VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - CIKËL POETIK KUSHUAR PËRVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËSNga NAMIK SELMANI

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 12:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

CIKËL POETIK KUSHUAR PËRVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Nga NAMIK SELMANI


E Mërkurë, 02.10.2010, 05:56pm (GMT+1)

 

1.FESTË....

 

Besuam shumë Lokja Kosovë

Se pranvera do ta mundëte theqafshëm Dimrin e Kuçedrën

Besuam shumë

Te njaj lot i dhimbjes dhe i gazit i gjyshërve të mirë.

Luftuam shumë

Gjersa rudinat s'kishim më vend për varret dhefreskët.

Në motet që shkuan

koha na vuri në sup djepe e na bëri luftëtarë të lirisë.

Po ta sjell një fjalë

bash si guri i latuar i Mjeshtrit  që ngriti konakun  e lashtë.

Në Ditëlirinë tënde

Lulërojnë pragjet, logjet, shkollat e sofrat e kuvendeve.

Po ta sjell një fjongo urimi

Nga Kalamaja çame që pret nipërit te mulliri i tharë

Me mallin e brengën

Ku zemrat aherë kah qielli e dete treten.

Besuam shumë

e shekulli në një ditë të vetme u bë flakadan

T'i gëzohemi kurorës

që sot e kemi vënë në kokë, në tupan e në duar.

Fletët e borës të bien

 bash si lulet e një pranvere në bjeshkën e lashtë .

Carrokët që do të lindin

me Librin e Kujtesës të nisin jetën e gjumin e trazuar.

 

2.POETËT E KOSOVËS

 

1.

Krahët e gjëmbuar

s'i pyetën malet me tufalore mjegullash dhe ngjyrë gaku

nuk vrapuan të shkruanin testamente të mermerta.

Do ta thonë më mirë kullat e djepat

magjet e këngë majë krahu

Do ta thonë

monumentet që kishin gdhendur në netët e errta.

 

2.

Kacekët e Dertit

mblodhën pikëlat e lotit të gazmuar në dasma.

Po si të mbeste sofra pa djersën e valles dhe kulaçin e fjalës

Po si të mbesnin

në supet e një nate të gjatë ku na rëndonin duart e  hapat?

Po si të mos shkruanin ftesa

ku kryefjalë ishte Liria dhe e E ardhmja?

 

3.

E çka shkruat

kur dielli, e yjet, e pyjet, e drurët  sterronin?

Kur qielli gardhohej

 nga Pyjet e klonuar të Dhimbjes?

E ç'ka shkruat

kur tokat futeshin në trasta diplomatësh?

E në Prevezën çame

loti thahej në gjokse nënash e  burrash?

Vëllezër, poetë të Kosovës

libra të hapur me ballinë dashurie

krisma të fshehura në gurë themele kullash.

 

3.KOSOVËÇAMËRI

 

Dy bija

që nëna i pati afër e larg.

Gjak i dha që në ditën e parë të jetës

Herë u bë Rozafë

që gjakun e qumështit  iu çurgoi si burim shkumbardhë

Herë u bë Doruntinë

që malli ia çau palcën e shpirtit të djegur.

Sa larg ishin e janë motrat!

Sa larg!

Rënkimi i kurbetit ua thinji detet e malet.

Klone, piramida

le të kthehen në fantazma përrallash

E në ritmin e tupanit

Le të gëzohemi të gjithë për Ditën e  Madhe!!!

 

4. MONOLOG

 

Me kërbaç ma goditën historinë

në qilarë të fshehur

firma gjaku hodhën mbi truallin e gjyshit.

E dhimbja i bëri sa një grusht fushat

e deti i shtoi lotët e kripur

E qiellit brinjët e kaltra iu thyen nga goditja.

Gjallimin e lisit mendova

e shpirtin ma bekoi Rilindja.

Me kërbaç ma goditën gjoksin, këmbën

 Me një hell të nxehtë më qorruan syrin

për të mos parë Rrugën e Kthimit.

