VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri Berisha pret shiritin e fillimit të punimeve për projektin më të madh hidroenergjitik në Evropë

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 09:33pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri Berisha pret shiritin e fillimit të punimeve për projektin më të madh hidroenergjitik në Evropë
E Martë, 06.09.2009, 07:40am (GMT+1)

Kryeministri Berisha vlerësoi dje se projekti për Kaskadën e Devollit është një gur themeli në strategjinë e qeverisë për ta shndërruar vendin në një superfuqi energjetike në rajon. "Ky projekt është një gur i madh themeli në strategjinë time; Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. Dante Aligeri do të shkruante dikur se, nuk ka gjë më të rëndë të kujtosh kohërat e mira në kohë të vështira. Unë do të thosha se nuk ka gjë më të mirë se të kujtosh kohëra të mira kur je në vështirësi dhe t'i ndërtosh ato. Dy vite më parë, kur unë me mikun tim z. Eruin Pröll, kur firmosëm memorandumin e mirëkuptimit ne ishim në vuajtje të mëdha, me mungesë të madhe energjetike. Sot, me parime të reja të vendosura, nuk ka dhe nuk do të ketë ndërprerje energjie për qytetarët shqiptarë", tha kryeministri. Gjithashtu, kreu i qeverisë vuri në dukje se për 170 hidrocentrale të reja janë firmosur kontratat dhe nisin ndërtimin, si dhe 120 të tjera presin të dalin edhe ata në treg. "Sot, ne hedhim themelet e shndërrimit të këtij vendi në një superfuqi energjetike. Për 170 hidrocentrale të reja janë firmosur kontratat dhe nisin ndërtimin, si dhe 120 të tjera presin të dalin edhe ata në treg. 'EVN' dhe 'Statkraft' janë të mirëpritua të vazhdojnë interesin e tyre, sepse pas kaskadës së Devollit është kaskada e Vjosës, kaskada e Osumit, kaskada e Shkumbinit, është Skavica dhe dhjetëra e qindra hidrocentrale të tjera", vijoi më tej kryeministri, ndërsa vlerësoi se këto investime e bënë Shqipërinë tërheqëse për investitorët e huaj. Kryeministri Berisha vuri në dukje se, qeveria që ai drejton ka krijuar në këtë vend klimën dhe kushtet më miqësore për investitorët e huaj. Kështu, kryeministri vlerësoi se taksa e sheshtë prej 10 përqind dhe lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë të renditet e para në rajon për investimet e huaja. Gjithashtu, ai shprehu optimizmin se rritja ekonomike në Shqipëri do të vazhdojë edhe më tej dhe vendi do të jetë akoma vendi i parë në Europë për rritjen ekomoike. "Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për rritjen ekonomike, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për investimet e huaja, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë quantum leap i Evropës në zhvillimin e saj", tha kryeministri. Ai u shprehu mirënjohjen e tij të thellë kompanive të mëdha, presidentëve të tyre këtu, ekipeve të tyre për punën e jashtëzakonshme që bëhet, për besimin e madh që dëshmuan. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e tij edhe për Ministrinë e Ekonomisë dhe ministrit Genc Ruli, administratës së tij për punën e shkëlqyer që ka bërë në konkretizimin e procesit të këtij projekti. "Dua të falenderoj qytetarët e Devollit, të Gramshit dhe të komunave, për frymën e lartë të bashkëpunimit që kanë dëshmuar. Dua t'ju falenderoj ju të gjithëve për praninë sot këtu, që keni ardhur për të festuar inaugurimin e veprës më të madhe energjetike hidrike në Evropë", vijoi më tej kryeministri.

 

Proll: Projekti, dëshmi e sukseseve të Shqipërisë nga qeveria "Berisha"

 

Guvernatori i landit të Austrisë së poshtme, Eruin Pröll, e cilësoi dje nisjen e punimeve për ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë lumit Devoll si një hap të ri të qeverisë Berisha dhe një faqe të re të historisë së Shqipërisë në fushën energjetike. Duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, ai theksoi se puna e bërë nga qeveria që ai drejton është një dëshmi e qartë e suksesit të Shqipërisë. "Puna e qeverisë tuaj është dëshmia më e mirë për suksesin e Republikës së Shqipërisë", tha kryeministri. Zbatimi i këtij projekti, i cili është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Evropë në fushën e hidroenergjisë, do të mundësojë optimizimin e plotë të kaskadës së lumit Devoll përmes tre hidrocentraleve të planifikuara, me një kapacitet të instaluar në rajon prej 320 megavat. Projekti me vlerë rreth 1 miliard euro do të mundësojë prodhimin afërsisht të 1000 Gwh energji të rinovueshme, cila do të rrisë prodhimin aktual të energjisë elektrike në Shqipëri me rreth 20%. Ky projekt është realizuar si fryt i bashkëpunimit ndërmjet kompanisë norvegjeze "Statkraft AS" dhe kompanisë austriake "EVN AG".

 

Nisin punimet për Kaskadën e Devollit, projekti më i madh në Europë në hidroenergji

 

