Thonë
rastësia është mbret i botës. Por, në këtë rast, e kemi fjalën për një
aspekt tjetër të rastësive atë që t'i rrëqethë mishra
Data 21
Mbreti Louis XVI i Francës tmerrohej nga data 21 e çdo muaji. Frika e
tij e kishte origjinën nga fakti që astrologu i tij mbretëror ia kishte
tërhequr në një rast vërejtjen se madhëria e tij do të vdiste më datën
21.
Louis kishte aq shumë frikë nga data 21, sa që ai evitonte të bënte
çfarëdo pune atë ditë. Por, sikur që ndodhë rëndom, as ai nuk mundi të
ikte nga fati. Më datën 21 të qershorit të vitit 1791, Louis dhe
mbretëresha e tij ishin kapur derisa mundoheshin që të largoheshin nga
Franca. Më 21 shtator, Franca u shpall republikë, duke i dhënë fund
institucionit të mbretit dhe duke e lënë Louisin pa punë. Dhe, më 21
janar të vitit 1793, ata i dhanë fund edhe jetës së vetë mbretit Louis,
duke ia prerë kokën në gijotinë.
Kur të vret reja, vetëm 3-4 herë
Në shkurt të vitit 1918, majori Summerford ishte duke luftuar në
Flanders, kur e vrau reja për herë të parë, duke e rrëzuar nga kali, me
ç'rast ai mbeti i paralizuar shokë e teposhtë. Pas luftës, ai u
pensionua dhe u shpërngul në Vankuver të Kanadasë.
Në vitin 1924, derisa ishte duke peshkuar, reja e rroku pemën nën të
cilën ai ishte strehuar. Për fat, Summerford shpëtoi, por iu paralizua
tërë pjesa e djathtë. Disa vite më vonë, ai ishte duke u kënaqur në
diellin e një dite vere në një park lokal, kur mund ta merrni me mend
e vrau reja për të tretën herë.
Disa vjet më pas Summerford vdiq. Guri i varrit të tij u shkatërrua
pasi që u godit nga reja! A thua, ka qenë njeri tepër i mirë, apo
tepër i keq. Çka mendoni?!
Rasti i James Dean-it
Në vitin 1955 aktori ikonë James Dean vdiq, derisa ishte duke vozitur
automobilin e tij "1955 Porsche Super Speedster", të cilit ai ia kishte
vënë emrin "Kopili i vogël" ("Little Bastard"). Pas vdekjes së tij,
"Little Bastard" u involvua edhe në disa aksidente dhe vdekje të tjera,
duke i bërë njerëzit të mendonin se ajo veturë, në fakt, ishte e
mallkuar. Pas vdekjes së aktorit, vetura e aksidentuar ishte dërguar në
një garazh, ku pasi që i kishte rënë motori në këmbë, e kishte lënduar
keq mekanikun. Një doktor e bleu motorin dhe e vendosi në automobilin e
tij garues. Boshti i veturës (ndërruesi i shpejtësive) i "Little
Bastard"-it u vendos në një automobil tjetër garues. Pak kohë më pas, që
të dy shoferët e këtyre automobilave mbetën të vdekur, në garën e
njëjtë.
Disa vjet më pas, derisa "Porsche" ishte duke u rregulluar, garazhi
ku ai gjendej, u dogj deri në themel. Për çudi, vetë automobili shpëtoi
pa asnjë dëmtim. Dhe, kështu Kopili i vogël, i cili me të vërtetë e
arsyetoi këtë nofkë, vazhdoi duke shkaktuar fatkeqësi pas fatkeqësie,
derisa u zhduk papritmas në vitin 1959. Çka humbtë, në këtë rast, mos u
gjettë!