VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MURAT BASHA: NË VITIN 1990 E GJETA MBRETIN NË MËRGIM

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 01:58am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
MURAT BASHA: NË VITIN 1990 E GJETA MBRETIN NË MËRGIM
E Shtunë, 03.10.2012, 09:04am (GMT+1)

Prej shumë ditësh gazeta ka botuar një intervistë të hollë sishme të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist në Paris, Hasan Luçin. Në atë intervistë të zgjeruar, zoti Luçi foli kryesisht për rekrutimin e njerëzve më të afërt të oborrit mbretëror dhe Legalitetit në mërgim. Është vetë Legaliteti, i cili nëpërmjet intervistës së njërit prej eksponentëve kryesorë të partisë, siç është Murat Basha, i kundërpërgjigjet sot, pikërisht dëshmisë së Hasan Luçit. Murat Basha, pavarësisht se është i ri në moshë,- por që mban një post shumë të rëndësishëm në partinë e Mbretit,- flet për shumë detaje të historisë së familjes mbretërore, në të cilat tregon se i njeh shumë mirë, për faktin se koha e gjatë e punës së tij shumë afër mbretit Leka I, ajo periudhë e gjatë pranë mbretit e ka bërë atë t'i mësojë mirë faktet dhe historinë në mërgim të partisë ku sot është numri i saj. Por çfarë thotë konkretisht Murat Basha në këtë intervistë tepër interesante të tij, të cilën e fillon që me edukimin dhe brumosjen e tij familjare të ndjenjës për mbretin dhe mbretërinë, e deri te realizimi i ëndrrës së tij për të takuar nga afër mbretin Leka, të cilin e arriti në fillim të viteve '90. E ndërkohë, për historinë e luftëtarëve të Legalitetit, të cilët janë akuzuar nga komunizmi si terroristë, Murat Basha deklaron se edhe vetë po të kishte qenë në perëndim në vitet '70 nuk do të kishte ndenjur pa hedhur bomba mbi ambasadat e Shqipërisë komuniste në Europë. Për më tepër, le të ndjekim intervistën e tij në shkrimin e mëposhtëm.


Zoti Basha, me sa shikoj, ju e paskeni pasur ëndërr të për jetshme takimin me mbretin Leka. Çfarë kishe njohur dikur rreth jetës së tij?
Gjatë gjithë jetës e kisha ëndërruar atë moment. E kisha sjellë dhe stërsjellë në mendjen time, se si do të ishte çasti kur unë do ta takoja Mbretin Leka I. Kam pasur mundësinë që të shoh fotot e Mbretit Leka në 1973-in, në disa revista italiane dhe spanjolle, që i pati gjetur me miq, daja im Pleurat Shkurti (ka ndërruar jetë), i biri i Hasan Shkurtit, oficer i Mbretit Zog. Me këmbënguljen e babës tim dhe veçanërisht të Sami Kupit dhe Eqerem Frashërit, njerëzve që kam dashur më shumë pas tim eti, u largova nga Shqipëria për t'u takuar me Mbretin. Ka qenë shtatori i vitit 1990, kur mua si dhe disa shokëve të mi, mu mundësua pasaporta e madhe që i thonim në atë kohë, për të dalë jashtë shtetit. Me sa kam mësuar më vonë, emrat tanë, që kemi qenë kundërshtarë të betuar të regjimit, për vetë masakrat që ishin bërë mbi familjet tona, kanë qenë të evidentuara në policitë përkatëse dhe në zyrën sekrete të Sigurimit të shtetit. Ka qenë një orientim filozofik dhe djallëzor i Ramiz Alisë, i cili deshi që neve kundërshtarët e fuqishëm të regjimit të tij, që kishim akumuluar zemëratë për 45 vjet, të na mundësonin largimin nga Shqipëria, për të ulur tensionet ndaj tij. Prandaj edhe unë, papritur dhe pakujtuar u ndodha mes mundësish reale për të pasur lehtësisht pasaportë, ashtu siç do të kisha dhe lejen për të dalë jashtë kufijve shtetërorë.
Shtatori i vitit 1990 që paskeni ikur juve, paska korresponduar me largimin e njerëzve me hyrjen në ambasada. Nuk ju tha mendja për të ikur me ambasadat, kur kishit aq mllef për sistemin që po binte, kur nuk e dinit nëse do të mund të iknit dot më mbrapa?
Jua kuptoj qartë mendimin. Keni të drejtë të mendoni kështu, se kur shokët e mi që nuk rrinin dot në atë sistem nuk pyetën mure dhe hekura ambasadash por kaluan drejt e brenda, unë që më ishte masakruar me plumbat e Enver Hoxhës koka e tim gjyshi, pavarësisht se kishte qenë një nga veprimtarët e shquar të lëvizjeve kombëtare të vendit, madje deri te lufta kundër pushtuesit, që më ishte kalbur babai burgjeve të tmerrshme të sigurisë speciale, nuk mendova asnjë herë që të kaloja muret e ambasadave. E di që do t'ju duket çudi, për faktin se ikja me pasaportë ka dalë dy muaj më mbrapa dhe unë në kohën e ambasadave nuk e dija nëse do të mund të largohesha me pasaportë. Por arsyeja ishte, se im atë më porositi që të mos ndërmerrja në asnjë mënyrë ikjen me ambasada, se pushteti komunist po jepte shpirt. Neve kishim pritur 50 vjet të fundosej ai regjim barbar, ndërsa tani që ai po binte ne të iknim dhe t'jua linim prapë atyre që e kishin. Jo, nuk mund ta bënim një gjë të tillë. Kjo ishte dhe arsyeja që unë prita përmbysjen e madhe, ndërkohë që pasaporta m'u gjend në dorë papritur dhe pakujtuar, kuptohet, për arsyet që jua shpjegova më lartë.
Por prapë, ikët apo jo?
Tani ishte ikje me pasaportë. Ky nuk quhej largim, pasi vija kur të doja, ndërsa rasti i ambasadave ishte largim i sforcuar.
Për ku ikët?