Shqipëria përfshihet në një projekt gjigant të prodhimit të energjisë, Kaskada e Devollit. Kryeministri Berisha çeli dje siparin e nisjes së punimeve për një nga veprat më madhështore jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por për të gjithë Europën. Duke e cilësuar këtë si një nga ngjarjet më jetike të kombit, kryeministri Berisha vuri në dukje se investimet e mëdha në Shqipëri përbëjnë metrin e saktë për të matur madhështinë e një kombi. Kryeministri vlerësoi se projekti për Kaskadën e Devollit është projekti më gjigant energjetik në mbarë kontinentin e Europës. "Kjo është një nga ngjarjet më madhore në historinë e këtij vendi. Dhe për një komb sado i zhvilluar të jetë ai, investimi prej 1 miliard eurosh është shumë i rëndësishëm. Dhe kjo përbën një ditë të shënuar. Për ne shqiptarët, investimet e mëdha përbëjnë metrin më të saktë për të matur madhështinë e këtij vendi dhe historisë tonë. Ndaj dhe jam i bindur se po përjetojmë një nga ditët e bardha, një nga ditët më të mëdha të historisë së këtij vendi. Këto muaj, ne së bashku kemi inauguruar fillimin e punimeve të veprave që katër vite më parë nuk mund të imagjinoheshin. Inauguruam fillimin e punimeve të parkut energjetik në Lezhë, një investim prej 1.2 miliard euro, inauguruam fillimin e punimeve për hidrocentralin e Ashtës, investim prej 160 milion euro", tha kryeministri. Më tej, ai vuri në dukje se në një hark kohor trejavor, qeveria inauguron gjigantin e Shqipërisë, Ballkanit dhe Evropës, projektin më të madh energjetik aktual në kontinentin europian. Një mik i shquar i kombit shqiptar, tha kryeministri, dhe një ndër austriakët më të njohur në tregjet financiare dhe bankare botërore, Dr. Herbert Stepic, do të deklaronte në 5-vjetorin e Raiffeisen Bank se ky vend po përjeton një quantum leap, po përjeton një transformim të paimagjinueshëm. Kështu, kryeministri vlerësoi se Shqipëria, vendi që 18 vite më parë renditej e treta në botë si vendi më i varfër, më e varfra në planet, ndërsa në vitin 2008-2009 kryeson rritjen ekonomike në Evropë. Gjithashtu, ai vuri në dukje se Shqipëria, e cila 18 vite më parë i kishte të ndaluara me Kushtetutë investimet e huaja, vetëm në harkun kohor të gjashtë muajve të fundit ka firmosur kontrata koncesionare rreth 5,6 miliard euro. Duke e cilësuar nisjen e këtij projekti si ditën e parë të një projekti madhor, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj kompanisë EVN dhe kompanisë "STATKRAFT AS", konsorciumit të tyre për vlerësimin e madh që ata kanë vendosur tek Shqipëria dhe shqiptarët, tek banorët e Gramshit dhe banorët e këtij rrethi. Kryeministri u shprehu atyre sigurinë se tek këta qeveritarë vendorë, tek qeveria qendrore, tek banorët e kësaj zone kjo kompani do të gjejë mbështetje të plotë dhe totale.

 

Projekti e shndërron Shqipërinë në nyjë strategjike të energjisë në Europë

 

Kaskada e Devollit, që përfshin në projektin e saj ndërtimin e tre hidrocentraleve, e shndërron Shqipërinë në një nyjë strategjike të energjisë në Europë. Kryeministri Berisha ka vlerësuar se besimi i madh që po tregohet nga investitorët e huaj e bën Shqipërinë me një mbështetje të fuqishme në suksesin e këtij projekti. "Besimi i madh që ata kanë treguar me projektet e tyre tregon që dhe Shqipëria do të shndërrohet në një mbështetje të fuqishme në suksesin e këtij projekti, më i madhi aktual në Evropë. Kaskada e Devollit, që do të ndërtohet në një tunel rreth 62 km, do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro", u shpreh kryeministri.

 

Projekti synon punësimin e 5 mijë punëtorëve

 

Realizimi i projektit për ndërtimin e tre hidrocentraleve mbi lumin Devoll do të bëjë të mundur dhe punësimin e më shumë se 5 mijë punëtorëve. Vetë kryeministri Berisha vlerësoi dje se Kaskada e Devollit që do të ndërtohet në tunelin rreth 62 km do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Kryeministri ka vlerësuar se vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro. Në vlerësimin e këtij projekti, përfaqësuesit e dy kompanive gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Burkhard Hofer, drejtor Ekzekutiv i EVN-së dhe Ragnvald Naero, zëvendëspresident Ekzekutiv i STATKRAFT, duke falenderuar qeverinë shqiptare për realizimin me sukses të kësaj kontrate, u shprehën se projekti për kaskadës e lumit Devoll është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhatë në Europë në fushën e hidroenergjisë. Të dy personalitetet u shprehën se kishin një besim shumë të madh te Shqipëria, që gjatë këtyre viteve ka arritur shumë dhe ka zhvilluar një mjedis të mirë për biznesin. Ndërkohë që zbatimi i këtij projekti në tërësinë e tij ka avantazhin e madh të optimizimit të plotë të kaskadës së lumit Devoll përmes tre hidrocentraleve të planifikuar, me parametra kapaciteti 320 MW, 62 km tunele dhe rreth 1 miliard euro investime. Në fillim të vitit 2008, qeveria shqiptare i dha kompanisë EVN Austria kontratën e konçesionit për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të Lumit Devoll, që ndodhet në qendër të Shqipërisë, 50 km në jug të Tiranës. Projekti përbëhet nga një konçesion i formës BOT për tre hidrocentrale përgjatë lumit Devoll, dy prej të cilëve do të ndërtohen dhe i treti, HEC i Banjës, do të përfundohet mbi punimet e mëparshme të ndërtimit që janë nisur gjatë fundit të viteve tetëdhjetë nga qeveria shqiptare. Në total, vëllimi i investimit për zbatimin e projektit vlerësohet të jetë më shumë se 900 milion euro dhe më shumë se 30 000 persona në vit do të punësohen gjatë periudhës së planifikimit dhe ndërtimit. Qeveria do të siguronte në total një shumë prej 1 miliard eurosh, përmes taksimit të projektit, si dhe veprimtarive të tjera të lidhura me të.

