VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TË RIBOTOHEN 'RREGULLAT E DREJTSHKRIMIT' TË PËRMIRËSUARANga GJOVALIN SHKURTAJ, Akademik

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 01:28pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
TË RIBOTOHEN 'RREGULLAT E DREJTSHKRIMIT' TË PËRMIRËSUARA
Nga GJOVALIN SHKURTAJ, Akademik

E Enjte, 04.18.2013, 09:22am (GMT+1)




Zonjë e nderuar së cilës duhet t'i blatojmë gjithë dashurinë, kujdesin dhe profesionalizmin tonë. Ajo duhet mbrojtur dhe ruajtur me dashuri e përkushtimin më të madh atdhetar e kombëtar. Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme. "Rregullat e drejtshkrimit" dhe "Fjalori drejtshkrimor" duhen ribotuar, duke pasqyruar në to edhe disa përmirësime e ndreqje të pjesshme, por pa e prekur themelin e tyre.

Shumë gazetarë dhe dashamirë të shqipes po na drejtohen me pyetjen: "Çfarë po ndodh me shqipen e drejtshkrimin e saj" dhe, konkretisht se çfarë kemi diskutuar në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik lidhur me materialin e paraqitur nga komisioni i drejtshkrimit", prandaj, edhe një herë, po lejohem të përsëris botërisht qëndrimin tim: Sikundër e kam shprehur edhe disa vjet më parë, në idenë e kumtesës sime për Konferencën Shkencore të QSA-së (2010), i përmbahem këtij koncepti themelor: Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme. Shpjegimet mbeten po ato dhe pikërisht:

Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej, sepse përbën treguesin themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen: brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në trojet kompakte ballkanike dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë.

Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare) i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga vise dhe mjedise të ndryshme shqiptare.

Kam qenë dhe jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se "gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta", si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi gjenial se njeriu "mundet me e dredhë g-juhën" sipas rasteve, rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehejs, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Për mua, gjuha dhe dialektet nuk janë dy ushtri që ndeshen dhe njëra do ta asgjësojë tjetrën, por ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme dhe shkojnë në të njëjtin det të përbashkët. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet "standarde") vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj. Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen përj dialekteve, kur pranohet në standard duhet t'u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

Kam qenë dhe jam, natyrisht, edhe kundër disa "hipertoskizmave" që e kanë dëmtuar sadopak rregullsinë e disa pikave të Drejtshkrimit (si p.sh. i gjerë në vend të "i gjërë", që do të ishte sipas tipit nana>nëna, bana>bëra; disa raste të ë-së fundore; shumësi emrave me nj që mund të ishin me -j të tipit ulli, kufi etj. e të tjera).Për disa prej këtyre dukurive është diskutuar edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit Ndërkademik dhe për këtë, ka edhe një kumtesë për shtyp nga kryesia e Këshillit Ndërkademik, prandaj nuk më duket e nevojshme të zgjatem me shembuj. Po ritheksoj se jam mbështëtës i idesë që në drejtshkrimin e shqipes mund të kishte më pak përjashtime dhe nuk më duket objektiv orientimi "sipas shqiptimit më të përgjithshëm" që u ka paraprirë autorëve të Rregullave në disa raste.

Mendoj se "Rregullat e drejtshkrimit" dhe "Fjalori drejtshkrimor" duhen ribotuar, duke pasqyruar në to edhe disa përmirësime e ndreqje të pjesshme, por pa e prekur themelin e tyre. Sigurisht, ribotimi parakupton edhe një punë të mirë e të ngeshme pasqyruese, pa ngut e diletantizëm, po edhe pa pasione autorësie. Ato janë hartuar nga një grup a komison pune, i nderuar edhe me çmim Republike, porse nuk kanë qenë dhe nuk janë "pronë" e tyre. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.

Unë, personalisht, qenien si anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, themeluar këtu e nëntë vjet më parë, e kam koncpetuar si nder dhe detyrë me rëndësi, sepse ai është si një këshill profesionistësh të gjuhësisë nga mbarë hapësirat shqiptare, që do të merret më shumë me të ardhshmen se me të shkuarën e standardit të shqipes.

Mendoj (dhe ngulmoj të jem me atë ide) se krijimi i këtij Këshilli përbënte një tregues të kujdesit të dy Akademive tona për mbarëvajtjen dhe përkujdesjen e mëtejshme, sa më të mirorganizuar e të mirëstudiuar të masave (edhe shtrënguese) për zbatimin e normës letrare. E kuptuar kështu, kjo detyrë është edhe një nder për të gjithëve sa jemi anëtarë të tij.

