VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa I

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 07:00am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa I
E Mërkurë, 01.13.2010, 06:13pm (GMT+1)

 

Pjesa I e romanit

 

HYRJA NË ËNDËRR

 

"Njëzet e katër skllevër zioshë shtynin remat e lundrës luksoze që duhej të çonte Princin Amgiad në sarajin e Sulltanit. Por Princi, mbështjellë në petkun e tij të purpurtë, rrinte i vetmuar, shtrirë në qilim, nën kupën e kaltër të qiellit të natës mbjellë me yje dhe shikimi i tij..."

 

Vogëlushja kishte lexuar deri në atë çast me zë të lartë; tani, thuajse papritmas, ajo i mbylli sytë. Prindërit u vështruan duke buzëqeshur, Fridolin u përkul drejt saj, ia puthi flokët e verdhë dhe e mbylli librin që ndodhej mbi tavolinën ku ende nuk ishte shtruar darka. Vajza sikur u befasua.

 

"Është ora nëntë," tha babai, "është ora të shkosh në shtrat." E pastaj edhe Albertina iu afrua pranë së bijës, duart e prindërve u takuan në ballin e njomzakes, ndërsa shikimet e tyre shkëmbenin një buzëqeshje të dlirë, e cila nuk ishte më vetëm për fëmijën. Hyri amvisa dhe i tha së voglës t'iu thotë natën e mirë prindërve; ajo u çua urtë e butë, ua dha nga një puthje babait dhe nënës e u bind t'i printe ajo ëmbëlsisht për të dalë nga dhoma. Fridolini dhe Albertina, tani përfundimisht vetëm për vetëm nën vezullimin e kuqërremtë të llampës, mezi pritën ta rifillonin aty ku e lanë bisedën e filluar para darkës, për ato që kishin ndodhur gjatë ballës me maska një ditë më parë.

 

Atë vit ishte për ata festa e parë e ballos dhe kishin vendosur për të marrë pjesë vetëm pothuaj në përfundim të karnavaleve. Ndërkaq Fridolini, një të hyrë në sallë ishte përshëndetur si një mik i pritur me padurim nga dy maska në pelerinë të kuqe të cilat nuk kishte arritur t'i njihte, a thua se ato njihnin me saktësi befasuese çdo lloj thashethemi të kohës kur ai ishte student e praktikant në spital. Ishin larguar nga lozha ku e kishin ftuar me bujari mikluese, duke e siguruar se do të riktheheshin pak më vonë dhe pa uniformën, por ishin vonuar aq shumë sa Fridolini, duke e humbur durimin, kishte parapëlqyer të zbriste në mesin e publikut, duke shpresuar se do t'i takonte prapë ato dy figura të dyshimta.

 

Por ndonëse ishte zgurdulluar duke parë rrotull, nuk kishte arritur t'i pikaste askund; në vend të tyre dikush tjetër ishte shfaqur, befasisht, përkrah tij: gruaja, e sapo larguar nga një i panjohur me pamje melankolike e të dërmuar dhe me theks të huaj, patjetër polak, i cili kryehere e kishte magjepsur, pastaj menjëherë e kishte fyer dhe madje e kishte shasitur me një fjalë të ndyrë poshtëruese.

 

Kështu, burrë e grua, të kënaqur fundja se kishin shpëtuar nga një lojë banale dhe zhgënjyese e karnavaleve, ishin gjetur pa vonesë pranë tryezës shtruar me fruta deti e shampanjë, si dy dashurorë midis çifteve të tjera të dashuruara: kishin biseduar hareshëm, sikur ishin njohur vetëm atëherë, duke u zhytur në një komedi përkorje, mohimi, tundimi dhe begenie; dhe, pas një udhëtimi të shpejtë me karrocë përmes natës së bardhë dimërore, ishin vërtitur në shtëpi në krahët e njëri-tjetrit, duke u dashur mes tyre aq përvëlueshëm sa nuk kishte ndodhur prej shumë kohësh. Një agim gri i kishte zgjuar tepër shpejt. Profesioni e detyronte burrin të ishte në orarin e duhur pranë shtretëve të të sëmurëve të tij; detyrat e nënës dhe të zonjës së shtëpisë nuk e lejonin të pushonin më gjatë as vetë Albertinën. Orët pasuese kishin kaluar kështu në limontinë e punëve dhe halleve të tyre të përditshme, ndërsa nata e shkuar, fillimi si dhe përfundimi, ishin zbehur në kujtesë. Vetëm tani, pasi kishin mbaruar punët e ditës, përderisa fëmija kishte vajtur të flinte dhe nuk prisnin më askënd të vinte e t'i trazonte, nisën të shpërfaqen fantazmat e ballos me maska, i panjohur melankolik dhe figurat nën pelerinat e kuqe; dhe ato ndodhira të parëndësishme ia behën, pa pritur e pa kujtuar, magjishëm dhe furishëm, nga hija mashtruese e rasteve të humbura.