Kockëthyer mes ngërçit nuk qava

me dorën cung të prerë

dhe me dhëmbë

flamurin nga sepetet e nxorra

 e Zotit e forcës sime në qiellin e sterruar iu fala.

 

5. LULJA E KOSOVËS

 

Ti bije e vdekur në tokën e thatë

 E një vig për ty s'u gjet, moj Loke!

Lulet e Prekazit ishin shkrumbuar nga zjarret

Monumentet

 I kish shkrirë vullkani i një zemre mizore.

Supet i kish vrarë litari i jetës

E në atë vragë pritej të mbinte një farë lirie

U gjet një Vig kujtese

mbajtur në supe malesh hijerëndë

Ish pragu i një pranvere  me lule pavdekësie

 

 

6. URTIA E KUVENDEVE

 

Dashkam sot urti kuvendesh

Ta çaj tokën ta bëj krua

Se m'u thanë sytë e mekur

Mbeti dasma pa uruar.

Të mos pritet Pishë e lartë

Vajza të më bëhet gjyshe.

Të mos mbetet çerdhja tharë

Për një këngë e dallandyshe.

Dashkam sot urti kuvendesh

Kur të nis një shteg , një udhë.

Të mos mbetem pas parmende

Këmbëzbathur përmbi prush.

Dua sot dolli kuvendesh

Të ndrij natën e sterruar.

Se m'u nxinë lule, gjethe

Mbeti lisi pa gjethuar.

Ndaj do ulem plis më plis

Ndaj do ngjitem re më re.

Herë do bëhem Zanë a Div

Herë do bëhem si skifter.

Se urtia qenka lidhur

Qënka bërë me nyje plot.

Jepma fjalën për ta zgjidhur

Që të ngrej një Urë, një shqotë.

Ma jep forcën e stralluar

Të bëj farë nëpër ugare.

Të sjell ditën e Bekuar

Si pranverë në tufane.

Përmes burrash në kuvende

Ta nis ditën si ushtari.

Se çdo sofër mes një ode

Dashka gradë gjenerali.

Mos  zvarritem verbëruar

Në një udhë ku gjallon drita.

Leshrathinjur, dorështrënguar

Të më presë nga mot Rilindja.

Dashkam prapë një sofër fjale

Fjalë që vret , që përkëdhel.

Të mos mbesë oxhak pa zjarr

Mos gjëmbftë prag i shtrenjtë.

Të mos mbetem fytyrëskuqur,

Para djalit që pret këshillë.

Në s'i dhashë një kalë, një kullë

Mos  heshtoj para  urtisë..

Dashkam sot urti kuvendesh....

 

7. Hapma, portën , Kosovë!

 

Kam një shekull që jam nisur e udhëtoj kah ti.

E gjethen e ullirit dua ta mbjell në pragjet e kullave

Kush kërkoi të ma ndalte këtë vrap, u gremis në hone

E qiellit i mbeti veç  fara e lirisë dhe e plumbave.

Hej, Kosovë,  kam sjellë pikën e lotit të nënave çame

Të mbjell në të një lulëkuqe marrë nga Fushë Kosova.

Sa ujë rrodhi Drini e çfarë foli Joni mes dallgëve?

Ç'amanet do të themi për djemtë që kjo festë lirie i bekoka?

O, sa u gjakosa në udhët që më dhanë rrudhat e ballit

Ç'të të thëm me parë e ç'valle të hedh në këtë log?

Nëse pak u lodha, qenkam sot, djalë e shkuar djalit.

Në vend të shamisë një copë qiell tëndin mbaj në dorë.

Hapma portën, Kosovë e më fut si vëlla në Sofrën e Paqes!

Ani pse nuk ka më vend për lapidarët e monumentet

Ka ardhur Zana e Jonit etjeshuar në krojet e tua të maleve

Buzëdrithëruar për liri po sjell flamurin që kishte në sepete

Do të doja të ngria për ty dolli në brigjet me dritë të Pargës.

Këtu, në Prizren, si djalë, vallen e Osman Takës të hedh

Hej, Adem Jashari, ndihmomë të mund  Shtrëngatën

E shqiponjën flatrahapur ta gdhend me të në çdo djep.

