VETËM NË TRE MUAJT E PARË TË VITIT 2015 - NGA SHQIPËRIA KËRKUAN AZIL NË GJERMANI 6462 QYTETARË
E Djelë, 05.03.2015, 08:04am (GMT+1)
Rreth 99 për qind e kërkesave të emigrantëve që duan
të fitojnë azilin në Gjermani do të refuzohen. Qëndrimi i prerë i
politikanëve gjermanë ka paralajmëruar kështu vazhdimin e politikave
shtrënguese në një moment kur numri i azilkërkuesve është rritur në
mënyrë të ndjeshme. Në këtë listë azilkërkuesish një numër jo të vogël
zënë dhe shqiptarët, nga Shqipëria dhe Kosova.
Kryeministri i Landit gjerman të Saksonisë së Poshtme, Stefan Weil duke
folur për "Hannover Presse", ka paralajmëruar se edhe për ta përgjigjja e
Gjermanisë do të jetë e njëjtë, kthimi mbrapsht. Ndërkohë që i ka bërë
apel politikës qendrore gjermane për të shkurtuar edhe më tej kohën e
shqyrtimit të kërkesave për azil, e cila mund të zgjasë edhe më shumë se
1 vit. Kërkesat e Ëeil, por dhe të disa kryesuesve të landeve gjermane
kanë bërë që kancelaria Angela Merkel të paralajmërojë për një takim të
nivelit të lartë për të diskutuar mbi situatën e krijuar. Sipas mediave
gjermane takimi i thirrur nga kancelaria është lënë për në 8 maj.
Refuzimi i kërkesave
Kërkesat e azilantëve nga Kosova refuzohen në masën 99 për qind të
rasteve, është shprehur kryeministri i Landit gjerman të Saksonisë së
Poshtme, Stephan Weil për gazetën e Hanoverit "Hannover Presse",
transmeton albinfo. ch. Weil i ka bërë ndërkohë thirrje politikës
qendrore gjermane që të përshpejtohen sa të jetë e mundur, procedurat e
trajtimit të kërkesave për azil që vijnë nga emigrantët.
Ai ka kritikuar faktin që trajtimi i këtyre kërkesave zgjat më shumë se
një vit, megjithëse vetë azilkërkuesit e kanë të qartë se ata nuk kanë
të drejtë azili në Gjermani. Qëllimi duhet të jetë, sipas kryeministrit
të Landit të Saksonisë së Poshtme, që maksimumi pas një tremujori të
kemi një vendim të bazuar ligjërisht. Me procedime të tilla të
përshpejtuara, pohoi Weil, mund të arrihet reduktimi i numrit të
azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Kryeministri i Landit të Saksonisë
kërkon shtimin e personelit për Zyrën Federale të Migracionit, dhe
marrjen e shpenzimeve për trajtimin e kërkesave të azilit nga federata.
Ndërsa ministri bavarez i Financave, Markus Soder, ka thënë për "Der
Spiegel" se numri në rritje i azilkërkuesve bën thirrje për një
përpjekje kombëtare. Sipas tij, aktualisht qeveria qendrore jep 1 milion
euro në vit për trajtimin e azilantëve, duke kërkuar dyfishim të kësaj
shume. Këto shqetësime të ngritura nga politikanët gjermanë kanë bërë që
të ketë një reagim konkret nga kancelaria Angela Merkel, e cila ka
paralajmëruar për takim të nivelit të lartë më 8 maj. Në këtë takim temë
debati priten të jenë shpenzimet e akomodimit dhe integrimit të
refugjatëve, por dhe kërkesat e krerëve të landeve gjermane për të
riparë afatet e shqyrtimit të kërkesave për azil të emigrantëve që
mbërrijnë në Gjermani.
Në muajt e fundit është rritur në mënyrë masive numri i azilkërkuesve
nga vendet e rajonit, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia. 40 për
qind e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga
Ballkani. Për autoritetet ky fluks bllokon fonde dhe punonjësit e zyrave
të azilit për të ndihmuar ata refugjatë, të cilëve u është njohur
azili, të ardhur nga vendet e luftës dhe krizave.
Kërkesat për azil
Vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2015 kanë kërkuar azil në Gjermani
plot 6462 shqiptarë. Shifrat janë bërë publike nga pala gjermane.
Ndërkohë që rreth 5000 shtetasve shqiptarë iu është refuzuar e drejta e
udhëtimit në zonën Shengen, nga Policia e Shtetit në të gjitha pikat e
kalimit kufitar të Shqipërisë, që nga 1 janari deri në fund të prillit.
Për të diskutuar fluksin e madh të shqiptarëve që kërkojnë azil në
Gjermani, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri zhvilloi një
takim në Berlin me ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Thomas De
Maiziere.
Gjatë këtij takimi Tahiri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për
ndalimin e azilkërkuesve të paligjshëm, duke prezantuar masat që ka
marrë policia shqiptare në pikat kufitare, apo në hetimin e grupeve që
mashtrojnë shqiptarë, duke u premtuar azil, si dhe kërkoi gjithashtu
shkurtimin e procedurave të përpunimit të kërkesave nga pala gjermane.
