PAPËRGJEGJËSIA NDAJ SHTETIT! Nga ALBINOT MALOKU
E Hënë, 09.01.2014, 06:57am (GMT+1)

Republika e Kosovës më 8 qershor mbajti zgjedhjet e saj për
legjislaturën e pestë dhe këto zgjedhje u vlerësuan për herë të parë nga
të gjitha instancat, si ato vendore e si ato ndërkombëtare, si
zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani. Qytetarët e Kosovës të të
gjitha bashkësive etnike votuan për subjektet e tyre të preferuara
politike. Koalicioni rreth "Misionit të Ri", i drejtuar nga Partia
Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, doli fitues i këtyre zgjedhjeve
dhe mori 37 vende për Kuvendin e Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së
fituesit, subjektet politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për
Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-fraksioni i PDK-së, i prezantuar si Nisma
për Kosovë, filluan manovrimet e tyre, duke krijuar një bllok politik që
dalëngadalë u quajt Blloku LAN.
Blloku LAN, pas formimit, filloi
bisedimet me subjektin e tretë politik në Kosovë, lëvizjen
'Vetëvendosje', për të marrë mbështetjen e saj. LAN llogariste një
mbështetje qorre të lëvizjes 'Vetëvendosje', pra pa kushte, që ajo më
vonë i parashtroi, por vetëm duke u nisur nga kritikat e kësaj të
fundit, që i kishte pareshtur, në drejtim të PDK-së dhe kryeministrit
Hashim Thaçi. LAN u gjet i bllokuar, për shkak të kushteve që nuk mund
t'i plotësonte lëvizjes 'Vetëvendosje'. Shpëtimin LAN-i e kërkoi edhe
tek Lista "Srpska", e cila po ashtu pati kushte deri edhe jorealiste.
Manovrimet e Bllokut LAN për t'iu prezantuar opinionit si faktor që
mund ta bënin qeverinë, duke i lënë anash ato që shkruhen në Kushtetutën
e vendit, ishin vetëm ikje nga përgjegjësia e lidershipit të tyre për
humbje në zgjedhjet e fundit, ku PDK-ja për të tretën herë del subjekti i
parë politik në vend.
Më 17 korrik, Kuvendi i Kosovës mbajti
seancën e saj konstitutive, mirëpo procedurat për zgjedhjen e organeve
drejtuese u tejkaluan. E drejta për ta kandiduar kryetarin e Kuvendit i
takonte subjektit më të madh të dalë pas zgjedhjeve parlamentare, që në
këtë rast e ka pasur kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës. Kjo e
drejtë nuk u realizua, për shkak se Blloku LAN, gjatë tërë kohës
mendonte se ai, si grup parlamentar i formuar pas zgjedhjeve, ka të
drejtën për kandidimin e kryetarit të Kuvendit. Kjo seancë e nxori Isa
Mustafën e LDK-së si kryetar të Kuvendit, mirëpo nga askush nuk u
përshëndet. PDK e dërgoi kërkesën për vlefshmërinë kushtetuese të
seancës në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit dëgjoi të gjitha palët dhe
solli vendimin, ku seanca dhe zgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të
Kuvendit u vlerësua si antikushtetuese. Gjithsesi, vendimi është i
plotfuqishëm dhe duhet respektuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i
atillë që kërkon zbatimin e procedurave dhe jo anashkalimin e tyre.
Pavarësisht fjalorit politik të përdorur, ajo në vendimin e saj pati
fjalor decidiv ligjor. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, paqartësitë
politike u qartësuan përmes ligjit e Kushtetutës. Nëse subjektet
politike, sidomos LDK, AAK dhe NISMA arrijnë të kuptojnë faktin që
Republika e Kosovës ka nevojë për funksionimin e mirëfilltë
institucional, atëherë ato duhet të kthehen në lojë dhe seanca e ardhme
të ketë rrjedhë normale.
Isa Mustafa, humbës serik
Lidhja
Demokratike e Kosovës është subjekti kryesor dhe i pari pas fillimit të
pluralizmit politik në Kosovë. Si një ish-lëvizje e madhe dhe
popullore, sot ajo është e ngurtësuar dhe në nevojë të madhe për reforma
e ndryshime. Mendësia dhe koncepti politik i kryetarit të saj të parë,
dr. Ibrahim Rugova, nuk duket në horizont. Nevoja për një Kuvend
zgjedhor brenda LDK-së është më se e rëndësishme, por edhe pritje e
elektoratit të mirëfilltë të saj. Kryetari aktual i saj, Isa Mustafa
është pritur si shpëtimtar në zgjedhjet e fundit në parti, edhe pse
ardhja e tij ka qenë vlerësuar si aspak e ndershme, duke ditur që
kandidaturën e tij nuk e bëri publike deri në momentet e fundit. Në
zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar, Isa Mustafa kandidoi për
kryetar të Prishtinës, duke mos i lënë vendin askujt tjetër brenda
partisë së tij, veprim i cili do të konsiderohej si ndryshim. Ai pësoi
humbje nga Shpend Ahmeti i 'Vetëvendosjes', ku pas gati 14 viteve
Prishtina drejtohej nga LDK-ja dhe humbi me Isa Mustafën. Në zgjedhjet
parlamentare të 8 qershorit, Isa Mustafa nga LDK u nominua për
kryeministër të vendit, meqë mori edhe votat nga elektorati i partisë.
