E Martë, 05.21.2024, 06:13am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
PROKURORIA - BANKA E SHQIPËRISË NUK KISHTE KASAFORTË PËR ÇELËSAT E ARKAVE TË THESARIT
Vjedhësi kishte - dhe i mbante në kasafortën e tij

E Shtunë, 08.09.2014, 08:41pm (GMT+1)



TIRANE - Hetimet për super vjedhjen në Bankën e Shqipërisë janë përqendruar në katër çështje kryesore, siç janë: verifikimi i plotë i mekanizmit të vjedhjes në arkën e bankës; destinacioni i shumës së vjedhur, që deri tani mendohet se është 713 milionë lekë; hetimi pasuror mbi personat e dyshuar si të përfshirë në vjedhje; verifikimi i përgjegjësive për administrimin dhe organizimin e punës, si dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë e bankës. Ky është versioni zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me ecurinë e hetimeve për superskandalin në të cilin është përfshirë Banka e Shqipërisë. Sipas organit të akuzës, veprimet e punonjësve të bankës të dyshuar si të përfshirë në vjedhje, janë verifikuar jo vetëm në sajë të pamjeve filmike, por edhe në sajë të procesverbaleve ku janë shënuar të gjitha provat që grupi hetimor ka arritur të mbledhë për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e bankës.

Prokuroria sqaron se, deklarimi i Ardian Bitraj se ka qenë ai që i ka vjedhur paratë nga Thesari, vërtetohet jo vetëm nga pamjet filmike, por edhe nga gjurmët që janë gjendur në arkat e Thesarit. Treshja e Arkës për Veprim, Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Tusha (Kola), kanë pasur si detyrë për të vendosur plikon në kasafortë brenda mjediseve të dhomës-kasafortë të Arkës për Veprim dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e menaxhimit të çelësave, por që, nga hetimet ka rezultuar se një gjë e tillë nuk është bërë. Ndërkohë, përgjegjësia mbi dy punonjësit e tjerë (Myzejen Belba dhe Lavdim Cani) bie për faktin se që të dy ata ia kanë lënë çelësat e arkës punonjësit Ardian Bitraj, duke shkelur në këtë mënyrë rregullat. Por, nga hetimet e organit të akuzës ka rezultuar se në ambientet e Thesarit të Bankës së Shqipërisë në Linzë, nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të Arkës Trazit dhe Stok. Pikërisht kjo mangësi ngarkon me përgjegjësi ish-drejtorin e Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Dorian Çollaku, i cili aktualisht ndodhet në burg nën hetim për vjedhjen.

Dosja

Gjatë dy javëve të fundit, në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e "arrestit me burg" për 10 persona, të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë; 1 person për "vjedhje duke shpërdoruar detyrën"; 7 për "shpërdorim detyre"; 1 për "shpërdorim detyre" dhe "moskallëzim krimi"; dhe 1 për "moskallëzim krimi". Aktualisht, veprimet hetimore po vijojnë dhe janë përqendruar në të paktën katër çështje kryesore:

1. Verifikimin e plotë të mekanizmit të vjedhjes;
2. Destinacionin e shumës së vjedhur;
3. Hetimin pasuror mbi personat e dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje;
4. Verifikimin e përgjegjësive për administrimin/organizimin e punës, si edhe për zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni. Hetimi mbi këtë ngjarje ka nisur në datën 21.07.2014, kur Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga Banka e Shqipërisë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 5454 për veprat penale të parashikuar nga neni 135, 248 e 300 të Kodit Penal.
Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, publiku, nëpërmjet medias, është vënë në dijeni zyrtarisht në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre dy javëve lidhur me hetimet e deritanishme të zhvilluara mbi këtë çështje, duke respektuar njëkohësisht informacionin që konsiderohet "sekret hetimor".

Në mënyrë të përmbledhur, organi i Prokurorisë paraqet rezultatet deri në këtë fazë të hetimit:

