Kam ndjekur me shqetësim dhe me një farë dhimbjeje fushatën e disa mediave,
disa OJQ-ve dhe disa celulave politike në Kosovë për përgojimin e disa emrave
të shquar të miqësisë shqiptaro-amerikane në proceset e privatizimeve
strategjike në Kosovë. Jam përpjekur të zbërthej enigmën e pasionit subkoshient
për të përgojuar emra të shenjtë të mirënjohjes së kombit shqiptar ndaj
Amerikës, si Medlin Ollbrajt dhe Uesli Klark. Fillimisht kam menduar se është
një deviacion rastësor i vijës normale të të menduarit, se është atavizëm
rural, që shfaqet tek disa mendje, të cilat aspirojnë të bëhen kozmike, sapo
zbresin nga fshati apo nga mali në qytet. Nuk rezulton ashtu, sepse vijimësia e
fushatës konturon një qëndrim, një interes politik, që shkon përtej kufijve të Prishtinës
dhe të Kosovës, përtej infantilizmit profesional dhe politik.
Privatizimet strategjike të çdo shteti të dobët dhe të vogël, sidomos në
Ballkan, nuk janë dhe nuk mund të jenë procese në boshllëk, dhe çdo qeveri e
përgjegjshme nga pikëpamja kombëtare dhe shtetërore, ua servir në radhë të parë
atyre shteteve apo kompanive të atyre shteteve, tek të cilat haset përputhja e
interesit strategjik të Kosovës dhe e kombit shqiptar. Çdo qeveri e
përgjegjshme nga pikëpamja kombëtare dhe shtetërore duhet të synojë që
privatizimet strategjike t'i marrin ato shtete, dhe kompani të atyre shteteve,
që kanë demonstruar me vepra madhore miqësinë dhe mbështetjen afatgjatë për
Kosovën dhe për kombin shqiptar. Përrallat për "arsyet e biznesit në plan të
parë dhe të garës së lirë të kujtdo qoftë", në shtetet e vogla dhe të dobëta
tregohen për naivët dhe për të mbuluar lidhje okulte me armiqtë e kombit.
Medlin Ollbrajt dhe Uesli Klark janë emra të shenjtë në panteonin e lavdisë dhe
të historisë diplomatike dhe politike të çështjes shqiptare, të cilët, bashkë
me emra si ato të presidentit amerikan Bill Klinton dhe të kryeministrit
britanik Toni Bler, fituan mirënjohje mbarëkombëtare dhe popullore për veprën
monumentale të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës, dhe në shenjë
mirënjohjeje emrat e tyre i kanë sot plot djem e vajza në Kosovë dhe në
Shqipëri, që kanë lindur pas vitit 1999.
Kosova duhet ta ndjejë veten të nderuar, që emra të shquar si Medlin Ollbrajt
dhe Uesli Klark janë të interesuar të sjellin dhe të vendosin kompani të mëdha
amerikane në sektorët e ekonomisë së Kosovës, në sektorët e saj strategjikë,
nga qymyri deri tek telekomunikacioni. Dhe çdo qeveri në Prishtinë, e cilitdo
krah qoftë, është e detyruar nga detyrimi i mirënjohjes historike dhe nga
interesi perspektiv, të formulojë prioritete. Këtu nuk ka lidhje "miqësia e
kryeministrit Hashim Thaçi me ish-Sekretaren e Shtetit apo me
ish-Kryekomandantin e Forcave të Armatosura të NATO-s" në kohën kur u çlirua
Kosova. Këtu ka lidhje interesi afatgjatë dhe perspektiva historike e kombit, e
çështjes shqiptare dhe e popullit shqiptar në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni
e kudo. Sepse nuk mund të mos lërë një shije tepër të hidhur, kur lexon në
portalin "Ossservatorebalcani" raporte të OJQ-ve kosovare, ku shkruhet se "me
përfshirjen e "˜Albright Capital Management' në listën e seleksionuar të
ofertuesve, privatizimi i "˜Telekom'-it të Kosovës rrezikon të kthehet në një
garë konflikti interesash pa motive racionale biznesi".