Shkëmbyen midis tyre pyetje të dlira ndonëse tinëzare dhe përgjigje të liga e dykuptimëshe; asnjërit prej tyre nuk i shpëtoi fakti se tjetri në thelb nuk ishte i çiltër dhe u ndjenë kështu në zgripin e një hakmarrjeje pa të keq. E tepëruan së lavdëruari joshjet që partnerët e panjohur të ballos me maska kishin ushtruar mbi ata, u tallën, duke i mohuar arsyet e xhelozisë që i linte ndërsjelltas të kurthoheshin.

 

Gjithsesi nga biseda e cekët për aventurat kote të natës së shkuar kaluan në një diskutim më serioz për ato dëshirat e strukura thellë tyre, të cilat sapo kishin nxjerrë krye, nga mund të zinin fill vorbulla marramendëse e të rrezikshme edhe në shpirtin më të kthjellët e më të kulluar, dhe folën për ato arsye të fshehta të cilat i këndellnin tanin sapo i përmendnin, por drejt të cilave kishin mundur në mos njëherë dikur më vonë ta shtynin, edhe pse vetëm në ëndërr, rrjedhën e pandalshme të fatit. Edhe pse martesa e tyre bazohej mbi një depërtueshmëri të përkryer të ndjenjave dhe të ideve, e dinin doemos se dje i kishte trazuar, dhe jo për të parën herë, një fanitje aventure, lirie dhe rreziku; shpirtdridhur, duke u trandur thellë, kërkonin me një kureshtje jobesnike t'i kuptonin rrëfimet e njëri-tjetrit dhe, duke u përqëndruar ankthshëm në jetën e tyre intime, secili kërkonte sërish në vete ndonjë fakt edhe të pakuptimtë, ndonjë ndodhi edhe të papeshë, që mund të shprehte atë që nuk ishte thënë me gojë dhe prej nga rrëfimi i çiltër të arrinte t'i shkarkonte nga një tension dhe nga një mosbesim që fillonin të bëheshin pak nga pak të padurueshëm.

 

Albertina, ndoshta ishte më e paduruar, më e çiltër ose më zemërbutë se i shoqi, gjeti e para guximin të bënte një deklaratë haptas; dhe me një zë pakëz ngurues e pyeti Fridolinin a i kujtohej ai djaloshi i cili verën e shkuar në bregdetin danez kishte qenë një mbrëmje i ulur me dy zyrtarë në një tavolinë afër tyre, kishte marrë një telegram gjatë darkës dhe ishte përshëndetur e larguar menjëherë nga dy miqtë e tij. Fridolini pohoi me kokë. "E pastaj ?" pyeti ai.

 

"E kisha parë tashmë në mëngjes," iu përgjigj Albertina, "ndërkohë që ngjitej rrëmbyeshëm nëpër shkallët e hotelit me çantën e tij të verdhë. Më vështroi shkitas, por, pasi ngjiti disa shkallë, u kthye nga unë dhe kështu që shikimet tona u takuan. Kam përshtypjen se nuk më buzëqeshi, megjithatë fytyra e tij rrezatoi, dhe e njëjta gjë më ndodhi edhe mua, gjithashtu u ndjeva e emocionuar sa kurrë ndonjëherë. Gjithë ditën në plazh isha e përëndërrt. Po të më kishte kërkuar mendoja unë nuk do t'i kisha rezistuar. Ndjehesha gati për gjithçka; besoja se isha gati të të sakrifikoja ty, fëmijën, të ardhmen time dhe njëherësh a mund ta kuptosh?- të doja ty më shumë se kurrë. Pikërisht atë pasdite, më duhet ta kujtoj përsëri, rastisi që ne të dy të flisnim për mijëra gjëra, edhe për të ardhmen tonë të përbashkët dhe për të ardhmen e fëmijës, folëm në mënyrë kaq intime sa nuk kishte ndodhur kjo prej shumë kohësh. Në perëndim ishim të ulur në ballkon kur ai kaloi; ecte përgjatë plazhit pa e hedhur ndokund shikimin, dhe u lumturova që e pashë. Ndërkohë ta ledhatoja ballin dhe t'i puthja flokët dhe në dashurinë time për ty kishte njëkohësisht aq shumë vuajtje ngashëryese. Në mbrëmje isha shumë e bukur, këtë ma përsërisje ti, dhe kisha një trëndafil të bardhë në brez. Ndoshta nuk qe rastësi që u huaji i ul me miqtë e tij pranë nesh. Nuk ma hodhi vështrimin, por unë u tundova nga ideja që të çohesha, të shkoja te tavolina e tij dhe t'i thosha: Ja ku më ke, i dashuri im i shumëpritur merrmë. Në atë çast ia sollën telegramin, e lexoi, u zverdh i tëri, ia murmuriti disa fjalë atij më të riut nga të dy zyrtarët dhe, duke më flladitur me një shikim enigmatik, u largua nga salla."

