VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - GREVA E MINTATORËVE 1989, NJË LEKSION HISTORIKNga AZEM VLLASI

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 08:58pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

GREVA E MINTATORËVE 1989, NJË LEKSION HISTORIK

Nga AZEM VLLASI


E Hënë, 03.05.2012, 03:40pm (GMT+1)

Minatorët të parët u bënë thirrje edhe Kombeve të Bashkuara që ta drejtojnë vëmendjen mbi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Kjo historikisht mund të vlerësohet si fillim i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve në konflikt me Serbinë

Është e shëndetshme për dinjitetin kombëtar dhe shtetëror të përkujtohet greva historike e minatorëve të Kosovës e vitit 1989 që qe shndërruar në rezistencë gjithëpopullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. Greva nisi më 20 dhe përfundoi më 28 shkurt, por mbeti e ndezur flaka e rezistencës derisa u kurorëzua me liri e pastaj edhe me shtetësi të Kosovës. Gjenerata të reja të lindura atëherë dhe më vonë po hyjnë në pjesën më produktive të jetës dhe pak dinë për ato ngjarje.

Ndonëse rrethanat shoqërore dhe historike me kohë ndryshojnë, ngjarjet çfarë ishte greva e minatorëve e muajit shkurt 1989, e ruajnë aktualitetin, vlerën e pashlyer dhe e përcjellin më tej mesazhin historik. Janë mësim dhe leksion për rolin e vetë popullit në bërjen e historisë në kthesat e mëdha dhe vendimtare.

Deri në vitin 1989, Kosova me Kushtetutën e vitit 1974, në Jugosllavinë e atëhershme si shtet federativ kishte një pozitë goxha të avancuar. Ishte element konstitutiv i Federatës dhe përfaqësohej drejtpërsëdrejti në organet federale, ndonëse, sipas definicionit kushtetues ishte edhe pjesë e Serbisë. Me kapacitetin e kompetencave të brendshme (pushteti ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor) ishte gati e barazuar me republikat. Serbia kurrë nuk u pajtua me një gjendje të tillë dhe në secilën mënyrë mundohej për ta rikthyer dominimin mbi Kosovën.

Nga përvoja e hidhur historike, ne shqiptarët kishim një drojë të arsyeshme nga fakti se Kosova akoma trajtohej edhe si pjesë e Serbisë, me gjithë faktin se ajo nuk kishte pushtet funksional mbi ne. Pozita kushtetuese e vitit 1974 ishte arritur me shumë mundime.

Titoja, sa ishte gjallë, ishte njëfarë garanti për ruajtjen e ekuilibrit të arritur. Pas vdekjes së tij, nga droja prej aspiratave të vjetra të Serbisë, një rrymë më radikale ndër shqiptarët u ngrit edhe në demonstrata në vitin 1981 me synimin që të shkëputej çfarëdo lidhjeje me Serbinë dhe Kosova të ketë një status sikur republikat e tjera. Zor që kishte ndonjë shqiptar kundër këtij synimi. Prandaj, lidhur me këtë, kishim shanse t'i bashkërendisnim përpjekjet edhe në mënyra të tjera, jo doemos me demonstrata. Problemi plasi dhe fërkimet në mes nesh filluan rreth faktit pse me demonstrata, por më shumë edhe nga baza ideologjike. Ithtarët e demonstratave si rrugë të preferuar drejt republikës nuk fshihnin edhe adhurimin për diktatorin Enver Hoxha, e bashkë me këtë përqafonin edhe ideologjinë dhe modelin retrograd marksist-leninist të tipit stalinian, që ky me fanatizëm dhe pa alternativë e zbatonte në Shqipëri. Kjo rrethanë shkaktoi huti edhe tek të tjerët në Jugosllavi, jashtë korpusit serb.