Nga veprimet proceduriale është provuar se: Banka e Shqipërisë aktualisht funksionon në katër ambiente, një ndër të cilat është në Linzë, Tiranë. Këtu gjendet Departamenti i Emisionit, i cili përfshin disa sektorë, ndërmjet tyre, Arka Stok, Dhoma Tranzit dhe Arka për Veprim. Arka Stok është një ambient magazinimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për t'u hedhur në qarkullim, pra kartëmonedhë e re, e pahedhur më parë në qarkullim. Këto para vijnë nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat Banka e Shqipërisë ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Në përbërje të Arkës Stok kanë qenë shtetasit Ardian Bitraj, përgjegjës, si edhe specialistët Lavdim Cani dhe Myzejen Belba. Arka Stok furnizon me fonde Arkën për Veprim, e cila është në të njëjtin departament me Arkën Stok. Në përbërje të Arkës për Veprim janë (kanë qenë) po tre punonjës; përgjegjësi i zyrës, Petrit Ramohitaj dhe dy specialistët të ngarkuar me vlera, Mimoza Bruzia dhe Liliana Kola. Të tre këta formojnë treshen e ngarkuar me vlera, ashtu si tek Arka Stok. Të dyja arkat përfshihen brenda Departamentit të Emisionit.
Arka për Veprim, gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj, seleksionon dhe nxjerr nga tregu si të dëmtuara, çdo ditë fonde të sasive dhe prerjeve të caktuara të lekut. Nga hetimi është provuar se shtetasi i arrestuar Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të Arkës Stok, që gjendet pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas dyshohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash, veprime të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Personi nën hetim Ardian Bitraj, i cili ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë Arkës Stok dhe asaj për Veprim, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej Arkës Stok në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë duhej të asgjësoheshin. Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues, e në vijim si person nën hetim, shtetasi Ardian Bitraj, i cili ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje si e ka realizuar vjedhjen. Nga procesverbali i këqyrjes së vendeve i datës 22.07.2013, konkludohet se rrethanat e shpjeguara nga personi nën hetim Ardian Bitraj, përputhen plotësisht nga konstatimet e bëra në këqyrje. Po kështu, me procesverbalin e sekuestrimit të datës 22.07.2014 janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje me veprën penale, si edhe pamjet filmike të Departamentit të Emisionit. Nga deklarimet e shtetases nën hetim Mimoza Bruzia, me detyrë specialiste e Arkës për Veprim, pranohet fakti se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj vidhte shumë parash në Arkën për Veprim, por nuk e kallëzuar këtë fakt. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë që filmonin ambientet e brendshme të godinës së Departamentit të Emisionit, ka rezultuar se shtetasi Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht në disa data të dokumentuara në këqyrje, ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës Stok (Tranzit).
Ky veprim i këtij shtetasi është në kundërshtim me udhëzimin Nr. 741, datë 28.03.2014 "Mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë".
Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre si dhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të Arkës Stok, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga situata dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash. Fakti që shtetasi Ardian Bitraj ka hapur i vetëm derën kasafortë të Arkës Stok, tregon se nga ana e tresheve të ngarkuara me vlera, si në Arkën Stok, ashtu dhe në Arkën për Veprim, nuk është zbatuar rregullorja përkatëse Nr. 741, datë 29.03.2014. Nga pamjet filmike pasqyrohet fakti se, pas mbylljes së derës kasafortë në Arkën Stok (tranzit), nga ana e treshes së Arkës për Veprim, - të arrestuarve Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Tusha, - nuk janë marrë në dorëzim çelësat e derës, duke i lënë ato në duart e të arrestuarit Ardian Bitraj, i cili në momente të caktuara shkon i vetëm dhe hap derën kasafortë në Arkën Stok, duke marrë sasi të mëdha parash. E njëjta shkelje është konstatuar edhe për dy specialistët e Arkës Stok, të arrestuarit Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, të cilët, pas mbylljes së derës-kasafortë, ia kanë lënë çelësat e tyre shtetasit Ardian Bitraj, edhe pse udhëzimi përkatës i detyronte ata t'i depozitonin çelësat në kasafortën e Arkës për Veprim. Gjithashtu, nga hetimet e zhvilluara është provuar se nga procesverbali i këqyrjes së pamjeve filmike, në departamentin e Emisionit të Bankës së Shqipërisë, të datës 30.07.2014, ka rezultuar se në datat 15 dhe 16 korrik 2014, shtetasi nën hetim Klevis Bejtaj ka shkuar me automjetin e tij tip "Benz" me targë TR xxxx M pranë godinës së Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë dhe është takuar me personin nën hetim, Ardian Bitraj. Ky i fundit, para se të nisej tek makina e shtetasit nën hetim Klevis Bejtaj, ka shkuar tek kasaforta ku depozitonte paratë dhe më pas është drejtuar për në automjetin që drejtohej nga shtetasi nën hetim Klevis Bejtaj, që nga verifikimet rezulton se është nipi i tij.
