VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FLAMURI I EKONOMISË DHE OFERTA E KINEZËVENga ALFRED ÇAKO

                                                                                      

E Mërkurë, 05.08.2024, 10:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
FLAMURI I EKONOMISË DHE OFERTA E KINEZËVE
Nga ALFRED ÇAKO

E Hënë, 02.24.2014, 03:12pm (GMT+1)


Këto ditë dikasteri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik paraqiti para opinionit publik Projektin Afatmesëm Strategjik 6-vjeçar 2014-2020 me misionin "Për një Shqipëri konkurruese", për të cilën organizatorët u shprehën me një fjalor rutinor që nuk tregon diçka konkrete, si p.sh.: "Shqipëria synon të arrijë në 2020-ën një vend që zhvillon dhe përmirëson klimën e biznesit dhe SME-ve, nëpërmjet një tregu të hapur konkurrues, një industri dinamike dhe eksporte konkurruese. Kjo strategji me masat dhe aktivitetet e saj do të kontribuojë në bërjen e Shqipërisë një destinacion tërheqës për investimet e huaja. Kjo strategji pasqyron vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare për të përqafuar qasjet e guximshme të politikave të nevojshme për të arritur nivelet e rritjes social-ekonomike me qëllim përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve". Fjalë dhe vetëm fjalë demagogjike. Por cili është thelbi i dukshëm dhe veçoria e këtij projekti afatmesëm? Si do të ruhet stabiliteti i monedhës? Me deflacion? Ku do të gjendet kapitali pará për të zhvilluar nëpërmjet punës e teknologjisë kapitalin mall? Si do të rriten në volum, cilësi dhe vlerë produktet vendase dhe si do të kthehet Shqipëria deri në fund të kësaj periudhe "nga një vend konsumator, në një vend prodhues", pra, e thënë thjesht, një vend që nuk do të rrojë me remitancat e refugjatëve ekonomikë apo me të ardhurat e krimit dhe të ardhurat nga kontrabandimi i drogës apo prostitucionit, por me të ardhurat nga suficiti tregtar? Si do zhvillohet industria pa kapitalin njeri? Si do zhvillohet bujqësia intensive pa zhvillimin e turizmit elitar dhe rritjen e kërkesës së tregut vendas për produktet bujqësore e blegtorale vendase, kur papunësia, me disa llojet e saj, është mbi 33%? Si mund të krijohet ky suficit tregtar me Ligjin komunist 7501 të Ramiz Alisë, Fatos Nanos dhe Sali Berishës, kur 30% e fushës që ka Shqipëria është e ndarë këta 23 vjet në ngastra familjare, me konflikte sociale dhe me një shpërdorim pa plan të saj nga zhvillimi kaotik e përqendrimi demografik i zonave veriore e verilindore drejt këtyre fushave, sidomos në Tiranë, Durrës, Kavajë e deri në Zadrimë e fushën e Velipojës? Si mund të rritet produkti bujqësor kur fusha e Lezhës dhe Zadrimës përmbytet e kafshon çdo vit dhe ende nuk ka një projekt për vënien në zap të Drinit dhe të Bunës, për të shpëtuar edhe bujqësinë e blegtorinë e këtyre zonave që Zoti iu ka dhënë të gjitha të mirat, të cilat dora jonë i ka shpërdoruar në 5-6 dekadat e fundit, e sidomos këta 20 vjet të demokracisë soc-demokrate?