U nisa drejt Italisë. Sapo mbërrita në Itali, mora kontakte me miqtë e familjes, apo edhe të gjyshit tim Murat Bashës, si edhe me miq të babës sim, që ishin të arratisur nga Shqipëria.
Kush jua krijoi kontaktet me mbretin Leka, që e paskeni pasur ëndërr tërë jetën?
Njeriu i parë që më krijoi mundësinë të kontaktoj me njerëzit e Mbretit Leka, por edhe me atë vetë, ka qenë z. Mentor Çoku. Një patriot dhe intelektual, që më ka lënë mbresa. Në disa rrethana, përcaktues është fati apo dora e Zotit. Në kohën që po flas, Mbreti Leka ishte në Paris, në rezidencën e Oborrit Mbretëror Shqiptar. Në shtëpinë e z. Hyll Spahija, antikomunist i vendosur, një burrë patriot, trim dhe inteligjent, i cili ka bërë sakrifica dhe veprimtari të jashtëzakonshme, në shërbim të atdheut dhe mbretit.
Kush ishte momenti i njoftimit për takim?
Ka qenë emocion i papërshkrueshëm, kur z. Spahija më telefonoi si zakonisht, sepse kishim vendosur kontakte, por kur ai më kaloi në telefon mbretin, nuk do t'i harroj shprehjet e para të tij: "Familjen ta njoh,- më tha Mbreti, -nderoj veprën e gjyshit tuej. Ty nuk të njof, por më ka fol vajza e Abaz Kupit, që asht këtu në Paris. Hylli do vi me të takue"...Çfarë emocioni. Thuajse nuk kam fjetur gjithë natën, duke falënderuar Zotin për mundësinë që më krijoi.
Po fizikisht, si mundët ta takonit?
Ndryshimet në lindje, rrëzimi i murit të Berlinit, ekzekutimi i Causheskut dhe gruas se tij Elena, ishin sinjale të forta se era e ndryshimit do prekte edhe Shqipërinë. Ngjarja e ambasadave dhe revolta studentore, e futi në panik bandën kriminale komuniste, e cila po e ndjente se fundi i pushtetit të dhunshëm dhe kriminal, ishte i pashmangshëm. Për të evituar revoltën, hakmarrjen, apo më mirë "hakdhënien" që mund të binte mbi ta, për ta kanalizuar atë në drejtim tjetër, u përdorën disa "valvola" shkarkimi, një prej tyre edhe "ikja" masive e shqiptarëve me anije, në ditët e para të marsit 1991. Kjo ngjarje e "jashtëzakonshme" kërkonte nga Mbreti Leka të ishte atje ku e kërkonte nderi dhe detyra, në përkrahje dhe mbrojtje të bashkatdhetarëve të tij shqiptarë. Kjo ishte koha kur Mbreti ndërmori udhëtimin në Itali.
Në atë kohë, edhe ju ndodheshit në Itali?
Po. Aty nga ku edhe fola në telefon. Ishte data 18 mars 1991, ora 8.48. Mbretin e takova në hotelin "Ekselsior" në Romë. E kam thënë dhe më parë, se nuk qenka vetëm parajsa vendi ku realizohen ëndrrat... E shtrëngova fort trupin e tij gjigant, i vura kokën mbi gjoks... dhe u përlota... Nuk e di sa kam ndenjur duke e përqafuar Mbretin tim... Të tjerët që ishin aty thanë se nuk shkëputesha prej tij. Mua m'u duk fare pak... Ndjeve edhe unë lotët e tij mbi kokën time... Pastaj bëra një hap mbrapa, vura njërin gju në dysheme dhe iu betova:"Madhëri, ku shkeltë këmba juaj, raftë koka ime".
Po ai si reagoi?
Më përgëzoi për traktet e futura në Shqipëri. Më tha se isha i mirëpritur, nëse dëshiroja t'i bashkëngjitesha ekipit të Oborrit Mbretëror Shqiptar, që do takonte bashkatdhetarët tanë nëpër kampet e Italisë së jugut.
Kë takuat tjetër nga njerëzit e Legalitetit në emigracion?
Në emigracion pata fatin të takoj edhe burra të tjerë patriotë, të gatshëm për të ndërmarrë çdo veprim apo sakrificë për Atdhe dhe Mbret. Z. Skënder Zogu këtë burrë babaxhan, të mirë, të ndershëm, intelektual, poliglot, e pata takuar në Bari në dhjetor 1990, kur së bashku me Hyll Spahinë, më sollën traktet e Mbretit... Pata rastin dhe privilegjin të njoh dhe të bashkëpunoj edhe më vonë, me Ministrin e Oborrit Mbretëror, z.Abedin Mulosmani (ka ndërruar jetë), besnikët e Mbretit, Hyll Spahija, Hysen Shehu, Xhevahir Shuaipi, simpatikun kurajoz Shehat Shehu, Tem Gjanaj (ka ndërruar jetë), djalin e patriotit Qazim Gjanaj.
Ku i takuat të tjerët?
Me Hyll Spahiajn, kontin francez Jean D'oigny dhe tre djem shqiptarë, u ndodhëm pranë shqiptarëve që në ditët e para të eksodit në jug të Italisë. Më pas, me Mbretin në krye, së bashku me këta patriotë, kemi vizituar për dy javë, të gjitha kampet e Italisë, ku ishin të vendosur bashkatdhetarët tanë.
Për çfarë shkoi mbreti në ato kampe apo më mirë të them se, kush ishin porositë e tij atje?
Mbreti iu ka kërkuar "vëllezërve" dhe motrave të tij shqiptarë, që të mos e harrojnë Shqipërinë, se së shpejti do të rikthehen në Atdhe....
Kam mësuar në rrugë të tërthorta, se në atë periudhë ka pasur edhe thirrje në radhët e shqiptarëve në ato kampe, që kur panë ndryshimin e madh që ekzistonte mes vendit tonë dhe Italisë, të riktheheshin sërish në Tiranë, por me armë në dorë për të çliruar vendin nga komunizmi. Nuk e di nëse këto thirrje histerike janë shprehur kur ka qenë mes tyre Leka Zogu?
