VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NË TRUPIN TIM KAM VESHUR XHUBLETA ME OJNA DIELLIPoezi nga FATIME KULLI

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 04:10pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

NË TRUPIN TIM KAM VESHUR XHUBLETA ME OJNA DIELLI

Poezi nga FATIME KULLI


E Mërkurë, 08.11.2010, 01:54pm (GMT+1)

Lotët m'u thinjën...

Një fund gushti, mbrëmje vonë

Dritat shkëlqenin si re shpërthimesh.

Në natën e zezë një dhimbje m'përshkoi

Tej për tej mushkëritë...

Puthja mizore më ngriu në buzë

Ëndrra m'u venit, ndjeva poshtërim.

Ishte mbrëmje e ftohtë gushti

Që m'i dogji të gjitha fjalët

Iluzionet robëroheshin pa kufi...

Pashë hijen e duarve fantazma

Që përkëdhelnin trupin e tij...

Dëgjova xhelozinë nga fundi i humnerës

Të më pështyjë...

Nata më sillej rrotull si xhind,

Dashuria m'u vodh, lotët m'u thinjën...

Një fund gushti, mbrëmje vonë

Pas dritares më fanitej hija e një lisi...


 

Korniza

 

Fjala rënkon nën mure muzgjesh

Portreti rri varur në kornizë të ditarit

Si gjethet e limonit në një degë të thyer...

Sekondat, orët, ditët janë mbyllur

Në kështjellë të harrimit...

Të dëshiruara presin një buzëqeshje...

Shpirti përpëlitet para pasqyrës së hënës

Rënkon humbjen e dritës së virgjër...

Errësira shqelmon si lëneshë

Duart që përkëdhelin kornizën

Dashuria përgjon kthetrat e hijedritës

Skeleti i Kornizës shqyen portat e mërisë...

 

Dritë mbi errësirë...

 

Teksa shoh hijen tënde

Të përpëlitet buzë dhimbjes a krenarisë

Përqafoj orët e dritëzuara që më varen

Si relike muzgjeve truplëshuar...

Atëherë dashurova sekondat e frymëmarrjes tënde

Për të cilat jam nostalgjike deri në amshim.

Tani në fustanin tim të bardhë

Kam qëndisur ngjyrat e zeza,

Si të pantallonave të tua

Që shpesh t'i kam larë e hekurosur

Për t'i ngritur në altarin e ndjenjës më njerëzore,

Mbrëmjeve të rreckosura e të trishtuara

Ku flakëronin sytë e ty e çirrej përkëdhelja...

Dhe buzët pëshpërisnin fjalë të mekura...

Teksa ndjej vështrimin e hijes sate

Vallëzoj me dhimbjen e krenarisë,

Në sfondin e ngjyrave shfaqet e kuqja...

Nëse kërkon fjollëza të arta në tekat e tua

Aty është muri ndarës me zemëratë gruaje

I ngjyer me fjalë zemre e gurë mirësie

E gërryen tenja e vesës së tradhtisë..

Atëherë dashurova aventurat e tua,

Siç dashuroj tani shpirtin tënd në harrim...

Në çdo të fshehtë të kujtimeve

Shoh dritë mbi errësirë...

 

Kërkon shpirt gruaje

 

Tejpërtej murit të dhimbjes

Nuk shoh dritë, dëgjoj veç zëra

Të kryqëzuar nga ligësia

Presin lotët e një gruaje...

Tejpërtej ngrehinës së mërisë

Përpëlitet një dritë e vobektë

Mbledhur si lëmsh

Kërkon duart e një gruaje...

Tejpërtej humnerës së urrejtjes

Pipëtin një dritë hijezhveshur

Ligështuar deri në amshim

Kërkon një shpirt gruaje...



 

Baladë nënës sime

 

Era e tërbuar e shekujve

U përplas ndër gjokse engjujsh të pafaj

koha u trullos dhe u bë qameti

nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,

këndon:

"Janinës ç'i panë sitëeee, Jaaaninoooo

Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo"

Oh, nënë, ç'është ky zë si në legjendë

Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë

Ah moj bije e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë

ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë

yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një

Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë

barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd...

Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak...ohhhhhhhh

Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore

Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë ende në sy...

Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja

ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet...

Eh, s'munda të ngjyej as hijen e gishtit,

të shkruaj emrin mbi një varr,

në oxhakun ku kam qarë për herë të parë...

O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë

dielli po më rrezohet para këmbëve të mia

Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit...

Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria...

Janinës ç'i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo...

Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon

Po moj bijë, do këndoj, sa të plas, se kështu është historia!


Ndër buzë qëndis poezinë

Jam gur i vdekur, rri strukur
Nën ahet e zhveshura shekullore
Ku dielli lind e perëndon me dritë të vakët
Dhe vesa pikon gjak mbi gjethet e shkruara
Ndër sirtarët e sharruar nga druvarët shenjtorë...
E tinguj mortor rrëshqasin fletëve të zverdhura....

Jam gur varri, kam ecur hijeve dritë-verdha
Në trupin tim kam veshur xhubleta me ojna dielli
Të ndjell zgjoje bletësh në kohë stuhish...
Ëndërrimtarët i zu trishtimi në qoshe të konakut,
nga përgjumja dimërore, koha i kryqëzoi dashuritë...

Jam gur varri, fle dhe zgjohem në copëza shkretëtirash
me gishtat e zgjimit mbështjell fytyrën
për të lindur foshnjën në djep baladash
që të këndojë këngën e përjetshme, në krahë të lirisë...
"O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej"

Jam gur i vdekur, fryma m'lëshon zaaaaaaaaaaaaaa
N'jele të historisë...
IDENTITETIN ma lidhën me zinxhirë n'gijotinë,
Legjenda u përlot dhe veshi kostumin më të bukur
me plagët e marra në telat e lahutës
Që shëtisnin honeve në vendet e qytetëruara.

Të gjitha sprovat i kanë bërë në trupin tim,
Por unë marr frymë me mushkri të reja dashurie,
edhe pse ajri ashtë copëtua mes trëndafilash të plagosur,
Në dheun e ashpër dhe të dashur fisnikërisht,
Tingujt lëshonin dhe përthithnin hire drite...

Dje në "Shekullin më të ri" prometeu Migjen klithte:
"O, si nuk kam një grusht të fortë
t'i bi m'u në zemër malit që s'bëzan
ta dij edhe ai se çdo me thanë i dobët,
n'agoni të përdridhet si vigan i vramë!"

Sot jetojmë me kohën, në botën moderne
Edhe pse mbi krye më valëviten dy flamuj, në një trung...
Unë gjunjëzohem deri në amshim
Para flamurit tim ku më buzëqesh flokëbardhi, Ismail Qemali.

E prapë jam gur i vdekur... që shoh, dëgjoj, ulërij e brohoras:
"O sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej, o heeeej"

E tash, në shekullin e XXI
Buzëqeshim austradave të botës, me emrin emigrant
Jetojmë në kohë moderne, ajrin e arnojmë me fijet e diellit
Të mos zbulojë botën e hipokrizisë,
bukurinë e gënjeshtër, mosmirënjohjen, marrëzitë...

Mbi kokën time dëgjoj hënën që lëngon
Duke parë shtojzovallet trotuareve të Evropës...
Yjet kryqëzohen ngricave të traditës dhe moralit të pështirë
Që m'janë lidh për fyt si kocka të helmuara...
Dhe krekosen kurriz-shtrirë,
se paraja është më e rëndësishme se identiteti dhe liria!

Jam gur i vdekur, frymoj në botën moderne
Ndër buzë qëndis poezinë....

--

Fatime Kulli lindur me 23 korrik 1957 ne Durrës. Pas shkollës fillore dhe 8 vjeçare, ka mbaruar Shkollën e Mjeshtërisë sportive në Durrës. Shkollën e Mesme të Përgjithshme dhe të Mesmen Teknologjike në qytetin e Shkodrës. Per arsye politike te familjes se saj, ka vuajtur debim-interrnim per shume vjet dhe pas vitit 1990, ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik, shkencat sociale. Pas viteve, 91 punon si gazetare në shtypin e qytetit të Veriut, Radio Shkodra, gazeta "Shqipëria Etnike", Drejtore në televizionin 2ATV, në Radio-Tirana, si dhe në disa gazeta periodike dhe kulturore.

