VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ZOTI MË NË FUND DUHEJ TË BESONTE NË NJERIUNPoezi nga nobelistja WISLAWA SZYMBORSKA të përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 06:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

ZOTI MË NË FUND DUHEJ TË BESONTE NË NJERIUN

Poezi nga nobelistja WISLAWA SZYMBORSKA të përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ


E Enjte, 10.27.2011, 03:05pm (GMT+1)

TEPËRIM

 

Kanë zbuluar një yll të ri,

por nuk do të thotë se do të ketë shumë dritë

apo diçka tjetër që më parë nga mungonte.

 

Ylli është i madh dhe larg,

aq i vogël sa të jetë i vogël,

madje edhe më i vogël se të tjerët

e më i vogël se vetja.

Të habiteshim nuk do të ishte e pavend

nëse vetëm do të kishim kohë të habitemi.

 

Mosha e yllit, masa e tij, pozicioni,

e gjithë kjo mjafton ndoshta

për një tezë doktorature

dhe një festë të vogël

në mjediset pranë qiellit:

astronomi, gruaja e tij, të afërmit, kolegët,

atmosfera shkujdesur, veshjet jozyrtare,

bisedohet sidomos për temat lokale

e përtypen lajthi.

 

Një yll i mrekullueshëm,

por nuk është arsye e bollshme

për të ngritur shëndete për zonjat

më të pranishme.

 

Një yll pa pasoja.

Ndikues në motin, modën, rezultatin e ndeshjes,

qeverinë, të ardhurat dhe krizën e vlerave.

 

Pa pasqyrime në propagandën dhe industrinë e rëndë,

në llakun e tavolinës së bisedimeve.

Aq më tepër për ditët e numëruara të jetës.

 

E ç'ia vlen të pyesësh

poshtë sa yjeve lind njeriu,

e poshtë sa të tjerëve një çast më vonë ai vdes.

 

I ri.

- Më tregoni të paktën ku është.

- Mes tunit të resë së vogël gri të shprishur

e atij atij gemi, më në të mëngjër të akacjes.

- Ah, ja ku qenka, - them unë.

--

PAMJE ME KOKRRIZË RËRE

 

E quajmë kokrrizë rëre.

Por ajo nuk e quan veten as kokrrizë, as rërë.

Bën edhe pa emër

të përgjithshëm, të përveçëm,

të pashquar, të shquar,

të pasaktë, të saktë.

 

Nuk i jep rëndësi shikimit tonë, prekjes.

Nuk ndihet i shikuar, i prekur.

E nëse ka rënë në pezul të dritares

është vetëm një aventurë e jona, jo e saja.

Për të është sikur të ketë rënë mbi një gjë çfarëdo,

pa dashur t'ia dijë nëse ka rënë

apo do të bjerë prapë.

 

Nga dritarja ka një pamje të bukur mbi liqen,

po në atë pamje ajo nuk shihet.

Pa ngjyrë e pa formë,

pa zë, pa aromë e dhimbje

është mënyra e saj e të qenit.

 

Pa fund lakimi i fundit të liqenit

e pa breg lakimi i brigjeve.

As i lagur, as i thatë lakimi ujit të tij.

As njëjës, as shumës ai i valëve,

që murmurijnë shurdhe ndaj murmuritjes së tyre

rrotull gurëve jo të vegjël, jo të mëdhenj.

 

Është e gjitha nën një qiell për natyrë pa qiell,

ku dielli perëndon duke mos perënduar në fakt

e fshihet duke mos u fshehur prapa një reje të pafaj.

Era e pështjellon pa ndonjë arsye tjetër

përveç arsyes që të fryjë.

 

Kalon një sekondë.

Një sekondë tjetër.

Një sekondë e tretë.

Po janë vetëm tri sekonda tonat.

 

Koha kaloi si një korrier me një lajm urgjent.

Po është vetëm një paragjykim yni.

Trilluar personazhi, përvjedhur nxitimi

dhe lajmi jonjerëzor.

--

 

GARDËROBË

 

Zhvesh, zhveshim, zhvishni

kapotat, xhaketat, zhiletë, këmishat

e leshta, të pambukta, terital,

fundet, çorapet, mestet, nënveshjet,

duke pozuar, duke i varur, duke i hedhur

mbi mbështetëset e karrikeve, cepat e kanateve;

tash për tash, thotë mjeku, asgjë serioze,

rivishesh, pushon, bën një udhëtim,

sipas rastit, pas drekës, në mbrëmje,

kthehesh pas tre muajsh, gjashtë, një viti,

e shikon, e ti mendoje, e ne druheshim,

e ju hamendësonit, e ai dyshonte;

është tani ora të lidhësh me duar të dridhura

toja, kopsa, mbërthecka, katrama,

rripa, butone, kravata, jakë

dhe nga kuleta, çanta, xhepat të nxjerrësh

- zhubravitur, palosur, me vija, me lule, me katrore - shallin

e ripërdorshëm në afat të zgjatur.

-

 

MBI VDEKJEN PA E ZGJATUR

 

Nuk ua ka ngenë gjepurave,

yjeve, urave,

thurjeve, minierave, punës në fusha,

ndërtimit të anijeve dhe gatimit të ëmbëlsirave.

 

Kur flasim për të nesërmen

ia ndërvë fjalën e saj të fundit

marrëzisë.

 

Nuk di të bëjë madje as atë

që ia lyp mjeshtëria e saj:

as të gërryjë një gropë,

as të përgatisë një arkmort,

as të rregullojë rrëmujën që lë.

 

E zënë me vrasje,

e bën me ngathtësi,

pa metodë as aftësi.

