VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PËR VËLLIMIN ME POEZI "KASOLLJA E INTERNIMIT"NËN DRITËN UNGJILLORENga LAURETA PETOSHATI

                                                                                      

E Mërkurë, 05.08.2024, 05:22am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

PËR VËLLIMIN ME POEZI "KASOLLJA E INTERNIMIT"

NËN DRITËN UNGJILLORE

Nga LAURETA PETOSHATI


E Djelë, 05.22.2011, 04:45pm (GMT+1)

"Poeti Dalan Luzaj si heterodidakt që ka marrë mësime nga një mjeshtër si babai i tij Prof. Isuf Luzaj, ka përdorur gjithë mjeshtëritë artistike duke luajtur me hapësirën dhe dritën, me fonema fluide, duke bërë që poezia e tij të kthehet qiellore ku jeta humb çdo gjë materiale për tu kthyer në thelb shpirtëror të dritës, lëvizjes dhe muzikës. Ja pse ajo është ungjillore dhe të mbush shpirtin."

Poeti Dalan Luzaj ka nxjerrë së fundmi në qarkullim vëllimin me poezi "Kasollja e internimit" ku mbas katër librave të tjerë, i përcjell lexuesit një poezi tërësisht origjinale dhe personale. Gjithë përmbajtja e vëllimit poetik është një tablo në historinë e shoqërisë shqiptare, por poezia "Kasollja e Internimit" në mënyrë të specifikuar, tregon apokalipsin që u ndodhi shqiptarëve mbas vitit 1944, vit i cili është kohanik me ditëlindjen e poetit. Si mund të përshkruhej me fjalë një burg aq i madh, një dhembje aq e madhe?! Nuk pati ndodhur vetëm në Shqipëri. "Një artist, është një njeri që mund të përshkruajë dhe të pikturojë gjithçka," - thoshte Tolstoi i madh, sikur me këtë gjë t'i jepte më vonë kurajë bashkëpatriotes së tij ruse Anna Akhmatova, ndërsa ajo priste për shtatëmbëdhjetë muaj në radhën e gjatë të vizitorëve të burgut në Leningrad ku një grua ruse e pyeti nëse ajo ishte në gjendje ta përshkruante skëterrën staliniane. Ajo i ishte përgjigjur se mundej dhe shkroi poemthin e famshëm "Rekuiem", ku tek pjesa e titulluar "Sentenca" shkruan: "Si një gur i rëndë, bota,/ ra mbi gjoksin tim të heshtur./ Unë isha gati. Nuk rënkova." Ndërsa poeti Dalan Luzaj te poezia "Kasollja e Internimit" përshkruan tragjedinë shqiptare me një mënyrë të jashtëzakonshme. Në një përshkrim me një vërtetësi drithëruese, me një art që kombinon fjalët dhe imazhet, nën dritën e atij realiteti dramatik, poezia "Kasollja e Internimit" vjen e ritmuar dhe e rimuar me gjëllimin dhe me intensitetin e dhimbjes, aq sa të përfshin brenda saj. Vargje të tilla si: "Kasolles, shiu ia zhveshi baltën mureve përreth. / Paralele purtekat, si brinjët tona, pentagram./ Druri që lidhte purtekat në mes./ Si një solfezh ngulur në shpirt ende e kam", kanë brenda tyre jo vetëm shumë simbolikë, por edhe shkrirje të kasolles me vetë pjesëtarët e saj. Këtu, poeti Dalan Luzaj e sidomos tek vargjet "Pentagramit, pikat e shiut, notat më të vështira. / Kompozohej melodrama e ferrit fatal", bën një përzgjedhje tejet origjinale për të përshkruar në mënyrë konvencionale ferrin e vendit të tij. Ai nuk tregon me gisht se për kë ferr bëhet fjalë. Por ajo nënkuptohet. Nëse