Strasbourg është qytet shumë i dashur për ne, të cilin e vizitojmë shpesh. Ai përshkohet dhe zbukurohet nga Lumi Rin që gjarpëron nëpër Lichtenstein, Austri, Gjermani, Francë, Vendet e Ulta deri sa derdhet në Detin e Veriut. Rini buron pikërisht në Alpet zvicerane duke kaluar mes për mes qytetit të Bazelit, pranë të cilit jetojmë ne. Në qershorin e vitit 1995 mbuluam si gazetarë pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, ndërsa në ditët e para të prillit 2009 pranimin e Shqipërisë në NATO!
Ato ditë prilli, tri vite më parë, Aleanca Verio Atlantike organizonte Samitin Strasbourg,Francë / Kehl, Gjermani për të kremtuar 60 Vjetorin e krijimit, kur më 4 prill 1949, me iniciativën e Presidentit Truman u firmos në Washington D.C. Pakti i Atlantikut me komandant të parë të saj Gjeneralin me pesë yje Dwight D.Eisenhower, i cili pak vite më vonë do të zgjidhej për dy mandate presidenti i 34t i SHBA-ve. NATO u formua gjatë Luftës të Ftohtë si një organizatë ushtarake që mbështetej në sistemin e mbrojtjes kolektive, ku nëse atakohej ndonjë shtet i aleancës reagimi ishte i përbashkët. Me shpërbërjen e BRSS, NATO hapi portat për anëtarësim të ish-vendeve anëtare të Paktit të Vrashavës i cili u zhbë më 1991. 
NATO ka një kuptim të veçantë për shqiptarët, ekzistencial. Më 24 marsin e vitit 1999 dhe për herë të parë në historinë e saj, ajo përdori forcën në mbrojtje të parimeve të lirisë, kur ndali genocidin dhe spastrimin etnik që Milosheviçi kishte ndërmarrë kundër shqiptarëve të Kosovës. Pa ndërhyrjen e NATO-s nuk do të kishte çlirim të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u bë përmes rolit lider të SHBA me aleatët e saj. Prandaj themi se SHBA janë aleatët jetikë të shqiptarëve. Duke filluar me lindjen e shtetit shqiptar 100 vjet më parë. Nuk është lojë fjalësh kur themi se pa Willsonin nuk do të kishte Shqipëri.  
Sepse shqiptarët dhe Shqipëria ishin fillikatë. Kështu shkruan edhe Misha Glenny tek Histori e Ballkanit 1804-1999 se Shqiptarët nuk kishin me vete ndonjë Fuqi të Madhe që t'i përkrahte. Regjimi totalitarist e rriti izolimin dhe vetminë. Deri sa u rishfaqën Amerikanët. Më 1997 ata nuk u treguan të vemendshëm, pastaj qartësuan gjithçka.  
Kështu anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk u bë se në Shqipëri shkonin punët vaj, por sepse Amerikanët, George W.Bush e shihte hyrjen në Aleancë jo vetëm si siguri e stabilitet për vendin, por si siguri e stabilitet edhe për rajonin. Ekziston një dyshim se Gërdeci kishte prapaskena për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë me NATO-n, por ndikimi Amerikan ishte esencial dhe e tejkaloi atë tragjedi me përmasa flagrante skandali.  
Prej atij momenti, pra prej 4 prillit 2009 siguria e sovranitetit territorial dhe shtetëror i Shqipërisë është nën juridiksionin e NATO-s. Shqipëria është e paprekshme, edhe nëse u çartet mendja politikanëve. Për herë të parë pas gati 100 vitesh, prej 2009 Shqipëria ndihet e sigurt, larg insinuatave apo analogjive me vitin e mbrapsht `97, me 21janarin 2011 apo me pranverat arabe. 
Kur lindi shteti shqiptar gati një shekull më parë, ashtu si thekson Misha Glenny, ne ishim një vend i vogël dhe pa miq, ndërsa të gjithë fqinjët tanë që ishin me pretendime territoriale ndaj nesh qëndronin nën ombrellat e aleancave me Fuqitë e Mëdha. Pikërisht atëhere kur u shfaq Woodrow Wilson që nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke kundërshtuar Traktatin e Fshehtë të Londrës në Konferencën e Paqes në Paris. Ku ishim ne atëherë? A e mendoni fatin e Shqipërisë pa ndërhyrjen e Willsonit se si do të ish.  
Diktatura për gjysmë shekulli ishte një skenar aluçinant antishqiptar, ashtu si edhe tranzicioni ku shqiptarët rrezikuan rishtaz luftën civile. Dhe këtij rreziku eminent, ku ne ishim vetë edhe dëshmitarë edhe viktima, i dha fund 4 prilli 2009, atë ditë në Strasburg, kur Shqipëria u bë pjesë e aleancës Verio-Atlantike. Po ta analizosh këtë fakt, do të shohësh se klasa politike në Shqipëri nuk reflekton standardet e duhura, e megjithatë SHBA konstatoi se për hir të sigurisë së Shqipërisë dhe rajonit bëhen lëshime të përkohëshme deri në arritjen e standardeve, arritja e të cilave është domosdoshmëri. 
Nuk ka dyshim se 4 prilli 2009 vjen e dyta ditë pas asaj të pavarësisë. Në mos e para datë. Mendoni të jetosh me ankthin e ripërsëritjes të një `97 ! Në fakt, gjithë shekulli që lamë pas ishte shumë i trishtë për Shqiptarët, të cilët i kanë shpresat tek shekulli që kemi përpara dhe këto shpresa na i mban gjallë aleanca e Verio-Atlantikut. 
Atë fillmprilli tri vjet më parë, gjatë ditëve të samitit kur u anëtarësua Shqipëria në NATO, Strasburgu për efekte sigurie ishte gati si në shtetrrethim. Ne gazetarët ishim të privilegjuar. Vetëm ne mund të qarkullonim të lirë, na ishte vënë edhe një tram i vogël në dispozicion, natyrisht duke respektuar rregullat. Ishin ditë që kanë hyrë në histori dhe që të mbeten në mend.
Në sallën e madhe për gazetarë nga e gjithë bota u takuam që ditën e parë me kolegët tanë nga shteti amë. Midis tyre me Sokol Ballën e Sami Nezën. U takuam me pjesëtarët e delegacionit. Jozefina Topalli kishte ardhur jashtë protokollit me të gjithë familjen, një gabim që i falet për rastin në fjalë, u takuam me Valentina Leskajn nga opozita, Berisha ishte euforik. Ne e përjetuam nga afër atë moment kur Presidenti Obama ftoi presidentin Topi dhe presidentin Stipe Mesiç si krerët e shteteve të dy anëtarëve më të rinj të NATO-s. Do të mbetet i paharrueshëm ai moment. Bashkë me Sokol Ballën filluam të lavdëronim Strasburgun, sepse ishte një qytet fatsjellës për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e bëmë me bast që do të ritakoheshim shumë shpejt përsëri në Strasburg kur Shqipëria të anëtarësohet në BE. Dhe megjithëse kanë kaluar tri vjet prej asaj dite dhe megjithë këto kapriçiot e padurueshme të politikës, kemi bindjen se do ta fitojmë bastin. Au revoir Strasbourg!