1 - Dihet se tre janë faktorët e prodhimit: a) toka, b) puna dhe c) kapitali. Le t'i shohim me radhë cilësitë e këtyre faktorëve te ne:
a) Tokën e kemi tonën dhe bashkë me të nënkuptohet edhe klima e shkëlqyer që na ka dhënë Zoti, duke dëshmuar zgjuarsinë e paraardhësve tanë që kanë kapur këto territore jetike për racën tonë nga Danubi e deri në Adriatik, ku ka një kombinim të shkëlqyer të elementëve jetikë, si uji i lumenjve dhe liqeneve, deti, malet me borë e lëndina pa kufi për blegtorinë, fushat dhe ajrin e shkëlqyer.
b) Puna ose cilësia e saj dihet që është në një nivel të ulët për shkak të cilësisë së arsimit dhe kjo ka lidhje me cilësinë e elitave të shumë fushave të shoqërisë shqiptare, elita të cilat gjithmonë në këta 100 vjet jetë të shtetit shqiptar, janë goditur e shfarosur nga sundimtarët e momentit: Zogu goditi e eliminoi nga pozitat kyçe të shtetit elitën e kohës të arsimuar në shkollat e Perandorisë Osmane dhe e zëvendësoi dora-dorës e hera-herës me ashpërsi e brutalitet me një elitë intelektuale të krijuar nga besnikët e tij të rinj nga shtresa e mesme dhe e ulët, të cilëve iu krijua mundësia që, me bursa apo me fitimet nga detyrat e tyre në institucionet shtetërore, të studionin fëmijët e tyre me një arsim bashkëkohor në Vjenë, Romë, Paris, Londër apo edhe SHBA. Këtë elitë të sapongritur e goditën dhe shfarosën 'barinjtë' e kuq të Enver Hoxhës, Titos dhe baba Stalinit. Për shkaqe të jashtme dhe jo të brendshme, siç përpiqet ta paraqesë historiografia komuniste, Shqipëria mbeti e izoluar në gjysmësferën komuniste dhe u përpoq të zhvillonte arsimin e lartë, i cili nga viti në vit, në fusha të ndryshme njohu një zhvillim të brishtë relativ dhe krijoi një elitë intelektuale e cila në vitet e hapjes drejt botës kapitaliste dhe në kohën e ndërrimit të sistemit, u ballafaqua me arritjet e palës tjetër, duke e paraqitur veten me një nivel cilësor të dobët. Gjithsesi, edhe kjo elitë, për shumë shkaqe u godit nga qeveritë e majta apo të djathta të këtyre 23 vjetëve. Ideali barazimtarist i krishterë apo socialist, i cili përputhej me natyrën krenare të shoqërisë shqiptare ndër shekuj, u zëvendësua me komponenten e fortë materialiste dhe kulturën e fitimit si qëllim në vetvete dhe elita politike gjatë këtyre 23 vjetëve, krijoi një dominancë, të cilën vazhdon ta ruajë, ndaj elitës ekonomike dhe asaj intelektuale. Kultura materialiste kapitaliste e polarizoi në ekstrem shoqërinë shqiptare dhe krijoi një shtresë shumë të varfër, prej rreth 40%, të detyrohet të përulet e t'i vritet krenaria nga nevojat e mbijetesës. "Barinj" nga kultura që sapo zbresin nga malet e bëjnë një universitet, për shkak të lidhjeve si militantë me politikën, bëhen deputetë, ministra apo drejtorë të rëndësishëm, të cilët e kanë çuar Shqipërinë në një gjendje goxha të vështirë ekonomike me paaftësinë e korrupsionin e tyre dhe e kanë degjeneruar natyrën e intelektualëve duke i bërë ata gojëkyçur e të nënshtruar, duke i thënë derrit dajë. Por gjatë këtyre viteve ka filluar të krijohet një elitë e re intelektuale e ardhur nga shkollat perëndimore, e cila sigurisht që është bashkëkohore dhe më e avancuar në përgatitje nga elita e përgatitur në universitetet publike apo private të vendit, të cilat vuajnë ende nga cilësia e dobët, për shkak të luftës për të tërhequr klientë nëpërmjet uljes së çmimeve (kjo ka edhe anën e saj të mirë) dhe të cilësisë së kërkesave në vlerësimin e studentit. Ndërkohë, e gjendur nën trysninë e pagesave më cilësore të arsimit privat, arsimi publik, pas një përgjumjeje në vitet '90-'00, filloi ta marrë veten deri në goditjen që mori nga hapja e arsimit të lartë privat, ndaj ai ende ndodhet nën nivelin cilësor teknik të viteve '80. Por ende, gjithnjë e më keq, vazhdohet që kjo elitë intelektuale 'know how' të mbahet larg punëve kyçe të administratës publike, për shkak se vendet drejtuese i kapin në përgjithësi, militantët 'yesman'-a të zbritur nga malet, pas një servilizmi e shërbimi të shkurtër, më pak se dhjetëvjeçar, ndaj liderëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve kryesore. Pra nga sa thamë, një nga sfidat e mëdha të qeverive shqiptare, jo e lehtë për t'u realizuar, është zhvillimi cilësor i arsimit të mesëm e të lartë vendas, publik apo privat, me qëllim që edhe në rastet kur ka projekte të mëdha investimi, kompanitë shqiptare të jenë zbatuese kompetente të projekteve të mëdha teknike, me qëllim që të ngelen në vend, sa më shumë të ardhura që krijojnë këto investime dhe shërbime me kapitalin e huaj apo me fondet e buxhetit qofshin, apo të ketë grupe të gjera specialistësh vendas që të punojnë me kompetencë në fabrika apo uzina që mund të ngrihen në Shqipëri si filiale të gjigantëve industrialë, për shkak të avantazhit krahasues të fuqisë së lirë punëtore.
c) Kapital pará do të thotë energji, do të thotë gjak për ekonominë e sotme shqiptare. Pa këtë kapital të nevojshëm për prodhimin e mallrave dhe shërbimeve të kërkuara për një ekonomi dhe shoqëri, vlera e dy faktorëve të parë nuk mund të maksimizohet, përkundrazi, zhvlerësohet. Kapitali pará i brendshëm shtohet në volum, kur shtohet volumi i brendshëm i ekonomisë, duke kaluar nga procesi inflacion - prodhim, kur ky proces është i studiuar mirë, ose kapitali financiar sigurohet nga valuta, nga monedha e huaj e një shteti tjetër, për të cilin premtojnë, flasin e mburren se do e rrisin, qeveritarët tanë. Por thithja e këtij kapitali investues duhet analizuar se çfarë të sjell sot, çfarë malli apo shërbimi të prodhon nesër pas investimit dhe si të del bilanci për një periudhë të caktuar me palën investitore apo përfituese të huaj. Në këto raste shpeshherë qeveritë në nevojë emergjente nisen nga parimi "Më mirë një vezë sot sesa një pulë mot", parim i cili ka raste që jep pasoja të dëmshme për brezat që vijnë, pasi mund të rritet borxhi i jashtëm dhe të shtrëngohet kulari në qafën e ekonomisë dhe shoqërisë. Prandaj, dijet e drejtuesve të shtetit dhe patriotizmi e përgjegjshmëria e lidershipit politik kanë shumë rëndësi në të gjitha vendimet e përditshme. Por për të gjitha këto që folëm, kërkohet edhe një situatë normale politike, gjë e cila sot duket pa perspektivë, pasi kemi prova që opozitat në Shqipëri gjithmonë kanë vendosur shkopinj në rrota ndaj qeverive përkatëse, me çdo kusht e me çdo çmim, duke pasur busull manipulimin e turmave, shfrytëzimin e situatave të pafavorshme objektive kundër çdo qeverie, në funksion të marrjes së pushtetit e shfrytëzimit abuziv të tij. Këtë po bën me një etje të pashuar edhe opozita e sotme berishiste, e cila, pa u ftohur mirë kolltuqet qeveritare nga prapanicat e tyre prej tetë vjetësh, bën demagogji me gjendjen e sotme të mjeruar, duke larë duart e përgjegjësisë së saj gjatë kësaj kohe që ka qeverisur dhe duke e mbajtur qeverinë e sotme në trysni me anën e një demagogjie populiste asfiksuese për të punuar në një ambient normal.