 

 

 

Kryeministri përshëndet nga qyteti i Laçit fitoren e thellë të partive të qendrës së djathtë për Parlamentin Europian

Berisha: Të votojmë si europianët, çdo votë majtas është kthim mbrapa

 

Kryeministri Berisha përshëndeti nga qyteza e Laçit ngjyrosjen blu të Europës pas fitores së thellë të partive të djathta në 23 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Duke përshëndetur fitoren e partive simotra në mbarë kontinentin europian, kreu i qeverisë shprehu bindjen se më 28 qershor shqiptarët do të ndjekin shembullin e qytetarëve europianë duke votuar për të djathtën, për forcën politike të zhvillimit dhe integrimit. "Ju përshëndes vëllazërisht dhe përulem para jush me mirënjohjen më të thellë, me nderim më të madh për Laçin blu, për Laçin e fitores. Kam zgjedhur Laçin për të përshëndetur Europën që u gdhi blu. Një përshëndetje vëllazërore ju bëj partive simotra për fitoren e jashtëzakonshme. Ne zotohemi se do jemi fitimtarë në 28 qershor. Në Laç, në Shqipëri, do të kthejmë lavdinë e 22 marsit të vitit '92", u shpreh kreu i qeverisë në një miting entuziast me banorët e Laçit. Ai evidentoi faktin se vota majtas nënkupton regres dhe kthim mbrapa duke sjellë si dëshminë më të qartë për këtë alternativën që paraqet kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili synon ta kthejë vendin në nostalgjitë e diktaturës më të egër komuniste. "Vota majtas është votë mbrapa dhe, siç e dini, ju mbrapa do të thotë Edi Rama", tha kreu i qeverisë, duke nënvizuar se ky zotëri nuk ka moral të kërkojë votat e shqiptarëve përderisa vetë struket pas karriges së Bashkisë duke iu trembur garës. "Le të shtrojmë pyetjen, ky zotëri që refuzon të vendosë veten në krye të listës së partisë së tij a ka moral të kërkojë vota, a ka moral të paraqesë kandidatë, a ka moral të flasë për zgjedhjet. Kur ka ndodhur në historinë e demokracisë që një kryetar partie t'u thotë të tjerëve para ju, se mbrapa më keni. Nuk ndodh kurrë. Prandaj, ju bëj thirrje asnjë votë të vetme majtas, sepse vota majtas është votë për të shkuarën, është votë, e cila synon të errësojë të ardhmen tonë, është votë për atë që nuk ka besim tek njerëzit e tij, nuk ka besim tek shqiptarët që refuzon të kandidojë", u shpreh më tej Berisha.

 

Në mandatin e dytë, rrugë të asfaltuara në çdo fshat

 

Gjatë takimit me qytetarët e Laçit, kryeministri Berisha u zotua se në mandatin e dytë qeveria do të asfaltojë çdo pëllëmbë rrugë dhe investimet do të disafishohen. Ne, u shpreh kreu i ekzekutivit, mblidhemi sot në këtë shesh, pasi Laçi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, mblidhemi në këtë shesh, pasi vendi ka aplikuar për anëtarësimin e plotë në BE, mblidhemi sot këtu, të sigurt se brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizim të lirë në mbarë Europën, si qytetarë të barabartë midis të barabartëve. 28 qershori është dita juaj e madhe, u tha Berisha qytetarëve të Laçit, është dita e idealeve tuaja demokratike, është dita e projektit tuaj europian. "Kam ardhur sot tek ju jo për t'ju uruar investimet që kemi bërë në këtë rreth gjatë katër viteve, të cilat janë 20 herë më të mëdha se investimet e shkuara, kam ardhur tek ju për t'ju dhënë fjalën se në këtë rreth, në këtë qytet do asfaltojmë çdo pëllëmbë dhe çdo metër rrugë dhe ju do keni hyrjen dhe daljen moderne të qytetit, se ju do të keni stadiumin me tribunë, se ju do keni të gjitha shërbimet e një qyteti europian", u shpreh Berisha, ndërsa u zotua se në katër vitet e ardhshme rrogat dhe pensionet e qytetarëve të Laçit dhe mbarë Shqipërisë do të jenë dy herë më të mëdha se sa gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

28 qershori, tha më tej kryeministri, është dita e madhe e projektit tonë të ri, projekt me të cilin ne do të bëjmë që çdo fermer i këtij rrethi të financojë të gjithë projektet e tij, të vendosim tërësisht nën ujë të gjithë sipërfaqet e tokës suaj, të subvencionojmë prodhimet, të subvencionojmë naftën dhe inputet tuaja për sipërfaqen e mbjellë, subvencionojmë projektin e ullirit, ta shndërrojmë Laçin në një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit në Shqipëri. Laçi ka nga brigjet më të mrekullueshme të detit. Unë u jap fjalën banorëve të Kurbinit se infrastruktura më moderne do të ngrihet në të tërë bregun tuaj dhe resortet më të mira turistike do të ndërtohen gjatë katër viteve që vijnë. Gjithashtu, kreu i qeverisë u drejtoi një thirrje vëllazërore qytetarëve të Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë që të pajisjen me dokumentet e reja të identitetit, pasi në këtë mënyrë ata barazojnë veten me qytetarët europianë. "Një thirrje vëllazërore kam për ju, një thirrje vëllazërore kam për të gjithë shqiptarët, një thirrje kam për të gjithë qeveritarët vendorë, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Kjo thirrje është merrni letërnjoftimet e reja, i merrni se me këto dokumente unë dhe ju barazohemi për dëshmi identiteti me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Perëndimit. I merrni se ju garantoj unë ju se do ju shërbejnë për dhjetëra e dhjetëra shërbime gjatë viteve që vijnë", tha Berisha duke u bërë apel banorëve të Laçit që me këto karta të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit për ta shndërruar 28 qershorin në festën e anëtarësisë në NATO, në festën e aplikimit për anëtar në Bashkimin Europian, në festën e dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, në festën e ndërtimit të infrastrukturës më moderne, në festën e garës së madhe për të parakaluar 6 vende anëtare të BE-së, në festën për të ndërtuar në Laç, për të ndërtuar në Shqipëri Laçin europian, Shqipërinë europiane.

