I shkarkuar nga ngjyrimet emocionale, artistike dhe të gjitha llojet e ngjyrimeve të tjera, nocioni krim është përkufizuar si "një veprim që përbën një shkelje serioze kundër një individi apo shteti dhe është i ndëshkueshëm nga ligji".
Prej Kainit deri sot burrështetas, politikanë, juristë, prokurorë, shkrimtarë, filozofë, artistë dhe të tjerë e kanë pasur dhe e kanë krimin objekt të gjykimeve dhe të shqetësimeve të tyre, kanë bërë dhe bëjnë përgjithësimet e tyre.
Thelbi i përbashkët i këtyre shqetësimeve është shkëputja, ndarja e shoqërisë nga krimi, veçimi i saj nga krimi. Kjo do të ishte humbja më e madhe për krimin. Fitorja e tij më e madhe do të ishte identifikimi me shoqërinë.
Herbert George Wells, romancier, gazetar, sociolog dhe historian anglez i shekullit të 20-të, thoshte se krimi dhe keqbërja janë njësia e matëse e dështimit, të gjitha krimet në fund të fundit janë krime të shoqërisë. "Një krim shokues është kryer me iniciativën e pak individëve, me bekimin e më shumë njerëzve dhe në mes të qëndrimit pasiv të të gjithëve," thoshte gojtari i lashtë latin Publius Corenelius Tacitus. "Krimi më i keq është indiferenca ndaj tij," thoshte lideri fatkeq i grupit të famshëm Nirvana, Kurt Cobain. "Infektimi me krimin është si infektimi prej murtajës," thoshte strategu ushtarak gjenial, perandori dhe dijetari Napoleon Bonaparte.
Ndërtimi i shtetit ligjor kërkon si domosdoshmëri, sa urgjente edhe të pashmangshme, ndarjen e shoqërisë përkatëse nga krimi, shkëputjen vendimtare prej saj. Për Kosovën e pavarur dhe sovrane, një shtet në njohje e sipër, kjo ndarje, kjo shkëputje, aq sa në mënyrë vendimtare do të bëhej, aq epokale do të ishte.
Kategoritë më të dalluara të krimit janë krimi masiv dhe krimi i rëndë. Krimi masiv përbëhet zakonisht nga krimet që marrin dënime të vogla. Krimet e rënda përbëhen nga krimi i organizuar, nga krime të tjera të sofistikuara dhe me pasoja të rënda, shpesh tronditëse për jetën dhe për rendin publik.
Mënyrat klasike të ndarjes nga krimi masiv janë amnistitë dhe legalizimet. Ndërtimet pa leje, për shembull, si krime masive, nisur nga një përvojë e suksesshme kryesisht e disa vendeve amerikanolatine janë zvogëluar si dukuri nëpërmjet legalizimit të tyre. Në pjesë të ndryshme të shoqërisë perëndimore dukuri të krimeve të karakterizuara si mbrapshti të mënyrës së të jetuarit janë zvogëluar, po ashtu nëpërmjet legalizimit. Ndërkohë shkalla e kriminalitetit e të dyja kategorive të mëdha të krimit, atij masiv dhe atij të rëndë, është shtuar nga krimet kompujterike ose nga të ashtuquajturat krime kibernetike, sajbërkrime, pra krime që vijnë nga përparimet tejet të vrullshme të teknologjive, në radhë të parë nanaoteknologjive.
"Nuk ka asgjë më shkatërrimtare për një shoqëri se krimi i dalë jashtë kontrollit," thotë Alan Autry, aktor, politikan dhe futbollist amerikan. Në një shoqëri shteti i së cilës është në ndërtim e sipër, në një shoqëri me plot trauma të luftës dhe të pasluftës, siç është shoqëria e Kosovës, në një mjedis tejet të karakterizuar nga kriminalitetet galopante, siç është rajoni ballkanik, janë të panvlerësueshme mundësitë e krimit për të gjetur klimën optimale.
Për t'u amnistuar një kategori e krimit, një nënkategori e tij, është e domosdoshme që krimi të ndriçohet, të zbulohet, të dërgohet në gjykatë, të marrë vendimet gjyqësore të të gjitha shkallëve. Kjo parakupton kryehere një sistem të plotë gjyqësor, një sistem të plotë hetimor, një sistem të plotë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, një infrastrukturë të plotë ligjore. Për t'u konsideruar krim një vepër apo një ngjarje medoemos kërkon një vendim gjyqësor përfundimtar. Sado tronditëse, sado të rënda, sado të përhapura apo të ngjyrimeve të tjera të skajshme vepra dhe ngjarje të padërguara ndonjëherë në gjykatë nuk mund të marrin cilësimin e duhur, nuk mund të marrin ndëshkimin e duhur dhe nuk mund të amnistohen. Duke mos pasur autor të cilësuar e të ndëshkuar, këto vepra, ngjarje, dukuri mbeten anonime dhe i atashohen pandërmjetshëm shoqërisë përkatëse. Është ajo pastaj që paragjykohet, që gjykohet, që cilësohet dhe ndëshkohet. Cilësohet me të drejtë jo për faj të saj, por për faj të mosluftimit të krimit nga organet përkatëse, nga mosvënia në funksionim e këtyre organeve prej qeverisë, nga mosmarrje nën llogari e qeverisë nga ligjvënësit, nga moskryerja e rolit kritik prej opozitës dhe lëvizjeve qytetare (shoqërisë civile). Këto, të gjitha së bashku, e përbëjnë shoqërinë, e përbëjnë elitën, mesin e saj dhe shkallën e ulët të saj.
Presidenti amerikan Theodor Roosevelt thoshte se krimi duhet goditur dhe asnjëherë nuk duhet goditur butë. Vetë periudha nëpër të cilën kalon Kosova, gjendja e institucioneve, gjendja e sistemit të drejtësisë nuk e lejojnë këtë. Rudi Giuliani, një herë kryeprokuror i SHBA e më vonë kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, mitik për luftën e suksesshme kundër mafias, thoshte se për të pasur sukses ne duhet të jemi më të organizuar se vetë krimi i organizuar. Filozofja objektiviste Ayn Rand thoshte për këtë se i vetmi pushtet i qeverisë është lufta e pakompromis kundër krimit.
Krimi i organizuar është një mbipshtet ndaj shoqërisë, një mbipeshë e padurueshme aq më tepër nga shoqëritë e vuajtura. Woody Allen, regjisori i famshëm i shquar për mendimet e tij kundërr rrymës, e paraqet rrezikshmërinë e mafias në rrafsh psikologjik, ekonomik e tjerë kështu: "Krimi i organizuar në vendin tonë fiton mbi 40 miliardë dollarë në vit dhe nuk hedh asgjë në buxhetin e shtetit." Kjo përkon edhe me një thënie të hershme të Honore Balzakut: "Prapa çdo pasurie të madhe fshihet një krim i madh." Një shtet ndaj të cilit nuk kanë detyrime ekonomike (taksa, tatime e tjerë) qytetarët, bizneset, institucionet nuk mund t'i parashikojë vetes kurrsesi një të ardhme solide.
Logjika e ftohtë e Rudi Giulianit ishte patjetër në mendjen e Silvio Berluskonit kur ai dërgonte ushtrinë italiane për të vënë kontrollin ndaj qytetit të Napolit dhe rajonit të Kampanias të bllokuar nga mafia e hedhjes së mbeturinave. Vënia e shtetit në krye të luftës kundër krimit, ndërgjegjësimi i shoqërisë, janë vendimtare për një shkëputje sa më vendimtare nga krimi. Prangosja e tij sjell shprangosjen e shoqërisë.