A thua se me secilin prej nesh ishte duke nxënë përvojë.

 

Ua mësyn triumfeve,

por sa disfata,

mungesë shenje

dhe orvatje të përsëritura nga e para!

 

Nganjëherë i mungon forca

ta detyrojë një mizë të ndalë fluturimin.

Deri një vemje

ia kalon në shpejtësi.

 

Të gjithë ata zhardhokë, kajza,

antena, flegra, gabzhere,

puplajë dasme dhe gozhupë dimërorë

i dëshmojnë vonesat

në punën e saj të rëndë.

 

Vullneti i keq nuk mjafton

dhe madje ndihma jonë me luftëra e revolucione

është, të paktën deri tani, e pamjaftueshme.

 

Zemrat rrahin në vezë.

Rriten skeletet e të sapolindurve.

Nga farat ia behin filizat e parë

e shpesh edhe lisat e mëdhenj në horizont.

 

Kush e shpall gjithëfuqinë,

ai vetë është prova e gjallë

se ajo e gjithëfuqishme nuk është.

 

Nuk ka jetë

që së paku për një çast

të mos ketë qenë e pavdekshme.

 

Vdekja është gjithmonë e vonuar

ndaj atij çasti.

 

Më kot luan doreza

e një porte të padukshme.

Askujt nuk mund t'ia shmangë

moshën e arrirë.

--

SHTËPIA E NJË BURRI TË MADH

 

E kanë shkruar në mermer me shkronja të arta:

Këtu banoi e vdiq një burrë i madh.

Këto rrugica i ka shtruar me çakëll ai.

Këtë bankinë - mos e prekni - e ka latuar ai.

E - kini mendjen, tri shkallë - hyjmë brenda.

 

Mbërriti në kohë sa të lindë në çastin e duhur.

Gjithçka që përjetoi, e përjetoi në këtë shtëpi.

Jo në pallate,

jo në madhësi të mobiluara por boshe,

mes fqinjësh të panjohur,

në katet e pesëmbëdhjeta,

ku do të ishte e udhës t'i çoje nxënësit në pikniqe.

 

Në këtë dhomë meditonte,

në këtë shtrat flinte,

e këtu i priste mysafirët.

Portrete, poltrona, skrivani, llulla, globe,

flaut, qilim i ngrënë, veranda qelqi.

Nga këtu shkëmbente gjeste me rrobaqepësin apo këpucarin

që i merrnin masat e qepjeve.

 

Nuk është si fotografitë brenda kornizës,

stilolaps i shterrur në një këllëf plastike,

një veshje me porosi në një dollap me porosi,

dritare më afër reve se njerëzve.

 

I lumtur? I palumtur?

Nuk bëhet fjalë për këtë.

Ende iu besonte shkronjave,

pa mendimin se do t'i kishte hapur.

Mbante ende një ditar të përpikët e të çiltër,

pa frikën e një përndjekjeje.

Më shumë se gjithçka e shqetësonte kalimi i një komete.

Fundi i botës ishte vetëm në dorën e Zotit.

 

Ia arriti gjithashtu të mos vdesë në spital,

mbrapa kushedi çfarë kanate të bardhë.

Ende duke pasur pranë vetes dikë që i kujtoi

fjalët e murmuritjeve të tij.

 

Ishte sikur t'i kishte takuar një jetë

e ripërdorshme:

i dërgonte për rilexim librat,

nuk i shlyente nga blloku i shënimeve emrat e të vdekurve.

Dhe pemët që i mbillte rrotull shtëpisë

i rriteshin gjithmonë si juglans regia

e quercus rubra e ulmus e larix

e fraxinus excelsior.

--

NË PIKË TË DITËS

 

Në një pushimore malore do të shkonte,

në sallën e ngrënies do të zbriste,

të katër bredhat degë për degë,

pa shkundur borën e freskët,

nga tavolina pranë në dritare do të shikonte.

 

Mjekërzën spic,

leshtor, thinjosh, me syze,

tiparet e fytyrës të trasha dhe të lodhura,

një lyth në faqe dhe ballin me rrudha,

a thua se balta ka mbuluar një mermer engjëllor -

e as ai vetë nuk do të dinte se kur,

sepse në fakt jo menjëherë por ngapak e ngaherë

rritet çmimi pse nuk kemi vdekur më parë,

e edhe ai do ta paguante këtë çmim.

Veshin, gërvishur paksa nga një plumb

- koka në fakt menjanuar në kohën e duhur -

"kam pasur një fat të pacipë" do të thoshte.

 

Duke pritur që t'i shërbehej supa,

do të lexonte numrin e fundit të gazetës,

kryetitujt, reklamat,

ose do i trokiste gishtërinjtë mbi mbulesën e bardhë,

e prej kohësh i kishte duart e holla,

me lëkurë të plasaritur dhe damarë të fryrë.

 

Nganjëherë dikush nga pragu do të bërtiste:

"zotëri Baczynski, ju kërkojnë në telefon" -

e nuk do të kishte asgjë të çuditshme

që të jetë ai dhe të ngrihet duke rregulluar golfin

dhe të lëvizë pa u ngutur drejt derës.

 

Nga kjo pamje zërat nuk do të heshtnin

as gjesti dhe frymëmarrja nuk do të mbeteshin pezull -

sepse fakti është normal dhe - medet, medet -

si një fakt normal do të trajtoheshin.

--

 

JETA E SHKURTËR E TË PARËVE TANË

 

Shumica nuk arrinin deri në tridhjetë vjeç.

Pleqëria ishte një privilegj i pemëve dhe gurëve.

Fëmijëria zgjaste aq sa e këlyshëve të ujkut.