Disa media, disa OJQ dhe disa celula politike në Prishtinë, do të bënin mirë të
merrnin pak mësim nga mirënjohja shtetërore, klasike dhe e palëkundur, që
Serbia demonstron ndaj Rusisë në fushën e privatizimeve strategjike. Kur Serbia
vendosi në vitin 2006 privatizimin e Industrisë së saj të Naftës, NIS, qeveria
ia dha Rusisë pa asnjë lloj tenderi dhe me një çmim, që ishte gjashtë herë nën
vlerën reale që kishte, sepse Serbia kishte interesin e vetos së Rusisë në
Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër pavarësisë së Kosovës. Në ditët e sotme,
siç njoftonte gazeta ruse "Komersant" në 11 tetor, qeveria e Serbisë ka
vendosur t'i japë Rusisë metalurgjikun e Smederevos dhe konkretisht kompanisë
ruse të tankeve dhe të lokomotivave, UVZ, pikërisht në shenjë të miqësisë dhe
të aleancës me Moskën. Gazeta serbe "Danas" njoftonte se edhe tenderi do të
bëhet formalisht, sa për të fituar kohë dhe për të rregulluar detajet e shitjes
mes kompanisë ruse dhe qeverisë serbe. Serbia vendos t'i japë Rusisë sektorët
më të rëndësishëm strategjikë të ekonomisë dhe kështu është krijuar dominimi i
kompanive ruse në gjithë sektorët e ekonomisë serbe dhe farkëtimi i interesave
serbo-ruse. Atje funksionon logjika e aleancave dhe e mirënjohjes së Serbisë
ndaj Rusisë, dhe as celulat politike serbe dhe as OJQ-të serbe, nuk kanë ngritur
fushata për emrat e përfaqësuesve të kompanive ruse, që fitojnë njërin tender
pas tjetrit.
Fushata e paragjykimeve për personalitetet e mëdha të politikës dhe të
diplomacisë amerikane dhe për lidhjet apo miqësinë e tyre me Kosovën, shkon
përtej smirës së zakonshme rurale të disa individëve apo të disa celulave
meskine politike, që vuajnë pse nuk janë ata në pushtet dhe as në krye të
procesit të privatizimeve strategjike. Shkon përtej, sepse nuk mund të mos
lindë pyetja dhe dyshimi se përse këto media, këto OJQ dhe këto celula
politike, nuk janë shqetësuar dhe nuk kanë bërë fushata për tregtinë e zezë, që
lulëzon mes Kosovës dhe armikes së saj historike, Serbisë, dhe nga e cila,
sipas të dhënave të ish- presidentit serb, Boris Tadiç, Serbia fiton 300 milionë
euro në vit. Nuk mund të mos lindë pikëpyetja, se përse këto media, këto OJQ
dhe këto celula politike nuk janë shqetësuar aspak, madje i kanë neglizhuar
totalisht tronditjet e mëdha të interesit kombëtar dhe të integritetit
territorial, siç ka qenë dhurimi i hapësirës detare shqiptare Greqisë.
Çështja është tepër delikate dhe meriton një përqendrim vëmendjeje si nga
qeveria e Kosovës, ashtu dhe nga qarqet politike dhe nga ato mediatike. Një
fushatë përgojimi për emrat e shquar të politikës dhe të diplomacisë amerikane,
të cilët kërkojnë të sjellin në Kosovë kompani serioze nga SHBA-të, merr formën
e një përpjekjeje për të krijuar imazhin e një mosmirënjohje nga Kosova ndaj
miqve të saj të mëdhenj amerikanë, ndaj vetë Amerikës.