Është e vërtetë se ka pasur, madje shumë të fuqishme. Por thirrjeve të tilla të mijëra shqiptarëve (veçanërisht në kampin e Restincos), për të marrë armët dhe të kthehemi të përmbysim bandën kriminale në Shqipëri, Mbreti Leka iu përgjigje se: "Ajo kohë ka kalu, sot asht kriju mundësia me i përmbysun me votë"...
Ju, e keni shoqëruar në këto takime?
Nuk i jam ndarë asnjë hap, jo vetëm në takimet me shqiptarët në kampet provizore të ngritura për ta në atë kohë, por edhe në takimet me zyrtarët e shtetit italian, sepse mbreti në ato ditë ka ndërmarrë një sërë takimesh jo vetëm me drejtuesit e kampeve të refugjatëve shqiptarë, por edhe me autoritetet e qeverisjeve lokale dhe qendrore italiane.
Për se i shfrytëzonte ato takime?
Në të gjitha këto takime, ai ka kërkuar kushte më të mira dhe trajtim sa më të mirë për shqiptarët, të cilët fillimisht në disa raste ishin lënë të flinin në porte, të mbuluara me plastmase....ë! Ishte Mbreti Leka, ai që nëpërmjet letrave, telegrameve, por dhe daljeve të shpeshta në TV-të lokale dhe qendrore italiane, ka sensibilizuar opinionin publik, por edhe të dërguarit e O.K.B-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, për atë që po ndodhte me refugjatët shqiptarë. Njëkohësisht, ai iu ka kërkuar qeverive të vendeve Europiane, të ndihmojnë Italinë në këtë situatë të vështirë.
Sa kohë qëndruat në Itali?
Mbasi qëndrova afro 8 muaj në Itali, më 20 maj 1991 shkova në Paris. Atje kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj me besnikët e Mbretit, patriotë, njerëz të ndershëm, të sakrificës... Aty njoha edhe patriotin antikomunist Nezir Spahija... (ka ndërruar jetë), për të cilin kisha dëgjuar shumë. Nga ky moment kam qenë në kontakte të vazhdueshme me Mbretin Leka I.
Kur jeni rikthyer në Atdhe?
Në vitin 1994 jam rikthyer në Atdhe, për të dhënë kontributin tim modest për Atdheun dhe kauzën Mbretërore.
Keni pasur kontakte me mbretin si u kthyet në atdhe, kur dihet që familja mbretërore u kthye në Shqipëri në vitin 2002?
Takimet me Mbretin në këtë periudhë janë zhvilluar në vende të ndryshme, në Europë dhe Mesdhe....
Po pas kthimit të familjes në atdhe, kush është pozicioni juaj në lidhje me mbretin?
Nga 28 korriku 2002, kur Familja Mbretërore u rikthye në Atdhe mbas një ekzili të detyruar 63-vjeçar, kam pasur nderin dhe privilegjin të jem pranë Mbretit Leka I, si koordinator politik i oborrit mbretëror. Kam parë dokumente të arkivit të Oborrit Mbretëror Shqiptar....
Ndërsa keni pasur dijeni për shumë ngjarje, qoftë ju, dhe qoftë njerëz të moshuar të Legalitetit, përse nuk keni folur herët për ato fakte që ju mund t'i shikonit të arsyeshme, pasi siç e dini, të vërtetat historike dalin në dritë vetëm kur marrin pjesë të gjithë aktorët politikë, apo e kam gabim?
Mirë e keni ju, por e vërteta është, se ka qenë kërkesë e Mbretit, që të mos flitej për shumë ngjarje dhe personazhe...
Po sot, përse menduat se duhej folur?
Këtë e bëj, i detyruar nga spekulimet e pamoralshme, bile të turpshme, që po bëhen në median e shkruar këto ditë, nga një ish-punonjës i Sigurimit famëkeq të shtetit. E ndjej si detyrim moral dhe qytetar, të flas për disa të vërteta, të pathëna deri sot... Kam bërë parashtrimet e ngjarjeve, natyrisht duke i qëndruar besnik fjalës së Mbretit Leka I, por duke i marrë leje dhe kërkuar ndjesë shpirtit të tij...
Ç'dini apo ç'mund të më thoni për veprimtarinë politike të mbretit Leka në mërgim, pasi Hasan Luçi për atë periudhë foli, apo jo?
Unë ju thashë se periudha ime shumë e gjatë pranë mbretit Leka I ka bërë që unë të dëgjoj dhe të informohem qartazi për dëshmitë e tij të shumë ngjarjeve dhe fakteve të ndodhura gjatë përpjekjeve titanike kundër komunizmit në Shqipëri. Kështu, kam shumë të qartë se veprimtaria politike me theks patriotik, bile dhe nacionalist e Mbretit Leka, ka qenë tejet shqetësuese jo vetëm për bandën kriminale të Tiranës, por dhe për UDB-në dhe KGB-në.
Përse mund të përfshihej UDB-ja në këtë luftë të ftoftë midis të majtës ekstreme shqiptare, siç ishte komunizmi i Enver Hoxhës, dhe të djathtës së saj, të përbërë kryesisht nga emigracioni politik me në qendër Leka Zogun?
Antikomunizmin dhe përpjekjet legjitime për të përmbysur diktaturën kriminale komuniste, Mbreti e ndërthuri me veprimtarinë me theks nacionalist në mbrojtje të shqiptarëve në trojet e tyre etnike, veçanërisht të vëllezërve kosovarë. Kjo veprimtari riktheu në skenë bashkëpunimin e vjetër të Sigurimit shqiptar me UDB-në jugosllave, pavarësisht se ky bashkëpunim ka ekzistuar (ndoshta në heshtje) kur Sigurimi shqiptar dhe UDB-ja shkëmbenin rregullisht të arratisurit nga vendet respektive.