 

"E pastaj," pyeti me fyt të tharë Fridolini, kur ajo pushoi.

 

"Asgjë më. Mëngjesin tjetër u zgjova me një merak të veçantë. Nuk e di, s'e dija as atëherë, a druhesha më shumë se mos ishte larguar apo se mos vazhdonte të rrinte ende aty. Gjithsesi, kur nuk u duk as në mesditë, mora frymë e lehtësuar. Mos më bëj pyetje të tjera, Fridolin, ta kam thënë krejt të vërtetën. E pastaj edhe ti ke pasur ndonjë aventurë në plazh e di."

 

Fridolini u çua, filloi të endet andej këndej nëpër dhomë, pastaj tha: "Ke të drejtë," Rrinte në dritare, fytyrën në hije. "Në mëngjes," nisi me zë grykor, paksa armiqësor, "nganjëherë edhe shumëherët, para se ti të zgjohesh, ecja vetmitar përgjatë bregdetit duke u larguar nga fshati; e ndonëse ishte herët, mbi del vezullonte tashmë një diell i kjartë dhe i fortë. Atyre anëve, pranë plazhit, ishin, siç e di edhe ti, banesa të vogla të veçuara, secila si një botë e vogël më vete, disa me kopshte të rrethuara nga një gardh druri, disa të tjera të rrethuara vetëm nga pylli, rruga dhe një pjesë e plazhit i ndante kasollet nga shtëpitë. Ishte një gjë tepër e rrallë të takoje njeri në atë orë; dhe pushuesit e plazhit nuk dilnin asnjëherë andej. Por një mëngjes pikasa tek ia behu një figurë femërore e cila deri atëherë më ishte fshehur nga pamja. Ecte me shumë kujdes në hajatin e vogël të njërës kasolle të mbirë në ranishtë, duke vënë njërën majën e njërës këmbë pas thembrës së tjetrës dhe duke dhe me krahët mbështetur në anësoren prej druri të kasolles. Ishte një njomëzake shumë e re, ndoshta pesëmbëdhjetë vjeç, me flokë të verdha të lëshuara që i lëshoheshin mbi shpatulla e, nga ana tjetër, sipër gjirit delikat. Vajza shikonte ujin, pra shikonte veten, duke lëvizur ngadalë përanash hajatit të kasolles ajo dilte deri në skajin tjetër pa e ngritur lart shikimin fare dhe, në një çast të caktuar, u ndodh përballë meje; i zgjati më shumë krahët prapa vetes, si për t'u kacavarur më mirë, i ngriti sytë dhe menjëherë u kujtua për mua. Një drithërimë e përshkoi, kështu që ose duhej të binte, ose duhej të ikte prej andej. Por duke e ditur se në anësoren prej druri të hajatit të kasolles nuk mund të lëvizte ndryshe veçse shumë ngadalë, vendosi të ndalet, dhe qëndroi ashtu në vend, me fytyrën fillimisht të frikësuar, pastaj të zemëruar, pastaj të hutuar. Befas ajo buzëqeshi një buzëqeshje të magjishme; në sytë e saj ishte një përshëndetje, një ftesë., - dhe në të njëjtën kohë një ironi në mënyrën si e riktheu vrik shikimin te uji pranë këmbëve të saj që na ndante ne të dyve. Pastaj e zgjati trupin e saj të njomë e të hedhur, pothuaj krenare për bukurinë e saj, dhe a thua se lehtësisht po notonte, e çiltër dhe mrekullisht e dalldisur nga xixëllimi i pandërprerë i shikimit tim të cilin e ndjente të ngulur te ajo. Qëndruam kështu, përballë njëri-tjetrit, ndoshta dhjetë sekonda, me buzët gjysmë të hapura dhe me sytë e shkëndijuar. E zgjata verbërisht krahun drejt saj, në sytë e saj lexohej dëshirë dhe gëzim. Por pa pritur e pa kujtuar ajo e largoi vrullshëm kokën, e hoqi njërën dorë nga anësorja e hajatit dhe ma bëri me shenjë në mënyrë të prerë që të largohesha; dhe meqënëse nuk vendosa t'i bindem menjëherë, sytë e saj fëminorë morën një shprehje të tillë lutjeje, përgjërimi, sa që nuk mbeti tjetërgjë, veçse të largohesha. E vazhdova udhën time me ngutinë më të madhe; nuk e ktheva kokën ta shikoja qoftë dhe një herë të vetme, jo thjeshtë për t'u ruajtur, jo për bindje apo për burrëri, por sepse shikimi i saj i fundit kishte shkaktuar një tronditje të tillë, që ia kalonte çdo përvoje tjetër në jetë, sa pothuaj po më binte të fikët.