Dante Aligheri te "Komedia Hyjnore", në të tre pjesët: "Ferri", "Purgatori", "Parajsa" përdori strukturën që mbështetet në numrin tre, si përputhje e konceptit të tij se poezia është imitim i jetës që përshkohet nga Trinia e Shenjtë e Krijuesit si dhe rrathët për të përshkuar "Ferrin", poeti Dalan Luzaj përdor pentagramin, i cili përbëhet nga pesë vija paralele të hequra horizontalisht në mënyrë të barabartë ku janë katër hapësira, në të cilat shkruhen notat muzikore. Dhe nënkuptimi është domethënës: Pentagrami, në këtë rast, simbolizonin parimin komunist të barazisë në pesë kontinente, ndërsa katër hapësirat, janë katër drejtimet e horizontit, që ky sistem kërkon t'i mbyllë në formën e kasolles. Del që kasollja në këtë rast, pra, burgu i madh, është gjithë Shqipëria, apo më mirë janë të gjithë vendet nën këtë regjim, ku ëndrra e madhe e barazisë u shndërrua në një makth të madh. Megjithatë, sado që flet për "rrufetë që vijnë nga lart", nga ajo kasollja aty poshtë, paralelisht, lëshohet dashuri që ngrihet më lart se rrufetë. Gjithçka ngrihet nga poshtë lart, nis brenda asaj hapësire të vogël si solfezh, në shtatë nota muzike që nënkupton në mënyrë monotone edhe shtatë ditë të javës. Në fund të poezisë, në të cilën kasollja është përsëritur shpesh si figurë intensive shoqëruar me metafora konceptuale, poeti del nga konvencioni e nga simbolika dhe kthehet natyrshëm në realitet kur flet për Amerikën si vendin që ka ndihmuar për shembjen e komunizmit dhe të sistemeve totalitare, duke thënë shprehimisht: "Ky vend, m'i mjekoi plagët që më dhe./ Plagosur malli im, vjen dhe të gjen/ Mbret në Amerikë rob në Mëmëdhe." Ka një dhimbje të thellë, ekzistenciale, në shumë poezi të poetit Dalan Luzaj, dhimbje që e shoqëron edhe në vendin ku ka emigruar. Poezi të tilla si "Ditë pa diell", "Largësitë të tresin", "Lisi", "Vite të zemëruara", "Ndarje në qëndresë", "I vetmuar", "S'ka paqe", "Albumit të kujtesës", "Fëmijëria", "Deti", tregojnë një art që të trondit, që të krijon gjendje ankthi dhe që reflekton thellë në ndërgjegjen e lexuesit. Edhe pse motivet e këtij ankthi janë të ndryshme, ato janë të pasqyruara me atë dramatizëm dhe intensitet që i ka përshkruar edhe poeti Salvadore Quasimondo te poezia "Vjen menjëherë nata" kur thotë se "Secili është i vetëm në zemër të tokës", apo poeti Giuseppe Ungaretti te poezia "Lumenjtë" kur thotë se "Se jeta ime më duket/ një kurorë errësire", apo poeti tjetër italian Eugenio Montale te poezia "Shpesh të keqen e të jetuarit" kur thotë se "Shpesh të keqen e të jetuarit kam takuar". Madje poeti Luzaj, te poezia "Nënës", vargjet: "Jashtë e brenda jeta nxirë/ Nga rrobat e zeza as varri s'e ndau" si dhe te poezia "Vështirë në jetë", përsëri kushtuar nënës, në vargjet: "Kaq plagë e dhimbje ke duruar / Sa balta plagë u bë për ty", ka një dhimbje aq therëse, aq sëmbuese, me imazhe mërzie, terri dhe ftohtësie të jetës, sa notat e thella të dekadentizmit, shoqëruar me metafora ekspansive të bëjnë të dridhesh në çdo ind të qenies tënde.