Meqenëse prekët intervistën e një ish-eksponenti kryesor të Sigurimit komunist në Paris, që është Hasan Luçi, juve nuk besoni në rekrutimet që ai deklaroi në radhët e Legalitetit, madje të njerëzve më të afërt të mbretit?
Shiko. Unë jam në dijeni të plotë, se Sigurimi kriminal komunist ka përdorur mënyra nga më të hatashmet, metoda dhune dhe presioni, për të thyer dhe bërë bashkëpunëtorë shumë njerëz brenda dhe jashtë Shqipërisë. Brenda vendit e kanë pasur më të 'lehtë' situatën, sepse kontrollonin gjithçka. Mund të arrestonin, torturonin burgosnin, internonin, vrisnin, zhduknin dhe bënin gjithçka të përbindshme në funksion të mbajtjes së pushtetit. Instrumenti kriminal i kësaj veprimtarie ishte Sigurimi. Ky instrument kriminal, natyrisht, ka vepruar edhe jashtë Shqipërisë. Si thotë edhe ai që ka qenë kryespiuni në Francë, objektivi kryesor i tyre ishte Familja Mbretërore, si mundësia potenciale, për të sjellë një përmbysje të diktaturës kriminale komuniste. Për të qenë "efektiv" në veprimtarinë e tyre, me synim, ruajtjen e pushtetit kriminal, kanë përdorur të gjitha mjetet dhe metodat, për të rekrutuar njerëz në funksion të qëllimeve të tyre të mbrapshta.
Ju pyeta për mendimin tuaj, të rekrutimeve të tij te njerëzit e afërt të mbretit Leka I: Ju, nuk i pranoni si të vërteta ato dëshmi?
Me bindje ju them se, pavarësisht nga metodat e ndyra që kanë përdorur sigurimsat e devotshëm, ata asnjëherë nuk kanë mbërritur të penetrojnë jo vetëm tek Familja Mbretërore, por as në nivele të larta në drejtimin e Partisë së Legalitetit. Minjtë e gjirizeve dhe urithët kanë qenë në nivelet e dyta apo të treta, por kurrë në nivelet e larta. Shumë prej tyre njiheshin dhe janë përdorur për lojë...
Gjithsesi, nuk besoj se ju mohoni faktin, që shumë njerëz të rekrutuar dhe që punonin për Sigurimin komunist, të mos kenë takuar Mbretin Zog apo Mbretin Leka?
Familjen Mbretërore në ekzil e kanë takuar shumë shqiptarë, mes tyre, normale që nuk mund të shmangeshin edhe minjtë e gjirizeve, spiunët, por kjo nuk do të thotë se ata kanë arritur të penetrojnë apo sabotojnë veprimtarinë e Mbretit Zog I dhe më pas atë të Mbretit Leka I.
Nuk e di nëse ju kuptova qartë, nëse thatë që shumë prej njerëzve të Sigurimit njiheshin prej Lekës?
Me ndihmën e patriotëve shqiptarë, por veçanërisht të miqve të shteteve perëndimore, Mbreti Leka ka qenë në dijeni të shumë veprimeve të spiunëve komunistë. Aq i vërtetë është ky fakt, sa shumë prej tyre kanë bërë lojë të dyfishtë, në këmbim të parave apo..., paçka se sot hiqen si patriotë apo idealistë.
Kush kanë qenë këta miq kaq të fuqishëm perëndimorë të tij, sa të dinin kaq hollësi në lidhje me shërbimet sekrete të agjenturave?
Miqtë e tij kanë qenë të shumtë. Po ju përmend disa, për të kuptuar si ishte situata, pastaj përfundimet bëjini vetë. Mbreti Leka ka pasur miqësi të deklaruara me presidentin Riçard Nikson,(lidhje familjare nga Mbretëresha Geraldina), me presidentin Ronald Regan, me senator dhe kongresmenë amerikanë, përkrahës të çështjes shqiptare dhe antikomunistë si Strom Thurmond, Xhesi Helmes,(të cilët në 1982 kaluan në senat një rezolutë për Çamërinë) etj. Marrëdhënie dhe korespondencë të rregullt me zonjën Margaret Theaçer, kryeministre e Britanisë së Madhe, Presidentin egjiptian Anvar Sadat, Mbretin Hysein të Jordanisë, Mbretin Faisal të Arabisë Saudite, Shahun e Iranit Reza Pahlevi, Mbretin Boduin të Belgjikës, Mbretin Huan Karlos të Spanjës, Lord Xhulian Amery, mjaft lordë dhe politikanë britanikë. Ka pasur raporte konfidenciale me shumë njerëz me ndikim në qarqet politike kudo në botë.
Të mbash një aktivitet të tillë politik dhe të jesh në dinamikë të kësaj natyre që ka qenë Leka Zogu, kërkohen edhe financime të shumta. Si mundi t'i arrinte këto financime?
Në shtator të vitit 1962, kur mbreti Zog kishte katër muaj që kishte vdekur, se siç dihet ai ndërroi jetë në 9 prill 1961, Familja Mbretërore, me ftesë të gjeneralit Franko u vendos në Spanjë. Në këtë kohë Mbreti Leka ka krijuar edhe shumë lidhje të tjera, si me Huan Perronin, presidentin e ardhshëm të Argjentinës etj. Në Spanjë, së bashku me Princin (sot Mbreti) Huan Karlos dhe Mbretin Simeon të Bullgarisë, krijuan një kompani import-eksporti dhe ndërtimesh. Kjo mundësi ekonomike, e ndihmoi të krijonte fonde dhe baza për veprimtarinë e mëpasshme politike. Nuk ishte e lehtë për kriminelët komunistë, të godisnin Mbretin Leka, i cili rrethohej nga besnikë idealistë, që jepnin jetën për të. Përposh gjithë kësaj historie, Mbreti e njihte mirë luftën guerrile dhe prapaskenat e saj. Pjesëmarrja në një kohë 12-javore në luftën e Vietnamit në front, i pati mësuar shumë gjëra....
Ka qenë në luftën e Vietnamit?