2- Dikush mund të pyesë se "Përse në titull flitet për kinezët?". Kjo ka lidhje me një mundësi për thithjen nga ekonomia shqiptare të një kapitali financiar nga ana e një kompanie shtetërore kineze me akronimin CCCC.
Mendoj se ka tri mundësi ku mund të investohet me koncesion, me përfitim dhe avantazh afatgjatë, edhe pas investimit të kapitalit të huaj, investim i cili nuk kërkon pas përfundimit të tij fonde apo përgjegjësi nga buxheti i shtetit: projekti TAP, investimet e mundshme të kompanisë kineze në 4-5 fusha të rëndësishme të ekonomisë sonë dhe investimet në fushën e turizmit elitar në vijën bregdetare. Këto tri investime jo vetëm që do të sillnin përfitime të mëdha në shpenzime mallrash dhe kostosh pune, nëse do të realizoheshin në bashkëpunim me fuqinë punëtore apo edhe me kompani nënkontraktore shqiptare, do të gjeneronin më shumë shpenzime mallrash dhe do të përktheheshin në rritje të volumit të ekonomisë shqiptare për momentin. Por edhe në të ardhmen, nga shërbimi cilësor që ato do të sillnin, do të përfitonte buxheti dhe gjithë ekonomia shqiptare dhe sigurisht edhe kompanitë e huaja. Mjafton të them se kompania multinacionale shtetërore kineze CCCC e cila vjen pas 5-6 ditësh në Tiranë, është e interesuar deri tani për investime në katër sektorë prioritarë për ekonominë tonë, masa e investimit të të cilave, nëse realizohen në total, shkon deri në 23-25 miliardë dollarë, pa llogaritur investime me privatët në fushën e turizmit apo në transportin urban të brendshëm, sidomos në Tiranë, me metro apo në transportin me tramvaj.