Sidoqoftë, mbi elitën politike të Kosovës të asaj kohe bie përgjegjësia pse nuk u gjet një rrugë për dialog me ithtarët e demonstratave dhe me "enveristët", ndonëse as këta nuk ishin edhe aq për dialog. Represioni i përdorur e rëndoi gjendjen edhe më keq.

Situata e krijuar me demonstratat e vitit 1981, ndonëse ishte vetëm si shkas, ishte shansi që Serbia moti e priste.

Edhe demokracitë perëndimore ishin paksa të habitura me këto ngjarje, ngase dinin se modeli jugosllav i vetëqeverisjes dhe i barazisë nacionale ishte dukshëm më i avancuar sesa modelet e tjera lindore dhe falë këtij modeli kishim realizuar të drejta jo të pakta.

Pasuan shtatë vjet të vështira lufte politike me Serbinë për ta ruajtur pozitën e arritur kushtetuese të Kosovës. Por, nga presionet e pareshtura të imponuara nga Beogradi, kinse për mbrojtjen e rendit kushtetues, u zbeh dhe dukshëm u amortizua mëvetësia kushtetuese që kishim arritur. Nga këto presione dhe nga agresiviteti serb, filloi të humbiste edhe shija e modelit vetëqeverisës jugosllav, si më i avancuar karshi atij neostalinist.

Klasa punëtore dhe popullata shqiptare me brengosje përcillnin zhvillimet e reja në rrethanat e krijuara.

Në vitin 1986, Presidenca e atëhershme e Jugosllavisë nisi procedurën e disa ndryshimeve parciale të Kushtetutës me qëllim që të krijohen kushte për reforma ekonomike. Nga Serbia kjo u vlerësua si rast i duhur për ridefinimin e raporteve kushtetuese të saj me Kosovën dhe Vojvodinën. Ne, por edhe kolegët tanë nga Vojvodina, kategorikisht kundërshtonim. Serbia vuri në lëvizje secilën mënyrë, institucionale dhe jashtinstitucionale. Me mitingje rrugëve dhe shesheve, si dhe me zhurmën mediale nga Beogradi krijohej një klimë militante kundër nesh. Kështu shantazhoheshin dhe instrumentalizoheshin edhe organet federale kundër nesh. Lidershipi i Vojvodinës kështu u përmbys me mitingje në tetor 1988. Ne akoma nuk u dorëzonim. E dinim se krejt lufta e Serbisë që nga viti 1981 bëhej për ndryshimin e pozitës kushtetuese të Kosovës.

Gjithë shqiptarët përcillnin me vëmendje dhe brengosje këto zhvillime. Mua më ra hise që prej vitit 1986 të isha njeriu më përgjegjës politik në Kosovë si kryetar i Komitetit Krahinor të LK-së. Me gjithë vërejtjet që opinioni kishte ndaj lidershipit për punë të tjera, ishte e lartë vetëdija se beteja për mbrojtjen e pozitës kushtetuese të Kosovës nga aspiratat e Serbisë është ajo kryesorja. Ajo ishte jo vetëm një nga betejat, por vetë lufta për ta mbrojtur të drejtën tonë për të vendosur për fatin tonë dhe vendin tonë, për Kosovën. Milosheviqi u bë i fuqishëm dhe krejt u përqendrua në presione ndaj nesh, posaçërisht ndaj meje.

Lidershipi serb me përkrahësit e vet në organet federale, me shantazhe dhe mbivotime nisën procedurat për eliminimin e disave prej nesh, para të gjithëve mua, nga udhëheqja politike e Kosovës. Vlerësimi i tyre ishte i thjeshtë: me destabilizimin e lidershipit kosovar hapet rruga më e shkurtër për imponimin e ndryshimeve kushtetuese çfarë synonin.