 

 

 

8. KËTU, NË NEWBORN....

 

Etyd për pavarësinë e Kosovës

 

1.

Historia paska ndalur këtu:

Të dëgjojë bacalokët fisnikë më të thinjur se të gjithë malet e borëruar

Të përcjellë nuset e reja e të puthë ca plagë të ngrohta nën bajrak

Të takojë Adem Jasharin e të riçelë  lulëkuqe në  Drenicën kullëplaguar

Të dëgjojë heshtimin e lotit të vrarë mes dhimbjes bukur të gjatë.

 

2.

Dita paska ndalur këtu:

Të prekë këmbë të ardhur nga viset, nga klonet e humnerta ndjellakeqe

Të dëgjojë ca zëra çiftelish e lahutash, si hapa këmbëzbathurish mes flakëve

Të rizgjojë ca rremba krojesh të kaltëruara si maja bjeshke në majin me rreze

Të heqë  tabelat e udhëkryqeve me kahjen e pagabuar të bajrakëve

 

3.

Nata paska ndalur këtu:

Të marrë hijet e fundit në theqafjen drejt  honesh, drejt  ca strofkash kuçedre

Të fshehë gjer në shtatë palcë dheu ca llumërina fjalësh besëvrarësh.

Të riveshë mantelin e yjeve që bien, e bien,  e bien nga male e treten 

Të humbojë mallkimet e thëna e të pathëna  si sëpata druvarësh.

 

4.

Kali i Gjergjit këtu paska ndalur trokun:

T'i thotë  motrës lotpatharë  të ngrihet vrik nga varri nën bli.

T'i thotë Doruntinës se Kostandin emërmadhi është gjallë, gjallë.

T'u thotë bregdrinasve se këtej e tutje do të  kenë ndër brigje edhe ca ullinj

Bash si me kenë një Urë e re kënge që lidh shekujt me fjalët- balsam

 

5.

Mençuria ndalka frymën këtu:

Si të ishte një bard me urti të re odash e kuvendesh pajtimi

Si të ish një lahutë legjende që prek të tanë qiellin e shpirtit

Si të ishte det që e mundka dhe pikën e fundit të lotit të Mordit

Si një pemë që fort po i ban hije dasmës e lindjes së filizit.

 

6.

E shekujt paskan ndalur këtu:

Si dorëzanë për borxhin e mbetur ka herë në pergamenin e kohës

Si firmë firmëtarësh me sy rilindur klithshëm nga verbimi

Si fidanë që presin ugarin me djersë të derdhur në  plisat e ngrohtë

Si lehona që presin urimin me fëmijët mbështetur te gjiri.

 

7.

E agu po ndalka këtu:

T'u vërë lodërtarëve ndër supe të rëna, nga një rreth tupani prej Sharri

T'u japë carrokëve ca libra dhe bukë të grunjtë në trastën gjalmëgrisur

T'u japë këmbëve të burrave  fuqi divi e shkëmbinjsh mali.

T'u japë mjeshtërve gurët e latuar për murin e ri që duhet ujdisur.

 

8.

Po ia prek pejzat NEWBORNIT

Bash si me prekë një rudinë ku ligjërojnë këngë të reja LIRIE

Ku ringjallen amanete, fjalë, varre dhehumbur pa shenja mbi kokë

Po lërmë ta puth atë plis bardhosh, lum Bacë mustakderdhur me hije

Ma lër të ta heq qoftë edhe një rrudhë e një thinjë, moj Loke

 

9.

Këtu, në NEWBORN...

 

 

 

9. LULJA MË E BUKUR E TROLLIT

 

Luftëtarit të Kombit Adem Jashari

 

1.

Lulen e fundit të trollit

mbi pushkën tënde do ta vë, bacë Adem Jashari.

Me lodrën e fundit

Në dasmën e nipit do të zgjoj qiell, e drurë, e dhe .

Mjegull e Theqafjes

S'do të ma zërë më shtegun e udhës e s'do ma marrë fjalën e mentarit.

