Para një viti, në trazirat në qytetin port të Ukrainës Odesa humbën
jetën mbi 50 vetë, shumica prej tyre ishin aktivistë prorusë. Hetuesit
besojnë se ngjarjet kanë pasuar njëra-tjetrën. Shumë dyshime mbeten.
Sheshi Kulikov është pa njerëz.. Vetëm qenë që vijnë vërdallë të zë
syri. Shtëpia e Sindikatave mban deri sot gjurmët e tragjedisë, e cila
ndodhi para një viti: blozë në mure, dritare pa xhama. Ndërtesa, dikur
rezidenca e partisë komuniste të lë përshtypjen e një kështjelle. Në
trazirat në Odesë më 2 maj 2014 ishin rreth 400 vetë që u përpoqën të
mbrohen pas mureve të saj të trasha. 42 gjetën vdekjen.
Ngjarje me rëndësi kyçe për separatistët
Në një zjarr, shumica u asfiskuan ose vdiqën nga djegiet. Disa kërcyen
nga dritaret, për t'u shpëtuar flakëve. Kjo ishte pika kulmore e
betejave me orë të tëra në rrugë midis aktivistëve proukrainas dhe
prorusë, në të cilat më parë vdiqën gjashtë vetë nga të shtënat. Pati
qindra të plagosur. Për shumë vetë kjo ishte dita më e errët në
historinë e qytetit në Detin e Zi.
Shtëpia e Sindikatave, Odesa
Edhe për Ukrainën Lindore kjo duket të jetë një ngjarje me rëndësi kyçe.
Sepse ndodhi rreth një javë para të ashtuquajturave "referendume" për
shkëputje nga Kievi në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut. Televizioni
rus tregoi kufoma të karbonizuara dhe raportoi se si "nazistët ukrainas"
i patën djegur "të gjallë" bashkëqytetarët e tyre prorusë. Luftëtarë
rusë në anën e separatistëve tregonin në intervista se i pati frymëzuar
"ferri i Odesës".
Një provokim i dalë jashtë kontrolli
Një monument provizor para Shtëpisë së Sindikatave kujton viktimat. Ka
fotografi, lule, kurora dhe qirinj. "Është një traumë e rëndë", thotë
Serhij Dibrow, gazetar dhe dëshmitar. Një gjë të tillë, Odesa e tij, e
njohur për tolerancë dhe gëzim në jetë, nuk kishte parë kurrë më parë.
"Është në kundërshtim me traditën e qytetit", thotë 42 vjeçari. "Këtu
problemet zgjidhen me mjete paqësore."
Sergej Dibrow, gazetar qe perjetoi ngjarjet
Dibrovi është anëtar i "Grupit të 2 majit". Kështu quhen gazetarë,
ekspertë dhe aktivistë, të cilët kanë kryer hetimet e tyre. Pak para
përvjetorit të parë të ngjarjeve grupi i paraqiti rezultatet: tragjedia e
Odesës ishte një provokim i dalë jashtë kontrollit.
Këtë e beson edhe Urs Schwinger. Gjermani ka në Odesë një firmë të vetën
të IT. "Unë isha në mëngjes në stacionin e trenit dhe u frikësova
shumë: nga stacioni dolën njerëz me armë zjarri në duar", thotë ai. 49
vjeçari shton se ata mbanin shirita portokalli dhe të zeza - një simbol i
aktivistëve prorusë. Betejat në qendrën e qytetit Schwingeri i ndoqi në
rrugë para televizorit. U bënë përpjekje që në Odesë të krijohet e
njëjta situatë si në Donjeck: "Unë mendoj se situata doli jashtë
kontrollit, por fillimi ndodhi me provokimin prorus."
Skena gjahu në mes të qytetit
Një vështrim pas: në maj 2014 Ukraina është e përfshirë nga kryengritja.
Në qytetet e Ukrainës Lindore burra të armatosur pushtojnë stacione
policie dhe ndërtesa të administratës. Në Odesë gjendja mbetet
relativisht e qetë, por edhe këtu aktivistë prorusë kanë ngritur çadra
në sheshin Kulikowe-Pole.