Minatorët e "Trepçës", pastaj kolegët e tyre të tjerë, e me ta i gjithë populli u drejtuan dhe u ngritën për ta bërë vetë historinë. Fillimisht në nëntor të vitit 1988 me dhjetëra e qindra mijëra njerëz nga të gjitha viset e Kosovës marshonin drejt Prishtinës. Ngritën zërin kundër çfarëdo ndryshimeve me presion, qoftë të pozitës kushtetuese të Kosovës, të liderëve politikë që bëjnë punën e vet në mbrojtjen e Kosovës nga këto presione, apo çfarëdo presioni tjetër. Pamë në vepër, nëpër rrugët, sheshet dhe vendbanimet e Kosovës një unitet që kurrë nuk kishim parë. Si përcaktim kryesor, pa alternativë u artikulua interesi kombëtar dhe atdhetar dhe u fshinë ndasitë ideologjike. Vija ndarëse në "titistë", "enveristë", apo çfarëdo tjetër, para interesave kombëtare, më nuk kishte.

Krejt koreografia e këtyre protestave demokratike e paqësore më masive në historinë tonë, flamujt, brohoritjet, kërkesat... ishte e dizajnuar dhe e konceptuar ashtu që të shmangeshin keqkuptimet në pjesët e tjera të Jugosllavisë dhe tek opinioni ndërkombëtar. Dhe Serbisë të mos i jepet shansi që këto ngjarje t'i cilësonte si armiqësore, antijugosllave. Këtë qëllim e kishte edhe bartja e fotografisë së Titos dhe jo që ishte nostalgji për njeriun e vdekur.

Protestuesit bartnin flamujt tanë kombëtarë dhe atë jugosllav, por jo edhe të Serbisë. Porosia ishte e qartë.

Brohoritjet për emrin tim në ato tubime nuk i kuptoja si shpërblim për diçka që kam bërë, por si përkrahje lidershipit tonë në tërësi për qëndrim dhe për atë që duhet bërë, për mbrojtjen e "vijës së kuqe" nga agresioni serb.

Mjerisht, pas nëntorit 1988, nën ndikime dhe presione nga Serbia, nga frika personale, apo lakmia për pak pushtet, filluan plasaritjet në radhët e tona. Për fat, të paktë (3-4) ishin ata që vinin Serbinë të mbështjellë me Jugosllavi para Kosovës. Me presione nga lart u eliminuan të përkrahurit, u instaluan disa kolaboracionistë të Beogradit.

Ata që mbetën të paluhatur dhe të pathyeshëm sërish ishin minatorët dhe bashkë me ta i gjithë populli. Në mënyrën e vet u nisën në betejën vendimtare. Hynë në grevë urie në horizontet e Stantërgut dhe në minierat e tjera të Kosovës. U mahnit opinioni botëror. Kudo në botë dihej se minatorët, sikur punëtorët e tjerë, mund të bëjnë grevë për rritje të rrogave apo kushte të tjera. E kjo, për t'i dalë krah vendit të vet, me kërkesa krejtësisht politike, të drejta dhe të pakontestueshme, ishte e panjohur në historinë e grevave.

Në krye të kërkesave ishte ajo që pozita kushtetuese e Kosovës të mos ndryshohej me presione. Kështu mbrohej qëndrimi kundër ndryshimeve që degradonin pozitën e Kosovës, i shprehur gjatë debatit publik lidhur me ndryshimet kushtetuese. Asgjë të mos bëhet me presion. E ata që ishin instaluar me presione në pozita politike, të japin dorëheqje. Shkurt: u mbrojt e drejta universale demokratike që populli vetë të vendoste për veten, për vendin e vet (Kosovën), për statusin kushtetues, në mënyrë demokratike, pa presione, pa shantazhe. Minatorët të parët u bënë thirrje edhe Kombeve të Bashkuara që ta drejtonin vëmendjen mbi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Kjo historikisht mund të vlerësohet si fillim i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në konflikt me Serbinë.