Duhej ngutur, të jetohej sa më shpejt

para se të perëndonte dielli,

para se të binte bora.

 

Prindëreshat trembëdhjetëvjeçare,

kërkuesit katërmbëdhjetëvjeçarë të strehëve në xunkthin e kënetave,

gjahtarët njëzevjeçarë,

një çast më parë nuk ishin, një çast më vonë nuk janë më.

Krerët e paskajnisë bashkoheshin me ngut.

Yshtëset murmuritnin yshtje

ende me të gjithë dhëmbët e rinisë në gojë.

Biri bëhej burrë para syve të babait.

Nipi lindte para syve të gjyshit.

 

Për pjesën tjetër të jetës nuk numëroheshin vitet.

Numëroheshin kurthat, tiganet, kasollet, sëpatat.

Koha, kaq dorëlëshuar sa me cilindo yll të qiellit,

ua zgjaste atyre dorën pothuaj boshe,

dhe e zbrapste me ngut, si e pakënaqur.

Edhe një hap, edhe dy

i gjatë lumi xixëllues,

që nga terri lind dhe në terr zhduket.

 

Nuk kishte një çast për të humbur,

kërkesa për t'i shtyrë apo frymëzime të vonuara,

nëse nuk përmbusheshin në kohë.

Zgjuarsia nuk mund të priste për flokët e bardha.

Duhej të shihte me kthjelltësi para se të kthjellej

dhe të dëgjonin çdo zë para se të rezononte.

 

Të keqen dhe të mirën -

i njihnin pak, por krejt:

kur e keqja triumfon, e mira ndryhet;

kur e mira shfaqet, e keqja pret fshehur.

Asnjëra prej tyre nuk mund të fitojë

apo të largohet në një distancë përfundimtare.

Ja pseja e një gëzimi gjithnjë të lyer me terror,

e një dëshpërimi asnjëherë të shkëputur nga shpresa e heshtur.

Jeta, sado e gjatë, do të jetë gjithnjë e shkurtër.

Tepër e shkurtër për të shtuar diçka.

--

FOTOGRAFIA E PARË E HITLERIT

 

E kush është ky piciruk i pispillosur si kukull?

Po na është Adolfka, biri i zotërinjve Hitler!

Ndoshta do të bëhet doktor në drejtësi

apo një tenor i operës së Vjenës?

E kujt është kjo doçkë, e kujt, e këto syçka, hundka?

I kujt barku i vogël plot qumësht, ende nuk dihet:

i një tipografi, i një tregtari, i një prifti?

Ku do të shkojnë këto këmbka qesharake, ku?

Në kopsht, në shkollë, në zyrë, në martesë

të paktën me bijën e kryebashkiakut?

 

Bebe, engjëllush, thesarth, rreze e vogël,

kur një vit më parë vinte në botë

nuk mungonin shenjat në qiell e në tokë:

një diell pranveror, arra në dritare,

muzika e organos së vogël në oborr,

një shenjë e mirë në letrën e hollë të kuqe,

para se të lindte një ëndërr profetike e nënës:

nëse ëndërron një pëllumb - është me fund të lumtur,

nëse e kap - do të vijë ai që e ka pritur gjatë.

Tak-tak, kush është, është zemërza e Adolfkës.

 

Biberon, pelena, shtupë tharëse, zilkë,

vogëlushi, duke lëvduar Zotin e duke larguar syrin e keq, është shëndosh.,

iu ngjan prindërve, maçokut në sepet,

fëmijëve të të gjithë albumeve të familjes.

Eh, tani le të mos qajmë,

fotografi do të bëjë klik nën pëlhurëne zezë.

 

Atelie Klinger, Grabenstrasse Braunau,

e Braunau është një qytezë e vogël, por e dinjitetshme,

ndërmarrje të fuqishme, fqinj të mbarë,

aromë torte e sapuni rrobash.

Nuk ndihen qen duke uluruar as hapat e fatit.

Mësuesi i historisë liron jakën

dhe hap gojën përgjumshëm mbi fletore.

--

FUNDI I SHEKULLIT

 

Duhej të ishte më i mirë se të tjerët shekulli ynë XX.

Nuk do t'ia arrijë në kohë më që ta dëshmojë,

i ka vitet të numëruara,

hapin të lëkundur,

frymën të zënë.

 

Kanë ndodhur tashmë tepër gjëra

të cilat nuk duhej të ndodhnin,

e ajo çfarë duhej të vinte,

nuk ka ardhur.

 

Duhej të na printe drejt pranverës

dhe lumturisë, mes të tjerash.

 

Frika duhej t'i braktiste malet dhe lugjet,

e Vërteta duhej të arrinte gjysmën e rrugës

para gënjeshtrës.

 

Disa mynxyra

nuk duhej të ndodhnin më,

për shembull lufta

dhe uria, e kështu me radhë.

 

Do të duhej të respektohej

paprekshmëria e të pambrojturve,

besimi e më the të thashë.

 

Kush donte t'i gëzohej botës

gjendet para një detyre

të parealizueshme.

 

Marrëzia nuk është qesharake.

Zgjuarsia nuk është e hareshme.

 

Shpresa

nuk është më ajo vajza e re

e tjetëgjë, mjerisht.

 

Zoti duhej më në fund të besonte në njeriun

e mirë dhe të fortë,

por i miri dhe i forti

mbeten dy qenie krejt të ndryshme.

 

Si të jetoj? - më ka shkruar dikush,

të cilit kisha ndërmend

t'ia bëja të njëjtën pyetje.

 

Nga fillimi dhe në të njëjtën mënyrë të përhershme,

siç është parë sipër,

nuk ka pyetje më urgjente

se pyetjet e patëkeq.

