VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DATAT HISTORIKE SI PROBLEME DIPLOMATIKENga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 06:49pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

DATAT HISTORIKE SI PROBLEME DIPLOMATIKE

Nga SHABAN MURATI


E Shtunë, 03.24.2012, 02:52pm (GMT+1)

 

Prokurori i përgjithshëm i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Serge Bramertz rindezi një sherr të vjetër tashmë mes Kroacisë dhe Serbisë, kur deklaroi në 9 mars, se autoritetet kroate duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë ta festojnë përvjetorin e operacionit "Storm", sepse shoqëria duhet ta dijë se çfarë ka ndodhur gjatë atij operacioni. Fjala është për operacionin ushtarak "Storm", që ndërmori Kroacia në 5 gusht të vitit 1995-së, për të çliruar një pjesë të territorit të saj, të cilin forcat serbe kërkonin ta shkëpusnin dhe t'ia bashkëngjitnin Serbisë. Sipas vlerësimit të ekspertëve, ishte operacioni më i madh ushtarak tokësor që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe i cili përfundoi me rikthimin e territorit kroat dhe me eliminimin e të ashtuquajturës "Republika Serbe e Krajinës", e krijuar në modelin e të ashtuquajturës "Republika Serbe" e Bosnjë-Hercegovinës.

Duke qenë se si "Republika Serbe e Krajinës", ashtu edhe "Republika Serbe e Bosnjë-Hercegovinës", ishin produkt i strategjisë së Beogradit për të shkëputur territoret e shteteve fqinje dhe për t'ia bashkëngjitur Serbisë e për të krijuar "Serbinë e Madhe", udhëheqësit e Beogradit i kanë dalë vazhdimisht në mbrojtje atyre planeve e projekteve aneksioniste. Ishte e kuptueshme në kohën e presidentit Sllobodan Millosheviç, i cili organizoi katër luftëra të përgjakshme në ish- Jugosllavi kundër popujve joserbë, kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, që të merreshin në mbrojtje "republikat-kukulla serbe", që krijoi artificialisht në Kroaci dhe në Bosnjë. Ishte e kuptueshme për regjimin e Sllobodan Millosheviçit, që kishte duart të lyera me gjakun e popujve joserbë, që të përpiqej të gjente ndonjë alibi për krimet, që ushtria serbe dhe forcat paramilitare serbe kryen kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi. Por e pakuptueshme është, që edhe qeveria e Boris Tadiçit, e cila zyrtarisht aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, dhe së cilës falë një gjeneroziteti të njohur proserb të BE-së, iu akordua para pak ditësh statusi i shtetit kandidat, vazhdon të njëjtën mbrojtje dhe apologji për planet aneksioniste të Sllobodan Millosheviçit, për të grabitur territoret e Kroacisë dhe të Bosnjës dhe për t'ia bashkëngjitur ato Serbisë.

Kështu që, çështja e datës dhe e përvjetorit të operacionit kroat për të dëbuar forcat serbe nga territori shtetëror dhe për të shkatërruar krijesat artificiale separatiste, që Beogradi kërkoi të konstituonte në territorin kroat, është shndërruar në një problem diplomatik në marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje. Në Zagreb u dënuan ashpër deklaratat e prokurorit të përgjithshëm të ICTY-së dhe shoqata e veteranëve invalidë të luftës për atdheun,"˜HVIDRA', protestoi ndaj interpretimit, që ai i bëri operacionit ushtarak kroat. Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ante Kotromaniç deklaroi në 10 mars se Kroacia do ta festojë përgjithmonë operacionin "Storm", sepse është operacioni më i rëndësishëm i historisë kroate dhe ne do ta festojmë atë gjithmonë me nderim. Ndërsa në Beograd nxituan t'i bënin jehonë deklaratave të prokurorit, duke e paraqitur si mbështetje ndaj interpretimit serb të asaj ngjarjeje. Kur kryeministrja e Kroacisë dhe autoritetet e tjera zyrtare kroate celebruan vitin e kaluar përvjetorin e këtij operacioni patriotik dhe vlerësuan dhe u bënë homazhe komandantëve që udhëhoqën ushtrinë kroate në suksesin e madh ushtarak, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç shprehu protestën e tij për këtë celebrim në Zagreb dhe u përpoq që të kundërbalanconte dhe të përforconte alibinë e Millosheviçit, se atëherë kroatët kishin ndërmarrë një operacion, që bëri krime kundër serbëve.