Po, ka qenë aty në një periudhë 12-javore. Ka qenë në shtabin amerikan. Por nën flamurin amerikan ai ka qenë për javë të tëra në terren, ku siç të thashë pak më lart, ka mësuar shumë gjëra apo mekanizma të luftës goditëse dhe kundërgoditëse me guerilasit.
(Vijon nesër)

Murat Basha: E vërteta e Sigurimit në radhët e Legalitetit në mërgim NGA: FATOS VELIU

TIRANE-Prej shumë ditësh gazeta ka botuar një intervistë të hollësishme të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist në Paris, Hasan Luçin. Në atë intervistë të zgjeruar, zoti Luçi foli kryesisht për rekrutimin e njerëzve më të afërt të oborrit mbretëror dhe Legalitetit në mërgim. Është vetë Legaliteti, i cili nëpërmjet intervistës së njërit prej eksponentëve kryesorë të partisë, siç është Murat Basha, i kundërvepron sot pikërisht dëshmisë së Hasan Luçit. Murat Basha, pavarësisht se është i ri në moshë, mban një post shumë të rëndësishëm në partinë e Mbretit. Ai flet për shumë detaje të historisë së Familjes Mbretërore, në të cilat tregon se i njeh shumë mirë, për faktin se koha e gjatë e punës së tij shumë afër mbretit Leka I, ajo periudhë e gjatë pranë mbretit, e ka bërë atë t'i mësojë mirë faktet dhe historinë në mërgim, të partisë ku sot është numri i saj. Por çfarë thotë konkretisht Murat Basha në këtë intervistë tepër interesante, të cilën e fillon që me edukimin dhe brumosjen e tij familjare të ndjenjës për mbretin dhe mbretërinë, e deri te realizimi i ëndrrës së tij për të takuar nga afër mbretin Leka, të cilin e arriti në fillim të viteve '90. E ndërkohë, për historinë e luftëtarëve të Legalitetit të cilët janë akuzuar nga komunizmi si terroristë, Murat Basha deklaron se edhe vetë po të kishte qenë në perëndim në vitet '70 nuk do të kishte ndenjur pa hedhur bomba mbi ambasadat e Shqipërisë komuniste në Europë. Për më tepër, le të ndjekim intervistën e tij në shkrimin e mëposhtëm.

Zoti Basha. Në numrin e kaluar të kësaj interviste, folëm kryesisht për veprimtarinë e Sigurimit komunist ndaj emigracionit shqiptar në perëndim. Kur u ndje më shumë në radhët e legalitetit influenca e këtij sigurimi?
Veprimtaria e Sigurimit u shtua mbas "Kuvendit të Madridit", mbajtur më 30 qershor - 4 korrik 1972, ku u mblodhën gati të gjithë eksponentët e emigracionit politik shqiptar, nga ku u dol me një rezolutë të përbashkët, në të cilën theksi vihet tek lufta kundër regjimit të paligjshëm komunist të Tiranës dhe çlirimi i Shqipërisë Etnike. Gjithashtu tronditës për bandën kriminale komuniste ishte edhe krijimi i "Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare" dhe "Këshillit Ushtarak", me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, realizuar po në Madrid, në mbledhjen e quajtur "Lidhja e Dytë e Prizrenit". Me rastin e krijimit të "Lidhjes së Prizrenit" i është bërë me dije spiunëve të Beogradit dhe Tiranës, se veprimtaria e tyre do jetë nën vëzhgim të pandërprerë...Këtu është marrë edhe një vendim(sipas procesverbalit), që nëse UDB-ja do ndërmerte goditje kundër shqiptarëve të trojeve etnike, për një goditje do t'i jepeshin dy ose tre, sipas rastit.... Jo 'minjve' të Sigurimit, po UDB-së.
Le të ndalemi në emra konkretë, të cilët kanë deklaruar, se kanë qenë pikërisht njerëzit e Sigurimit në radhët tuaja, pra të Legalitetit. Konkretisht, ç'mund të thoni për Isuf Mullain?
Isuf Mullai kurrë nuk ka qenë kryetar i P.L.L. në Belgjikë, ai ka qënë vetëm sekretar dege. Isuf Mullai, por edhe të tjerë, nuk kanë punuar vetëm për Tiranën....
Po Andon Konomi?
Andon Konomi nuk ka qenë kurrë ministër i Oborrit Mbretëror Shqiptar. Ministra kanë qenë vetëm me tre persona, Hysen Selmanin, Xhemal Lacin dhe Abedin Mulosmanin. Ai nuk ka qenë as edhe një ditë kryetar i Legalitetit në Belgjikë. Ka dokumente të shkruara për këto fakte. Është shpifje e turpshme, të thuash se "ne nuk kemi dashur ta vrasim Mbretin Leka".
Pse, kanë tentuar?
Të paktën nja tetë raste m'i ka treguar Mbreti kur kriminelët e dërguar ose të paguar nga Tirana, kanë dashur t'i bëjnë atentate, apo vënë eksploziv, por kanë dështuar me sukses. Paranoja e këtyre 'patriotëve' të mahnit; ata vazhdojnë të besojnë se kanë qenë fuqiplotë, për të realizuar gjithçka, kjo si pasojë e faktit se brenda Shqipërisë ata ishin 'zotër', por jashtë saj ishte ndryshe. Teoritë konspirative që i patën mbërthyer (vazhdojnë edhe sot të vegjetojnë me ato), i kanë bërë, që në mendjet e tyre të sëmura, të krijojnë kombinacione haluçinante, pra gënjeshtra, që sot i besojnë edhe vetë. Ashtu si i krijonin kur vrisnin, burgosnin, masakronin, torturonin dhe bënin gjithshka të kobshme. Duan të përfitojnë nga fakti, se gati të gjithë ata për të cilët flitet, nuk jetojnë më....
Ju deklaroni se ata vetëm aludojnë?
Nuk kanë mundësi për të thënë të vërtetën, prandaj këta "trima" na krenohen sot. Nga Parisi ky spiun paska 'ditur' gjithçka ndodhte në çdo vend; ky dhe vetëm ky, askush tjetër. Enveri dhe ky.....Mendje e sëmurë!