Ndërsa ministri Tomas de Maiziere ka deklaruar se nuk ka asnjë shans për
të fituar azil politik në Gjermani. "Të gjithë shqiptarët që kanë
ardhur, apo që do të vijnë, do të rikthehen në vendin e tyre. Në
Shqipëri ka një demokraci krenare dhe nuk ka arsye për përndjekje
politike. Ne do të bëjmë shumë për ta zhdukur këtë shqetësim dhe do të
kemi bashkëpunonim të madh, jo vetëm duke u fokusuar te arsyet e gabuara
të kërkesave për azil", -pohoi ai pak ditë më parë.
Rama nga Kukësi: PD, lot krokodili për të larguarit
Kryeministri Edi Rama përsërit nga Kukësi arsyet e largimit të
shqiptarëve nga vendi. Sipas tij gjithë kjo situatë e krijuar ka qenë
pasojë e një mashtrimi dhe e keqqeverisjes së mëparshme që ka lënë
pasoja të mëdha. "U jam mirënjohës disa burrave që më folën për eksodin,
për eksodin që derdhen lotët e krokodilit në parlament, në Tiranë, në
kafene ku bëhet politika e lartë nga të gjithë ata që nuk e di nëse e
kanë parë ndonjëherë Kukësin. Nëse ka njerëz që duhet të heshtin për ata
njerëz që nga Kukësi largohen, janë ata që e zhytën Kukësin në këtë
varfëri", - tha Rama. Sipas tij, është e turpshme që të spekulohet me
atë që ndodhi para pak javësh, pasi pas regjimit të lirë të vizave kanë
ikur e kanë vazhduar të ikin. "Kërkesa për një jetë të mirë e ka çdo
familje, kudo e sidomos në vende që janë në vështirësi. Ikja përmes
regjimit të lëvizjes së lirë nuk ka filluar këto 18 muaj, jo vetëm në
Shqipëri, por dhe në vende të Bashkimit Evropian. Ai fluks ishte një
mashtrim, mbi bazën e një keqkuptimi të madh", -deklaroi Rama.
Komentet e tij u bënë gjatë prezantimit të kandidatit të mazhorancës për
bashkinë e Kukësit, Hasan Halili, i cili kaloi në vitin 2013, nga
Partia Demokratike te Lëvizja Socialiste për Integrim. "Kemi qenë të dy
në Lëvizjen Demokratike, ky e kuptoi më me vonesë, por më mirë vonë se
kurrë. E kuptoi se zemra rreh majtas", - deklaroi Rama. E ndërsa
kryeministri ka vijuar batutat me qytetarët e Kukësit edhe gjatë
shpërndarjes së lejeve të legalizimit. Ndërsa po i jepte lejen e
legalizimit në dorë, një banori, ra telefoni i tij. "Po të merr dikush
në tel, përgjigju se mos të merr gruaja, se po ja fike gruas të fiku. E
di ti se për burra jemi burra ne por kur shkojmë në shpi pastaj, dihet
se kush komandon", - tha Rama. "Ne nga Kukësi s'i pyesim gratë shumë,
nuk marrim leje", - ishte përgjigjja e banorit, por për kryeministrin
gruaja është ministre e brendshme.
"Ashtu thoni ju po kur i bëni gjërat pa leje pastaj, i duroni, e di unë
se sa i duroni. Është ministrja e Brendshme gruaja, por jo si Flamuri", -
pohoi ai. Gjatë vizitës në Kukës kryeministri vizitoi edhe spitalin e
këtij qyteti nga ku solli në vëmendje politikat e qeverisë, por dhe
barrën e lënë nga qeveri "Berisha". "Ne kemi bërë një punë kolosale për
të ndalur hemorragjinë në çdo sektor, kemi bërë dhe përgatitjen tonë me
projekte. Jam i vetëdijshëm që Kukësi është qarku më i varfër, por nuk u
varfërua në këto 18 muaj, por në 20 e ca vite. Ato që po bëjmë sot
duhet të ishin bërë vite me parë. Kanceri që kapi çdo sektor duhet të
ishte operuar më parë. Unë besoj që ne jemi në gjendje që ta
përshpejtojmë kthesën dhe të dalim me shpejtësi në rrugën e re që kemi
projektuar. Duhet të durojmë sot dhimbjet e këtij operacioni që nesër të
çohemi në këmbë e të vrapojmë", - deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë nuk la pa akuzuar dhe qeverinë e kaluar dhe ish
kryeministri Sali Berisha, të cili e krahasoi me një bixhozxhi. Rama tha
se kjo qeveri morri 720 milionë borxhe, barrë nga qeveria e kaluar.
"Shtëpia jonë Shqipëria ishte një shtëpi e zhytur në borxhe, 720 milion
borxhe. Babai i shtëpisë luante bixhoz. Një ditë të bukur kur baba iku e
ne hapëm derën e shtëpisë gjetëm tek dera ata që kërkonin borxhin. Baba
ndërkohë që kishte sjellë në shtëpi gërshëra dhe shirita i linte lekët
në bixhoz", deklaroi Rama.shekulli
WWW.VOAL-ONLINE.CH
|