--

BIJ TË EPOKËS

 

Jemi bij të epokës,

epoka është politikë.

 

Të gjitha bëmat e mia, tonat, tuajat

bëmat ditore, natore

janë bëma politike.

 

Të pëlqen ty apo ajo,

genet e tua kanë një të kaluar politike,

lëkura jote ka një pigment politik,

sytë e tu një pamje politike.

 

Ajo që ti flet ka një rezonancë,

ajo që ti prek ka një valencë

në një mënyrë a një tjetër politike.

 

Deri edhe në fusha, në pyje

ti bën hapa politikë

në një sfond politik.

 

Edhe poezitë apolitike janë politike,

e në lartësi ndrin hëna,

diçka jo më hënore.

Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja.

 

E çfarë çështjeje, përgjigjiu temës,

Pikërisht çështje politike.

 

Nuk duhet madje të jesh as krijesë njerëzore

për të fituar një domethënie politike.

Mjafton të jesh naftë,

ushqim i bollshëm apo material i riciklueshëm.

Apo të jesh edhe tavolina e bisedimeve, mbi formën e së cilës

është diskutuar për muaj të tërë:

të bisedohet për jetën dhe vdekjen

në një tavolinë të rrumbullakët apo katrore.

 

Ndërkohë njerëzit vdisnin,

kafshët cofnin,

shtëpitë digjeshin,

fushat mbeteshin djerrë

si në kohët e shkuara

e më pak politike.

--

 

TË SHKRUASH BIOGRAFINË

 

E çfarë është e nevojshme?

Është e nevojshme të shkruash një kërkesë,

dhe kërkesës t'ia bashkëngjitësh biografinë.

 

Pavarësisht prej kur është jetuar

biografia duhet të jetë e shkurtër.

Është e detyrueshme ngjeshja dhe përzgjedhja e fakteve.

 

T'i shndërrosh peisazhet në adresa

dhe kujtimet e trubullta në data të sakta.

Nga të gjitha dashuritë mjafton ajo bashkëshortore,

e nga fëmijët vetëm ata të lindur.

 

Ka më shumë rëndësi kush të njeh ty se kë njeh ti.

Udhëtimet vetëm nëse jashtë shtetit.

Përkatësia në diçka, por pa arsyetimet.

Dekorimet pa arsyet.

 

Shkruaj sikur nuk ke folur kurrë me veten tënde

dhe shmange veten.

 

Vigjëlo ndaj qenve, maçokëve dhe zogjve,

cikërrimave të së kaluarës, miqve dhe ëndërrave.

 

Më i mirë çmimi se vlera

dhe titulli më i mirë se përmbajtja.

Më i mirë numri i këpucës se ku shkon

me atë për të cilin të shkëmbejnë.

Bashkëngjit një foto me veshët zbuluar.

Është pamja jote ajo që ka vlerë, jo si ndjehesh brenda.

E çfarë ndjen?

Zhurmën e makinave që e grimcojnë

letrën.

--

NJË TREGIM I FILLUAR

 

Në lindjen e një fëmije

bota nuk është kurrë gati.

 

Anijet tona ende nuk janë kthyer nga Vinlandia.

Na pret ende vendkalimi i Gotardit.

Na duhet t'i mashtrojmë rojat në shkretëtirën Thor,

të hapim rrugë për gjirizet deri në qendër të Varshavës,

ta gjejmë mënyrën si të shkojmë deri tek mbreti Harald Cote,

të presim të bjerë ministri Fouché.

Vetëm në Akapulko

rifillojmë gjithçka nga e para.

 

Është shterrur inventari ynë i fashove,

shkrepëseve, argumenteve, bajameve dhe ujit.

Nuk e kemi kamionin as mbështetjen e Mingëve.

Me këtë gërdallë nuk e korruptojmë dot sherifin.

Asgjë e re mbi të bërët skllevër prej turqve.

Na mungon një shpellë më e ngrohtë për të ftohtin e madh

dhe dikush që e njeh gjuhën harari.

 

Nuk dimë kë t'ia besojmë Ninivet,

çfarë kushtesh do të vendosë kryekardinali,

çfarë emrash janë ende në kasetat e Berias.

Thonë se Carlo Martello do të sulmojë në agim.

 

Në këtë situatë e mashtrojmë Keopsin,

paraqitemi spontanisht,

ndërrojmë fenë,

shtiremi se jemi miq të dogëve

dhe se nuk kemi asgjë të bëjmë me tribunë Kwabe.

Afrohet koha për të ndezur zjarret.

I telegrafojmë gjyshes të vijë nga fshati.

I zgjidhim nyjet mbi rripat e jurtës.

 

Mjaft që lindja të jetë e lehtë

dhe fëmija të rritet shëndosh.

Mund të jetë nganjëherë i lumtur

t'i kapërcejë humnerat.

Kush e ka një zemër të zonjën të rezistojë,

dhe intelektin vigjëlues dhe largpamës.

 

Por jo aq largpamës

sa të shohë të ardhmen.

Kusejeni këtë dhunti

për fuqitë qiellore.

--

 

MUNDËSI

 

Parapëlqej kinemanë.

Parapëlqej maçokët.

Parapëlqej lisat mbi lumin Warta.

Parapëlqej Dikensin dhe Dostojevskin.

Parapëlqej veten time që ua do të mirën njerëzve

veten time që e do njerëzimin.

Parapëlqej të kem nën dorë gjlpërën dhe perin.

Parapëlqej ngjyrën e blertë.

Parapëlqej të mos pohoj

se intelekti ka fajin për gjithçka.

Parapëlqej tepërimet.