Ai pati një fushatë të zbehtë, aspak kreative e mbi të gjitha jobindëse
për votuesin. Me fajin e tij, LDK-ja nuk arriti të dalë e para në
zgjedhjet parlamentare dhe prapë me fajin e tij LDK do të mbahet mend si
shkelëse e procedurave dhe stagnimit institucional në Kosovë. Si humbës
serik, Isa Mustafa, përmes tentativës rreth Bllokut LAN, është munduar
të nxjerrë maksimumin nga situatat e krijuara pas zgjedhjeve të 8
qershorit në Kosovë për shpëtimin e tij.
Ramush Haradinaj me vullnet, por pa kapacitet
Sfidat
që kanë kaluar Ramush Haradinaj dhe partia e tij, Aleanca për
Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë të pakta. Për Haradinajn, një proces i
stërzgjatur e shumë i padrejtë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e
Luftës në ish-Jugosllavi me qendër në Hagë, dhe për AAK-në, një vakum
dhe paqartësi e vizionit politik në mungesë të prezencës së shefit të
saj. Ardhja e Ramush Haradinajt nga Haga u prit, përveç me vullnet nga
të gjithë qytetaret e Kosovës, edhe me një shpresë të madhe në skenën
politike të vendit. Mirëpo, në mungesë të prezencës së Ramush Haradinajt
në Kosovë, bartësit e funksioneve të larta në parti dhe këshilltarët e
tij, nuk ia transmetuan gjendjen reale në terren shefit të tyre dhe
mundësitë më të mira e më realet për të dhe partinë e tij. Veprimet e
individëve me pozita të larta brenda AAK-së e më pastaj edhe ngazëllimi
për të vepruar i shefit pas ardhjes në vend, nuk u vlerësuan nga
qytetarët si të matura mirë. AAK, përmes nënkryetarit të saj Blerim
Shala, ishte pjesë në çdo hap të bisedimeve në mes të Kosovës dhe
Serbisë, ku partisë më shumë i bëri dëme sesa ndihmesë. Shefit të
AAK-së, Ramush Haradinajt, përveç një paqartësie të vizionit të tij,
edhe angazhimi në tema që aspak nuk ishin të nevojshme për të, duke u
nisur nga pozicioni i tij, i kushtuan edhe në zgjedhjet e 8 qershorit.
AAK, nga pozicioni i tretë ra në të katërtin. Vullneti i Ramush
Haradinajt për të punuar nuk u përputh me kapacitetin e tij politik në
skenën politike të vendit. Lokomotiva për ta nxitur Haradinajn, sidomos
pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, për të menduar për pozitën e
kryeministrit, ishte më shumë LDK-ja sesa numri i vendeve të partisë së
tij në Kuvend. Ashtu si LDK-ja, edhe AAK-ja ka nevojë për ndryshime
brenda partisë dhe kthimin e AAK-së në subjekt politik me vizion
maratonik.
Kapërcimi i krizës institucionale
Pas
të gjitha këtyre manovrimeve dhe ngjarjeve politike në Kosovë, zgjidhja
e situatës ka dy rrugëdalje. E para dhe më e lavdëruara është rikthimi i
LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s në rregullat e lojës, e që këtë e kanë të
domosdoshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton
mundësitë e koalicionit me PDK-në. Më përpara, pra kur edhe pritej
rritja në numër e vendeve në Kuvend për AAK-në, propozimi ka qenë që të
kemi koalicion të ashtuquajtur natyror mes të PDK-së dhe AAK-së, gjë që
do të ishte bashkim i fuqive të ish-krahëve të luftës. Kjo tani nuk
është me leverdi për vendin dhe opsioni i propozuar për koalicion në mes
të PDK-së dhe LDK-së do të formonte një qeveri stabile, por edhe një
opozitë të fuqishme me 'Vetëvendosjen', AAK-në, NISMA-n etj., ku të
gjitha si subjekte politike shqiptare do ta kontrollonin qeverinë. Kurse
rrugëdalja e dytë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet
nuk janë të dëmshme, por as të mira.
ALBINOT MALOKU
|