VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Manifesti i Futurizmit NGRINI KOKAT LART!

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 06:59pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

Manifesti i Futurizmit

NGRINI KOKAT LART!


E Mërkurë, 10.26.2011, 09:24am (GMT+1)

1. Ne duam ta këndojmë dashurinë e rrezikut, zakonin e energjisë dhe të mosfrikës.


2. Trimëria, guximi, ngritja krye do të jenë elementet themelore të poezisë sonë.

3. Letërsia deri sot ka ekzaltuar palëvizshmërinë medituese, ekstazat dhe gjumin. Ne duam të ekzaltojmë lëvizjen agresive, pagjumësinë e ethëshme, hapin e vrapimit, kërcimin mortal, shuplakën dhe grushtin.

4. Ne afirmojmë se mrekullia e botës është pasuruar me një bukuri të re: bukurinë e shpejtësisë. Një automobil garash me kapakun e motorit stolisur me tuba të mëdhenj të ngjashëm me gjarpërinj fryme shpërthyese... një automobil uluritës, që duket sikur rend mbi predha mitralozi, është më i bukur se Fitorja e Samotrakës.

5. Ne duam t'i ngremë hymn njeriut në timon, i cili hedh shtizën e shpirtit të tij tejet Tokës, përgjatë perimetrit të orbitës së saj.

6. Duhet që poeti ta filojë veten me guxim dhe bujari, për ta shtuar dalldinë entusiaste të elementëve zanafillorë (primordialë).

7. Përveç luftës nuk ka tjetër bukuri. Asnjë vepër që nuk ka një karakter agressiv nuk mund të jetë kryevepër. Poezia duhet ngjizur si një sulm i dhunshëm kundër forcave të panjohura, për t'i pakësuar ato dhe për t'i mbrojtur nga njeriu.

8. Ne jemi në vijën e parë të frontit të shekujve!... Pse u dashka të shikojmë prapa, nëse duam t'i shpërthejmë portat misterioze të të Pamundshmes? Koha dhe Hapësira vdiqën dje. Ne jetojmë tashmë në absolutin, sepse kemi krijuar ndërkohë shpejtësinë e përjetëshme të kundondodhshme.

9. Ne duam t'i thurim lavde luftës e vetmja higjienë e botës - militarizmi, patriotizmi, gjesti shkatërrues i lirisjellësve, idetë e bukura për të cilat vdiset dhe përçmimi i femrës.

10. Ne duam t'i shkatërojmë muzetë, le bibliotekat, akademitë e çdo lloji, e të luftojmë kundër moralizmit, feminizmit e kundër çdo qyqarie oportuniste apo dobiprurëse.


11. Ne do t'iu këndojmë turmave të mëdha të mllefosura nga puna, nga kënaqësia apo nga revolta: do t'iu këndojmë baticave shumëngjyrëshe dhe shumëzërëshe të revolucionit në kryeqytetet moderne; ne do t'iu këndojmë dalldive drithëruse netore të arsenaleve e të kantiereve të shkrumuar nga hënat e dhunshme elektrike; stacioneve të stërmbushura të trenave që lëshojnë gjarpërinj tymi; ofiçinave pluskuese mbi retë nëpërmjet vijave të harkuara të tymrave të tyre; urave që kërcejnë mbi lumenjtë si akrobatë gjigantë, që flakërojnë nën diell me një vezullim thikash; piroskafëve aventurozë që nuhatin horizontin, lokomotivave me gjokse të gjerë, që galopojnë mbo shinat si kuaj të përbindshëm hekuri shtrëgnuar me tuba, dhe fluturimin shkitës të aeroplanit, helika e të cilit valvitet në erë si një flamur dhe ngjason me duartrokitjet një turme entusiaste.

Nga Italia po ia shpallim botës këtë manifestin tonë të dhunës shkundulluese dhe përvëluese, me të cilin themelojmë sot "Futurizmin", sepse duam ta çlirojmë këtë vend nga gangrena e tij e qelbur e profesorëve, arkeologëve, e ciceronëve dhe e antikuareve.

Ka prej tepër shumë kohësh që Italia është një treg vjetërsirash. Ne duam ta çlirojmë nga muzetë e panumërt që e mbulojnë të tërën me varreza të panumërta.

Muzè: varreza!...Të njëjtë, sigurisht, për përzierjen e tyre të ligë të aq shumë trupave të panjohur ndaj njëri tjetrit. Muzetë: fjetore publike ku dikush shtrihet përgjithmonë pranë qeniesh të urryera ose të panjohura. Muzetë: thertore absurde piktorësh dhe skulptorësh që therin mizorisht njëri tjetrin me teha ngjyrash dhe vijash, përgjatë faqeve të mureve!

Që të shkosh për një pelegrinazh vjetor, bash si shkohet në varreza Ditën e të Vdekurve...unë e lejoj. Që një herë në vit të jesh gati për t'i bërë nderime me lule Xhokondës, unë e lejoj...Por nuk pranoj të na vënë në rresht çdo ditë për në muzetë e trishtimeve tona, të guximit tonë të munguar, të mosqetësisë sonë të qullët. Pse të dëshirojmë të helmohemi ? Pse të dëshirojmë të kalbemi?

E çfarë të shikosh në pikturat e vjetra përveçse përpëlitjet e stërmundimshme të një artisti, i cili sfilitet për t'i kapërcyer pengesat e pakalueshme të cilat i kundëvihen dëshirës së tij për ta shprehur tërësisht ëndërrën e tij?... Të admirosh një pikturë antike është njëlloj si ta harxhojmë ndjeshmërinë tonë në një urnë mortore, në vend që ta përkushtojmë atë larg, në rekasione të dhunshme krijimi dhe veprimi.