 

Katër vitet e ardhshme, vitet e projektit të anëtarësimit të plotë në BE

 

Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha gjatë një takimi me banorët e Mirditës tha se mandati i dytë do të jetë vendimtar për shtimin e investimeve dhe shërbimeve, rritjen e pagave dhe pensioneve duke plotësuar në këtë mënyrë shumicën e standardeve që duhen për anëtarësimin e plotë në BE. "Katër vitet që vijnë, ne së bashku do të përgatisim Mirditën, do të përgatisim Shqipërinë për anëtarësim të plotë në BE. Këto katër vite do të jenë vitet, në të cilat ne do t'u garantojmë qytetarëve shqiptare shërbimet më të mira në shëndetësi, në arsim dhe në të gjitha shërbimet e tjera njëlloj si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së", u shpreh kreu i ekzekutivit gjatë takimit me banorë të Mirditës. Ai shprehu kënaqësinë për këtë takim me banorët e Mirditës pas kthimit në realitet të ëndrrave të mëdha, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ndërtimit të korridorit të kombit që përshkon Mirditën dhe lidh Shqipërinë me Kosovën. "Shpreh kënaqësinë se gjatë këtyre 4 viteve, në rrethin tuaj ne investuam dhjetëra e dhjetëra herë më shumë se katër vitet e mëparshme. Në Mirditë, nga Skurraj në Fan është investimi i shekullit i këtij vendi, në të cilin janë punësuar mbi 2 mijë qytetarë të Mirditës. Por projekte të tjera të mëdha janë realizuar gjatë këtyre viteve, është investuar në rrugë, në shkolla, në bujqësi. Kemi dyfishuar pensionet e të gjithë fermerëve në Shqipëri, por sot zotohem para mirditorëve se do shkurtoj pesë vite pensionin e minatorëve dhe me efekt prapaveprues", nënvizoi kreu i qeverisë, duke shtuar se këto që janë realizuar në katër vite janë baza më e fuqishme që në katër vitet që vijnë të ndërtohet një Shqipëri europiane. "Mirditë evropiane për mua do të thotë Mirditë me rrugë të asfaltuara nga Kryelura në Skurraj, nga Ulza në Fan. Jam sot për t'u zotuar këtu se të gjitha komunat e rrethit tuaj, të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me autostradën e madhe, me korridorin e kombit. Kam ardhur t'u jap fjalën se kudo që ju banoni nga Kumbulla gjer në Fan, në Gjegjan dhe kudo që ndodheni do të keni ujë 24 orë në shtëpitë tuaja. Katër vitet që vijnë do të rrisim rrogat e pensionet tuaja, duke lënë mbrapa jo dy vende të BE-së, por 6 vende të BE-së", u tha kreu i ekzekutivit, duke premtuar se në katër vitet që vijnë minierat e Mirditës, pasuria përrallore shekullore e këtij vendi do të njohin zhvillimet më të fuqishme. Ai tha se studimet e fundit faktojnë se bakri dhe i përzier me minerale të tjera në Mirditë është një nga pasuritë më të mëdha të Ballkanit e më gjerë. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit theksoi se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e luftës me zero tolerancë ndaj varfërisë. Nuk do të ketë shqiptarë që të marrë nën dy dollarë në ditë, pavarësisht se ku jeton, pavarësisht se çfarë bën", u zotua kreu i qeverisë.

 

Mirdita do t'i japë përgjigjen e merituar armikut të korridorit të shqiptarëve

 

Kryeministri Berisha shprehu dje bindjen se qytetarët e Mirditës dhe mbarë Shqipërisë me mençurinë e tyre në këto zgjedhje do të votojnë për Mirditën europiane për Shqipërinë europiane. Ai shprehu besimin e plotë se qytetarët e Mirditës do t'i japin ndëshkimin e merituar armikut të rrugës, duke e cilësuar atë si armikun e qenies shqiptare. "Unë kam besim të madh se ju, si gjithnjë, do t'u prijë mençuria, do t'u prijë mençuria në këto zgjedhje dhe çdo votë do ta jepni për Mirditën europiane, për Shqipërinë europiane. Unë kam besim tek ju se këtë radhë do t'i jepni ju ndëshkimin e merituar armikut të rrugës. Armiku i rrugës është armiku juaj, armiku i qenies shqiptare. Nuk keni punë asnjë votë ndaj tij", u tha Berisha qytetarëve të Mirditës. Kreu i qeverisë ka ftuar sërish Ramën që të bëhet burrë e të futet në garë. "Prapë më duhet ta ftoj edhe një herë, zoti Rama edhe dy ditë afat ke, dy ditë për t'u bërë burrë, por druaj se ti nuk mund të bëhesh kurrë. Druaj. Vendos të ndryshoj ligjin, ta vësh veten në krye të listës së partisë tënde. E bëj këtë në respekt të socialistëve, të cilët nuk do pranonin kurrë një skenë të shëmtuar të tillë, të shohin kryetarin e tyre që futet nën tavolinën e lejeve të ndërtimit", u shpreh kryeministri, duke iu referuar refuzimit të Ramës për të mos kryesuar listën e kandidatëve të PS-së. Gjithashtu, kryeministri ftoi qytetarët e Mirditës që të aplikojnë për t'u pajisur me dokumentet e reja të identitetit, duke nënvizuar se në këtë mënyrë ata barazohen në këtë aspekt me qytetarët europianë. "Do ju bëj thirrje vëllazërore, i merrni të gjithë letërnjoftimet e reja, merrini se janë dëshmia e teknologjisë më moderne për identitetin e qytetarëve, merrini se me to ne barazohemi me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës dhe botës për sa i përket dëshmisë së identitetit. Merrini dhe votoni të gjithë, në mënyrë që të firmosim së bashku kontratën tonë me të ardhmen për Mirditën evropiane, për Shqipërinë evropiane", nënvizoi më tej kryeministri.