Kjo mosmirënjohje nuk është vetëm një deformacion shpirtëror dhe etik, por
tingëllon më shumë si një diversion politiko-propagandistik për të krijuar një
çarje besimi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës. Sepse Kosova vetëm humb
dhe nuk fiton asgjë, duke përgojuar emrat e shquar dhe kompanitë serioze
amerikane, që ata përfaqësojnë. Sepse përfitimi shkon në drejtimin e forcave
dhe shteteve antikosovare, që vjelin dividentë diplomatikë nga këto fushata të
çuditshme, që gjejnë hapësirë në disa celula politike dhe mediatike të Kosovës.
Dhe përfituesit e parë dhe të drejtpërdrejtë janë Serbia dhe Rusia. Nuk është
rastësi që mediat serbe dhe ruse i kanë bërë jehonë të jashtëzakonshme
përgojimeve dhe insinuatave të disa mediave dhe të disa OJQ-ve kosovare ndaj
emrave të Medlin Ollbrajtit dhe të Uesli Klarkut, lidhur me procesin e
privatizimeve strategjike në Kosovë.
Për diplomacinë dhe për propagandën serbe dhe ruse ky është një top i artë, që
u pasohet nga Prishtina, për të goditur jo thjesht emrat dhe personalitetin e
ish-sekretares së shtetit dhe të ish-Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të
Armatosura të NATO-s. Qëllimi i Serbisë dhe i Rusisë është të komprometojnë dhe
të diskreditojnë politikën e SHBA-ve në Kosovë dhe ndërhyrjen e fuqishme, që
SHBA-të dhe NATO ndërmorën 13 vjet më parë për të ndaluar genocidin serb kundër
shqiptarëve në Kosovë, ndërhyrje që u kurorëzua me dëbimin e Serbisë dhe
çlirimin e Kosovës. Serbia dhe Rusia po përpiqen ta paraqesin politikën e
ndjekur nga SHBA-të në Kosovë si të nxitur nga interesat personale të emrave,
që ndodheshin në krye të politikës, të diplomacisë dhe të ushtrisë amerikane në
atë kohë, dhe se gjoja ata emra po kërkojnë sot kompensimin e favoreve, që i
kanë bërë Kosovës në vitin 1999.
Krijimi i një klime mosbesimi dhe thyerja e miqësisë strategjike mes Kosovës
dhe SHBA-ve, mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, mes kombit shqiptar dhe SHBA-ve, është
objektiv strategjik i armiqve shekullorë të interesave jetike dhe kombëtare të
shqiptarëve. Mosmirënjohja është goditja më e madhe, që mund t'i shkaktohet
kësaj miqësie shqiptaro-amerikane. Fushata e mësipërme nuk është tjetër veçse
një projekt i sponsorizuar i një mosmirënjohjeje morale dhe politike. Por kombi
shqiptar është tepër i varfër, tepër i vogël, tepër i rrethuar nga armiq, sa
t'i lejojë vetes luksin e një mosmirënjohjeje ndaj mikut më të madh, ndaj
kombit dhe shtetit amerikan, ndaj përfaqësuesve të atij kombi dhe të atij
shteti, të cilët ndihmuan të realizohet dhe po mbajnë në këmbë, të realizuar,
çështjen tonë kombëtare. Sepse është hera e parë, jo vetëm në periudhën
100-vjeçare të shtetit, por dhe në dy mijë vjet histori, që kombi shqiptar gjen
një aleat të madh strategjik, me të cilin i përputhen kaq harmonikisht
interesat strategjike. Pikërisht për këtë, nuk kemi shans të lejojmë asnjë
krisje dhe asnjë dyshim në mirënjohjen e pafund dhe mbarëkombëtare të kombit
shqiptar ndaj Amerikës. Mirënjohja është jo vetëm vlerë morale dhe njerëzore,
por edhe vlerë e pazëvendësueshme historike, shtetërore, diplomatike dhe
strategjike.