Një ekip arkeologësh britanikë kanë identifikuar
në Nazaret, Izrael, një banesë që daton në shek. I që mund të jetë vendi
ku Jezusi u rrit së bashku me prindërit e tij Marian dhe Jozefin.
Ekipi britanik me në krye Ken Dark, profesor në Universitetin e
Reading në Mbretërinë e Bashkuar kanë publikuar një studim ku ai
pretendon se ka gjetur vendin ku mund të jetë rritur Jezusi. Banesa
ndodhet në Nazaret, Izrael dhe është zbuluar për herë të parë më 1880
nga disa murgesha të manastirit të motrave të Nazaretit. Megjithatë
vetëm në vitin 2006, ekipi i hulumtuesve zbuloi se banesa i përkiste
shekullit të I dhe se aty u rrit Jezu Krishti, ashtu siç kishte besuar
popullata lokale për shekuj me radhë.
"Ishte kjo shtëpia ku u rrit Jezusi? Është e pamundur ta thuash me
siguri", thotë Dark duke shtuar se, "nga ana tjetër nuk ekzistojnë arsye
arkeologjike për ta përjashtuar këtë opsion". Specialistët vërtetuan që
shekuj më pas u ndërtua në atë vend e ashtuquajtura "Kisha e
ushqyerjes" e dekoruar me mozaikë me motive bizantine. Ky tempull ra në
shekullin VIII dhe u ndërtua në shekullin XII nën kontrollin e
kryqtarëve dhe më pas u dogj në shekullin XIII.
"Bizantinët dhe kryqtarët shkruan se Krishti ndoshta u rrit pikërisht
në vendin ku ne punojmë. Mirëpo, kur Mesia i ardhshëm la Nazaretin me
Marian dhe Jozefin në vendin e shtëpive të braktisura u ngrit një
tempull dhe rreth tyre një varrezë ( ku ndodhen dy varre)", thotë Dark.
Gjithashtu, pavarësisht nga provat arkeologjike, një tekst i vitit 670, i
shkruar nga Abbot Adomnán de Iona, ku tregohet pelegrinazhi i peshkopit
francez Arculf në Nazaret, përmendet një kishë "që më parë ishte
shtëpia ku Zoti kaloi fëmijërinë e tij".
Shtëpia kishte disa dhoma dhe një shkallë të ngjitur një mur. Disa
nga këto janë ndërtuar me gurë dhe llaç dhe të tjera ishin gdhendur në
gurë gëlqerorë. Brenda janë gjetur enë gatimi të thyera, boshte për
tjerrje, vazo me gur gëlqeror, të cilat ishin tipike të epokës.