Parapëlqej të dal e para.

Parapëlqej të flas për tjetërgjë me mjekët.

Parapëlqej ilustrimet e vjetra të hijes.

Parapëlqej kotësinë e të shkruarit poezi

ndaj kotësisë së të mosshkruarit poezi.

Parapëlqej moralistët

që nuk më premtojnë asgjë.

Parapëlqej një mirësi kushtuar një sylesheje.

Parapëlqej tokën në veshje civile.

Parapëlqej vendet e pushtuara ndaj vendeve pushtuese.

Parapëlqej të kem rezerva.

Parapëlqej ferrin e kaosit ndaj ferrit të rregullit.

Parapëlqej përrallat e Grimëve nga faqet e para.

Parapëlqej fletë pa lule sesa lule pa fletë.

Parapëlqej qentë me bisht të paprerë.

Parapëlqej sytë e kjartë, sepse i kam të errët.

Parapëlqej kasetat.

Parapëlqej shumë gjëra që këtu nuk i kam përmendur

ndaj shumë të tjerave që këtu nuk i kam përmendur.

Parapëlqej zerot në pambarimësi

ndaj atyre prapa një shifre.

Parapëlqej kohën e insekteve ndaj kohës së yjeve.

Parapëlqej të prek ferrin.

Parapëlqej të mos pyes për sa dhe për kur.

Parapëlqej ta konsideroj gjer edhe mundësinë

që të qenët ka një arsye.

--

 

NJERËZ MBI URË

 

Planet i çuditshëm dhe e çuditshme gjindja që e banon.

I nënshtrohen kohës por nuk duan ta pranojnë.

Kanë mënyrat për t'i shprehur protestat e tyre.

Bëjnë tablora, për shembull këtë.

 

Në vështrimin e parë asgjë e veçantë.

Shihet një pasqyrë uji.

Shihet njëri prej brigjeve të tij.

Shihet një lundër që rropatet.

Shihet një urë mbi ujë dhe gjinde mbi urë.

Gjindja e nxiton dukshëm hapin

sepse nga një re e errët shiu

sa ka filluar të reshë.

 

Fakti është se pastaj nuk ndodh asgjë.

Reja nuk ndërron ngjyrë as formë.

Shiu as nuk shtohet, as nuk pushon.

Lundra lundron palëvizshëm.

Gjindja mbi urë rend.

 

Është e vështirë të shmangësh këtu komentin:

Tabloja nuk është aspak e pafajshme.

Këtu toka është ndalur.

Nuk ka dashur më t'ia dijë për ligjet e saj.

Është privuar nga ndikimi mbi rrjedhën e ngjarjeve.

Është shpërfillur dhe fyer.

 

Për shkak të një rebeli

njëfarë Hiroshige Utagawa

(një qenie që veç tjerash

prej kohësh, siç është e drejtë, ka vdekur),

koha ka marrë në thua dhe ka rënë.

 

Ndoshta është vetëm një shaka pa të keq,

një shpoti me prejardhje vetëm nga ndonjë yllësi,

gjithsesi e mira e të mirave

shtojmë vijimin më poshtë:

 

Këtu është fjala

ta vlerësosh shumë këtë tablo,

ta admirosh dhe të mallëngjehesh prej breznish.

 

Për disa edhe kjo nuk mjafton.

Ndiejnë madje edhe shushurimën e shiut,

ndjejnë të ftohtët e pikave mbi qafë e mbi supe,

shikojnë urën dhe njerëzit

sikur të shihnin vetvetet,

në të njëjtën rrendje që nuk mbaron kurrë

nëpër një rrugë pa fund, gjithnjë për ta përshkuar,

e besojnë në kryeneçësinë e tyre

se është vërtetë kështu.

--

 

NUK NEVOJITET TITULLI

 

Puna është këtu: unë qëndroj poshtë një peme,

në bregun e një lumi

në një mëngjes pa diell.

Është një ngjarje pa vlerë

dhe nuk do të kalojë në histori.

Nuk bëhet fjalë për beteja dhe pakte

shkaqet e të cilave studiohen,

as për tiranëvrasës të denjë për kujtesën.

 

Gjithsesi qëndroj mbi këtë breg, është një fakt.

E nëse jam këtu,

prej diku a ndoku gjithsesi duhet të kem ardhur,

e më herët

duhet të kem qenë në shumë vende të tjera,

bash si pushtuesit e tokave të largëta

para se të ngjiten në bordin e anijes.

 

Edhe çasti më i shpërfillshëm ka një të kaluar të pasur,

e premtja e tij para së shtunës,

maji i saj para qershorit.

Ka horizontet e tij jo më pak realë

se ato në dylbitë e kapitenëve.

 

Kjo pemë është një plep i mbjellur prej vitesh.

Lumi është Raba, që rrjedh jo prej dje.

Rrugëza është shkelur mes gëmushave

jo prej pardje.

Era për të fryrë përmes reve

e ka pikënisjen këtu.

 

Edhe pse asgjë me rëndësi nuk ndodh këtu

jo për këtë bota është e varfër nga veçantitë,

më keq e fundosur, më keq e katandisur

se kur e pushtonin popujt emigrues.

 

Heshtja nuk i shoqëron vetëm komplotet,

as korteu i rasteve nuk i shoqëron vetëm kurorëzimet.

Mund të jenë të rrumbullakët përvjetorët e kryengritjeve,

por edhe guralecët që zbukurojnë bregun.

 

I ndërlikuar dhe i dendur është gjergjefi i rrethanave.

Fiksimi i milingonës në bar.

Bari i qepur pas tokës.

Pamja e valës në të cilën përzihet një krande.