 

 

Mijëra qytetarë lezhianë rikonfirmojnë mbështetjen ndaj kryeministrit për mandatin e dytë qeverisës

Berisha: Të bashkohemi për realizimin e ëndrrës shekullore, "Shqipërinë në BE"

 

Partia Demokratike çel fushatën e saj elektorale të fitores në një tjetër qytet, në Lezhë. Në një takim të mbushur me mijëra e qindra të rinj e të reja, qytetarë dhe qytetare të Lezhës, kryeministri Berisha prezantoi çelësin e mandatit të dytë qeverisës, programin e Shqipërisë europiane. Duke përshëndetur përzemërsisht qytetarët e Lezhës, kryeministri Berisha theksoi se Partia Demokratike ecën drejt mandatit të dytë qeverisës, drejt ëndrrës më të madhe të shqiptarëve për dekada e dekada me radhë, drejt vendimit jetik të Shqipërisë anëtare të BE. Duke theksuar se qytetarët shqiptarë e meritojnë të jenë qytetarë anëtar të BE, kryeministri i ftoi ata që t'i bashkohen kësaj mazhorance për ta bërë edhe këtë ëndërr ashtu si anëtarësimin në NATO, realitet. "Ne ecim drejt katërvjeçarit të ardhshëm me vendimin e madh se bashkërisht do të ndërtojmë Lezhën evropiane dhe Shqipërinë evropiane. Them bashkërisht, sepse ne nuk duam të përjashtuar pasi projekti evropian, projekti i Lezhës evropiane, projekti i Shqipërisë evropiane është ëndrra më e bukur e të gjithë shqiptarëve. Atë e meritojnë të gjithë shqiptarët. Ndaj, i ftoj të gjithë të bashkohen me ne dhe të vazhdojmë ndryshimin", u shpreh kryeministri. Duke u ndalur tek prioritetet më të rëndësishme të qeverisë për katër vitet e ardhshme, kryeministri Berisha theksoi se fshati shqiptar do të gëzojë të gjitha standardet e fshatrave europiane. Në këtë kontekst, ai theksoi se qeveria do të investojë pa hezitim për asfaltimin e çdo rruge të fshatrave të Shqipërisë, duke siguruar njëkohësisht ujë pa ndërprerje. Po ashtu, kryeministri theksoi se qeveria do të vijojë me politikën e saj të rritjes së pagave dhe pensionve dhe, në këtë kontekst, kryeministri shprehu garancinë se pensionet e fermerëve të fshatit do të barazohen me ato të qytetit. "Ne, në katër vitet që vijnë, fshatin shqiptar do ta shndërrojmë në fshat evropian. Zotohem sot në këtë shesh se në të gjitha fshatrat e këtij rrethi dhe në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, ne do të asfaltojmë rrugë, do të furnizojmë çdo shtëpi me ujë të pijshëm 24 orë, do t'u krijojmë shërbime njësoj si në qytet. Fshati shqiptar do të llamburitë si lagje e një qyteti të këtij vendi. Pensionet dhe pagat do të njohin rritjen më të madhe të në historinë e këtij vendi. I premtoj fermerëve të fshatit se pensionet e tyre do të barazohen me pensionet e qytetit", tha më tej kryeministri.

 

Rama kërkon votën e qytetarëve duke u fshehur pas karriges së Bashkisë së Tiranës

 

Kryeministri i bëri swrish dje ftesë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njwkohwsisht kryetar i PS-sw, Edi Rama, për të shfrytëzuar rastin e dhënë nga qeveria për të hyrë në garën e zgjedhjeve parlamentare. Kryeministri theksoi se, një lider që nuk hyn në garë nuk mund të kërkojë votën e qytetarëve për të qeverisur vendin, duke u fshehur pas postit të kryetarit të Bashkisë. "Ftoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës që të shfrytëzojë shansin që po i jap. I mbeten edhe tre ditë dhe në rast se do, do t'ia ndryshoj ligjin që të dalë në krye të betejës, ashtu siç kërkon rregulli demokratik, ashtu siç kërkon tradita demokratike. Zoti Rama, unë dhe ti nuk mund t'i kërkojmë kurrkujt kurrë votën në qoftë se nuk e vëmë veten tonë në provë për këtë votë. Prandaj dhe dil, mos ki frikë, sepse qytetarët do të të japin ty dhe mua atë që meritojmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për verdiktin e tyre. Mos u fshih pas karriges së Bashkisë", tha kryeministri. Ai garantoi se programi i Lezhës evropiane, programi i Shqipërisë evropiane do të shndërrohet në mirësi për çdo qytetar shqiptar, do të shndërrohet në rritje të pagave dhe pensioneve, do të shndërrohet me hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune, do të shndërrohet në ujë 24 orë për familjet shqiptare kudo që janë. "Dua të garantoj të gjithë banorët e Kodër Marlekajt se ujësjellësi i përfunduar do të inaugurohet shumë, shumë shpejt. Nuk kemi as edhe një ditë kohë për të humbur. Ne notojmë në ujë dhe qytetarët tanë nuk mund të kenë etje për ujë. Ndaj edhe projekti ynë i dytë, pas energjisë, është ujë 24 orë. Le të kthejmë së bashku lavdinë tonë elektorale të 22 marsit, fitoren e madhe të ëndrrave tona", tha në vijim kryeministri. Më tej, ai shprehu garancinë se në katër vitet që vijnë, Shqipëria do të parakalojë gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe në fund të këtij mandati do të jetë e gatshme për verdiktin përfundimtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. "Qytetarët e Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të jenë qytetarë evropianë atëherë kur ata të gëzojnë punën, të punojnë dhe të mbrothësojnë veten dhe familjen e tyre, shtetin dhe vendin e tyre. Në këto katër vite ne së bashku bëmë që Shqipëria të renditet e dyta në botë për suksesin e reformave dhe Lezha të renditet në krye të Shqipërisë për thithjen e investimeve të huaja. Vetëm në Lezhë, vetëm në rrethin tuaj, gjatë muajve të fundit janë thithur rreth 2.8 miliard euro investime dhe 1 miliard euro investime të tjera janë në përgatitje e sipër", tha më tej kryeministri.