E mbështesni me ndonjë fakt?
Po, i jap një fakt, 'deziluzionues' për të. Nga viti 1959 deri ditën që ndërroi jetë në 1961-in, Mbretit Zog i ka gatuar e motra, princesha Sanije. Në sy të kuzhinierit 'urith' bëhej lojë...Në Spanjë prej 1962-it Mbreti Leka nuk ka pasur as kuzhinier Zenel Çamin, as bodigard Muharrem Gjokën. Këtë e vërteton spiuni, kur thotë se ata jetonin në Paris. Pra, ai përsëri gënjen, kur thotë se këta ishin afër Mbretit Leka dhe më jepnin informacion. Ky spiun paska bërë 'lojë' dhe ka mashtruar të gjithë agjentët e zbulimeve, CIA-n, Inteligjent Servisin,etj. Çudi se si nuk ka shembur gjithë perëndimin ky paranojak haluçinant. Le të qeshim....
Po fakti që ai deklaron, se mundi të merrte informacione nga UDB-ja, për të cilat, si në rastin e revoltës së Spaçit, ka paralajmëruar autoritetet më të larta të shtetit komunist?
Është skandaloze thënia, se revoltën e Spaçit e ka organizuar UDB-ja. Aty kanë qenë mijëra të burgosur që e dinë më mirë se kushdo, si nisi dhe përfundoi ajo revoltë. UDB-ja 'mund' të ketë qenë e pranishme në bllok, por për të mbrojtur kryekriminelin dhe bandën e tij. Ku kishte shqiptar që t'u shërbente më mirë interesave serbe, për mbajtjen nën pushtim të Kosovës, sesa banda e komunistëve.
Ju si Legalitet keni ngritur dikur akuzën, se njerëz të nxitur nga ambasada shqiptare në Paris kanë dashur të vjedhin trupin e mbretit Zog. I qëndroni këtij pretendimi?
Kam bindjen, se edhe zbulimet më të afta perëndimore nuk kanë mundur ta kuptojnë arsyen se pse dy 'studentë' shqiptarë, që më pas përfunduan në burgun politik të Spaçit, deshën të vjedhin trupin e Mbretit Zog, nga varreza e Thias në periferi të Parisit në 1975-ën. Edhe i vdekur i trembte ai këta 'trima'.
Po në lidhje me atentatet që deklaruat se ishin organizuar ndaj mbretit Leka, keni njerëz të identifikuar si në rastin e dy studentëve, për të cilët thoni se kanë dashur të shkatërrojnë varrin e Ahmet Zogut dhe paskan përfunduar më mbrapa në burg?
Po ata kriminelët që u ngarkuan me mision 'sekret' për të goditur Mbretin Leka në Madrid, që u kapën dhe iu dha një mësim i mirë, sapo mbërritën me tren në Biarritz e pastaj i kthyen nga kishin ardhur, kush i dërgoië
Zoti Luçi ka sqaruar, se ka pasur nga vetë radhët e emigrantëve, të cilët kanë qenë në gjak me mbretin, që kërkonin mbështetje që të bënin atentat ndaj tij. Cili është komenti juaj?
I qenkan lutur këtyre emigrantët për të goditur Mbretin, por këta si paskan lejuarë.... Pallavra! Ai që do të godasë apo ka 'hak' për të marrë, nuk merr leje dhe nuk pyet për njeri apo për pasojat... Vetëm kriminelët e tyre, (një pjesë e të cilëve vinte nga kontingjenti i shtëpive të fëmijëve, pra jetimoreve, që në rast vdekjeje nuk i kërkonte njeri), të shiturit te killerat me pagesë mund të përbënin rrezik, jo shqiptarët e ndershëm. Banda komuniste ka bërë lutje dhe kërkesa të vazhdueshme tek UDB-ja dhe KGB-ja, për të larguar Mbretin nga Spanja, sepse kërkonte bashkim kombëtar dhe ndryshime kufijsh..ë! Njëkohësisht është dora e KGB-së dhe UDB-së, në vrasjen e presidentit egjiptian Anvar Sadat, duke përdorur ekstremistët fetarë, të cilët ishin kundra marrëveshjeve që Sadati bëri me Izraelin. Rusët nuk mund të lejonin që Egjypti të shkëputej nga influenca e tyre.
Mendoni se ka lidhje vrasja e Sadatit me Tiranën komuniste?
Me vrasjen e Sadatit rusët 'ndihmuan' edhe bandën komuniste të Tiranës, sepse Sadati i pati krijuar të gjitha lehtësirat territoriale dhe portuale Mbretit Leka, për një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri. Nëse Mbreti Leka do kishte hequr dorë nga qëndrimi i vendosur në kërkim të Shqipërisë Etnike, me ndihmën e miqve amerikanë, britanikë, por edhe më gjerë, do ishte rikthyer në Shqipëri në '72-'74-ën ose maksimumi në 1982-in.
Çfarë mendoni për aktet që janë konsideruar terroriste, të cilat kanë rezultuar me bomba apo eksploziv në ambasadat shqiptare të asaj kohe në vendet e Europës?
Ka qenë tejet e ligjshme, por mbi gjithçka e moralshme, çdo lloj veprimtarie kundër regjimit kriminal komunist shqiptar. Nëse do të isha ndodhur në perëndim në atë kohë, të njëjtën gjë edhe unë do iu kisha bërë komunistëve. Ata nuk kanë lënë gjë pa bërë, kanë përdorur të gjitha metodat e terrorit kundër popullit shqiptar. Kanë merituar të njëjtën përgjigje. Njëkohësisht, nëpërmjet aksioneve, kërkohej të rikthehej vëmendja e qeverive perëndimore kundrejt Shqipërisë dhe veprimeve të bandës kriminale komuniste në pushtet. Është e njohur thënia e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Xhon Foster Dallas: Nëse do të flasësh me komunistët, vringëllo armët.