 

E jep rasti që unë të jem këtu.

Sipër meje një flutur e bardhë i rrah në ajër

krahët që janë vetëm të sajët

dhe mbi duar më fluturon një hije,

jo një tjetër, jo e tjetërkujt, por vetëm e saja.

 

Në një këndpamje të tillë më braktis gjithmonë qartësia

se kjo që është e rëndësishme

është më e rëndësishme se ajo që nuk është.

--

 

DISAVE IU PËLQEN POEZIA

 

Disave -

pra jo të gjithëve.

Madje as shumicës, por pakicës.

Pa llogaritur shkollat, ku është një detyrim,

e vetë poetët,

mund të jenë ndoshta dy për mijë.

 

Pëlqehet -

por pëlqehet edhe vakti me supë,

pëlqehen edhe lëvdatat e ngjyra e kaltër,

pëlqehet një shall i vjetër,

pëlqehet të kesh fituar,

pëlqehet të ledhatosh një qen.

 

Poezia -

po çfarë është vallë poezia?

Më se një përgjigje e paqartë

është dhënë për këtë temë.

Por unë nuk e di, nuk e di dhe kapem te kjo

si te parmaku i një kangjele.

--

FUNDI DHE FILLIMI

 

Pas çdo lufte

ka se kush të pastrojë.

Fundja paksa rregull

vetiu nuk vihet.

 

Ka se kush t'i shtyjë plehrat

në buzë të rrugëve

që të mund të kalojnë

kamionët plot me kufoma.

 

Ka se kush të zhytet

në baltë dhe në hi,

mes sustave të divanëve shtretër,

ciflave të xhamit

e zheleve të përgjakura.

 

Ka se kush të mbartë një tra

për mbështetur murin,

ka se kush t'i vendosë xhamat në dritare

e të montojë portën në çivi.

 

Nuk është fotogjenik

dhe do të duhen vite.

 

Të gjitha telekamerat ia kanë mbathur

për një luftë tjetër.

 

Nevojitet ndërtimi i urave

e edhe stacioneve.

Mëngët do të jenë copë-copë

nga shpërvjeljet me forcë.

 

Ka se kush me bastun në dorë

kujton ende si ishte.

Ka se kush dëgjon

duke bërë me kokë që të mos ndërpritet.

 

Por shpejt

do t'i vijnë rrotull të tjerët

që janë bezdisur.

 

Ka se kush nganjëherë

do të nxjerrë nga poshtë një gëmushe

sende të gërryera nga ndryshqet

e do t'i transportojë tek turra e hedhurinave.

 

Kush e dinte

se për çfarë bëhej fjalë,

iu duhen bërë vende atyre

që dinë më pak.

E shumë më pak.

E në fund absolutisht fare.

 

Mbi barin që i ka mbuluar

shkaqet dhe pasojat

ka se kush duhet të rrijë shtrirë

me kallinj mes dhëmbëve,

kredhur mendjen mes reve.

--

 

URREJTJA

 

Shikojeni si është gjithnjë e frytshme,

si e ruan formën mirë

në shekullin tonë urrejtja.

Me sa lehtësi i kapërcen pengesat.

Sa të lehtë e ka të vërsulet, t'ia dalë mbanë.

 

Nuk është si ndjenjat e tjera.

Njëkohësisht më e vjetër dhe më e re se ato.

Vet i gjeneron shkaqet

të cilat e lindin.

Nëse fle, nuk bëhet fjalë kurrë për një gjumë të përhershëm.

Pagjumësia nuk e dobëson, por e forcon.

 

Religjion apo jo religjion -

mjafton që t'ia hapin rrugën.

Atdhe apo jo atdhe -

mjafton të marrë vrullin e nisjes.

Edhe drejtësia nuk prish punë në fillim.

Pastaj vrapon vet.

Urrejtja. Urrejtja.

Një zgërdheshja dalldish dashnore

ia shtrembërojnë fytyrën.

 

Oh, ato ndjenjat e tjera -

shëndetliga e të plogëta.

Prej kur vëllazëria

mund të llogarisë në turmat?

Mirëkuptimi ka arritur

e para ndonjëherë cakun?

Dyshimi sa vullnetmirë tërheq zvarrë?

Tërheq zvarr të tjerët vetëm kush i di punët e veta.

 

E zonja, e shkathët, tejet zellmadhe.

A mund të numërohen sa këngë ka kompozuar?

Sa faqe ka shkruar në librat e historisë?

Sa qilima njerëzorë ka shtruar

mbi sa sheshe, stadiume?

 

Ta themi të vërtetën:

di të krijojë bukurinë.

Të hatashme vezullimet e sa në natën e errët.

Të mrekullueshme retë e shkopinjve në agimin e kuqërremë.

Të pamohueshëm patosi i rrënojave

dhe humorizmi i dhjamit

të kollonës që fuqishëm iu rri sipër.

 

Është një mjeshtre e kontrastit

mes rrëmujës dhe heshtjes,

mes gjakut të kuq dhe borës së bardhë.

E mbi të gjitha nuk e mërzit kurrë

motivi i kasapes së spitulluar

mbi viktimën e poshtëruar.

 

Në çdo çast është gati për detyra të reja.

Nëse duhet pritur, pret.

I thonë e verbër. E verbër?

Ka pamjen e mirëfilltë të snajperit

dhe e shikon e vendosur të ardhmen -

ajo vetëm.

--

 

PAFJETËSIA

 

Pafjetësia nuk zhduket

sikundër zhduken ëndërrat.

Asnjë zhurmërimë, asnjë kambanë

nuk e përzë,

asnjë thirrje apo vikamë

nuk na shkëput dot prej saj.

