VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - THEMELIMI DHE MANIFESTI I FUTURIZMITNga FILIPPO TOMMASO MARINETTI

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 06:48pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

THEMELIMI DHE MANIFESTI I FUTURIZMIT

Nga FILIPPO TOMMASO MARINETTI


E Mërkurë, 10.26.2011, 09:29am (GMT+1)

Kemi qëndruar zgjuar gjithë natën miqtë e mi dhe unë, nën llampa të varura të xhamive me kupolat prej tunxhi të filigrantë, yjëzuar si shpirtërat tanë, duke ndriçuar si ata me rrezatimet e ngujuara të një zemre elektrike. Kemi shkelur për orë të tëra plogështinë tonë atavike mbi qilimat e pasur orientalë, duke diskutuar përballë kufijve ekstremë të logjikës dhe duke nxirë shumë letra me shkrimet tona të furishme.

Një krenari e pafundme gufonte nga kraharorët tanë, sepse ne ndiheshim vetëm në ato orë, vetëm, zgjuar dhe më këmbë, si fenerë madhështorë apo si buri kushtruese, përballë ushtrisë së yjeve armike, duke na i lëbyrur sytë nga fushimet e tyre qiellore. Vetëm me zjarrtarët që ushqejnë zjarrin ferror të anijeve të mëdha, vetëm me fantazmat e zeza që rrëmojnë në barqet e vala të lokomativave të lëshuara në vrapin marramendës, vetëm me pijanecët që kalamenden si zogj të palogosur rrëzë mureve të qytetit.

U hodhëm përpjetë për një çast, tek dëgjonim zhurmën e fuqishme të tramave të panumërt dykatësh, që kalonin duke fërgëlluar, vezullues prej dritave shumëngjyrëshe, si fshatrat në festë, të cilët, pa pritur e pa kujtuar lumi Po iu vërsulet e i çrrënjos, për t'i tërhequr rrëshqanë deri në det, mbi kaskadat e përmes vorbullave të një përmbytjeje.

Pastaj heshtja u bë paksa më e thellë. Por teksa dëgjonim gurgullimën e njëtrajtëshme e të lodhur të jazit të moçëm dhe kërkëllimën e kockave të pallateve të mekur sipër mjekrave të gjelbërimit të lagësht, ne dëgjuam të hungërinin vërtikshëm nën dritaret tona automobilët e babëzitur urie.

"Ecim," thashë unë, "ecim, miq! Nisemi! Më në fund, mitologjia dhe ideali mistik janë kapërcyer. Ne jemi këtu për të marrë pjesë në lindjen e Centaurit dhe shpejt do të shohim të fluturojnë Engjëjt e parë!...Duhet t'i shpërthejmë dyert e jetës për t'i provuar menteshat dhe drynat!...Nisemi! Ja, mbi tokë, agimi i parë i vërtetë! Nuk ka asgjë në botë që të ngjasojë me shkëlqimin e shpatës së kuqe të diellit që çan tejpërtej për herë të parë terrin e mijëvjeçarëve tanë!..."

Ne iu avitëm tri bishave turfulluese, për t'i prekur me duart tona dashurisht gjokset e tyre zhuritëse. Unë isha lëshuar në makinën time si një kufomë e ngujuar në hekura, por u ngjalla menjëherë pranë timonit, tehut të gijotinës që kërcënonte stomakun tim.

Shkopi i furishëm i çmendurisë na rrëmbeu ne dhe na dërgoi përmes rrugëve, reshpore e të thella si shtretër lumenjsh të rrëmbyeshëm. Andej këndej ndonjë llampë e sëmurë, përmes xhamave të një dritareje, na mësonte ne të mos i besojmë matematikës rrenacake të syve tanë të shkimur.

Unë thirra. "Nuhatja, vetëm nuhatja iu mjafton bishave tona!"

Dhe ne, si luanë djalosharë, hap pas hapi ndiqnim Vdekjen, me pelerinë të zezë ndyer me kryqa të zbehtë, e cila ikte vrikshëm për në qiellin e gjerë të manushaqtë, qiellin e gjallë dhe regëtues.

Megjithatë ne nuk kishim në Dashnore ideale që do të ngjitte format e saj hynjore deri tek retë, as nuk kishim në Mbretëreshë mizore së cilës t'ia jepnim trupat tanë, spërdredhur si unaza bizantine! Asgjë që të na bënte të vdisnim, përveç dëshirës që të çlirohemi më në fund nga mbipesha e guximit tonë!