 

Heshti.

 

"E sa herë," pyeti Albertina pa iu dridhur fare qerpiku i syri, "e keni bërë prapë herë të tjera të njëjtën udhë?"

 

"Ngjarja që të kam treguar," iu përgjigj Fridolini, "ndodhi rastësisht ditën e fundit të pushimit tonë në Danimarkë. As unë nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur në rrethana të ndryshme. As ti mos më bëj të tjera pyetje, Albertina."

 

Fridolini rrinte gjithnjë pranë dritares, pa lëvizur. Albertina, me sytë e njomur nga lotët dhe misteriozë, me ballin fare lehtas të rrudhur, iu afrua. "Prej tani e tutje t'ia tregojmë njëri-tjetrit menjëherë gjithnjë historitë e këtij lloji," tha ajo.

 

Ai pohoi me kokë, i nemitur.

 

"Ma premto."

 

Fridolin e tërhoqi pranë vetes. "A nuk je e bindur?," e pyeti; por zëri i tij vazhdonte të kishte një ton të ashpër.

 

Albertina ia mori duart në duart e saj, e lëmoi dhe e shikoi me sy nënkuptues, në thellësinë e të cilëve ai mund t'i lexonte mendimet e saj. Tani ajo shkonte me mendje në aventura të tjera më reale të Fridolinit, shkonte te aventurat e tij rinore, të cilat pjesërisht i njihte, sepse ai, duke iu dorëzuar shumë kollaj xhelozisë së tij, i kishte folur për to në vitet e para të martesës, madje, sikurse i ndodhte shpesh, e kishte zhytur atë në kureshtje, ndërkohë që do të kishte qenë më mirë t'i mbante për vete. Fridolini e dinte se në ato momente brenda saj vërshonin furishëm kujtimet dhe u mrekullua sapo e dëgjoi tek e shqiptonte, si në ëndërr, emrin pothuaj të harruar të njërës prej të dashurave të tij të djalërisë. E megjithatë ai emëri i tingëlloi atij në vesh si një qortim, madje si një kërcënim i butë.

 

I mori duart e gruas dhe i çoi te buzët e veta.

 

"Te çdo femër besomë, edhe pse mund të duket si një pohim i zbrazët tek çdo femër që kujtoja se e dashuroja, të kam kërkuar gjithmonë ty; jam i bindur më shumë se mund ta marrësh ti me mend, Albertina."

 

Ajo buzëqeshi zymtë. "Po në qoftë se edhe unë kam pasur qejf të të kërkoj ty te burrat e tjerë?" pyeti ajo, dhe u bë e ftohtë, pa kurrfarë shprehjeje në fytyrë. Fridolini i lëshoi duart e saj, duke e pasë befasuar pothuajse e shoqja tek fliste një gjë të turpshme ose e tradhtonte; por ajo vazhdoi: "Ah po të dihej!" dhe heshti prapë...

 

"Po ta dinim...? Çfarë dëshiron të thuash?"

 

"Pakashumë ato që mendova, i dashuri im," iu përgjigj Albertina me një vrazhdësi të pazakonshme.

 

"Albertina, atëherë më ke fshehur diçka?"

 

Ajo pohoi me kokë duke i buzëqeshur vetes në një mënyrë të habitshme, ndërsa te ai zgjoheshin dyshime të papërfytyrueshme, absurde.