 

Me gërshërët e ligjit u prenë duart e zeza të korrupsionit

 

Një nga betejat më të ashpra të qeverisë në katër vitet që shkuan ishte lufta kundër korrupsionit, betejë e cila mundësoi për të gjithë qytetarët shqiptarë një buxhet me të ardhura shumë herë më të larta se në tetë vitet e qeverisjes socialiste. Kryeministri Berisha ka vlerësuar se qeveria me reforma të thellë ia doli që në kohën e krizës së thellë ekonomike ta nxjerrë Shqipërinë si vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë. "Së pari, dëshiroj t'ju përshëndes vëllazërisht dhe të përulem me nderim të thellë para jush, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj. Unë vij sot krenar tek ju, sepse që nga dita që mbylli sytë burri më i shquar i kombit tonë, Skënderbeu, ne i rikthyem në këto katër vite Shqipërisë dhe Lezhës ëndrrën e tij evropiane. Lezha dhe Shqipëria janë sot anëtare të Aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur, anëtare të NATO-s. Ne takohemi sot së bashku pasi me reforma të thella, me djersë dhe mund, me sakrificë, me dinjitet ia dolëm të nxjerrim Shqipërinë në kohën e krizës më të thellë ekonomike, në krye të rritjes ekonomike në Evropë", tha kryeministri. Gjithashtu, ai vlerësoi se falë reformave të thella e të gjithanëshme, qeveria ia doli që Shqipërinë ta bënte një vend aplikant për në Bashkimin europian. Kryeministri theksoi se, angazhimi dhe përkushtimi serioz i kësaj qeverie mundësuan që të gjitha premtimet elektorale të vitit 2005, në vitin 2009 t'i bëjë të prekshme dhe të realizuara për të gjithë qytetarët shqiptarë. "Ne takohemi sot krenar dhe shohim me gëzim të madh njëri-tjetrin drejt e në sy, sepse ne së bashku në këto katër vite ia dolëm ta bëjmë Shqipërinë të përshtatshme për të aplikuar për vend anëtar të Bashkimit Evropian. Këto katër vite me mund, me djersë dhe me përpjekje të mëdha ia dolëm të mbajmë premtimet tona. Ju na besuat, ne mbajtëm premtimet tona. Ne dyfishuam pagat dhe pensionet dhe sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që lë mbrapa, për rrogat dhe pensionet, qytetarët e dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne ju premtuan juve se me gërshërën e ligjit do të presim dorën e zezë të korrupsionit. Ne ia dolëm së bashku që në këto katër vite të nxjerrim nga kthetrat e tij të zeza 4.2 miliard dollarë dhe të penalizojmë, t'u tregojmë vendin, dhjetëra e dhjetëra zyrtarëve që shtrinin duart në kontot dhe në xhepat tuaj", tha kryeministri. Katër vitet e shkuara, tha ai, në përputhje me programin që ju besuat, ne e shndërruam Shqipërinë në një kantier të vërtetë ndërtimi. Në këtë kontekst, ai tha se në mbarë Shqipërinë qeveria asfaltoi 5900 km rrugë, ndër të cilat edhe korridorin e kombit, rruga Durrës-Lezhë-Morinë-Prishtinë.

 

28 qershori shans historik për zgjedhje me standarde europiane

 

Kryeministri Berisha i cilësoi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit si një shans historik për të zhvilluar për herë të parë në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë kontekst, edhe njëherë kryeministri Berisha bëri thirrje për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimet e reja elektronike për të ezauruar nismën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. "28 qershori po vjen dhe në këto zgjedhje ne kemi një shans historik. Shansi ynë është sepse për herë të parë ne mund të votojmë si anglezët, gjermanët dhe francezët, me dëshmitë më të mira të identitetit tonë. Ndaj, dua t'ju bëj thirrje që t'i merrni letërnjoftimet e reja, sepse janë fytyra juaj e re moderne dhe na barazojnë ne me të gjithë qytetarët e vendeve më të zhvilluara evropiane. Ato i bëjnë zgjedhjet tona të shkëlqyera, të lira dhe të ndershme. Ndaj dhe unë ju ftoj që javën që vjen të mos mbetet qytetar demokrat, socialist, republikan, qytetar i çdo bindjeje politike pa marrë letërnjoftimin", tha kryeministri. Më tej, ai ftoi qeveritarët vendorë dhe kandidatët për deputetë të të gjitha partive që të bëjnë përpjekjet më të mëdha, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të marrë letërnjoftimet.

 

Shqipëria, lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan

 

"Lezha dhe Shqipëria do të jenë lider në tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkan, do të jenë njëshi në Evropë për rritjen ekonomike, do të jenë njëshi në Evropë për thithjen e investimeve të huaja". Kryeministri Berisha ka vlerësuar se në katër vjet në qytetin e Lezhës dhe komunat përreth saj qeveria ka investuar për rrugë, për shkolla, për kanalizime dhe ujësjellës, 12 herë më shumë se sa katër vite më parë. "Jam këtu për t'u zotuar para jush se do të merrni edhe 24 herë më shumë, derisa në katër vite çdo rrugë dhe rrugicë e juaja të asfaltohet, derisa çdo shtëpi e këtij rrethi dhe e mbarë Shqipërisë të ketë ujë 24 orë, derisa çdo shkollë e këtij rrethi të jetë e re apo e rindërtuar. Ne do ta bëjmë Lezhën evropiane, do ta bëjmë Shqipërinë evropiane. Kjo do të thotë se ju, lezhianët dhe mbarë qytetarët shqiptarët, do të gëzoni të drejtat, do të gëzoni të ardhurat, do të gëzoni shkollimin, do të gëzoni shërbimin shëndetësor, do të gëzoni infrastrukturën dhe punësimin njëlloj si qytetarët e disa vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian. Këtë rrugë të ndryshimeve të mëdha, këtë turravrap të ndryshimit tonë, ne e kemi garë dhe garë jo të lehtë", tha kryeministri.

