LULZIM BASHA I PUNËSUAR NË HOLANDË - FITON 26 MIJË EURO
E Martë, 05.05.2015, 08:29am (GMT+1)
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është punësuar në Holandë, ku gjatë vitit 2014 rezulton të jetë paguar më shumë se rroga vjetore në Shqipëri. Në deklaratën e tij të pasurisë, Basha ka deklaruar se ka përfituar rreth 1.5 milionë lekë në vit nga puna si kryebashkiak i Tiranës, por edhe një pagë të siguruar nga Holanda prej 26 mijë eurosh, si drejtuesi i programit EWCP.
Vetë Basha ka deklaruar se ka kryer këtë punë si drejtues i programit me kohë të pjesshme, ndërsa shuma që ka marrë është të paktën dy herë më e lartë se paga vjetore si kreu i bashkisë më të madhe në Shqipëri. Mungojnë detajet rreth programit që vetë Basha ka deklaruar se drejton në Holandë, ku ai vetë ka studiuar dhe udhëton shpesh, së bashku me familjen. Megjithatë, një e ardhur e tillë nuk ka figuruar në deklaratat e pasurisë së Bashës gjatë viteve të fundit, për t'u shfaqur vetëm në vitin 2014, i pari vit kur Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nuk kontrollohej më nga demokratët.
Në këtë mënyrë, krahas punës si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe detyrës si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, rezulton të jetë i trepunësuar. Por pikërisht, puna që i ka harxhuar më pak kohë rezulton të ketë sjellë më shumë të ardhura për Bashën. Angazhimi në Holandë ka qenë fitimprurës dhe për rrjedhojë në financat familjare është shtuar shuma prej 26 mijë euro. Ndërkohë, Basha nuk merr shpërblim për drejtimin e partisë më të madhe të opozitës shqiptare, që duket të jetë edhe angazhimi i tij më i madh kohor. Deklarata e pasurisë së kryebashkiakut është bërë shpesh objekt debatesh, pas akuzave të socialistëve për fshehje të pasurive.
Vetëm një vit më parë në seancë plenare, ndërsa demokratja Jozefina Topalli kërkoi të gjendeshin rrënjët e pasurive të zyrtarëve të lartë, deputeti socialist, Armando Subashi, propozoi që të hetohej pasuria e Lulzim Bashës, i cili për herë të parë deklaroi 700 milionë lekë pasuri. Deputeti socialist, radhiti pasuritë e Lulzim Bashës, të deklaruara në ILDKP që në vitin 2005, kur ishte 31 vjeç dhe siç theksoi, pa asnjë ditë punë.
"Shtëpi në Holandë, 500 mijë gulden; apartament në Tiranë; apartament tjetër në Tiranë; apartament në Durrës; automjet Mercedes Benz; pikturë me vlerë 6500 euro; orë dore 5200 euro; orë dore tjetër; unazë diamanti 11 mijë euro; servis pjatash kineze 6800 euro; aksione në burse 18 mijë euro.
Është deklarata e bërë në 2005-ën e një 31-vjeçari. Bini dakord t'i gjejmë rrënjët kësaj pasurie. Ta gjejmë si është vënë kjo pasuri pa asnjë ditë punë", është shprehur Subashi. Të gjitha këto pasuri mungojnë në deklaratën e bërë për vitin 2014, për shkak se në deklaratë përfshihen vetëm ndryshimet vjetore.
Sali Berisha dhe aleatët e PD-së
"Shekulli" zbardh edhe deklaratën e pasurisë së ish-kreut të demokratëve , Sali Berisha, por dhe aleatëve kryesorë të PDsë. Në listën e të ardhurave të siguruara për vitin 2014, ish-kryeministri Sali Berisha ka renditur të ardhurat nga paga dhe shpërblimet si deputet, që shkojnë deri në 1.3 milionë lekë, por edhe pensionin si ish-kryeministër prej rreth 1 milion lekësh. Por figurojnë krejt ndryshe llogaritë bankare apo edhe pasuritë e fëmijëve të tij.
SUELA TOPI
|