ARRESTOHEN 40 VETA QË DYSHOHET SE LUFTUAN NË IRAK E SIRI
E Hënë, 08.11.2014, 10:30am (GMT+1)
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 40 persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak pas bastisjeve të kryera në 60 lokacione.
Sipas njoftimit që është publikuar edhe në faqen e internetit të Policisë së Kosovës, thuhet se personat e arrestuar kanë luftuar "përkrahë organizatave të shpallura terroriste (ISIS dhe Al Nusra)".
"Ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës", thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Arrestimi është bërë me dyshimin se personat në fjalë sipas Policisë kanë kryer Veprën Penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës", vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal.
Policia e Kosovës ka zbuluar edhe inicilat dhe ditëlindjet e personave të arrestuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se operacioni po vazhdon edhe në këto momente.
Aksionin e e së hënës të policisë e ka përshëndetur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në një komunikatë nga zyra e presidentes, thuhet se zonja Jahjaga e ka "mirëpritur dhe vlerësuar lart aksionin e ndërmarrë të hënën nga mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë...ndaj të dyshuarve për terrorizëm, për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe Irak".
"Presidentja Jahjaga vlerësoi se qëllimi i operacionit - përmes të cilit u bë ndalimi i një numri të madh të dyshuarve dhe u bastisën shumë lokacione në nivel vendi, duke penguar veprimtari ilegale që ka për qëllim inkuadrimin e qytetarëve të Kosovës në kauza terroriste - është që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë", thuhet në komunikatën e Presidences.
Presidentja Jahjaga e ka përsëritur deklaratën e bërë të para disa ditëve se Kosova "nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues".
www.voal-online.ch
|