E ne rendnim duke shtypu në pragjet e shtëpive qentë rojtarë që kruspulloseshin nën zjarret tona përvëluese, si këmishat nën hekurin e rrobave. Vdekja, kafshë e zbutur, më lëpihej këmbëve, për të ma zgjatur këmbën e parë në shenjë mirënjohjeje, dhe kohë pa kohe përpëlitej përdhè me një kërcëllimë nofullash të shtrënguara, duke më dërguar shikime të kadifejta dhe ledhatuese.

"Le ta shpërthejmë arsyen si një guaskë të tmerrëshme dhe të dalim andej si fruta plotë aromë krenarie në gojën e madhe të haparavur të erës!...I bëhemi gjellë së Panjohurës, jo tashmë nga dëshpërimi, por vetëm për t'i kulmuar pusat e thellë të Absurdit!"

Sapo i kisha nxjerrë këto fjalë nga goja, kur e vërtita furishëm makinën time rrotull si një qen tek përpiqet ta tundë bishtin e tij, dhe atje në çast u ndesha me dy çiklistë, që ma vunë fajin, duke m'i treguar grushtat, duke u tundur si dy argumente njësoj bindëse dhe kundërthënëse. Dilema e tyre e marë ishte bllokimi i rrugës sime...Medet! Uh!...E ndala në vend makinën dhe, më e keqja, e pashë veten në një hendek me makinën e përmbyrur me të katër rrotat përpjetë në ajër...

Oh! Hendek amnor, pothuaj plot me baltë kënetore! Hendek i hijshëm ofiçine! Unë e hurb babëzisht baltën tënde jetëdhënëse, që ma kujtoi sisën e shenjtë të dadës sime sudaneze... Kur u ngrita përlyer e përbaltur kokë e këmbë nën makinën e përmbysur, unë ndjeva hekurin e bardhë të valë të gëzimit të ma përshkonte ëmbëlsueshëm zemrën time!

Një turmë peshkatarësh të pajisur me grepa peshqish dhe majasëlle natyralistësh vërtitej tashmë rrotull mrekullisë. Me një përkujdesje të durueshme dhe plot dashuri, këta njerëz hodhën pajisje të stërmëdha dhe rrjeta të hatashme hekuri për ta peshkuar automobilin tim, i ngjashëm me një peshkaqen të madh të ngecur në rërë. Makina doli dalëngadalë prej hendekut, duke braktisur në fund të hendekut, si luspën, karrocerinë e tij të madhe të mirëkuptimit dhe astarët e butë të komoditeteve të tij.

Ata kujtonin se peshkaqeni im i bukur kishte vdekur, por një përkëdhelje e butë e imja mjaftoi për ta ringjallur nga një sëmundje që dukej pa shërim, dhe ajo ku është, sërish e gjallë, duke rendur prapë mbi fletët e tij të stërfuqishme!

Dhe kështu, me fytyrën të mbuluar nga balta e ëmbën e ofiçinave brumosur nga zhgjyrat metalike, djersët e padobishme, nga blozat qiellore ne, të ndrydhur dhe me krahë të fashuar, por sypatrembur, ua shpallëm qëllimet tona të larta të gjithë njerëzve të gjallë të tokës:

Përktheu: ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Manifesti i Futurizmit NGRINI KOKAT LART! (10.26.2011)
AUTOMOBILIT TË GARËSPoezi nga FILIPPO TOMMASO MARINETTI (10.26.2011)
102 VJETORI I FUTURIZMIT OSE PRIMITIVËVE TË NJË NDJESHMËRIE TË REDossier i përgatitur nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2011)
DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDICikël poetik nga BARDHYL MALIQI (10.22.2011)
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHMEPoezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA (10.19.2011)
EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALIPoezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940) (10.19.2011)
VALLËZIM ME FLAKËNFragment nga romani "Salla me hijet prej letre" i PETRAQ RISTOS (10.12.2011)
SAPUNI "LEDI MAKBETH"Poezi nga ISMAIL KADARE (10.11.2011)
BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËRKatër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.07.2011)
NJË LIS PASQYROHET NË LOTIN E QIELLITPoezi nga MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI (13 tetor 2011- 26 gusht 1938) (10.02.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]