 

"Nuk arrij ta kuptoj," tha Fridolini. "Nuk i kishe mbushur të shtatëmbëdhjetë vitet kur ne u fejuam."

 

"Gjashtëmbëdhjetë e pak, Fridolin. Megjithatë..." e shikoi çiltërsisht në sy "nuk varej nga unë nëse u bëra gruaja jote duke qenë ende e virgjër."

 

"Albertina..."

 

Dhe ajo tregoi:

 

"Kjo ndodhi në Wörthersee, pak para fejesës sonë, Fridolin; një mbrëmje ngazëllyese vere një djalosh shumë i bukur u ndal para dritares sim dhe hodhi vështrimin mbi hapësirën e pamatë të livadhit, filluam të flasim dhe gjatë bisede dhe gjatë asaj bisede mendova, më mirë me thënë ndjeva se çfarë mendova: sa djalë simpatik dhe magjepsës, - po ta thotë tani një fjalë të vetme, atë fjalën e duhur, natyrisht, - do të shkoj me të kudo që atij t'i pëlqejë, - ndoshta në pyll edhe më mirë do të jetë nëse shkojmë me barkë në liqen sonte ai mund të ketë nga unë gjithçka që të dëshirojë. Po, këtë e mendova. Por djali magjepsës nuk e shqiptoi atë fjalë; vetëm ma puthi me delikatesë dorën, - dhe mëngjesin tjetër më kërkoi nëse mund të bëhesha gruaja e tij. Dhe unë i thashë "po"."

 

Fridolini me ftohtësi e la dorën e gruas të tij të largohej, pastaj tha: "E nëse atë mbrëmje do të kishte qenë rastësisht një tjetër para dritares sate dhe do t'i kishte ardhur në mendje fjala e duhur, për shembull..." mendoi se çfarë emri duhej të thoshte, kur ajo e largoi krahun pothuaj si për t'ia ndrydhur mendimet.

 

"Një tjetër, kushdo tjetër, mund të kishte thënë atë që do të dëshironte, - nuk do t'ia kishte vlejtur fare. E po të mos kishe qenë ti djaloshi para dritares, i buzëqeshi ajo, "atëherë as ajo mbrëmje vere nuk do të kishte qenë aq e bukur."

 

Ai i shtrembëroi në mënyrë tallëse buzët. "E thua tani dhe ndoshta në këtë çast je edhe bindur në ato që thua. Por..."

 

Po trokitnin në portë. Hyri kamarjerja dhe tha se portierja e Schreyvoglegasse kishte ardhur t'i lutej mjekut të nxitonte për tek këshilltari bashkiak i cili ishte sërish i sëmurë.

 

Fridolini shkoi në paradhomë dhe e ajo grua e njoftoi se këshilltari kishte pasur një sulm në zemër dhe ndjehej shumë keq; ai premtoi se do të shkonte menjëherë.

 

Ndërsa përgatitej ngutshëm, Albertina e pyeti: "Po del?" me ton të zemëruar, a thua se burri, duke dalë po e përçmonte.

 

Fridolini iu përgjigj thuajse i habitur: "Natyrisht, nuk mund të bëj më pak se kaq."

 

Albertina psherëtiu lehtë.

 

"Shpresojmë të mos jetë aq rëndë," tha Fridolini, "deri tani tre centrigramë morfinë e kanë ndihmuar gjithmonë ta kapërcejë rrezikun."

 

Kamarjerja ia kishte sjellë peliçen, Fridolini e puthi mjaft i shkujdesur Albertinën në ballë dhe në gojë, a thua se biseda e orëve paraardhëse ishte shlyer tashmë nga kujtesa e tij, dhe u largua me nxitim.
Përktheu Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa II (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa III (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VI (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VII (01.13.2010)
Një nga librat më të bukur të poezisë shqipeNga Qazim D. Shehu (01.11.2010)
PËRGJËRATË: UDHËS PËR TEK NËNAKushtuar Gjylë Buçpapajt (1918-2007)Nga Skënder BuçpapajUa kushtoj këtë poemë veç nënës time, të gjithë nënave dhe bijve që kanë përjetuar çka kemi përjetuar ne të dy (12.31.2009)
KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETURPoezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900) (12.25.2009)
KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL, KU LULE TË DRUAJTURA LËSHOJNË GONXHE?Poezi nga EMILY DICKINSON (1830-1886) (12.16.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]