Blerina TOSLLUKU

 

 

Kryeministri Berisha çel me një miting madhështor fushatën e fitores në qytetin e Fushë-Krujës

Shpifjet antikombëtare të Ramës do të ndëshkohen më 28 qershor

 

Kryeministri Berisha theksoi nga Fushë Kruja, nga qyteti ku Edi Rama përdhosi ndjenjat kombëtare për vizitën historike të Presidentit të SHBA, Bush, se trillimet dhe mashtrimet monstruoze të kryetarit të PS-së do të ndëshkohen me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë më 28 qershor. "Këtu në Fushë Krujë u bë historia. Këtu erdhi për t'u takuar me ju Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t'ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur. Asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t'i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t'ju gjuaj juve fshehtas," tha kryeministri. Ai i ftoi qytetarët e Fushë Krujës dhe të të gjithë Shqipërisë t`i bashkohen programit jetik të kësaj mazhorance drejt rrugës së Shqipërisë europiane. Kreu i qeverisë tha se në katër vitet e mandatit të dytë qeverisës, Shqipëria do të kapë një horizont në të cilin do të realizohen ëndrrat jetike të shqiptarëve. "Ndaj të ecim së bashku drejt 28 qershorit. Të vazhdojmë rrugën së bashku. Rruga jonë nuk ka kthim. Të vazhdojmë ndryshimin. Katër vitet që vijnë, ne së bashku do ta ngremë Shqipërinë në një horizont që syri ynë akoma nuk e kap. Së bashku me Shqipërinë, do të ngremë veten tonë, do të ngremë fëmijët tanë, do të ndërtojmë për ta e për vetë Shqipërinë europiane, shtëpinë e ëndrrave të tyre, shtëpinë më të bukur të shqiptarëve", vijoi më tej kryeministri. Duke përshëndetur përzemërsisht qytetarët e Fushë Krujës, kryeministri shprehu krenarinë për të kërkuar votën e qytetarëve të Fushë Krujës pas katër vitesh të përmbushjes së premtimeve të dhëna. Kështu, kryeministri vlerësoi vizitën e Presidentit Bush, anëtarësimin në NATO, investimet e mëdha dhe të shumta në këtë zonë si kurorën e sukseseve të qeverisë për t'i dalë ballë për ballë sfidave të reja të mandatit të dytë. "Së bashku me ju mblidhemi në këtë qytet si qytetarë të NATO-s, mblidhemi në këtë qytet që u bë i njohur në Shqipëri dhe në mbarë botën për mikpritjen e zjarrtë e vëllazërore që i rezervuan Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vizitën e tij të parë historike në Shqipëri. Dashuria, respekti dhe mikpritja e shqiptarëve shkëlqyen më mirë dhe më shumë se kurrë në sheshet dhe zemrat e qytetarëve të Fushës Krujës. Ne mblidhemi sot në këtë qytet, pasi kemi investuar gjatë këtyre katër viteve në rrugët e qytetit dhe të komunave të Bashkisë Fushë Krujë, kemi asfaltuar mbi 20 kilometra rrugë, kemi ndërtuar ujësjellës për 5-6 fshatrat e saj, kemi investuar në shkolla, në qendra shëndetësore. Faktikisht, Fushë Kruja sot ka një infrastrukturë tjetër", tha kryeministri gjatë një takimi tepër entuziast me banorët e Fushë-Krujës, të cilët rikonfirmuan mbështetjen ndaj Partisë Demokratike për një mandat tjetër.

Qeveria e shndërroi Shqipërinë në vendin e suksesit të reformave

Pas katër vitesh, Shqipëria është shndërruar në vendin e suksesit të reformave, në një vend shembull për të gjitha rajonin. Kryeministri Berisha vlerësoi se qeveria më shumë se kurrë ndonjëherë në histori lartësoi emrin e Shqipërisë, duke e bërë atë anëtare me të drejta të plota në NATO, si dhe aplikante për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Gjithashtu, ai ka shprehur se ashtu si në mandatin e parë, edhe në atë të dytin qeveria do të japë një mbështetje të fuqishme për pushtetin vendor, duke financuar çdo projekt që rrit mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. "Unë kam ardhur këtu për t'u zotuar para jush se do të financojmë çdo projekt të kryetarit tuaj të Bashkisë për të modernizuar këtë qytet, për të ndryshuar për mirë jetën tuaj dhe të të gjithë qytetarëve të Bashkisë së Fushë Krujës. Ne mblidhemi sot, pasi ndryshuam dhe lartësuam më shumë se kurrë në histori emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi anëtarësuam Shqipërinë në NATO, pasi e shndërruam atë në një vend që aplikon për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, pasi erdhëm në prag të lëvizjes së lirë në mbarë Europën", tha kryeministri. Më tej, ai shtoi se Shqipëria falë reformave serioze u shndërrua në vendin me lehtësira fiskale më të mëdha në europë. Gjithashtu, ai vlerësoi se falë luftës antikorrupsion, Shqipëria kapërceu në një kohë rekord shumë vende për t'u renditur e 10 në botë në rezultatet e saj kundër kësaj lufte. "Ne mblidhemi sot, pasi kemi shndërruar Shqipërinë në vendin e suksesit të madh të reformave. Shqipëria u rreshtua e dyta në botë për reformat e biznesit, u rreshtua në 10-shen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Prej dy vitesh, Shqipëria kryeson rritjen ekonomike në kontinent, në kohën e krizës më të thellë ekonomike dhe financiare. Katër vitet që vijnë, janë vitet vendimtare të Fushë Krujës europiane, të Shqipërisë europiane", vijoi më tej kryeministri.

