KËSHTU E MBROJTI DIOGUARDI KOSOVËN NË WASHINGTON PARA SERBIT VEJVODA
E Martë, 05.05.2015, 07:42pm (GMT+1)
Joseph DioGuardi është emër i njohur për popullin e Kosovës tash e sa vite. Megjithëse pavarësia e Kosovës ka ndodhur, puna e tij në mbrojtjen e çështjes së shqiptarëve nuk ka përfunduar.
Këtë ai e tregoi edhe në dëshminë e fundit që e dha në Washington ku kërkoi shqiptarët e Kosovës të përkrahen në integrimin e tyre në Evropë.
Të gjithë këto dëshmi, DioGuardi i dha para ish këshilltarit të lartë për politikë të jashtme në qeverinë serbe të Zoran Gjingjiq dhe Zoran Zivkovic ndërsa ekskluzivisht për "Zërin" ai na e ka dërguar edhe videon e dëshmisë së tij.
"Mendoni për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni. Ata sot kanë shkallën më të lartë të lindjes në Evropë sot. Tani mendoni për faktin se nuk ka liberalizim të vizave në Kosovë. Andaj nuk ka asnjë mënyrë që të rinjtë kosovarë të shkojnë në Perëndim dhe detyrohen të shkojnë në Turqi", ka thënë DioGuardi, transmeton Zeri.info.
Ai më pas ka folur edhe për normalizimin e raporteve të Kosovës me Serbinë. ""Ju keni dëgjuar edhe shumë fjalë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi. Por si mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kur në të gjitha rastet që i ofrohen Serbisë, ajo thotë se ne asnjëherë nuk do ta njohim shtetin e Kosovës. Si mund të keni integrim evropian kur 5 vende nga 28 vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës", ka shtuar ai, transmeton Zeri.info.
Krejt në fund DioGuardi tha që Washingtoni nuk duhet të harroj kush janë shqiptarët duke i cilësuar më pro amerikanët në Ballkan.
"Dhe mos harroni se kush janë shqiptarët. Ata janë më pro amerikanët, më pro demokratikët, dhe më tolerantët në aspektin fetar. Ata kanë katër religjione dhe edhe Sinagoga. Mysliman, katolikë e hebrenj jetojnë në harmoni së bashku. Këtë ne duhet ta përkrahim. Kjo nuk ndodhë askund në Evropë. Njerëzit nga Kosova kur ndodhi 11 shtatori në SHBA, shqiptarët po qanin dhe po ecnin rrugëve me qirinj derisa serbët, maqedonët, grekët e malazezët po festonin rrugëve. Dua vetëm të ju kujtoj se kush janë miqtë tanë në Ballkan.
Kosova nuk është dashur asnjëherë të futet në Jugosllavi pasi që nuk janë sllavë dhe ky është gabimi më i madh që ishte bërë pas luftës së parë botërore.
Sa I përket Kosovës, nëse Bashkimi Evropian është serioz për integrimin e Kosovës atëherë duhet të jetë më agresive që të shtyjë njohjen e Kosovës nga vendet të cilat nuk e kanë njohur duke përfshirë Serbinë", ka përfunduar DioGuardi./Zeri/
www.voal-online.ch
|