Te kjo thënie thua të jetë mbështetur mbreti Leka në veprimtarinë e tij aktive për të përmbysur komunizmin në Shqipëri?
Mbreti Leka ka ditur t'i flasë me gjuhën që kuptojnë më mirë kriminelët komunistë, se ata përveçse kriminelë me mendje perverse, ishin edhe frikacakë. Ndërsa Mbreti ka ditur ta dojë bukur Atdheun dhe Kombin e tij. Sakrifikoi gjithshka për këtë vend. Natyrisht, me çmim të lartë. Sepse shpesh i ra 'ndesh' të mëdhenjve. Ai kërkonte të rindërtonte ëndrrën shqiptare. Ky kollos kishte bërë një ndarje të qartë, mes interesit personal dhe misionit historik.
Mendoni se mënyra agresive e mbretit Leka ishte rruga më e drejtë për të përmbysur komunizmin dhe rikthimin e tij në pushtet?
Mbreti iu kundërvu me të gjitha mënyrat bandës kriminale të Tiranës. Ai e kishte 'luftën' me bandën kriminale dhe shërbëtorët e saj, për të mundësuar çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha kriminale komuniste. Më pas, populli me votë të zgjidhte se çfarë dëshironte. Mbreti u përpoq shumë t'i shpëtonte shqiptarët nga ferri komunist. Nga terrori, dhuna, varfëria ekonomike, e këta delirantë flasin për pushtet të popullit. Jo mor jo, pushtet i një bande kriminale, që me flamurin e ideologjisë komuniste masakroi, dhunoi, persekutoi dhe varfëroi për 45 vjet shqiptarët. Vranë njerëz, shkatërruan shpirtra, vranë ëndrra, shkatërruan familje, mbytën në gjak dhe lot gjithçka.
Dhe kush ishte qëllimi i Mbretit, përballë këtij realiteti që ju përmendët?
Përballë këtij makabriteti të dhimbshëm, Mbreti ëndërronte të kthente buzëqeshjen në fytyrën e shqiptarëve, se e kishin humbur atë. Të mundohej të fuste një rreze dielli atje ku mbretëronte errësira. Të thante lotët nga shpirtrat e përvuajtur, të dërgonte një lot në sytë e djajve, për t'i mësuar të qajnë...Të merrte kurajën për të luftuar dhe ta vendoste në shpirtrat e ndrydhur dhe frikësuar nga dhuna. Kryekrimineli vdiq, se ai dhe banda e tij meritonin fundin e Çausheskut, Sadamit, Gadafit apo ndonjë tjetër terroristi. Vërtet gjen shumë dhimbje dhe vuajtje kur përpiqesh të gërmosh në të shkuarën. Besoj se do nevojitej një Shekspir, për të përshkruar me art të pashoq, tragjedinë shqiptare të 45 vjetëve terrori komunist.
Zoti Basha. Ju keni qëllim të replikoni me Hasan Luçin, i cili ç'është e vërteta preku emra konkretë dhe foli për veprime konkrete dhe nuk u mor me retorika abstrakte apo me dëshira pasionante. Në lidhje me deklaratat e tij mbi ata që ai tregon se ka rekrutuar, ju thatë se nuk keni qenë dakord?
Në dëshmitë e tij të habit fakti se si ai që flet, përmend emra disa herë, të gjithë të vdekur, por nuk nxjerr dokumente, arrin deri aty sa të thotë "Më mirëkupto, nuk kam leje të flas...". Nga kush e pret lejen, nga ish- kryekrimineli, po ai ka ngordhur, pasuesit e tij po ashtu. Kurse unë jam lutur për shpirtrat e tyre mëkatarë. Ata duhet t'i kërkojnë falje njerëzve, për krimet monstruoze dhe mëkatet e kryera.
Le të futemi në një fakt më se konkret. Hasan Luçi preku konkretisht një moment të gjyqit të zhvilluar nga Geraldina, në lidhje me akuzat që i adresoheshin për grabitjen e Floririt të shtetit. Ju, mund ta komentoni atë dëshmi?
Komunistët shpifën pafund për gjithçka dhe çdo gjë. Ashtu siç shpifën për arin e shtetit, të cilin e përmendi dhe sigurimi, të cilin ju po më kujtoni, e vërteta e të cilit është sqaruar me dhjetëra herë, madje duke u vërtetuar sqarimi edhe me dukumente origjinale të marra posaçërisht nga arkivi i shtetit, si dhe banka kombëtare. Megjithatë, prapë komunistët kanë vazhduar me avazin e tyre të vjetër dhe tepër të rëndomtë, që në të vërtetë është për të ardhur keq. Pra, siç e shikon, ai, Hasan Luçi tregon për një gjyq të zhvilluar dhe gjoja të fituar nga këta.
Doja të dija, nëse është i vërtetë fakti që përmendim?
Fakti mund të jetë pjesërisht i vërtetë, por absolutisht nuk mund të thuash se ai gjyq humbi nga Mbretëresha Geraldinë, për faktin se ai nuk u zhvillua në kushte të barabarta, pasi e vërteta është se ai gjyq është zhvilluar me dokumente të falsifikuara dhe paraqitur në gjyq po nga këta. Familja Mbretërore në ekzil, nuk kishte ku t'i merrte dokumentet origjinale, se ato ndodheshin në Shqipëri. Çudi se si beson një komunist në drejtësinë 'kapitaliste' perëndimore. Po vendimin e Hagës për incidentin kanalit të Korfuzit, ku banda kriminale komuniste bashkë me serbët vuri minat, pse nuk e pranojnë, se edhe ai ishte vendim i një gjykate 'kapitaliste' perëndimore....
Po në lidhje me intervistën e tij mbi bandën e Xhevdet Mustafës, mund të dimë mendimin tuaj?
Loja e ndyrë që u luajt me Xhevdet Mustafën, nëpërmjet minjve të gjirizeve si Halit Bajrami, nuk tregohet me vërtetësi.
Dua të di, ku nuk ka qenë i saktë?