Për të përshkruar tragjedinë shqiptare, ku është i përfshirë edhe vetë, ai përdor një stil tragjik si ai i Dantes dhe i Virgjilit, të harmonizuar me tema e elemente biblikë, madje për ta jetësuar këtë stil, ai përdor dhe fjalë e simbole fetarë si: Zot, lutje, mëkat, Krisht, Perëndi, ikonë, pendesë, Palestinë, shenjtërim, parajsë, murgeshë, shandanë, kambana, qirinj të ndezur, etj. Për shembull tek poezia "Kryqëzim", thotë shprehimisht: "Na kryqëzuan, kryqit kur kryqëzonim kanale,/ Shpërblimi më qesharaku në botë/ Kanale përktheheshin në varre./ Mbi shpirt, pikat, pikojnë dhe sot."

Mistiken dhe frymën hyjnore, poeti e përdor edhe tek poezia "Kur ndahej misërnikja" ku thotë se "Kthenim shtratit të ftohtë si varr / kur ndahej misërnikja ishte shenjtërim/ ndihej vetëm thika, fryma ishte lënë / Asnjë s'e di dashurinë ku lind", bile po aty, kur thotë se "Pas saj shpirtin e vet na ndau nëna". Me këto fjalë, poezia e Dalan Luzajt shndërrohet në universale, pasi brenda saj ka një mesazh të fortë: është ideali ungjillor i dhembshurisë që shndërrohet në shenjtëri. Nuk është e rastësishme që këtë dashuri të shenjtë, poeti Luzaj e përdor për të gjithë si për njerëzit, për qytetin, për pemët e ullirit, detin, etj. Madje në shumë poezi ai tregon se nuk është hakmarrës, shfaq dukshëm moralin e krishterë me principet e dashurisë dhe të faljes. Këtë e shpreh fare hapur te poezia "Letër ne fshat", ku shkruan se "Uroj me shpirt të jeni mirë, / Urrejtje kurrë për ju, aspak./ Ju shkruaj nga larg, nga Botë e lirë,/ Gjysma armik, gjysma kulak." Po ta shikosh mirë librin, shprehjet "Gjysma armik, gjysma kulak," apo "Ditën kulak, natën armik", janë të përdorura disa herë, që autori ia vesh vetvetes sipas mënyrës që ishte thënë më parë për të, duke shprehur në mënyrë filozofike relativizmin etik, pra ajo që i thuhej në një kohë të caktuar nga sistemi moral i shoqërisë totalitare, shikohet ndryshe nga Botë e lirë.

Në vëllimin me poezi "Kasollja e internimit", janë domethënëse edhe poezi, në të cilat mungon folja, për të treguar mungesë, të tilla si: "Të internuarit", ku vargjet "Netë, vetëm netë!/ Të ftohta, të ashpra, të ngrira", si dhe te poezia "Rrugët" ku vargjet "Rrugët, të gjata, të ngrohta,/ mbi to sy e zemra të ftohta", ku përdorimi i elipsës, krahas me antitezën në poezinë e dytë, i japin zhdërvjelltësi metaforave ekspansive dhe konceptuale. Por tropet dhe mistika, për të treguar dhimbjen e poetit nuk mbarojnë me kaq. Shumë prej poezive të poetit, që flasin për një dashuri të pashpërblyer për shkak të rrethanave të kohës, herë kanë karakter narrativ e herë karakter meditativ. Edhe këtu kemi përshkrimin e bukurisë së vajzës me elementë emblematike, siç janë flokët, fytyra, trupi. Të gjitha tiparet e saj, poeti nuk i jep në një poezi të vetme, por pamja e saj shpërfaqet në mënyrë ikono-klasike, dalëngadalë, me lëvizje metonimike, ku kalon nga gjinia tek karakteristika dhe tek më e veçanta, si për shembull: te poezia "Të pashë" flet për sytë "si qiej të kaltër", te poezia "Tek ti" flet për moshën e pafajësisë duke e quajtur "E brishtë si një engjëll", te poezia "Albumit të kujtesës" flet për flokët gërsheta, ndaj thotë "Vajza që thurte gërsheta", tek poezia "Diell" flet për "fytyrën engjëllore", ndërsa te poezia "Sirena në Ujin e Ftohtë" flet për trupin që "këputej në bel". Nëse Dante Aligheri shkroi për Beatrice-n kur ajo ishte në amshim, Francesco Petrarca shkroi për Laura D'Avignone kur ajo ishte një grua me mish e kocka, Dalan Luzaj shkruan për "delikaten" si një njeri që edhe është edhe nuk është. Në fakt ajo ekziston diku larg, ajo është një ndjeshmëri e paqetë në zemrën e poetit, duket sikur është ndarë trupi dhe shpirti aq sa te poezia "Çast", ai e thotë qartazi: "Në u tretsha rrugëve nëpër botë/ Peng të lashë gjithë dashurinë". Në kujtesën e tij, ajo, vjen si një ikonë, e rrethuar me qirinj, nuk ka pamje lëndore, por ka sfond të artë, e ndriçuar nga Zoti dhe nga mirësia e tij ndriçuese, aq sa te poezia "Të kujtoj", jo vetëm i thotë se "Për ty heshtje mbaj për dore", por edhe se "Kur largojmë ftohtë e më ftohtë,/ Si ikonë ndritsh ti mes qirinjsh". Midis saj dhe poetit ka një formë bisedimi pa përgjigje që ndonjëherë të duket se kjo gjë nuk zhvillohet me personin që dashuron, por me vetë dashurinë e humbur të poetit, të cilës i thotë fjalët dhe ngjyrat e vetmisë. Te poezia "Dimër" kjo vetmi duket shkatërruese: "Ngadalë ngrica po më fton/ më e ftohtë vetmia se sa ti / Rënduar çapi po më çon./ Te vendi ku rrihet pa ty." Në çdo stinë që të ndodhet poeti, gjithçka që ka në kujtesë e ka të ngulitur në muajin maj, ndaj shumë nga vargjet e tij kanë brenda majin si tek poezitë: "Maji dhe ne", "Kur vjen pranvera", "Ikën më lanë", "Tek ju", "E ashpër stuhia", etj. Poeti çek Jaroslav Seifert, ka shkruar poemën "Romanca e majit", duke kujtuar se maji është muaji i shuguruar për Virgjëreshën Shënmëri, ndërsa poeti Dalan Luzaj, në poezinë "A të kujtohet?" muajin maj, e vendos edhe në dhjetor, kur është koha e Kërshëndellave: " Me shtiza dielli kam qëndisur / Ylber që qiejt kurrë s'e kanë,/ S'di çdo sjellë, ai dhjetor / Si dikur unë duarplot / Me yje maji një kurorë."