Kryeredaktore në Gazetën "Ndryshe" dhe Drejtore në revistën "Obelisk".

Botime:

-"Ma lini portën çelë" (poezi)

-"Lakuriq mbi tastierë" (poezi)

-"Masturboj me diellin" (poezi)

- "Parlament në pyll" (fabula)

- "Zemrën e dua pasqyrë" (poezi)

- "Tensione emocionesh" (tregime)

- "Ethet e zhveshura" (poezi italisht-shqip)

- "Shkëndija e eshkës" (poezi- botuar në Shkup)

- "Deti mbytet në guaskë" (poezi- botuar në Kumanovë)

- "Trëndafil i djersitur" (poezi-botuar në Tetovë)

- "Në gojë të diellit" (poezi për fëmijë)

- "Drithërimat e frikës" (roman)

- "Cila është më bukur" (poemë për fëmijë)

- "Uragani i meteorëve" (monografi-studim-publicistikë)

- "111 fjalë të ndyra dashurie" (poezi & tregime)

- "Mitra e zjarrit" (poezi)

- "Njëzet e dy" (roman)

-Këpucët e Mjegullës (poezi)

Ka marrë këto vlerësime nÄ— aktivitete letrare:

- Në vitin 2001 ka marrë Çmimin "Radio Ulqini" në Mal të Zi (me poezinë "Kam frikë", të librit "Ethet e zhveshura"

- Në vitin 2002 është vlerësuar me vendin e dytë në takimin poetik të Salernos në - --- Napolit, midis 100 poetëve nga Evropa.

- Është vlerësuar si poetja më e mirë e poezisë lirike erotike në takimin Ballkanik që është zhvilluar në KorcÄ— në vitin 2002.

- Ka marrë Penën e Artë në Kumanovë me librin "Deti mbytet në guaskë" në vitin 2003.

- Pjesëmarrëse në Institutin e Shkencave të Letërsisë në Kembrixh, me librin poetik "Trëndafil i djersitur" në vitin 2004.

- Ka marrë Penën e Artë në Athinë (në klubin e shkrimtarëve "Kodmus") me ese të përzgjedhur nga libri studimor "Retinë" në vitin 5005.

- Pjesëmarrëse në takimin e kritikëve Evropianë në Gjenova, ku është vlerësuar si një intelektual "ndryshe" në fushën e kritikës letrare, në vitin 2006.

- Fituese e çmimit të Parë në takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtri, maj 2008.

- Fituese e çmimit "Skampini" ne takimin Ballkanik ne Elbasan 2009.

- Pjesëmarrëse në festivalin e poezinë botërore në Strugë, gusht 2009.

FATIM KULLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POETI MË I MADH I BOTËSTregim i ROBERT ZEND përkthyer nga FARUK MYRTAJ (08.09.2010)
JU TREGOJ BONON, LAG NGA SKENAProzë nga ROBERTO SAVIANO (08.08.2010)
DR. GËZIM ALPIONI DHE POETIKA E NJË VËSHTRIMIEssé nga XHEMAIL ALI PECI (08.08.2010)
DRITARE MBI BOTË - KËNAQËSIA TURKENga ORHAN PAMUK dhe MATTEO PERICOLI (08.02.2010)
ME POETIN ALEKSANDËR ESENINNga ROZI THEOHARI (08.01.2010)
MARRËZI TË ËMBLA NËN BUKOVILEProzë poetike nga RAIMONDA MOISIU (07.31.2010)
ZHAPIUTregim humoristik nga NAUM PRIFTI (07.16.2010)
NJË TAKSI PËR MACEN TIMETregim nga ALEKO LIKAJ (07.02.2010)
ZOGJTË PREJ LETRETregim nga PIRRO LOLI (06.27.2010)
VIZITA E JAKOMONITTregim nga NAUM PRIFTI (06.23.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]