Dita
ndërkombëtare e të rinjve u prit në Shqipëri me një seri veprimtarish,
ndërsa shkollimi dhe papunësia e tyre mbeti në qendër të vëmendjes.
Krahas përpjekjeve shtetërore edhe organizata joqeveritare ndihmojnë të
rinjtë të marrin një profesion dhe të vetëpunësohen. Organizata World
Vision ka mbështetur mbi 250 të rinj në Librazhd që të ndjekin kurse
profesionale dhe më pas të punësohen në biznese të vogla.
"‹"‹
Një pjesë e të rinjve jo vetëm kanë marrë profesione, punojnë në
firma ekzistuese, por edhe kanë hapur vetë biznese të vogla. Arbër
Karamuça është njëri prej atyre, që ndoqi kurset profesionale me
mbështetjen e kësaj organizate. World Vision po ndihmon 260 komunitete
në të gjithë vendin dhe numri i përfituesve është rreth 630 mijë
persona.
Projektet japin një ndihmë zinxhir nga brezi në brez nga fëmijët tek
prindërit, në mënyrë që numri i përfituesve të jetë sa më i madh.
Koordinatorja e kësaj organizate në Librazhd, Donika Qelemeni, thotë se
World Vision punon në Librazhd prej 8 vjetësh kryesisht në projekte për
zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve, shëndetit dhe ekonomisë së
familjeve të tyre.
Papunësia zyrtare në Shqipëri është rreth 15 për qind dhe sipas
Instat, të papunët deri në 30 vjeç zënë gjysmën e numrit të të papunëve
në shkallë kombëtare. Rreth 50 mijë të rinj ndjekin shkollat e mesme dhe
rreth 10 për qind ndjekin shkolla profesionale, ndërsa aktualisht po
bëhen përpjekje që gjithnjë e më shumë të rinj t'i kushtohen
profesioneve dhe shkollave profesionale.