Nisën grevën më 20 shkurt 1989. Për tetë ditë minatorët mbetën të paluhatshëm dhe të pathyeshëm. Pastaj u mashtruan nga kreu i shtetit i ndihmuar nga lidershipi serb dhe nga dy-tre tradhtarë vendës. U thanë se pranohen kërkesat e tyre dhe kur dolën nga miniera filloi terrori mbi ta, por edhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi.

Nën presionin serb, Presidenca e Jugosllavisë turpshëm vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Urdhëroi përdorimin e ushtrisë dhe policisë kundër çfarëdo rezistence. Praktikisht mbi Kosovën u krye një grusht shtet antikushtetues. Por betejën e nisur nga minatorët e vazhduan rinia, studentët e shtresat e tjera përmes protestave paqësore. Gjatë atyre ditëve u vranë më shumë se 30 protestues paqësorë.

Sipas skenarit më herët të përgatitur në Beograd, në krye të piramidës për burgosje u gjeta unë bashkë me udhëheqësit e "Trepçës" dhe disa minatorë (Aziz Abrashi, Burhan Kavaja.., Avdi Uka, Veli Osmani...Pastaj Lazër Krasniqi, drejtor i KEK-ut etj.) Na akuzuan për vepër penale të dënueshme sipas ligjit penal edhe me vdekje. Nga kreu politik u burgos edhe Ekrem Arifi, për të cilin kishte vlerësim se po të mbetej në liri do të bënte zhurmë për burgosjen time. U burgosën dhe u torturuan në të njëjtën fushatë me qindra veprimtarë politikë, patriotë nga veprimtaria ilegale e deriatëhershme, udhëheqës të organizatave ekonomike dhe sfera të tjera publike. Synohej që përmes frikësimit të sigurohej një kohë më e gjatë e qetësisë së rrejshme në Kosovë. Së paku derisa të suprimohej Kushtetuta. Kjo edhe ndodhi më 23, përkatësisht më 28 mars 1989. Së pari në mënyrë të manipuluar u imponuan ndryshimet, e pak më vonë edhe Kushtetuta u suprimua. Çdokush u prek nga dhuna dhe represioni.

Por pas këtyre ngjarjeve çdo gjë ndryshoi. Çështja e Kosovës faktikisht u internacionalizua. Uniteti i krijuar atëherë u bë bazë për organizime dhe veprime politike, më vonë edhe ushtarë që e sollën Kosovën deri te liria dhe shtetësia. Edhe sot dhe gjithmonë greva e minatorëve bart porosi universale. Na mëson se me unitet, të bashkuar dhe të vendosur mund të arrihen qëllimet e drejta sado që rruga drejt tyre është e vështirë. Na mëson për "vijat e kuqe" të interesave kombëtare.



(Autori, avokat nga Prishtina, është dëshmitar dhe aktor i ngjarjeve për të cilat flitet në këtë shkrim)

AZEM VLLASI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MINI SHENGENI BALLKANIK (03.04.2012)
PËR ACTA DEBATON EDHE PARLAMENTI EVROPIAN (03.04.2012)
MAQEDONI: PROJEKTLIGJI DRAKONIAN PËR MEDIAT (03.02.2012)
LIGJI I RI PËR SHPIFJET (03.02.2012)
FORCAT E ARMATOSURA VUAJNË POLITIZIMINNga PIRO LUTAJ (03.02.2012)
DEMAÇI I ANKOHEJ ENVERIT PËR DHURATËN (03.02.2012)
SPAHIU SULMON BERISHËN: PD PARTIÇKË, DO TË MBETENI NË MINORANCË (02.28.2012)
REFORMA ZGJEDHORE DHE SFIDA PËR IMAZH DEMOKRATIKNga ALFRED ÇAKO (02.27.2012)
SIKUR STEVE TË ISH SHTJEFENNga DRITAN HILA (02.27.2012)
"NDARJA NUK MUND TË JETË ZGJIDHJE PËR VERIUN E KOSOVËS" (02.24.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]