Brenda vargjeve të poezive lirike të poetit Dalan Luzaj bën pjesë një element i përhershëm, që është hëna, si figurë tërësisht simbolike dhe psikologjike, ajo bashkudhëton me të ashtu si bashkudhëtojnë dashuria dhe dhimbja, si kontradikta të brendshme. Ai këtë gjë e shpreh shkoqur te poezia "Maji dhe ne" kur thotë se "Ti dhe hëna, natës s'më jini ndarë". Por, në të gjithë librin fjala "hënë" e shoqëruar në sfond me hapësirat e mëdha, me detin e Vlorës, me liqenin e Michigani-t, me ujërat e lumenjve, është përdorur 79 herë. Poeti Luzaj nuk është i vetmi që e përdor hënën shoqëruar me sfondet e madhërishme dhe largësitë e tejskajshme. Po të kemi parasysh edhe Shakespeare e përdor te "Romeo e Xhuljeta" kur Romeo i thotë Xhuljetës " Të betohem për këtë hënë të bekuar/ që ndriçon me dritë argjendi majat e pemëve", poeti Giacomo Leopardi te poezia "Hënës" e konsideron hënën si një person, të cilit mund t'i shprehë dhembjen, Percy Bysshe Shelley te poezitë "Xhejnit" dhe "Ode për erën e perëndimit" kërkon të nxjerrë në dritë si pelegrin i botës të fshehtat mbas dukjes materiale, ndërsa poeti Luzaj i përdor këto qëllime në mënyrë sintetike. Prania e hënës në lirikën e tij me shprehjet "natë e hëntë", "hënë e ngrënë", "njolla hëne", "përpëlitej hëna", "çurg i hënës", "hënë maji", "hënë Vlore", etj, ka pjesë drithëruese dhimbjeje, por edhe pasioni, ka një fërfërimë të shtruar e të butë, lutjen si një ritual i shenjtë, por ka edhe vrulle e zjarr të pafundmë. Hëna, në mënyrë alegorike tregon edhe krahasimin e fshehtë që bën poeti me vetveten, pasi qenia e tij larg atdheut Shqipërisë, larg vendlindjes Vlorës, si dhe vendit të origjinës Kaninës, e çon atë në fluturime malli. Kjo gjë duket qartë te poezitë "Brenda viteve", "Maji dhe ne", "Tek ju", "Deti", "Sa herë", etj. Tek poezia "Mes dy rrugësh" poeti thotë se "ndarë maji ynë në dy pjesë/ një për hënë Ujëftohtit i ngeli/ Tjetra merr Çikagon çdo mëngjes", pra është i dyzuar, pasi shpirti i tij është i ndarë më dysh :Vlora është metaforë, shtëpi e muzave të poetit, por edhe Çikago është metaforë, është vendi ku ka gjetur një mirëqenie, një drejtpeshim në jetë, ajo që i bën të përbashkët është uji, refleksionet e ndritshme, të mallëngjyeshme. Ngjyrat e poezisë së poetit Dalan Luzaj kanë një shkëlqim drite të rrjedhshme, të pandërprerë, ku rrëshqitja e ngjyrave të dritës mbi ujë është fluide. Në poezinë e tij ngjyrat dominuese janë e verdha dhe bluja. Piktori dhe esteti i madh Vasili Kandinsky thotë se "Mirësia dhe ngrohtësia është prirje drejt të verdhës dhe ftohtësia është prirje drejt blusë. E verdha dhe bluja formojnë kontrastin e parë të madh, i cili është dinamik. E verdha zotëron një lëvizje jashtëqendrore dhe bluja një lëvizje qendrore; një sipërfaqe e verdhë duket sikur na afrohet më pranë ndërsa sipërfaqja blu duket sikur largohet." Ajo që i mungon të verdhës fluide të liqenit të Michigani-t, apo ujërave të Çikagos është intensiteti. Po të shikojmë me kujdes poezinë "Këtu" kur thotë se "Çikagos hëna vërshon floririn kursyer", ndërsa te poezia "Malli i ndarjes" thotë "Qiellit, zgjidh një yll ç'të pëlqen? Larë toka njësh me flori / Më bujare hënë mbi Vlorë s'e gjen", vërejmë se vendi i kurbetit ia zben ngjyrat, ndërsa atdheu ia përndez. Nëse fjalët e poezive do të ishin ngjyra, atëherë poezia "Liqeni Michigan në dimër", poezia "Dimër" ku thotë se "Dimër! Hëna dimëron mbi dëborë", apo poezitë "Këtu", "Buzë liqenit" apo poezia "Largësitë të tresin" etj, do t'i ngjanin pikturave impresioniste, madje me lojën e dritës së tretur mbi sipërfaqen e ujit si te poezia "Dridhen lumenjtë me hënën" do t'i ngjanin pikturave të Claude Monet.

