-
Kolumbia, Japonia, Bregu i Fildishtë dhe Greqia kanë
zhvilluar takimet e fundit në Grupin C për të përcaktuar dy skuadrat
kualifikuese në fazën tjetër.
Kolumbia veçse e kishte arritur një gjë të tillë pas dy
fitoreve në ndeshjet e para. Tri kombëtaret tjera ishin në garë për
skuadrën e dytë që do vazhdonte tutje.
Japonia, që kishte vetëm një pikë, u takua me Kolumbinë, ndërsa Bregu
i Fildishtë, që mund të kualifikohej me vetëm një barazim, u ballafaqua
me Greqinë së cilës i duhej gjithsesi fitorja.
Kolumbia me pikë maksimale vazhdon para
Kolumbia ka mposhtur Japoninë në takimin e fundit për të siguruar pozitën e parë në Grup me pikë maksimale.
Rezultati përfundimtar ishte 4 me 1.
Dy gola u shënuan në pjesën e parë. Fillimisht Kolumbia avancoi me
Juan Cuadrado që konvertoi në gol goditjen nga pika e bardhë në minutën e
17-të.
Japonia barazoi në minutën e fundit të pjesës së parë përmes Shinji
Okazak që me kokë mposhti kolumbianët pas harkimit të Keisuke Hondas.
Në pjesën e dytë Kolumbia shënoi sërish për të kthyer epërsinë në favor të tyre.
Jackson Martinez dërgoi një goditje në portën e japonezëve në minutën e 55-të. James Rodriguez ishte asistuesi i Martinezit.
Tandemi Rodriguez Martinez doli sërish në skenë për rezultatin 3 me
1. Martinez shënoi një gol të bukur në minutën e 82-të për golin e dytë
personal në Brazil.
Dhe në fund, në minutën e 90-të, asistuesi i dy golave të Japonisë,
James Rodriguez, shënon një gol të bukur për rezultatin final të
ndeshjes, 4 me 1.
Pasi siguroi fitoren, përzgjedhësi i Kolumbisë, Pekerman, zëvendësoi
portierin Ospina me Mondragoin për të thyer rekordin sa i përket
lojtarit më të moshuar në Botëror. Tani rekordi i ri i përket 42
vjeçarit Mondragon.
Greqia, në minutën e fundit, eliminon Bregun e Fildishtë
Greqia, vetëm në minutat e fundit të lojës shtesë, ka arritur të
nxjerrë një fitore të vlefshme pas konvertimit në gol të një penaltie.
Fitorja ishte opsioni i vetëm që grekët të kalonin tutje, e ata
filluan të shpresonin se do të arrinin 1/8 e finales pas golit të
Andreas Samaris. Ai shënoi në minutën e 42-të pas një gabimi në mesfushë
nga "elefantët".
Në fillim të pjesës së dytë Greqia ishte afër golit vulosës për
pozitën e dytë në grup. Georgios Karagounis provoi me një goditje nga
distance në minutën e 68-të. Goditja e tij u ndal nga shtylla.
Wilfried Bony arriti golin e dytë në Botëror në minutën e 74-të nga
afërsia pas pasimit të Gervinhos për të barazuar rezultatin në 1 me 1.
Kur u mendua se ky gol do të ishte i fundit në takim, dhe që do të
dërgonte Bregun e Fildishtë drejt 1/8 së finales, Greqia befasoi të
gjithë kur u akordua një penalti për grekët në minutën e parafundit,
duke e çuar rezultatin final në 2 me 1.
Tabela përfundimtare e grupit C
- Kolumbia 9 pikë
- Greqia 4 pikë
- Bregu i Fildishtë 3 pikë
- Japonia 1 pikë
Kolumbia do të takohet me Uruguain në fazën tjetër ndërsa Greqia me Kostarikën