3- Po a është e përgatitur qeveria socialiste për të realizuar negociata të shpejta e vendimtare me kompaninë kineze CCCC të kryesuar nga CEO i saj Wang Jingchun e për të thithur gjithë këtë kapital monetar në valutë? A i ka ajo të gatshme projektet e veprave dhe projektet e kontratave me kinezët, të cilët duket se janë shumë seriozë për të investuar "thesin me para" që kanë me vete? Kjo do duket shumë shpejt, kur ministrat e Ekonomisë dhe Transportit, Ahmetaj e Haxhinasto, të ulen me ta në negociata pas një jave. A do sillen ata pa rendiment, si qeveritë e mëparshme, me partnerin serioz kinez, apo do bëjnë 'bingo' me këta sektorë prioritarë ku biznesi privat shqiptar dhe investimet me buxhetin e shtetit nuk mund të realizohen? A ka nevojë që ministrat tanë të dalin me flamurë kombëtarë si patriot të mëdhenj nëpër takime dhe të thonë fjali rutinë, apo ata duhet të jenë konkretë e seriozë në goditjet vendimtare që rrallë t'i sjell fati në derë, siç është konkretizimi me kompaninë kineze CCCC?

A ka një axhendë serioze nga qeveria shqiptare për të nderuar dhe konkretizuar me investitorët kinezë që vijnë pas pak ditësh? Këtë do ta shohim. Ajo që dihet është fakti se këtë kompani, e cila është ndoshta ndër më seriozet dhe të aftat në botë për ndërtime hekurudhash, portesh, hidrocentralesh e mirëmbajtjen e riparimet e digave të tyre pa u ndalur puna, autostradash, komplekse resortesh turistike, vinçash dhe urash gjigante, po e mirëpresin me interes lidershipi qeveritar e politik i disa vendeve të pjesës lindore të ish-Perdes së Hekurt, ku ata parashikojnë të investojnë gjithsej një portofol prej rreth 150 miliardë dollarësh, si Polonia, Kroacia, Sllovenia, Serbia e Shqipëria. Në fakt, rritja e ekonomisë dhe hapja e vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies dhe stabiliteti i çmimeve janë flamuri më i mirë që mund të tundë çdo patriot dhe qeveritar për planet afatmesme e afatgjata, duke vepruar me kompetencë, konkretisht e pa demagogji.

ALFRED ÇAKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË (02.24.2014)
PROTESTAT - OPOZITË APO GARDË PËR BERISHËN?Nga MENTOR KIKIA (02.22.2014)
QYTETARIA KËRKON LIDERINNga RAMIZ LUSHAJ (02.22.2014)
POLITIKA GREKE NË BALLKANNga FRANK SHKRELI (02.21.2014)
NUK VENDOSET QERRJA PARA KALITNë përgjigje të replikë së zotit Alban DaciNga ESHREF YMERI (02.19.2014)
SAMI FRASHËRI: SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DUHET TË BËHETNga FRANK SHKRELI (02.18.2014)
RIINTEGRIMI DHE RISHKËPUTJA E KOSOVËS, MALËSISË DHE E TREVAVE LINDORE, 1941-1945(Kumtesë në Konferencën e Akademisë Shqiptare të Arteve e Shkencës kushtuar 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)Nga Prof. Dr. ROMEO GURAKUQI (02.18.2014)
DY SIMBOLIKA TË PANGJASHME TË 20 SHKURTITNga ALFRED ÇAKO (02.18.2014)
GRAMOZ PASHKO NUK MUND TË JETË SIMBOL I EKONOMISËNga MENTOR KIKIA (02.18.2014)
Këndi këtuSI TË UROJMËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.17.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]