
Në
Prishtinë janë marrë në pyetje 40 personat e arrestuar të hënën nën
dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe Irak. Të gjithë ata janë
të dyshuar për vepra penale, "organizim dhe pjesëmarrje në grup
terrorist, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit kombëtar, racor,
fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, mbajtje në pronësi, kontroll,
posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve".
"‹"‹
Prokuroria e posaçme e Kosovës ka kërkuar që të gjithëve t'i shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të gjitha ata u arrestuan në një operacion të policisë ditën e hënë,
që cilësohet si më i madhi deri tash i drejtuar ndaj personave të
dyshuar për përfshirje në veprimtari radikale. Operacioni që u zhvillua
në shumë komuna të Kosovës sipas policisë pasoi vlerësimet për rrezikun
dhe rëndësinë për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe
ruajtjen e rendit dhe ligjit.
Armë, municione e mjete shpërthyese janë konfiskuar gjatë operacionit
në të cilin ishin përfshirë qindra pjesëtarë të policisë e cila beson
se të arrestuarit kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe
njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç
janë, Al Nusra dhe Shteti Islami i Irakut dhe Levantit.
Operacioni i së hënës ishte me i madhi deri tash pas shqetësimeve në
rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen
militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por
shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova,
Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e
militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16
qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.
Autoritetet thanë se operacioni do të vazhdojë dhe ai mund të përfshijë edhe nxitësit dhe rekrutuesit e mundshëm.
Operacioni i policisë u mirëprit nga institucionet vendase e
ndërkombëtare si dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës e cila bëri thirrje
kundër atyre që përkrahin e nxisin gjuhë të urrejtës, interpretim të
ngushtë të mësimeve fetare dhe politizim të besimit. Ajo u ka bërë
thirrje qytetarëve që, siç thuhet, të mos bien pre e individëve të
papërgjegjshëm e të pa adrese që manipulojnë besimin për qëllime
johumane e jo fetare dhe në veçanti të rinjtë që të mos bien pre e
grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e
njëfarë Halifati".
Operacioni është mirëpritur edhe nga ambasadat e euro perëndimore të
cilat u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të zgjerojnë mjetet
ligjore në mënyrë që të luftohen sfidat e tilla të sigurisë.
Në pranverë, parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që
ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit,
një punë e mbetur përgjysmë që pret fillimin e punës së parlamentit të
ri tashmë të bllokuar nga një ngërç politik.