Për ndonjë gjë të vogël, kryesisht të pjesshme dhe që vetë praktika e shkrimore dhe botuese ka treguar (e po tregon) se masivisht nuk zbatohet norma, si p.sh. në rastin e Europë, europian,-e (në vend të Evropë, evropian,-e) dhe ndonjë tjetër dukuri të tillë të pjesshme, natyrisht që Këshilli mund të dalë me propozimin për ndryshim. Po ashtu, kam qenë dhe jam për të marrë qëndrim të prerë edhe ndaj thyerjeve të normës letrare nga njerëz që identifikojnë gabimisht çdo toskizëm me standardin. P.sh.: shqiptimet e tipit vënd, zëmër, fëmër, ëmër etj. po edhe dukuri të tjera që unë i kam quajtur "hipertoskizma" të papranueshme nga norma e standardit. Mund të bëjmë ndonjë përmirësim që e lejon sistemi morfologjik, si p.sh. problemi i mosshkruarjes së ë-së fundore te emrat e tipit ballë, lumë, që kemi diskutuar në mbledhjen e parafundit në Prishtinë, por unë nuk kam qenë dhe nuk jam kurrsesi që Këshilli ynë të mund të marrë vendime e masa për t'i shkuar përmbrapa shqiptimit krahinor apo për t'u stepur para prurjeve të "substandardeve".

Qëndrimet mohuese të gjuhës shqipe të njësuar e të përbashkët, ngado që të vijnë, janë të papranueshme dhe vetëm e shqetësojnë opinionin e njerëzve të ndershëm, që e kanë dashur dhe e duan shqipen standarde, sepse e kanë parë dhe vijojnë ta shohin atë si tregues e shenjë të përbashkësisë dhe të njësimit të mëtejshëm shpirtëror e kulturor të shqiptarëve.

Përfshirjen time në Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe e kam parë dhe vijoj ta shoh si pjesë e detyrimit të ngutshëm kombëtar e shkencor për ta mbrojtur gjuhën shqipe, së pari nga fjalët dhe trysnia morfosintaksore e huaj, po edhe nga "byku" e "kashta" që hyn nga duar të njerëzve të pamësuar (po edhe që nuk duan të mësojnë), mua më keni gati ditë e natë të vij në mbledhje e të bashkëpunoj.

Kam thënë dhe do të vijoj të kërkoj që Këshilli ynë duhet të bëjë një plan pune që na shpie në aso fushash që i kërkon me ngut koha jonë, si p.sh. përmirësimi me çdo kusht i gjuhës së mediave (të shkruara dhe të folura), vendosja me çdo kusht e figurës së korrektorit letrar pranë çdo shtëpie botuese, si dhe në redaksitë e të gjitha gazetave dhe radio-televizioneve publike e private, bashkë me përmirësimin e ngutshëm e të vazhdueshëm të gjuhës së teksteve mësimore, qysh nga abetarja deri në librat për shkollat e larta. Në këtë kuadër, natyrisht, mund të bëhen edhe shqyrtime e vlerësime rreth ndonjë dukurie të drejtshkrimit e të normës së sotme, duke lakmuar sa të jetë e mundur që, pa e prekur as bazën as sistemin e standardit, të sillen edhe prurje pasuruese e të atilla që e shtojnë peshën specifike të risive dhe prurjeve gjuhëkrijuese të shkrimtarisë dhe ligjërimeve të sotme prej mbarë hapësirave shqiptare. Shqipja standarde është një Zonjë e nderuar së cilës duhet t'i blatojmë gjithë dashurinë, kujdesin dhe profesionalizmin tonë.


GJOVALIN SHKURTAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NELAJT E KUKËSIT NË AMERIKËIntervistë ekskluzive nga ZEQIR LUSHAJ & BESMIR VATOCI (04.18.2013)
DR. BERISHA, PAÇ JETËN E ISUF REXHËS, QË E RILINDËT SHQIPËRINË QYSHSE PREJ 1990NgA RAMIZ LUSHAJ (04.18.2013)
TOPONIME TË LUBOZHDËS (NËNGURRËS)Nga SELIM M. NËNGURRA (04.17.2013)
GJUHËSI - NDRYSHON DREJTSHKRIMI I 5296 FJALËVE (04.16.2013)
REZOLUTA ÇAME DHE POLITIKA SHQIPTARENga BEHAR GJOKA (04.15.2013)
ZONA E RE INDUSTRIALE MES TIRANËS DHE DURRËSIT (04.15.2013)
S'BAHET SHTETI ME XEXERICANga AGIM VUNIQI (04.13.2013)
JO MË TEPËR, EDHE NËSE BEOGRADI NA E NJEH SOT PAVARËSINËNga ADRIATIK KELMENDI (04.13.2013)
ALBINOT MALOKU - 'DEBATI' I JEREMIQIT ËSHTË CIRKUS (04.12.2013)
VLLAZNIA LAVIRJA E RADHËS NË DUART E POLITIKËSKoment nga REDAN BUSHATI (04.12.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]