Mes vellos së barotit

një farë më shumë ugari dhe një lis kurorëblertë do të mbjell.

 

2.

Në Odën e Urtisë tënde

ku plumbat e zinj kuvendonin me natën, harresën,  lugatin.

Akoma

dua të ta dëgjoj fjalën, o më i urtë se Urtia e Kosovës!

Pash dhimbën e trollit

e lotin që më çurgon si sylynjar në gjoksin eshkëtharë!

Bekona prapë

bukën e lume gatuar nga dora e dhembshur e Lokes!

 

3.

E syrin e pushkës

Atë sy të bukur, mos na e mbyll në Natën e sterruar

Mos na e thaj, bre,

Atë det malli diku në Kaçanik, Drenicë  e në Prekaz!

E derën e kullës

Kanat më kanat lëre hapur, se udha ka prapë miq të vonuar

E brazdën

të ngrohtë  lëre për të mbjellë lulëkuqet kuqëluar si bajrak!

 

4.

E zgjona Agun

Ku zezonat e shtrëngatat s'ia ndalin që s'ia ndalin rrezet.

E urona,. Bacë,

në atë udhë ku na pret një nënë tek djepi më i ri.

Një tel lahute lëre të nderur

si një bajrak flladitur nga era e lisave të bjeshkës

E kujtoma amanetin e fundit

se do t'ia jap pranverës që do të zgjojë logun në çdo rudinë!

 

5.

E pushkën

lëre të pastër në atë grykën e  nxehtë, lum Baca!

Hej sa dasma ,

me të do të presim si dhëndurrë a si krushq të nderuar!

Hapin e menduar, ma bëj hallall

se një det me sy Kosove më paska mbërritur i tëri te fjala,

 E plisat e bardhë

Më paskan bërë lahutar, fëmijë   e bujk të papërtuar!

 

6.

Në tymtarët e Prekazit,

U djegsha i tëri me shpirt, me sy e me këngë

Ta rizgjoj Adem Jasharin

e ta shoh si po më krihet bukurisht në atë pasqyrë lirie

Në djepin e fshehur

mes shkëmbinjve,  lapidarëve a mes dheut të rëndë

Ninullën më të re

për loçkën e zemrave ta thur si një shtëllungë pavdekësie

 

7.

Në palcën e krojeve të Drenicës

Një mijë diej të hedhin vello drite e zjarri!

Po ku ta gjej një pëllëmbë toke

Monumentin të ringrej me gurë bedenash e kullash?

Hej, Binjak i Ëndrrës

Spirancë e Detit të Dhimbjes, bacë Adem Jashari

Të marrim tok  të nesërmen

me pëllëmbë, me gjoks, me fjalë  kujtese e me kreni burrash!

 

8.

Të mbyllen Rrathët e Harrimit  

Se vjen Komandanti nga  shtigjet e Sharrit kapuçbardhë.

Ban roje ai

kalorës trokzjarr i kullës, më tepër se një dorë Rozafe!

Vetëtiat le të ndalen!

pa trembur duar, këmbë, qerpikë e qepallë

Ani pse udhën

dashkan të na e qorrojnë dhe gurët të na i mbysin me përgjakje!

 

 

10. BACË, U KRYE!

 

Bacë, u krye, po thotë Lokja

Qerpikloti që flet shumë .

Po flet vallja që s'faroka

Zemra jonë, zjarr e prush.

Bash një shekull thurëm djepe

Ndezëm shkronjat nëpër shpirtëra

Ngritëm vetë 100 ortekë

Të na vinte pranë Rilindja.

Bacë, u krye thotë lahuta

Që nder telin për rapsodë

Nëpër varre, lulon lulja

Një nga një shqiponjat zgjon.

Vjen një Loke, piskamëfshehur

përmbi varr të luftëtarit.

Paska mbetur thëngjillndezur

Nëpër vatra gacë e zjarrit.

Vjen një mal ulet më gjunjë

gur më gur të stisë ëndrrën

E hap gjoksin fushë më fushë

Të puthë gazin, të puthë këngën.

