Më
21 qershor, Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vendore. Për herë të
parë në këto zgjedhje do të aplikohet ndarja e re territoriale, në bazë
të së cilës do të jenë vetëm 61 njësi vendore nga 373 që janë
aktualisht.
Në këto zgjedhje përballen koalicioni i majtë i Partisë Socialiste
dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim - Aleanca për Shqipërinë
Evropiane , koalicion i cili ka 39 parti në përbërje, dhe koalicioni i
djathtë kryesuar nga Partia Demokratike -Aleanca Popullore për Punë dhe
Dinjitet, që ka 15 parti.
Lëvizja Socialiste do të ketë 15 kandidatë të saj në zgjedhjet
vendore, ndërsa aleatët e tjerë të PS-së, do të përfaqësohen nëpër
këshillat bashkiakë.
Vëmendja është përqendruar te kryeqyteti i vendit, Tirana. Mazhoranca kandidon me Erjon Velinë, i cili dorëzon postin e ministrit të Mirëqenies Sociale, për të garuar për Tiranën.
Përballë tij është deputeti i Partisë Demokratike, Halim Kosova. Gjithashtu, në garë për Tiranën janë edhe disa kandidatura të pavarura, ku spikat Gjergj Bojaxhiu, ish-drejtues i KESH-it, një prej përfaqësuesve të së djathtës.
Ndonëse fushata zyrtarisht nis në 21 maj, tashmë kandidatët dhe
partitë kanë nisur takimet në bazë dhe hartimin e strategjive e
platformave elektorale.
Ndërkohë, vëmendja ndërkombëtare është te çështja e dekriminalizmit.
Ambasadoriamerikan Donald Lu, para disa ditësh përmendi disa raste, sipas tij, të identifikuara si me histori të mundshem kriminale.
"Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme
kriminale. Jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politik.
Nxisim gazetarët, organizatat joqeveritare dhe qytetarët e zakonshëm, të
kërkojnë që politikanët e tyre të përmbushin standardet më të larta
etike", deklaroi Lu.
Media dhe burime nga Partia Socialiste publikuan një listë me 7emra
të kandidatëve të Partisë Demokratike, të cilët sipas socialistëve, kanë
rekorde të mundshme kriminale.
Nën akuzën e Partisë Demokratike është një kandidat i Partisë
Socialiste. Megjithatë, partitë kanë deklaruar se listat e tyre janë të
pastra.
Zgjedhjet e 21 qershorit do të vëzhgohen nga ODIHR. Organizata që do
të vëzhgojë procesin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 250 afatshkurtër në
ditën e zgjedhjeve dhe raporton se janë shprehur disa shqetësime për
mundësinë e presionit ndaj votuesve, abuzimeve me burimet shtetërore dhe
për blerjen e votave.
Edhe për këto zgjedhje si ODHIR, si Parlamenti Evropian, konstatojnë
se mbarëvajtja e procesit zgjedhor do të jetë në varësi të vullnetit
politik të dy partive kryesore. rel