 

Të errëta dhe të dykuptimta

janë pamjet në ëndërra,

ja pse mund të shpjegohen

në shumë mënyra.

Pafjetësi domethënë pafjetësi

dhe është një enigmë më e madhe.

 

Për ëndërrat ekzistojnë çelësa.

Pafjetësia hapet vetë

dhe nuk lejon ta mbyllësh.

Nga ajo shpërthejnë

diploma e yje,

bien poshtë fluturat

e shpirtërat e hekurave të vjetër të hekurosjes,

bereta pa koka

e lëvozhga resh.

 

Na krijohet një rebus

i pazgjidhshëm.

 

Pa ne nuk do të kishte ëndërra.

Ajo pa të cilën nuk do të ishte pafjetësia

është ende e panjohur,

por prodhimi i pagjumësisë së saj

i komunikohet kujtdo

që rri zgjuar.

 

Nuk janë ëndërrat marrëzi,

marrëzi është pafjetësia,

jo për tjetër veç ngulmimin

me të cilin iu kapet

rrjedhës së ngjarjeve.

 

Në ëndërra jeton ende

kush s'ka pak që ka vdekur,

madje gëzon edhe shëndet të plotë

dhe rininë e rigjetur.

Pafjetësia zbulon para nesh

trupin e saj të pajetë.

Pafjetësia nuk bën asnjë hap prapa.

 

Arratia e ëndërrave, po, ajo bën

që kujtesa t'i fshijë me lehtësinë më të madhe.

Pafjetësia s'ka pse druan harrimin.

Është një kockë e fortë.

Na rri mbi kurriz,

na peshon mbi zemër,

bllokon hapin.

 

Nuk mund t'i ikim,

sepse na shoqëron në çdo ikje.

E nuk ka stacion

gjatë udhëtimit tonë

ku nuk na pret.

--

 

MAÇOKU NË NJË APARTAMENT BOSH

 

Të vdesë - ky nuk është një maçok.

Sepse çfarë mund të bëjë një maçok

në një apartament bosh?

Të kacavirret mureve.

Të fërkohet pas orendive.

Këtu asgjë nuk duket të ketë ndërruar,

megjithatë gjithçka ka ndryshuar.

Asgjë nuk duket të jetë zhvendosur,

megjithatë asgjë nuk është në vendin e mëparshëm.

E në mbrëmje llampa nuk ndrit më.

 

Ndihen hapa nëpër shkallë,

por nuk janë ata.

Edhe dora që vë peshkun në pjatëz

nuk është e mëparshmja.

 

Diçka këtu nuk fillon

në orën e zakonshme.

Diçka këtu nuk ndodh

siç duhej.

Këtu ishte dikush, ishte,

pastaj befas është zhdukur

dhe gjithnjë e gjithqysh nuk është.

 

Në çdo dollap ka parë.

Në taraca ka kqyrur.

Nën qilime ka bërë kontrolle.

Madje ka shkelur ligjin

që ndalon hapjen e letrave.

E çfarë mund të bëjë tjetër.

Të presë dhe të flejë.

 

Provo vetëm të kthehesh,

të shikosh pastaj.

Do të nxjerrësh mësimin

se me një maçok kështu nuk bëhet.

Do të vij tek tij sikur nuk do,

dalëngadalë,

mbi putra shumë të fyera.

E në fillim as kërcime, as mjaullima.

--

 

LAMTUMIRË NJË PANORAME

 

Nuk e kam me pranverën

pse është kthyer.

Nuk e fajësoj

pse i përmbush si çdo vit

detyrat e saj.

 

E di se trishtimi im

nuk do ta ndalë gjelbërimin.

Nëse fija e barit dridhet,

është veç faji i erës.

 

Nuk më bën të vuaj

që ishujzit e verrave mbi ujë

kanë prapë se më çfarë të fëshfëritin.

 

E pranoj

se bregu i njëfarë liqeni

ka mbetur - sikur ti jeton ende -

i bukur siç ishte.

 

Nuk kam ankime

kundër pamjes së dyfishuar

në gjirin e verbuar prej diellit.

 

Arrij madje të përfytyroj

që të tjerë, jo ne

rrinë ulur në këtë çast

mbi trungun e rrëzuar të një mështekne.

 

E respektoj të drejtën e tyre

për të çuçuritur, qeshur

e heshtur të lumtur.

 

Hamendem madje

që i bashkon dashuria

e se ai e shtrëngon atë

me krahun e tij të zhdëvjellët.

 

Ndonjë flatër e re

frushullon në xunkthe.

Ju uroj atyre të dyve

që ta dëgjojnë.

 

Nuk kërkoj asnjë ndryshim

nga valët pranë bregut,

sa të hajthme, sa të bëshme

e të pabindura ndaj meje.

 

Nuk mëtoj asgjë

nga ujërat e thella pranë pyllit,

tani ngjyrë smeraldi,

tani ngjyrë safiri

tani të zeza.

 

Një gjë nuk e pranoj.

Kthimin tim atje.

Privilegjin e pranisë -

e mohoj.

 

Kam mbijetuar prej tij vetëm

e vetëm sa mjafton

për të menduar nga larg.

--

 

DASHURI ME SHIKIM TË PARË

 

Janë të dy të bindur

se një ndjenjë e përnjëhershme i bashkon.

Është e bukur një siguri e tillë,

por pasiguria është më e bukur.

 

Duke mos qenë të njohur më parë, besojnë

se nuk ka ndodhur kurrë ndonjë gjë mes tyre.

Por çfarë mendojnë rrugët, shkallët, korridoret

ku prej shumë kohësh mund të takoheshin?