Këtu qëndron edhe thelbi i këtij debati, për datat historike dhe për interpretimet e qëndrimet e kundërta diplomatike mes shteteve fqinje në Ballkan. Serbia është përpjekur gjatë gjithë kohës në këto 21 vjet, qysh kur ajo shpërtheu luftërat e para kundër popujve joserbë, të cilët kërkonin dhe shpallën pavarësinë e tyre, që t'i paraqiste aspiratat e popujve të tjerë si seçesioniste. Këtë e pretendonte për Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Kosovën, etj. Pra, për të gjithë. Dhe është e ditur, se Beogradi nuk e njohu pavarësinë e Sllovenisë, të Kroacisë dhe të Bosnjë- Hercegovinës, për afro pesë vjet me radhë. Strategjia e regjimit të Millosheviçit pas humbjes së luftërave dhe dështimit të strategjisë për të ruajtur sundimin e Serbisë në ish-Jugosllavi, ishte që Serbia të shpëtonte nga dënimi për krimet e luftës. Këtu nuk është fjala për kriminelët e luftës si individë, të cilët kaluan dhe po kalojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish- Jugosllavi. Çështja është për dënimin e Serbisë si regjim dhe si shtet, që ndërmori katër agresione të përgjakshme kundër popujve të tjerë në ish-Jugosllavi.

Këtë objektiv Beogradi e arriti, ose nga dashamirësia e Europës dhe e Rusisë për Serbinë, ose nga qëllimi për të kompensuar Serbinë dhe për pushimin e luftërave në ish-Jugosllavi. E vërteta është se Serbia shpëtoi si shtet nga Gjykimi Ndërkombëtar dhe nga pagimi i dëmeve të shkaktuara në luftëra. Shmangu që të trajtohej, ashtu siç u trajtua Gjermania pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i Millosheviçit arriti të bindë Europën, që të aplikojë për ish-Jugosllavinë të ashtuquajturën simetri të fajit, sipas së cilës në ish-Jugosllavi të gjithë kishin faj dhe ishte një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve. Kjo teori, e cila u shndërrua në qëndrim diplomatik europian, solli si pasojë absurditetin, që në Gjykatën Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi të dërgoheshin njëlloj, edhe kriminelët serbë, që vranë e masakruan masivisht dhe ndërmorën genocid në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, ashtu dhe ata që i rezistuan agresioneve serbe. Dhe u vunë njëlloj në bankën e të akuzuarve, edhe luftëtarë kroatë apo shqiptarë të Kosovës, të cilët mbrojtën vatrat, familjet dhe fëmijët e tyre prej spastrimit etnik dhe prej agresionit serb.

