Instituti
Albanologjik ka promovuar sot më Gjilan, në Universitetin "Kadri Zeka",
monografinë me shkrime të 40 autorëve me titull "Presheva, Bujanoci dhe
Medvegja", që në vete përmbledhin tekste me përmbajtje historike, duke
ofruar të dhëna nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e këtyre trevave.
Studiuesit
e pranishëm në këtë ngjarje, kanë vlerësuar veprën dhe kanë rekomanduar
që me botime të tilla të vazhdohet edhe më tutje në promovimin e
vlerave të Kosovës Lindore.
Koordinatori i Zyrës për Preshevë,
Bujanoc dhe Medvegjë, Ibrahim Maliqi ka thënë se shqiptarëve të Kosovës
Lindore po u trasohet mbështetje dhe promovim thelbësor që nga hapja e
Zyrës në Komunën e Gjilanit me mbështetje të kryetarit Lutfi Haziri, e
më pas edhe me botimin e këtij libri në Universitetin "Kadri Zeka".
Ai
ka përshëndetur nismën e Institutit Albanologjik si botues, si dhe
autorët e monografisë, duke cekur se "ky është një libër me vlera të
veçanta kulturore, kombëtare, shoqërore e historike, si në aspektin
shkencor, publicistik dhe përmbajtjesor, që vazhdon angazhimet për të
drejtat e shqiptarëve të kësaj treve".
Drejtori i Institutit
Albanologjik, prof. dr. Hysen Matoshi, ka thënë se libri është i veçantë
për shumë arsye, por edhe për shkak të trajtimit, tematikës dhe
përmbajtjes që ka në vete.
"Ky është libër shumë i veçantë për
përmbajtjen që ngërthen në vete. Lexuesi këtu do të gjejë të përmbledhur
mjaft mirë kronologjinë historike, aspektin kulturor, trashëgiminë,
arsimin, shëndetësinë, aspektin social..., e deri te koha e getoizimit
të kësaj pjese dhe aspiratat politike për të ardhmen e këtyre trevave",
ka thënë Matoshi.
Studiuesi prof. dr. Bahtijar Kryeziu, ka thënë
se kjo trevë është "një degë e prerë nga trungu i natyrshëm dhe i
vërtetë i një populli", dhe se në këtë libër përmblidhen me fakte dhe të
dhëna historike, në lëvizjet e deritanishme deri në mbetjen e Kosovës
Lindore jashtë kufijve të Republikës së Kosovës./KosovaPress/
- See more at:
http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/gjilan-promovohet-monografia-presheva-bujanoci-dhe-medvegja-41847/#sthash.rrVfSIUw.dpuf