TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS Nga FRANK SHKRELI
E Martë, 03.25.2014, 05:11pm (GMT+1)
Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hagë me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës. Udhëheqsit e Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, "Deklaratë e Hagës", me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se "ky grup ishte formuar për shkak të vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta", duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera. Udhëheqësit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.
Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare. Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë. Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime. Ata nënvijuan se "Rusia ka një alternativë të qartë...Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë." Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të "vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit".
Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë. Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?
Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel, tha për BBC-në se "Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre", dhe Paul Ivan nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike. Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.
Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. "Çdo ndihmë për Ukrainën", sipas kryediplomatit suedez, "është një shkop për Moskën".
Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend. Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.
Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës -- tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t'i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë nga Ukraina për furnizim me armë. Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t'a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal.
Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund. Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore. Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane. Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës -- për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.
Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t'ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, "perandoria e së keqës". Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.
FRANK SHKRELI
|