Rezulton e provuar se Departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin "X" në Linzë në janar 2013, në përbërje të të cilit funksionojnë, krahas të tjerave, edhe të ngarkuarit me vlera në Arkën për Veprim dhe në Arkën Stok. Në këtë departament është shtuar dhe Dhoma Tranzit. Por, pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin, si Arka për Veprim, Arka Stok dhe Dhoma Tranzit, organizimi i punës në këto tri arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore, si udhëzime apo rregullore, por ka vazhduar me rregulloret e vjetra, e konkretisht me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës Nr. 04, datë 16.01.2012 "Për organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit", si edhe udhëzimit Nr. 1798, datë 06.11.2001 "Mbi përdorimin e çelësave të arkave me vlera monetare". Siç konstatohen, këto akte nënligjore nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve është mundësuar dhe kryerja e veprimeve kriminale, vjedhjes së shumave të mëdha në Bankën e Shqipërisë. Urdhri Nr. 1798, datë 06.11.2001 i Bankës së Shqipërisë, mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit deri në datën 28.03.2014 (dalja e udhëzimit Nr. 741), flet për çelësa "dublikatë" dhe jo për çelësa "aktivë". Siç shihet, ky udhëzim nuk rregullon asnjë procedurë mbi përdorimin dhe administrimin e çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë". Për sa më sipër, provohet se Departamenti i Emisionit, nga data 01.01.2013 deri në datë 28.03.2014, në kohën që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku, ka funksionuar pa udhëzime e rregullore konkrete. Bazuar në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës Nr. 13, datë 22.02.2006 "Për miratimin e rregullores për nxjerrjen e akteve juridike", në nenin 5 të tij parashikon përgjegjësinë e Departamentit të Emisionit për hartimin e projekt-rregulloreve dhe projekt- udhëzimeve për funksionimin e këtij departamenti. Mbi bazën e këtij vendimi, personi nën hetim, i arrestuari Dorian Çollaku duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të arkave me vlera monetare pranë këtij departamenti. Në datën 28.03.2014, nga ana e Këshillit Mbikëqyrës, mbi propozimin e Departamentit të Emisionit, është miratuar Rregullorja Nr. 741 "Mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë". Ky udhëzim, konkretisht neni 5, pika 2, ndër të tjera përcakton se: "Përdorimi dhe administrimi i çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë", çelësat e dhomës së tranzitimit përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit. Nga këqyrja e Arkës për Veprim, datë 22.07.2014, si dhe dt. 04.08.2014, rezulton se në këtë ambient nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të Arkës Tranzit dhe Stok. Mosmarrja e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit Nr. 741, datë 28.03.2014, ngarkon me përgjegjësi direkte Drejtorin e Departamentit të Emisionit, personin nën hetim Dorian Çollaku. Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre, si edhe deklarimeve të shtetasit Ardian Bitraj në cilësinë e përgjegjësit të Arkës Stok, deklarimeve të shtetasit Petrit Ramohitaj në cilësinë e përgjegjësit të Arkës për Veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar, dhe kjo ka sjellë për pasojë që shtetasi Ardian Bitraj të përfitojë nga situata dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash. Siç është provuar nga hetimi, si në Arkën Stok, ashtu dhe në Arkën për Veprim, janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisionit, që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku. Nga hetimet e zhvilluara deri tani, rezulton e provuar se, si në Arkën për Veprim, ashtu edhe në mjediset e tjera të përcaktuara në udhëzimin Nr. 741, dt 28.03.2014, mungonte e gjithë infrastruktura për mirëfunksionimin e këtyre arkave me vlera monetare, gjë e cila ka sjellë edhe pasojën e ardhur, vjedhja në të dyja arkat në fjalë e shumave të mëdha monetare, që kapin vlerën e mbi 700 milionë lekëve. Shtetasi në hetim Dorian Çollaku ka pasur për detyrë në bazë të rregullores "Mbi organizmin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit", miratuar me vendimin Nr. 26, dt 27.03.2014 nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, të miratonte manualet e vendit të punës për çdo punonjës, si detyrimin që buron nga neni 25/3 i rregullores së sipërcituar. Kjo, pasi me vendimin Nr. 26, dt 27.03.2014 është shfuqizuar vendimi i Këshillit Mbikëqyrës Nr.4, dt 16.01.2012 "Për miratimin e rregullores "Mbi organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit", i ndryshuar, dhe për rrjedhojë edhe manualet e vendit të punës të punonjësve të këtij departamenti, manuale të cilat nuk janë hartuar dhe miratuar nga personi nën hetim Dorian Çollaku.
AURORA KOROMANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KOSOVË - SHPËTOHEN TRE ARINJ TË VEGJËL (08.09.2014)
KOSOVA NIS MUAJIN E TRETË PAS ZGJEDHJEVE - PA QEVERI TË RE (08.09.2014)
JOSIF LEVI - VENDIMI I IZRAELIT PËR TË MOS NJOHUR KOSOVËN LIDHET MË SHUMË ME KONFLIKTIN TONË PRIVAT (08.09.2014)
KASUMI - MUND TË JENË MBI 450 TRUPA NË RUDNICË (Intervistë) (08.09.2014)
ZIRKON DISHA - FULLAN, HIQ MERCENARËT DHE SHANTAZHISTËT (08.09.2014)
MAQEDONI - POLICIA NDALON PROTESTËN E SHQIPTARËVE PARA GODINËS SË QEVERISË (08.09.2014)
BANKA E SHQIPËRISË - DO TË MERRET NËN HETIME KËSHILLI MBIKQYRËS (08.09.2014)
SHUMICA E RE QEVERISËSE BESON SE KUSHTETUESJA NUK DO TA RIPËRSËRISË VOTIMIN PËR ISA MUSTAFËN (08.08.2014)
FERIZAJ - CERTIFIKOHEN KADETËT E SHBA DHE TË FSK (08.08.2014)
ZËRI I AMERIKËS - NIS PETICIONI PËR SHKARKIMIN E GUVERNATORIT FULLANIVazhdon në këtë mënyrë protesta për largimin e drejtuesit kryesor të Bankës së Shqipërisë pas vjedhjes së saj (08.08.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]