga romani "Salla me hijet prej letre" i PETRAQ RISTOS (10.12.2011)
SAPUNI "LEDI MAKBETH"Poezi nga ISMAIL KADARE (10.11.2011)
BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËRKatër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.07.2011)
NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLITPoezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938) (10.02.2011)
SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOTLirika nga JORGO BLLACI (1938-2001) (09.30.2011)
VARGJE PËR PËRBINDSHAT E TRAZICIONITPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.29.2011)
DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIMCikël poetik nga FERIDE PAPLEKA (09.22.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]