Teoria europiane e simetrisë së fajit polli absurditetin tjetër, ku në vend që qeveritë serbe të dënoheshin sepse fshehën për 15 vjet kriminelë lufte si Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç dhe u jepnin pensione dhe favore kriminelëve dhe familjeve të tyre, u shpërblyen me bonuse integruese e diplomatike, të cilat nuk iu ishin ofruar shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk kishin mëkatet serbe mbi supe. Dhe sot, kur është përvjetori i vrasjes politike të ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Xhinxhiç, akt që tregonte se forcat radikale ultranacionaliste dominonin pushtetin në Beograd, është rasti gjithashtu për të kujtuar, se Këshilli i Europës e pranoi Serbinë në gjirin e vet disa ditë pas kësaj vrasjeje. Teoria e simetrisë së fajit ka inkurajuar edhe qeverinë e presidentit Boris Tadiç, që të vazhdojë të njëjtën vijë të qeverisë së presidentit Sllobodan Millosheviç dhe t'i shohë territoret e shteteve të tjera fqinje, si një e drejtë e Serbisë. Kështu vazhdon të shihet dhe sot e kësaj dite e ashtuquajtura e drejtë historike e Serbisë mbi territore të Kroacisë, të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Kosovës. Beogradi e ndjen se ka mbi kurrizin e vet një njollë të pashlyeshme historike, që janë luftërat e ndërmarra kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi në dekadën e fundit të shekullit të 20-të. Beogradi nuk është shëruar nga një ethe e përhershme e kërkimit të alibisë dhe e barazimit të fajeve me popujt e tjerë, që Serbia i sulmoi.

Barazimi i agresorit me viktimat është strategjia politike dhe diplomatike e Serbisë në raportet me shtetet fqinje dhe shtetet e tjera të Ballkanit, të cilave ajo u ka hyrë në hak gjatë 110 vjetëve të fundit. Bashkimi Europian ka folur shpeshherë për nevojën e një pajtimi në ish- Jugosllavi dhe në Ballkan. Por pajtimi nuk mund të realizohet duke u dhënë popujve të Ballkanit leksionin e gabuar, se ata duhet ta lexojnë historinë njëlloj, pavarësisht se kush është agresori dhe kush është viktima. Është një leksion, të cilin Europa e adreson vetëm për Ballkanin, sepse ajo nuk e ka bërë këtë për historinë e saj të të dy luftërave botërore. E drejta, e vërteta dhe pajtimi, nuk mund të arrihen me një politikë të standarteve të dyfishta, sipas së cilës, ajo që është e vlefshme për Europën, nuk është e vlefshme për Ballkanin. Çdo popull, që ka qenë viktimë e agresionit serb, ka të drejtë të celebrojë si ngjarje të shënuara, datat historike të fitoreve të tij. Kjo, nuk e pakëson aspak, as karakterin dhe as prirjen europiane të popujve të Ballkanit. Kroacia, i pari shtet i Ballkanit Perëndimor, që po bashkohet me të drejta të plota si anëtar i BE-së, ka përcaktuar një ekuilibër të drejtë mes europianizmit dhe vetëdijes kombëtare e historike. Integrimi europian nuk është fshirje e identiteteve kombëtare, por ndërtohet mbi ato identitete.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JU LUTEM, NJË SHQIPËRI DHE NJË AMBASADË PËR UIDHERSIN Nga REXHEP SHAHU (03.23.2012)
TOPI: BERISHA KOMUNIST, ËSHTË BËRË SI LEJ FENINga ADI KRASTA (03.19.2012)
DY PDtë DHE GABIMI ME TË TRETËNNga ERJON TASE (03.19.2012)
TEMPERATURË E LARTË NË LINDJEN E MESME!Nga Doc. Dr. VASIL KURETA (03.19.2012)
NE DHE GREKËTNga BEN ANTONI (03.19.2012)
BIBERAJ: SPIUNËT BRENDA NË QEVERI DHE GRUPIN E PDsëIsh-anëtari i kryesisë së selisë blu, akuza të forta ndaj Berishës (03.19.2012)
CEREMONI LAMTUMIRE PËR VULFIN, PËR FAT TË MIRËNga PETER STÃœZLE (03.19.2012)
LLOJI YNË I SË VËRTETËSNga IAN BURUMA (Project-Syndicate) (03.11.2012)
"MËKATI" I BERISHËS ËSHTË UDHA E KOMBITNga REXHEP SHAHU  (03.10.2012)
MURAT BASHA: NË VITIN 1990 E GJETA MBRETIN NË MËRGIM (03.10.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]