Gazetaria e Kosovës prej fillimit të kësaj jave është më "e varfër" për disa pena të njohura të "lagjes" së Express gazetarisë në Kosovë. Ndër më të njohurit është Berat Buzhala. Ai me disa kolegë të tij ka vendosur që tash e tutje nuk do të jetë më "gazetar i pavarur" por do të jetë politikan i varur. Do ta bartë kravatën e kuqe të Partisë Demokratike.
Në të parë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë mes. Fundja Buzhala nuk është i pari e as i fundit që po hyn në politikë nga fusha e gazetarisë. Këtë sfidë e kanë provuar edhe disa të tjerë. Shumica prej penave të gazetarisë në Kosovë kanë dështuar në politikë, por disa tashmë janë shndërruar në politikanë me karrierë të bujshme në politikë dhe me karrierë modestë në gazetari.
Megjithatë te lloji i Buzhalës dhe i sojit të tij të përafërt të gazetarisë ka një çështje që duhet të debatohet. Është fjala për gazetarinë e pavarur, për gazetarinë profesionale, për etikën në gazetari, për paanshmërinë në gazetari e për shumë e shumë terminologji e teori të shpikura prej tyre, në të cilat ata thirreshin e çirreshin me të madhe në këto dhjetë vjetët e fundit. Me një fjalë ata dhe vetëm ata, Buzhala and company ishin "të pavarur", ishin gazetarë "profesionalë", ishin gazetarë "të paanshëm"... pra ishin analistë e koluministë " të pavarur" , "të paanshëm", "profesionalë" etj, etj. Në fakt ata vetëshpalleshin si të tillë, vetëdeklaroheshin si të tillë se për ndryshe ata dalloheshin edhe prej planetit të hënës se ishin gazetarë të porositur, gazetarë të paguar, gazetarë politikë, gazetarë të anshëm e me një fjalë gazetarë, kolumnistë e drejtues të gazetës së PDK-së, por që ka një emër tjetër, jo si të partisë.
Ç'është e vërteta as në ngjyrimin e tyre politik nuk ka diçka skandaloze. Madje në rrethanat e pasluftës në Kosovë, kjo mbase është diçka normale. Por ajo që më jep rastin tash t'ua nxë atyre "bishtin me derë" është fakti se pse deri më tash ata buxhalistët and company thirreshin e çirreshin në gazetarinë e pavarur, pse na mbanin ders e na shisnin "tollum" për gazetarinë e paanshme, pse lëvdoheshin e rrihnin gjoksin e tyre "˜të pulës" për gazetarinë profesionale, pse deklaronin se janë analistë e kolumnistë të pavarur?
Aq më tepër, pse ky lloj i gazetarëve dhe i "Express'" gazetarisë akuzonin të tjerët se janë gazetarë të ndikuar nga politika, se po bëjnë gazetari të njëanshme, se i takojnë asaj, ose kësaj partie politike?
Me një fjalë pse e maskonin profesionin dhe fytyrën e tyre mediale e politike? Pse deri më tash ishin gazetarë me dy fytyra?
Me hyrjen në politikë të Berat Buzhalës me kompaninë e tij, gazetaria në Kosovë do të marrë frymë më lirisht nga këta predikues të "Express gazetarisë së pavarur", do të kemi një numër më të paktë të gazetarëve me "dy fytyra" e mbi të gjitha do të na pushojnë veshtë së paku për një kohë nga zhurma e analizave "të pavarura" të llojit të "Express gazetarisë".
Në këtë drejtim më së shumti ka fituar Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti tash e tutje do të ketë në radhët e veta edhe pena të shkollës së gazetarisë së Veton Surroit, i cili pos që arriti të "shkrijë" ORË-n e tij në LDK, të dërgojë "emisarët" e vet në AAK, tash ia arriti qëllimit që të anëtarësojë edhe në PDK nxënësit e shkollës së tij gazetareske.
Por, te rasti i Berat Buzhalës ka një problem të natyrës politike. Ai tash e tutje duhet të heqë dorë nga kompania e tij që merret me thyerjen dhe shtypjen e gurëve, "Arena Invest" SH.P.K. me adresë: T. Milicevica Nr.12 Leposaviq. Këtë "dorëheqje" ai duhet ta bëjë patjetër, sepse ndryshe e ndjek Hasan Preteni dhe ligji Antikorrupcion. Nejse, Berati duhet të heqë dorë edhe nga biznese të tjera, por jo vetëm duke e fshirë emrin e tij apo të kompanisë nga vebfaqja e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë, por duke dhënë shembull se si një "gazetar i pavarur" hyn në politikë "i pastër si loti!"