Bacë u krye, po thotë Kulla

Cep më cep me plumba shpuar.

Sa e gjatë ishte rruga.

Nëpër pragjet  gurshkrumbuar!

Ëndrra jonë e pranguar

Na përgjaku udhë e shteg.

E sot gaz i pambaruar

Thellë në gjoks po bëhet det.

Bacë, u krye, bacë u krye!

 

 

11.NJË FLAMUR ME VETE NË UDHË KURBETI

 

Ua kushtoj të gjithë bashkëkombasve të mi nëpër botë

Një flamur me vete në udhë kurbeti

më bën Isa Boetin

tek mbështet  buzët e përzhitura nga malli

Në lëndinat e përflakura ku shqiponjat presin lindjen.

Një flamur me vetë në këto shtigje që ende s'i njoh

Më bën Marigo,

 që porsa e ka mbaruar qëndismën e fundit

ua jep djemve për t'i ngrohur kur të kenë ftohtë.

Më bën ky flamur si mësuesi Petro Nini

Që dashka t'ua vërë në gjunjë djemve

kur të gdhendin larg trojeve amtare shkronjat e Shqipes.

Më bën Vajzë të Valëve

që fshin pikën e patharë të lotit

Pa harruar një çast amanetin e fundit të natës së parë të martesës

Ëndrrën e pagjumë në Bregun e Shpresës .

Një flamur me vete në rrugë kurbeti

ma bën lëmsh kulaçin e ngrohtë të gruas

Për  rrugën e gjatë drejt vëllezërve të bregut tjetër.

Sa uri që kam!!!

Po s'mund të prek asnjë kafshatë të kësaj buke të ëmbël

Sa gjumë kam!

Po qepallat  mbetkan të hapura për të pritur mëngjesin.

-

 

Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës; është gazetar dhe shkrimtar shqiptar.

 

 

Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike "Luigj Gurakuqi" më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Univeritetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike "Kristo Isak" në qytetin e Beratit.

 

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinone të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.

 

Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Që prej 6 vjetësh ai ka qenë kryeredaktor i gazetës "E vërteta" në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. K a patur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.

 

Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës "Krahu i shqiponjës". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve "Kostandin Kristoforidhi" me qendër në qytetin e Elbasanit, etj.

 

Tituj të veprave

 

"Vatra e mallit", poezi, 2000

"Zërat e brigjeve të mia", poezi, 2003

"Dallandyshet e Çamërisë", proza, 2004

"Kroi i këngës çame", poezi, 2005

"Trokitje në Dodonë", proza, 2006, ISBN 99943-855-6-9

"Filizët e fjalës gjimnaziste", botim pedagogjik , 2006

"Abaz Dojaka - Mjeshtër i Kulturës popullore", monografi, 2006, ISBN 99943-33-82-8

"Fari çam", poezi, 2006

"Kërkoj monumentet", proza, 2007, ISBN 978-99956-621-0-3

"Shpirti çam", antologji personale me poezi, 2007, ISBN 978-99943-967-8-8

"Dritaret e besimit", poezi fetare për rininë islame, 2007, ISBN 978-99956-652-3-4

"Rruga e një shkolle", monografi për shkollën mesme profesionale "Stiliano Bandilli", Berat, 2007, ISBN 9789994396795

"Arkivi i fjalës", botim pedagogjik për kulturën e të shkruarit në shkollat e mesme, 2008
Namik Selmani


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NATË PËRVËLUESE NË LAS VEGASNga AVNI MULAJ (1947-2010) (02.06.2010)
ZOGU BLU SI ZEMRA BLU E DASHURISË SIME ME ZEMËR QIELLORE KËNGËN TËNDE KAQ ËMBËL E PËRSËRITPoezi nga GUILLAUME APOLLINAIRE (Gijom Apoliner, 1880-1918) (01.27.2010)
ARTHUR SCHNITZLER dhe ËNDËRRA E DYFISHTËNga Elida Buçpapaj (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa I (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa II (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa III (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VI (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VII (01.13.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]