 

Do të doja t'i pyesja

nëse nuk e kujtojnë -

një përballje sy më sy ndoshta

një herë në portën rrotulluese?

një "më fal" në rrëmujë?

një "keni gabuar numrin" në receptor?

- por e di përgjigjen.

Jo, nuk e kujtojnë.

 

Do të habiteshin po ta dinin

se para pak çastesh

rasti ishte duke lozur me ta.

 

Ende jo aq krejt i gatshëm

të përshtatej për fatin e tyre,

i afronte dhe largonte,

ua priste atyre rrugën

e duke u hingërizur

i shmangte me një kërcim.

 

Patët shenja, shenjëza,

ç'rëndësi ka se të padëshifrueshme.

Ndoshta tri vjet të shkuara

apo të martën e shkuar

një gjethe fluturoi

nga supi i njërit tek i tjetrës?

Diçka qe humbur apo diçka qe gjetur.

Kushedi nëse topi

mes shkurreve të fëmijërisë?

 

Qenë dorëza a zile portash

mbi të cilat dikur

një prekje vihej mbi një prekje tjetër.

Valixhe një mbi një në magazinën e bagazheve.

Një natë, ndoshta, të njëjtën ëndërr,

menjëherë turbulluar pas zgjimit.

 

Çdo fillim në fakt

është një vazhdim

e libri i ngjarjeve

është gjithmonjë i hapur përgjysmë.

--

 

NDOSHTA E GJITHË KJO

 

Ndoshta e gjithë kjo

përftohet në një laborator?

Poshtë një llampe të vetme ditën

e miliarda llampave natën?

 

Noshta jemi gjenerata eksperimantale?

Transportuar nga njëra enë në tjetrën,

tundur nëpër lambikë,

vrojtuar jo vetëm me sy,

e në fund marrë një nga një

me pinceta?

 

O ndoshta krej ndryshe:

asnjë ndërhyrje?

Shndërrimet vijnë vetvetiu

në pjatim me planin?

Gjilpëra e diagramës i përshkon pak nga pak

zigzaget e parashikuara?

 

Ndoshta deri tani nuk përbëjmë ndonjë interes të madh?

Monitorët e kontrollit janë ndezur rrallëherë?

Vetëm në raste luftërash, më mirë nëse të mëdhenj,

fluturimesh sipër thelës sonë të Tokës,

ose emigracionesh të rëndësishme mes pikave A dhe B?

 

Apo mbase është e kundërta:

aty pëlqehen vetëm gjërat e vogla?

Ja një çupërlinë në një ekran të madh

qep një komçë në mëngë.

 

Alarmohen sensorët,

personeli ngarend.

Ah, shikoje çfarë camërdhoke

me një zemërz që i troket brenda!

Çfarë serioziteti magjepsës

në përbirimin e gjilpërës!

Dikush thërret i mahnitur:

Njoftojeni Shefin,

të vijë ta shikojë personalisht!

--

 

ASGJË NUK ËSHTË DHURATË

 

Asgjë nuk është dhuratë, gjithçka është hua.

Jam në borxh deri në majë të kokës.

Do të jem e detyruar të paguaj veten

me veten time,

ta shes jetën në shkëmbim të jetës.

 

Pikërisht kështu qëndrojnë gjërat,

zemra duhet dorëzuar

mëlçia duhet dorëzuar

e deri tek çdo gisht i vetëm.

 

Është tepër vonë për ta kundërshtuar kontratën.

Siç duket

do të më kushtojë me lëkurë.

 

Dal nëpër botë

mes një trume borxhlinjsh tek tjetra.

Mbi disa peshon detyrimi

të paguajnë krahët.

Disa të tjerëve, me zor a me hatër,

iu duhet të numërojnë edhe fijet e flokëve.

 

Në kollonën Jepni

parashikohen deri indet e trupit.

 

Nuk mund të jetë yti përgjithnjë

as qerpiku i vetëm.

Inventari është i saktë

e me sa duket

do të mbetemi pa asgjë.

 

Nuk ia arrij të mbaj mend

ku, kur dhe pse

kam lejuar të hap

një hesap të tillë.

 

E quajmë shpirt

protestën kundër tij.

E kjo është e vetmja gjë

që nuk është në inventar.

Përktheu ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
THEMELIMI DHE MANIFESTI I FUTURIZMITNga FILIPPO TOMMASO MARINETTI (10.26.2011)
Manifesti i Futurizmit NGRINI KOKAT LART! (10.26.2011)
AUTOMOBILIT TË GARËSPoezi nga FILIPPO TOMMASO MARINETTI (10.26.2011)
102 VJETORI I FUTURIZMIT OSE PRIMITIVËVE TË NJË NDJESHMËRIE TË REDossier i përgatitur nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2011)
DIELLI ËSHTË PENDUAR QË LINDICikël poetik nga BARDHYL MALIQI (10.22.2011)
DHE UNË KËRKOJ HIJEN MË TË HOLLË, MË TË PAPËRFILLSHMEPoezi argjentinase të pëkthyera nga ANTON PAPLEKA (10.19.2011)
EDHE SHQYP NA THANË SE ZOTI PËR SHQYPTARË SHQYPNINË E FALIPoezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940) (10.19.2011)
VALLËZIM ME FLAKËNFragment nga romani "Salla me hijet prej letre" i PETRAQ RISTOS (10.12.2011)
SAPUNI "LEDI MAKBETH"Poezi nga ISMAIL KADARE (10.11.2011)
BARI DHE LULET ISHIN GRI, POR AROMA ISHTE E GJELBËRKatër poezi nga TOMAS TRANSTRÖMER përkthyer nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.07.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]