Ndërsa, nëse do të ishin ngjyra fjalët e poezive "Uji i Ftohtë në perëndim", kur thotë duke përdorur sinestezinë dhe metaforën ekspansive se "Luspat e diellit mbi det./ Flakë i dhanë gjirit gjer në Skelë,/ dridhur, i skuqur rrëshqet/ qytetin me vete e merr", apo poezitë "Kur shkëlqen syri", "Vlonjati nëpër botë", " Kur mbrrita në Vlorë", "Ende s'e dimë", "Sonte", "Kujtesë", "Malli i ndarjes" që kanë atmosferën e vendlindjes së tij, atëherë do të formoninn tablo të pikturave ekspresioniste. Madje poezia "Duke ardhur" ku thotë se " Vështroj yjet kur bien në det,/Zjarrit të tyre deti mori flakë", poezia "Deti" ku thotë se "Deti thyente hënën mijëra pjesë/ Qelq'i tij e niste në Mesdhe" si dhe poezia "Pa kufij" kur thotë se "kur ndizen yjet e Gjithësisë / Një copë hëne të bie në prehër/ nën qelqin ndezur të lëviz / ngadalë rrëshqet mbi ty e tërë", të kujtojnë veprat "Nata me yje", "Nata me yje mbi Rhone" dhe "Kafe Tarrace gjatë natës" të puktorit Vang Gog. Në të gjithë vëllimin ndjenja dhe dashuria për atdheun, prindërit, motrën, vëllezërit, madje dhe shokët si poeti Gjok Marinaj janë hyjnore, monumentale, e shpërfillin kohën. Poeti Dalan Luzaj si heterodidakt që ka marrë mësime nga një mjeshtër si babai i tij Prof. Isuf Luzaj, ka përdorur gjithë mjeshtëritë artistike duke luajtur me hapësirën dhe dritën, me fonema fluide, duke bërë që poezia e tij të kthehet qiellore ku jeta humb çdo gjë materiale për tu kthyer në thelb shpirtëror të dritës, lëvizjes dhe muzikës. Ja pse ajo është ungjillore dhe të mbush shpirtin.

LAURETA PETOSHATI


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JUGU I SERBISË DHE IDEJA E NDARJES SË KOSOVËS (05.22.2011)
SHBA, THIRRJE UDHËHEQËSVE SHQIPTARË TË RESPEKTOJNË PROCESIN ZGJEDHOR (05.20.2011)
5000 NUMRA TË GAZETËS "KOHA DITORE" (05.19.2011)
INTERPRETIM LETRAR MBI POEZINË E DIN MEHMETIT(RINI DIELLORE DHE DRIDHJET E DRITËS)Nga BEKRI MURSELAJ (05.19.2011)
URTËSINga DANIEL GAZULLI (05.19.2011)
TURQIA NË MITROVICË NDËRTON XHAMINË MË TË MADHE NË KOSOVË (05.17.2011)
KUNDËRSHTIM NË SHKRIMET E NEXHMEDIN SPAHIUT!Qasje nga CENË PUSHKOLLI (05.16.2011)
NË GJURMËT E NJË EMISIONI ME NJË KRYEKOMUNISTNga Prof. dr. ESHREF YMERI (05.16.2011)
HAPET NË TIRANË NJË UNIVERSITET TEOLOGJIK ISLAM (05.16.2011)
REAGIM NDAJ TEZËS KONFEDERALE SHQIPËRI - KOSOVËNga CENË PUSHKOLLI (05.13.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]