 

Subvencionim të gjitha inputeve në mbështetje të fermerëve

 

Vitet që vijnë do të jenë vitet e mbështetjes së fuqishme të fermerëve shqiptarë. Kryeministri Berisha garantoi fermerët shqiptarë se në mandatitn e dytë, qeveria do të subvencionojë të gjitha imputet për sipërfaqet e mbjella në mënyrë që të nxitet rritja e prodhimit vendas. Gjithashtu, kryeministri ka theksuar se në mbështetje të fermerëve qeveria do të rrisë grantet dhe do të rrisë njëkohësisht edhe pensionet e fermerëve, duke i barazuar ato me pensionet e qytetit. "Unë i garantoj fermerët e Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë se qeveria ime do të subvencionojë të gjitha inputet për sipërfaqen e mbjellë, do të financojë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit, do të shumëfishojë grantin për projektet që ata do të paraqesin, do të barazojë pensionin e tyre me atë të qytetit, do të finalizojë të gjithë sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve", tha kryeministri. Katër vite më parë në këtë shesh, tha ai, ju kam premtuar se qeveria do ta shndërrojë Fushë Krujën në një lagje të kryeqytetit të vendit. Sot,u shpreh kryeministri, Fushë Kruja, jo vetëm qyteti, por edhe fshatrat e tij, i kanë të gjitha rrugët e asfaltuara. Sot, vijoi ai, Fushë Kruja dhe 5-6 fshatrat e tij ka furnizim me ujë 24 orë. "Sot, Fushë Krujë ka shkolla moderne, të pajisura me internet. Katër vitet që vijnë, do të jenë vitet e Fushë Krujës plotësisht europiane, vite, kur qytetarët e saj do të paguhen jo vetëm më mirë se dy vende anëtare të BE-së, siç paguhen sot, por do të paguhen në paga dhe pensione më mirë, sesa qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të BE-së". Në katër vite, Shqipëria në punë, qytetarët shqiptarë në punë do të jetë motoja jonë, tha ndër të tjera kryeministri. Ai shprehu sigurinë e tij se kjo qeveri që nxorri nga varfëria 400 mijë shqiptarë, në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetar në këtë vend, pavarësisht nga statusi i tij, që të mos marrë mbi dy dollarë në ditë për të dalë jashtë kufirit të varfërisë. Gjithashtu, ai shtoi se kjo qeveri, që punësoi gjatë katër viteve mbi 80 mijë qytetarë shqiptarë, katër vitet që vijnë do të punësojë së paku 160 mijë shqiptarë.

 

Pajisja me letërnjoftime një përgjegjësi qytetare

Pajisja me letërnjoftimet e reja elektronike, dokumentet me standardet më të larta të sigurisë në Europë, duhet të ngrejë shqiptarët në lartësinë e përgjegjësisë qytetare. Kryeministri Berisha bëri dje thirrje, pavarësisht bindjeve politike, qytetarët shqiptarë duhet të pajisen me letërnjoftimet elektronike si një gjest qytetarie, por njëkohësisht edhe për të plotësuar një standard që i barazon shqiptarët me vendet anëtare të BE. "Ne që asfaltuam në katër vite rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, gjatë katër vitet që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë Krujës dhe Shqipërisë, do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që mbarë shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri dhe më modern, më kohëshkurtër në rajon dhe në Europë. Kam për ju dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë një thirrje vëllazërore. Pavarësisht nga bindjet tuaja politike, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, merrni letërnjoftimet elektronike. Letërnjoftimi elektronik është dëshmia më moderne e identitetit tuaj në Europë. Me letërnjoftimin elektronik ju e barazoni veten me qytetarin e vendit më të zhvilluar në Europë. Merreni letërnjoftimin edhe si dëshmi e një vullneti të hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme", tha kryeministri. Më tej, ai theksoi se secili qytetar ka një shans të madh të japë një kontribut për Shqipërinë europiane, letërnjoftimin. Kryeministri vlerësoi se Shqipëria europiane fillon nga letërnjoftimet e elektronike dhe pasaportat biometrike. "Ndaj ftoj ata që nuk i kanë marrë ende, t'i marrin. Ftoj të gjithë këshilltarët, kryetarët e komunave e të bashkive të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, të bëjnë çdo përpjekje që qytetarët e bashkive dhe komunave të tyre të pajisen brenda javës me letërnjoftimet elektronike. Ftoj militantët e të gjitha partive politike të ndihmojnë mbështetësit dhe simpatizantët e tyre për të marrë letërnjoftimet elektronike. Shqipëria elektronike është e ardhmja jonë", vijoi më tej kryeministri. RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Është prezantuar koalicioni i vëzhguesve vendës (06.08.2009)
Berati i bashkohet marshimit të fitores: Boshti i Jugut, projekti infrastrukturor madhoir i mandatit të dytë (06.06.2009)
Lëvizja e lirë, punësimi, infrastruktura, fshati, arsimi, pagat, pensionet dhe shëndetësia, prioritetet e PD (06.05.2009)
Komisioni Amerikan i Helsinkit: Zgjedhjet test për në BE, kartat problem (06.04.2009)
Berisha: Shqipëria është shndërruar në vend të besuar për biznesin (06.04.2009)
Daci kritikon Prishtinën zyrtare për diplomaci të dobët (06.04.2009)
Kryeministri inauguron terminalin e depozitimit të karburanteve, në Vlorë, një investim me vlerë 57 milionë euro (06.04.2009)
Programi elektoral i Polit të Lirisë (06.03.2009)
Liberation: Një vështrim nga Shqipëria (06.03.2009)
The Muslim News: Njiheni pavarësinë e Kosovës (06.02.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]