VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - O VIRGJËRESHA, O DEMONË, O PËRBINDËSHE, O MARTIRE, SHPIRTËRA TË MËDHENJ SHPËRFILLËSPoezi nga CHARLES BAUDELAIRE (1821-1867)

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 09:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

O VIRGJËRESHA, O DEMONË, O PËRBINDËSHE, O MARTIRE, SHPIRTËRA TË MËDHENJ SHPËRFILLËS

Poezi nga CHARLES BAUDELAIRE (1821-1867)


E Shtunë, 02.20.2010, 11:14am (GMT+1)

 

 

 

T'I DHUROJ KËTO VARGJE

 

T'i dhuroj këto vargje, sepse një ditë nëse emri im lumturisht do dalë në brigje të epokave të paskajme

E do t'i bëjë të ëndërrojnë ndonjë mbrëmje trutë e burrave, anije e ndihmuar nga një erë e madhe,

Kujtimi për ty, po aq sa përrallat e trubullta, e dërmon lexuesin si daulle e dridhshme,

e rri duke peshuar si një hallkë vëllazërore e mistike në rimat e mia të fisme;

të jem i mallkuar këtu, nga humbellat më të thella deri në qiejt më të lartë,

asgjë jashtë meje nuk përgjigjet! O ti, që si një hije nga rruga jetëpakët,

shkel me këmbë të lehta dhe me shikim të kthjellët vdekësorët e marrë që të kanë quajtur të hidhur,

shtatore me sy metalikë, engjëll i madh me ball të bronztë të përndritur.

 

 

 

 

ME VESHJET E TUA

 

Me ato veshjet e tua dallgëzuese e ylberore, edhe kur ec duket se në valle ti përhidhesh hijshëm,

si ata gjarpërinjtë gjatorë që zhonglerët e shenjtë i bëjnë të hidhen ritmikisht në majë të bastunëve të magjishëm.

Si rëra e praruar e kaltërsia e shkretëtirave, të dyja të pandjeshme ndaj dhimbjeve njerëzore,

si vargmalet e gjatë të dallgës detare, ajo shkon e vjen me indiferencë aq mizore.

Sytë e saj të kulluar prej gurësh të çmuar janë bërë, e në natyrën e saj të mistershme e simbolike

(në të cilën engjëlli më i dlirët është përzier me sfinksin më antik,

në të cilën gjithë ari, gjithë hekuri, dritat e diamantet vetë)

shkëlqejnë përgjithmonë si një yll i zbehtë

madhështia e ftohtë e një gruaje shterpë.

 

 

GRATË E DËNUARA

 

Shtrirë mbi rërë si kopè e rënë në mendime ngrenë sytë drejt horizonteve detare të ngrysura

Dhe këmbët që kërkojnë, duart e bashkuara kanë lëvizje të ëmbëla dhe rrënqethje të hidhura.

Disa, zemra të dashuruara të mirëbesimeve të gjata, në imshtën e pyjeve me rrëke shushuritëse,

shkojnë duke kujtuar dashuritë e fillestarëve të ndrojtur e duke gdhendur në shpirt pemën e gjelbër të djelmoshave të fuqishëm;

të tjerat, shkojnë ngadalë e rëndë si murgesha përmes shkrepave plot me vegime, ku Shën Antoni

shikon tek rrjedhin, si lava, gjinjtë e zbuluar e purpurorë të atyre grave që dikur ai lakmoi;

e kështu që në vezullitjen e rrëshirave kulluese, në shpellën e nemitur të stërgjyshërve paganë më të hershëm,

të thërrasin t'i shërosh nga zjarmitë e tyre ulëritëse, o Bak, që di si të qetësosh ankimet më antike dhe më brerëse.

O virgjëresha, o demone, o përbindëshe, o martire, shpirtëra të mëdhenj shpërfillës

 të realitetit, të etura paskajshëm, besnike apo hore, plot me çaste hareje dhe ankimesh,

o ju, që shpirti im iu ka ndjekur në ferrin tuaj, motra të shkreta,

aq më shumë iu dashuroj sa më shumë që qaj bashkë me ju për dhimbjet tuaja ogurzeza,

për përvëlimet tuaja kurrë të flladitura, për kutitë

me shkrumbin e dashurisë në të cilat grafullojnë zemrat tuaja natë e ditë.

 

 

 

AROMA EKZOTIKE

 

Kur, me sy të mbyllur, një mbrëmje vjeshte, përpij aromën e gjirit tënd të zjarrtë,

shikoj tek rrjedhin lumenjtë të lumtur që fashitin flakët e një dielli kaq bajat;

një ishull i ngathët në të cilin natyra shfaq pemë të serta dhe fruta kundërmues,

burra me trupin e zhdërvjellët dhe të fuqishëm e gra që mrekullojnë për çiltërsinë e syve hutues.

