PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
E Martë, 02.03.2015, 06:58am (GMT+1)
Në Shqipëri qeveria deklaroi mbrëmë se situata e krijuar për shkak të kushteve të këqija të motit, me rreshje të dendura që çuan në përmbytje massive vecanërisht në jugun e vendit, është kritike. Pas një mbledhjeje të thirrur jashtë radhe, për të vlerësuar gjendjen, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, së bashku me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti folën për kushte të jashtëzakonshme "me daljen e lumenjve nga shtrati, siç është rasti i lumit të Vjosës, i cili ka pasur prurje që nuk janë riregjistruar që nga viti 1964, si rezultat i reshjeve të jashtëzakonshme brenda një harku kohor të shkurtër", u shpreh zoti Panariti.
"Janë me mijëra hektarë tokë nën ujë. Janë me qindra familje që janë me prezencë uji në oborre dhe në shtëpi. Nga forcat e emergjencave civile, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura janë evakuuar mbi 300 familje", deklaroi ministri i Brendshëm Tahiri.
Përfaqësuesit e qeverisë thanë se të gjitha strukturat shtetërore vazhdojnë të jenë në gatishmëri, ndërsa paralajmëruan se sipas parashikimeve, gjatë ditës së mërkurë pritet të rikthehen reshjet e dendura, të cilat mund të vazhdojnë deri në fundjavë. Ata iu bënë thirrje banorëve në zonat e rrezikuara që t'iu përgjigjen thirrjeve të autoriteteve për evakuim, ndërsa kërkuan që ata të cilët janë larguar tashmë të mos rikthehen në banesa në zonat që janë potencialisht të rrezikuara për përmbytje.
Zëvendëskryeministri Peleshi shpjegoi se kanë nisur kontaktet dhe me Brukselin për të kërkuar ndihmë nga Bashkimi europian. "Kemi pasur një kontakt që në orët e para të mëngjesit, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Integrimit, me partnerët tanë, Bashkimin Europian, me komisionerin për Ndihmat Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, si dhe me komisionerin për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin. I kemi njohur me situatën e përmbytjeve të fundit, kemi kërkuar gjithashtu mbështetje. I kemi informuar paraprakisht për situatën në të cilën ndodhemi dhe do të shfrytëzojmë edhe këtë mundësi, edhe këtë kanal mbështetjeje, i cili mbështet emergjencat në dy faza, në fazën e parë me një ndihmë të shpejtë dhe pastaj, në varësi edhe të dëmeve të shkaktuara dhe të raporteve që do të gjenerohen nga strukturat e emergjencave civile, planifikohen edhe mbështetje të tjera", nënvizoi zoti Peleshi.
Rreshjet e dendura mund të krijojnë situata problematike edhe për hidrocentralet për shkak se basenet e tyre po mbushen me shpejtësi duke arritur kuotata kritike. Korporata energjitike shqiptare zhvilloi një mbledhje të Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave në Kaskadën e Drinit, dhe deklaroi se "situata aktuale paraqitet nën kontroll dhe nuk ka probleme". Sekretariati kërkoi arritjen e prodhimit maksimal në të gjithë kaskadën nëpërmjet shfytëzimit optimal të prurjeve, duke ngarkuar maksimalisht fuqinë disponibël gjeneruese për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë, ndërsa KESH-i, është në përfundim të një procedure shitjeje për sasitë mbi nevojat e tregut të brendshëm.
www.voal-online.ch
|