Ai ka thënë, se Xhevdet Mustafa ka qenë në burg në SHBA për drogë dhe nuk kanë kurajën, të paktën tani pas 33 vjetësh që Sigurimi i futi drogën në makinën e tij në New Jork, dhe pastaj u lajmërua FBI-ja për ta arrestuar. Këta pastaj, përfituan nga kurajoja e tij, për të krijuar kombinacionet e ndyra në eliminimet dhe luftën e brendëshme ndërmjet klaneve, të bandës komuniste për pushtet...
Nuk e di nëse keni informacion të plotë për veprimtarinë komplekse të Legalitetit në mërgim, nëse këta njerëz të Sigurimit kanë qenë të rrezikuar me jetë?
Në fund dua të them se, Hasan Luçi, Isuf Mullaj (ka ndërruar jetë) dhe Nasho Jorgaqi,- nëse janë gjallë akoma,- sot duhet të falënderojnë Mbretin Leka I, që nuk lejoi patriotët shqiptarë të ardhur nga perëndimi të hakmerreshin në '97-ën. "Jo,- i tha,- se edhe ata janë shqiptarë. Sot kohët kanë ndryshuar, nuk jemi ma në luftë. Sot ka fillu të veprojë demokracia, me probleme, por po ecën. Nuk ka nevojë me derdh gjak shqiptari. Kush ka ba krime le të shkojë në gjyq. Zoti Jorgaqi asht nji shkrimtar dhe nuk ka asnji faj. Ata të tjerët kan ba edhe shërbime...". Ky dimension moral i pakrahasueshëm, i shqetëson urithët, minjtë e llagëmeve dhe kulisave ogurzeza.
Pse, çfarë i shqetëson ata sot?
I shqetëson mënyra madhështore si e përcollën shqiptarët Mbretin e tyre, edhe pse jo në pushtet, ndoshta jo i njohur plotësisht, në raport me atë që ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo janë, në trojet etnike. Ndryshe nga pasardhësi i kryekriminelit, pra nga Ramiz Alia, që u përcoll në atë botë, gati në heshtje përçmuese. Edhe në ceremoninë përcjellëse për në botën e përtejme, Mbreti i mundi ata. Bashkatdhetarët e nderuan Mbretin Leka I, luftën dhe veprimtarinë e tij thellësisht patriotike në shërbim të Atdheut dhe Kombit.
Çfarë ke ndonjë merak të përmendësh tjetër në këtë intervistë, pavarësisht se është më shumë një replikë me intervistuesin e eksponentit të sigurimit të shtetit komunist në radhët e legalitetit në mërgim?
Gjej rastin për t'i kërkuar Kryetarit të Shtetit Shqiptar, por dhe gjithë institucioneve dhe autoriteteve shtetërore, që në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, të nderojnë veprimtarinë patriotike të Mbretit Leka I, duke i dhënë dekoratën "Nderi Kombit". Në të njëjtën kohë, të dekorohen të gjithë luftëtarët patriotë antikomunistë si: Skënder Zogu, Hyll Spahija, Nezir Spahija(pas vdekjes), Qazim Gjanaj, Hysen Selmani(pas vdekjes), Petrit Kupi(pas vdekjes), Shehat Shehu, Fuat Myftija(pas vdekjes), Abedin dhe Hysen Mulosmani(pas vdekjes), Halil Nerguti(pas vdekjes), Xhevahir Shuaipi, Agim Sula(pas vdekjes), Hysen Prishtina(pas vdekjes), Ramadan Tota dhe gjithë luftëtarët antikomunistë(për arsye vendi nuk po i përmend të gjithë)apo edhe anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me sa di, tashmë është dhënë dhe njoftimi zyrtar mbi angazhimin e qeverisë tonë që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, të sjellë në atdhe edhe eshtrat e Ahmet Zogut?
Është shumë e vërtetë. Në këtë prag 100-vjetori të Pavarësisë, komunistët shqetësohen nga rikthimi në Atdhe i eshtrave të kryerilindasit shqiptar, Mbretit Zog I. Zbulimi, evidentimi dhe dhënia e vendit të merituar në Panteonin shqiptar, për gjithë veprimtarinë e tij nga rinia e deri sa mbylli sytë më 9 prill 1961, në Paris, në shërbim të Atdheut dhe Kombit, i 'verbon' ata. Historia e shkruar nga intelektualët historianë, me integritet moral dhe profesional, larg ngjyrimeve dhe presioneve apo interesave të politikës, po krijon mundësinë që të shpaloset me gjithë shkëlqimin e saj vepra e Mbretit Zog I.
Faleminderit Zoti Basha dhe u takofshim në të tjera prononcime tuajat, që kanë të bëjnë jo vetëm për Legalitetin, por për gjithë çështjen tonë të shenjtë kombëtare.
Faleminderit dhe juve, që më dhatë këtë mundësi, për të qartësuar disa të vërteta të domosdoshme në lidhje me heronjtë tanë të Lirisë Kombëtare.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

FATOS VELIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HASAN LUÇI: KUR FUTA NË RRJETIN E SIGURIMIT ROJËN PERSONALE TË LEKA ZOGUT (Intervista e plotë) (03.10.2012)
LIGJI I DOSJEVE, BERISHA: TOPI REFUZOI TA FIRMOSTE (03.06.2012)
GREVA E MINTATORËVE 1989, NJË LEKSION HISTORIKNga AZEM VLLASI (03.05.2012)
MINI SHENGENI BALLKANIK (03.04.2012)
PËR ACTA DEBATON EDHE PARLAMENTI EVROPIAN (03.04.2012)
MAQEDONI: PROJEKTLIGJI DRAKONIAN PËR MEDIAT (03.02.2012)
LIGJI I RI PËR SHPIFJET (03.02.2012)
FORCAT E ARMATOSURA VUAJNË POLITIZIMINNga PIRO LUTAJ (03.02.2012)
DEMAÇI I ANKOHEJ ENVERIT PËR DHURATËN (03.02.2012)
SPAHIU SULMON BERISHËN: PD PARTIÇKË, DO TË MBETENI NË MINORANCË (02.28.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]