Tre
vjet më parë anija e hapësirës Enterprise u bë pjesë e relikeve
historike, kur u përfshi në fondin e Muzeut të Detit, Ajrit dhe
Hapësirës në Nju Jork. Më 27 prill të këtij viti, kjo anije iu dedikua
kujtimit të astronautëve që kanë dhënë jetën në misionet e njerëzimit
për të zbuluar misteret e gjithësisë.
Të afërm të astronautëve të anijeve Apollo 1, Challenger dhe Columbia
u mblodhën më 27 prill në Nju Jork për ceremoninë e dedikimit të anijes
Enterprise. Në pllakën përkujtimore thuhet "Enterprise prototipi që
hapi rrugën për programet hapsinore, i dedikohet sot ekipeve të
guximshme që u shërbyen programeve amerikane të hapësirës dhe dhanë
jetën në ndjekje të dijes, ekslorimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar".
Enterprise ishte anija e parë orbitale e NASA-s. Ajo ishte prototipi
që zhvilloi teste brenda atmosferës së Tokës në 1977, të cilat më pas
hapën rrugën për fluturimet në hapësirë.
June Scobbee Rodgers ishte bashkëshortja e Francis Dick Scobee,
komandant i misionit hapsinor të anijes Challenger që shpërtheu pak pas
nisjes më 28 janar
"Im shoq Dick Scobee ishte komandant i anijes Challenger, por ai
ishte edhe një ndër pilotët e testimit të anijes Enterprise. Prandaj ky
dedikim është shumë kuptimplotë për ne".
Një tjetër mision fatal ishte ai i anijes Columbia që shpërtheu gjatë
kthimit në atmosferën e Tokës më 1 shkurt 2003, duke vrarë ekuipazhin
me shtatë pjesëtarë. Evelyn Husband-Thompson, e veja e komandantit të
anijes Columbia, Rick Husband shprehu mirënjohjen për ceremoninë dhe
nderin që i bëhet familjes:
"Është një nder shumë i veçantë që jemi mbledhur me familjet e
tjera. Ne kemi qenë shumë afër me njëri-tjetrin, pasi kaluam tragjedi të
ngjashme. Prandaj ka rëndësi të veçantë që jemi së bashku për
dedikimin".
Ceremonia u zhvillua edhe në kujtim të anijes Apollo 1, ku tre
astronautë gjetën vdekjen nga një zjarr që shpërtheu në kabinë gjatë një
udhëtimi-provë. Aksidenti çoi në zhvillime të rëndësishme teknologjike
dhe parametra të reja sigurie për udhëtimet në hapësirë. Lowell Grissom
është vëllai i Virgil Grissom, pilot i anijes Apollo që vdiq nga
aksidenti:
"Ndjej një kënaqësi dhe nder të madh që këta heronj po nderohen
sot. Ata kanë dhënë shumë për përparimin e programeve hapësinore dhe
fakti që ndodhem këtu me familjet e tjera të fluturimeve në hapësirë
është nder i madh për mua".
NASA e mbylli programin e saj të fluturimeve në hapësirë në fund të
vitit 2011. Që nga krijimi i tij e deri në mbylljen në vitin 2011,
programi kishte regjistruar 135 misione për vajtje-ardhje në hapësirë. za