Për atë 2 maj ishte planifikuar një ndeshje futbolli. Para saj, në
qendër të qytetit kalojnë mijëra sportdashës proukrainas, midis tyre
edhe huliganë, por edhe qytetarë të thjeshtë. Ata sulmohen me gurë dhe
shkopinj nga aktivistët prorusë. Madje hapet edhe zjarr. "Aktivistët e
sheshit Kulikowe-Pole nisën të përdorin armët", thotë Dibrow. I pari nga
gjithsej 50 të vrarët në këtë ditë është një aktivist proukrainas.
Odessa, 2.5.2015
Dështimi i policisë
Pas vrasjes së tij, gjendja u shkallëzua. Të dyja palët përdorin armët.
Aktivistët proukrainas më të shumtë në numër i dëbojnë kundërshtarët e
tyre nëpër qytet deri në sheshin Kulikowe-Pole.
"Erdhën të rinj të mbuluar me gjak dhe më thanë, duhet të fshihemi në
Shtëpinë e Sindikatave, sepse do të na vrasin dhe djegin", i kujtohet
Switlana Abakamoviçit. Aktivistja 74 vjeçare proruse ndodhet në katin e
dytë të Shtëpisë së Sindikatave, kur godina nis të digjet. Ajo e humbet
vetëdijen disa herë. Në fund fytyra dhe duart i digjen, por ajo mbetet
gjallë.
E qartë është se të dyja palët vepruan në mënyrë shumë brutale. Këtë e
konfirmojnë shumë regjistrime në video. "Unë isha dëshmitar kur para
Shtëpisë së Sindikatave u hap zjarr kundër aktivistëve prorusë, që u
përpoqën të shpëtojnë njerëz nga godina që po digjej, " tregon Dibrow.
Ai vetë dhe kolegët e tij ia japin fajin policisë: "Po të kishin vepruar
si duhet policia dhe mbrojtja nga katastrofat, nuk do të kishte pasur
kaq shumë të vrarë". Abakamoviç e konfirmon këtë: "Policët bënë sikur
nuk shikonin".
Switlana Abakamowitsch - dëshmitare
Njëra nga çështjet më të rëndësishme mbetet pa përgjigje
Në një përfundim të ngjashëm arrin edhe prokuroria. Policia akuzohet se
nuk i pengoi trazirat. Përsa i përket numrit të madh të të vdekurve në
Shtëpinë e Sindikatave, nuk u gjetën as dëshmi për zjarrvënie, as për
përdorim të gazit helmues. Zjarri pati shpërthyer në një barrikadë prej
druri në hollin e Shtëpisë së Sindikatave, kur të dyja palët patën
hedhur shishe me lëndë djegëse. Përmes një "efekti vatër", zjarri u
përhap shpejt. Të bie në sy që autoritetet konfirmuan tezat e ndihmësve
vullnetarë.
Gjithsej u paditën 22 persona, gjysma e tyre ndodhet në burg hetimor. 13
të tjerë ndodhen në arrati, midis tyre një shef policie dhe disa
drejtues të forcave proruse. Më parë pati spekulime se shërbimet e
fshehta ruse patën luajtur një rol në Odesë. Në deklaratën e prokurorisë
për këtë nuk gjen asnjë fjalë.
Një nga çështjet më të rëndësishme, së cilës Serhij Dibrow dhe kolegët e
tij nuk i kanë dhënë përgjigje është: pse nuk bëri asgjë policia? "Nga
frika për të marë përgjegjësi", është përpjekja e tij për shpjegim.
Policia dhe shërbimi i shpëtimit atëherë qenë në një gjendje të
dëshpëruar. Por shumë në Odesë e kanë të vështirë të besojnë se ngjarjet
janë zhvilluar zinxhir, njëra duke pasuar tjetrën. Disa ia japin fajin
Moskës, të tjerët Kievit. Dëshmi të qarta për këto deri tani nuk janë
gjetur.