Prirë nga aroma jote drejt vendeve përrallore,

shikoj një liman plot me pemë dhe anije velore

ende të dërmuara nga përmbytja detare,

ndërsa aroma e tamarindëve të gjelbër

që qarkullon në ajër e më deh të tërin,

përzihet në shpirtin tim me këngën e marinarëve.

 

 

HIMN BUKURISË

 

Vjen ti nga qielli i thellë apo rrjedh nga humbella, Bukuri? Shikimi yt, ferror dhe i perëndishëm në tejskaj,

rend, duke i përzier, mirësinë dhe mbrapshtinë: për këtë veç me verën mund të krahasohesh ti prandaj.

Ribashkon në sytë e tu perëndimin dhe agsholin, përhap aroma si një mbrëmje me shtrëngatë; puthjet e tua janë një kullojsë, goja jote është një anforë, të cilat e bëjnë luan djaloshin,  heroin e bën zagar.

Rrjedh nga humbella e zezë apo zbret nga yjet? Fati i magjepsur vardiset si një qen pas fustanit tënd:

ti mbjell pa kokëçarje gëzimin dhe mjerimet, ke pushtet mbi gjithçka, nuk përgjigjesh për asgjë.

Udhëton sipër të vdekurve, Bukuri, e tallesh me ata, midis stolive të tua Tmerri nuk është më pak joshës se Krimi, i cili është midis zbavitësve tu më të dashur, mbi barkun tënd të hirshëm ai vallëzon dashurisht.

Flutura pa sy në ballë fluturon për tek ti, ose digjet, përcëllohet, kallet flakë e thotë: "Bekojmë këtë pishtar!"

I dashuruari regëtues përgjëruar ndaj së bukurës duket një vdekës që ledhaton të tijin varr.

Vjen nga qielli a nga ferri, ç'rëndësi ka, Bukuri, përbindësh i rrallë, shastisës, shpirtfoshnje; nëse syri yt, e buzëqeshja, nëse këmba jote, hapin për mua derën e një Pafundësi të adhuruar të cilën nuk e kam njohur?

Nga Satanai vjen a nga Zoti? Je Engjëlli apo Sirena, ç'rëndësi ka se ti- sajuar nga ata sy të butë, aroma, drita,

mbretëresha ime e vetme- e bën universin më pak të tmerrshëm dhe këto çaste më pak të trishta?

 

 

 

VERA E TË DASHURUARVE

 

Sot hapësira është e shkëlqyer! Pa ankime as kapistër apo frè,

mbi flatrat e verës, të kalërojmë drejt një qielli hyjnor dhe të magjishëm!

Si dy engjej që i torturon një tërbim i pashtershëm oh,

në kristalin e kaltër të mëngjesit, deri në mbarim të ditës!

Përkundur butësisht në krahun e vorbullës trunore,

në një dehje të njëkohshme,

dadë, duke notuar krah për krah, duke rendur pa pushim e pa lodhje

drejt parajsës së ëndërrave të mia të moçme.

 

TË ADHUROJ

 

Të adhuroj sa adhuroj harkun e natës,

apo vazon e trishtimit, apo heshtjen e pafundme!

E aq më shumë të dua kur ti më ik, o bukuroshe, e më dukesh,

qëndisje e netëve të mia, ironikisht tek mbledh

largësinë që ndan krahët e mi nga pafundësia kaltër.

Sulmoj vrullshëm, hidhem dhe mësyj

siç bën një kollonë krimbash ndaj një kufome

e të dua, e dlirë e pashterëshme dhe mizore,

deri tek ftohtësia e cila të bën më të bukur në sytë e mi.

 

I shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

 

Shqipëroi Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NGA DASHURIA IME E VRULLSHME DHE E VALË ASNJË ËNGJËLL NUK TË SHPËTON DOTPoezi nga HERMANN HESSE (02.13.2010)
CIKËL POETIK KUSHUAR PËRVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËSNga NAMIK SELMANI (02.10.2010)
NATË PËRVËLUESE NË LAS VEGASNga AVNI MULAJ (1947-2010) (02.06.2010)
ZOGU BLU SI ZEMRA BLU E DASHURISË SIME ME ZEMËR QIELLORE KËNGËN TËNDE KAQ ËMBËL E PËRSËRITPoezi nga GUILLAUME APOLLINAIRE (Gijom Apoliner, 1880-1918) (01.27.2010)
ARTHUR SCHNITZLER dhe ËNDËRRA E DYFISHTËNga Elida Buçpapaj (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa I (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa II (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa III (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V (01.13.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]