Dashkeni atëherë t'i çoni kot forcat tuaja më të mira, në këtë admirim të përjetëshëm dhe të padobishëm të së kaluarës, nga e cila dilni fatalisht tejet të drobitur, të zvogëluar dhe të rrënuar?

Në të vërtetë unë ju deklaroj se vajtja e përditshme në muzetë, në bibliotekat dhe në akademitë (varreza të stërmundimeve të kota, kalvarë të ëndërrave të kryqëzuara, regjistra të fillimeve të dështura!) është, për artistët, tejet më e dëmshme se tutela e stërzgjatur e prindërve ndaj disa të rinjve të dehur nga talenti i tyre dhe nga dëshirat e tyre ambicioze. Për fikanat, për plogështanat, për të burgosurit, qoftë edhe: - e kaluara e admirueshme ndoshta një ilaç ndaj dergjëve të tyre, sepse për ata e ardhmja është përmbyllur... Por ne nuk duam të dimë më për të shkuarën, ne, futuristët e rinj dhe të fortë.

Le të vinë, pra, zjarrvënësit gazmorë me gishta të shkrumuar! Ja ku janë! Ja ku janë!...

Ejani! Vërjuani zjarrin rafteve të bibliotekave!... Lëshojini jazet për t'i përmbytur muzetë!...

Oh, gëzimi i të shikuarit të kanavacave tek lundrojnë sipër ujërave, të shngjyrosura dhe të qullosura, kanavacat e vjetra e të lavdishme!... Merrni kazmat, sopatat e çekiçët dhe shkatërroni pa mëshirë qytetet e nderuara!

Më të vjetrit nga ne janë tridhjetë vjeç: na mbetet, pra, së paku një dhjetëvjetësh për ta përmbushur veprën tonë. Kur ne të jemi dyzet vjeç, njerëz të tjerë më të rinj dhe më të vlefshëm se ne, ndoshta do të na hedhin ne në kosha, si dorëshkrime të padobishme. Ne e dëshirojmë!

Do të na kundërvihen ne pasrardhësit tanë; do të vijnë nga larg, nga çdo anë e botës, duke kërcer nën ritme të mëkuara nga këngët e tyre të para, duke i zgjatur kthetrat grabitqare, duke nuhatur qenërisht në dyert e akademive erën e mirë të mendjeve tona në kalbëzim, tashmë ushqim për katakombet e bibiliotekave.

Po ne nuk do të jemi atje... Së fundi ata do të na gjejnë ne një natë dimri në fushëtirën e hapur, në një çati mbi të cilën kumbon një shi monoton, e do të na shikojnë kacul pranë aeroplanëve tanë të drithëruar dhe duke ngrohur duart në zjarrin e varfër që librat tanë të sotëm tek flakërojnë nën fluturimin e përfytyrimeve tona.

Ata do të vërshojnë rrotull nesh, duke gulçuar nga ankthi dhe marazi, pezmatuar nga trimëria jonë krenare, të palodhur së guxuari, do të vërsulen të na vrasin ne, shtyrë nga urrejtja aq e pashterrëshme sa më shumë që zemrat e tyre do të jenë të dehura me dashuri dhe me admirim për ne.

Padrejtësia e fortë dhe e shëndetëshme do të pëlcasë rrezatuese në sytë e tyre. Arti, në fakt, nuk mund të jetë tjetërgjë veçse dhunë, mizori dhe padrejtësi.

Më të vjetrit nga ne janë tridhjetë vjeç: megjithatë, ne i kemi zbrazur tashmë thesarët, një mijë thesarë force, dashurie, guximi, dhelpërie, dhe vullneti të egër; i kemi hedhur tutje më padurim, në furi, pa çarë kokën, pa nguruar kurrë, pa pushuar kurrë, pa frymë, pa u ndalur...

Shikonani! Ne jemi ende të palodhur ! Zemrat tona nuk ndjejnë asnjë lodhje, sepse janë ushqyer me zjarr, me urrejtje dhe me shpejtësi!... Çuditeni ?... Është e arsyeshme, sepse ju nuk mbani mend as që keni jetuar ! Ngjitur në majën e botës, ne e vazhdojmë ende sfidën tonë tek yjet!

Kini kundërshtime?... Mjaft! Mjaft! I dimë... I kemi kuptuar!... Mençuria jonë e bukur dhe mashtruese na rrëfen se ne jemi rilindja dhe zgjatimi i të parëve tanë. Ndoshta!... Le të jetë ashtu!... Po ç'rëndësi ka? Nuk duam t'ia dimë !... Mjerë kush na i thotë ato fjalë të mbrapshta edhe një herë !...

Ngreni kokat lart!...

Ngjituni në majën e botës, ne vazhdojmë edhe njëherë sfidën tonë tek yjet!...

Përktheu: ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AUTOMOBILIT TË GARËSPoezi nga FILIPPO TOMMASO MARINETTI (10.26.2011)
102 VJETORI I FUTURIZMIT OSE PRIMITIVËVE TË NJË NDJESHMËRIE TË REDossier i përgatitur nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2011)
DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDICikël poetik nga BARDHYL MALIQI (10.22.2011)
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHMEPoezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA (10.19.2011)
EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALIPoezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940) (10.19.2011)
VALLËZIM ME FLAKËNFragment nga romani "Salla me hijet prej letre" i PETRAQ RISTOS (10.12.2011)
SAPUNI "LEDI MAKBETH"Poezi nga ISMAIL KADARE (10.11.2011)
BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËRKatër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.07.2011)
NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLITPoezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938) (10.02.2011)
SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOTLirika nga JORGO BLLACI (1938-2001) (09.30.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]