Në mëngjesin e 13 tetorit të vitit 1928, fshati Çarfild në Angli u bë
vend i një tragjedie të tmerrshme. Për shkak të mjegullës së madhe, një
tren me 50 udhëtarë nuk e hetoi shenjën e kuqe dhe u ndesh me një tren
të mallrave, me ç'rast shpërtheu edhe një zjarr. Gjithsej 15 udhëtarë
humbën jetën e tyre, kurse 23 të tjerë u lënduan. Por, veçantia e kësaj
tragjedie është se dy nga viktimat ishin një djalë dhe një vajzë, që të
dy të vegjël. zjarri i kishte djegur aq shumë kufomat e tyre, saqë nuk
mund të bëhej identifikimi. Për më tepër, askush kurrë nuk shkoi për t'i
kërkuar ata. Pati teori se ato kufoma në fakt nuk iu takonin fëmijëve,
por dy xhuxhëve, të moshës së rritur.
Pas fatkeqësisë u ndërtua një memorial për viktimat në Çarfild dhe dy
fëmijët u varrosën aty. Thuhet se, me rastin e çdo përvjetori të
fatkeqësisë, te ky memorial shihej një grua e veshur në të zeza. Por,
derisa në një rast gazetarët tentuan t'i afroheshin kësaj gruaje, për ta
investuar, ajo u largua me të shpejtë dhe nuk u pa kurrë më.
Lordi i vogël Fauntleroy
Më 8 mars të vitit 1921 u gjet trupi i një djali të vogël në Qarkun
Uaukesha, Uiskonsin. Ai ishte 57 vjeçar dhe ishte goditur në kokë me
një mjet të topitur. Pesë javë para se të gjendej kjo kufomë, një
punëtor kishte raportuar se kishte parë një çift në një veturë, të cilët
ishin ndalur dhe e kishin pyetur për një djalë që iu kishte humbur.
Gruaja dukej se ishte duke qarë. Por, më pas askush kurrë nuk erdhi për
ta kërkuar kufomën edhe pse ishte caktuar një shpërblim për të gjithë
ata që do ta jepnin ndonjë informatë. Djali i gjorë ishte i veshur me
rroba të shtrenjta dhe, për shkak të ngjashmërisë me personazhin e
famshëm të shkrimtarit për fëmijë, Francis Hodgson Burnett, ai u quajt
Lordi i vogël Fauntleroy.
Ky rast mbeti i pasqaruar për 28 vjet, derisa u gjet një lidhje midis
këtij djaloshi dhe Homer Lemay-t, një djali gjashtëvjeçar nga Milvoki, i
cili dukej se ishte zhdukur në vitin 1921. I ati i Homerit, Edmond
Lemay, thoshte se pasi që nëna e Homerit kishte vdekur nga TBC-ja, ai
kishte lënë djalin e tij nën mbikëqyrjen e një çifti të quajtur Norton.
Por, hetimet nuk mundën të gjenin asnjë të dhënë rreth Homer Lemay-t, e
as rreth ekzistimit të një çifti me emrin Norton.
Andrea Jerome Walker
Në vitin 2006, një zezak ishte dënuar në Toronto pasi që ishte zënë
me kokainë me vlerë 10 dollarë. Autoritetet nuk e kishin idenë se kështu
do të fillonte një tregim me të vërtetë misterioz.
Një vit më herët, njeriu në fjalë kishte ardhur në Kanada duke
përdorë një pasaportë amerikane, me emrin "Andrea Jerome Walker". Por,
kur autoritetet kanadeze deshën ta kthenin këtë njeri në SHBA, morën
vesh se pasaporta e tij ishte e falsifikuar dhe se Andrea Jerome Walker
nuk ishte emri i tij i vërtetë. Për këtë shkak, ai u vendos në një
qendër të imigrantëve, derisa të vërtetohej identiteti i tij. Ai qëndroi
në atë qendër për nëntë vjet, meqë autoritetet nuk dinë çka të bëjnë me
të. Ai nuk mund të kthehet në vendin e tij, para se të zbulohet se nga
cili vend e ka origjinën. Një kontroll i shenjave të gishtërinjve tregoi
se Walker kishte jetuar me, të paktën, tetë identitete të ndryshme, në
vende të ndryshme. Pas tërë këtyre viteve, Walker deklaroi se emri i tij
i vërtetë ishte "Michael Mvogo" dhe se ai vinte nga Kameruni. Por,
qeveria e këtij vendi ka thënë se, për shkak se ai kishte gënjyer disa
herë në lidhje me identitetin e tij, nuk mund ta pranojnë Walker-in para
se të dëshmohet se ai është nënshtetas i tyre. Pra, Walker vazhdon të
mbetet "një njeri pa identitet".
(Kosova Sot)