
Kanë përfunduar dy takimet e fundit të "Grupit të vdekjes".
Kostarika, e llogaritur si "autsajder" i këtij kampionati,
kishte siguruar plasmanin pas dy fitoreve befasuese kundër Uruguait dhe
Anglisë. Kjo e fundit veçse ka bërë gati valixhet për në shtëpi pasi u
mposht në dy takimet e para nga Italia dhe Uruguai.
Dy skuadrat që mposhtën Anglinë sot zhvilluan duelin direkt për
kualifikim në 1/8 e finales, e Kostarika si lider u takua me "tre
luanët" që dështuan plotësisht në Brazil.

Italia, "kafshatë e ëmbël" për Suarezin
Italia, me gjithë rezistimin që i bëri sulmeve të Uruguait, nuk ia doli që të qëndronte e pamposhtur deri në fund.
Pjesa e pare ishte shumë e qetë, me pak raste shënimi ku Italia dominonte në posedim të topit.
Gjysmë loja e dytë me fillim tregoi se do të sillte ndryshim kur,
Claudio Marchisio u ndëshkua me karton të kuq. Italiani u ndëshkua në
minutën e 59-të pas një ndërhyrje të ashpër.
Shkëndijat se rezultati do të ndryshonte erdhën kur Suarez pati një
rast të volitshëm në minutën e 66-të. Ai, me një goditje nga vija e
16metërshit, provoi të detyronte Bufonin të nxirrte topin nga rrjeta,
por italiani, me gjithë moshën që ka, u tregua i vëmendshëm për të
pritur goditjen e "El Pistoleros".
I njohur përpos lojës së bukur edhe për skandale të shumta, Suarez
shfaqi sërish "dhëmbët" kur në mënyrë jo sportive kafshoi Giorgio
Chiellinin.
Diego Godin në minutën e 81-të i dha hapin e madh Uruguait duke
shënuar me kokë për rezultatin 1 me 0. Golin mbrojtësi i Atletico
Madridit e arriti pas harkimit të Ramirezit nga rivënia këndore.
Ky gol i dha fund Prandellit dhe djelmoshave të tij për një përsëritje të suksesit të vitit 2006.
Rezultati përfundimtar Uruguai 1 0 Itali.

"Autsajderi" pa kokëçarje në 1/8 e finales
Kostarika nuk ka arritur fitoren e tretë pasi ka barazuar me Anglinë, 0 me 0.
Takimin e tretë, lojtarët e Kostarikës e nisën me qetësi pasi ata veçse kishin siguruar kualifikimin.
Anglia luftonte për rezultatin e parë pozitiv në Kampionat. Edhe pse
ndryshoi disa lojtarë në 11shen e parë, Roy Hodgson nuk arriti të
shijojë sukses.
Takimi nuk kishte shumë raste shënimi përpos sulmeve nga lojtari i Liverpoolit, Daniel Sturridge.
Tabela përfundimtare e Grupit D
- Kostarika 7 pikë
- Uruguai 6 pikë
- Italia 3 pikë
- Anglia 1 pikë (kd)