VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ARSHI PIPA, MËSUES, MIK DHE PËRSËRI MËSUESNga AMIK KASORUHO

                                                                                      

E Hënë, 10.14.2024, 04:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

ARSHI PIPA, MËSUES, MIK DHE PËRSËRI MËSUES

Nga AMIK KASORUHO


E Premte, 06.24.2011, 09:08am (GMT+1)

Arshi Pipa nuk mund të jetë ndryshe, sot e mot, veçse ai që qe së gjalli: Hero i mendimit, shembull virtyti, vlerë e vërtetë në një yllësi ku vlerat, edhe kur qenë, u mohuan, u heshtën dhe u nëpërkëmbën. I paepur, ai i kundërvuri dhunës mendimin e lirë, guximin intelektual, stoicizmin dinjitoz dhe vijimësinë e guximtarit që nuk e koncepton nënshtrimin.

Kam patur fatin ta njoh dhe nderin ta kem patur mik dhe mësues. Miqësi të atilla ta mbushin jetën dhe të ndihmojnë t'i japësh asaj një synim e një kuptim.

Kur e kam pas njohur nuk shpresoja se do të vinte një ditë që jetën dhe veprën e tij do ta çmonin publikisht. Dhe ndoshta nuk e shpresonin as shumë të tjerë bashkë me mua. Ishin kohë të tjera dhe aty ku qemë ndryrë nuk guxonim të shpresonim, edhe pse thellë-thellë shpresa nuk na ishte shqimur.

Kjo kohë sot ka ardhur për të gjithë ata që besuan dhe që besojnë në vlerat e lirisë. Dhe që e çmojnë lirinë si një të drejtë e jo një privilegj. Isha i ri kur e kam njohur. Dhe ai për mua e për moshatarët e mi ishte një ikonë. Vinte nga burgu i Gjirokastrës në atë të Burrelit. Në atë kohë, përveç kampeve shfarosës të Maliqit dhe të Bedenit, nuk njiheshin ferre të tjerë. Burreli ishte apoteoza e diktaturës. U bëmë miq. Na bashkonin shumë gjëra, na ndante mosha dhe dijet. Por ai, me qasjen e drejtpërdrejtë, dinte t'i zbehte diferencat.

Si një Sokrat i kohëve moderne, në orën e shëtitjes në pajdosin e burgut, ai rrethohej gjithnjë nga një grup të rinjsh që ishin të etur të dëgjonin fjalë të mençura, të cilat nuk munguan kurrë prej tij. Ishte fjalëpak, por bindës. Ishte krenar, por i thjeshtë. Ishte mjeshtër, por me zemër të çeltë.

Më ka qëlluar të jetoj, bashkë me pesëdhjetë e sa të tjerë, në një kaush burgu me të dhe me të tjerë si ai. Dhe prej tij dhe të tjerëve si ai, (do të kujtoj vetëm pak emra të shquar, asi kohe të dënuar, Suad Asllani, Atë Pjetër Mëshkalla, Pashko Gjeçi, Kudret Kokoshi, Atë Donat Kurti, Gjergj Kokoshi, Koço Tasi e të tjerë), patëm mësuar jo vetëm çka s'dinim, por edhe çfarë duhej të dinim.

Bashkë me të tjerë, ai na ushqeu dashurinë për gjuhën tonë, dashuri, të cilës ai i kushtoi punën e tij këmbëngulëse për ta pasuruar, për të ruajtur larminë e saj, për t'i çmuar vlerat e saj, që një Kongres "gjuhëtarësh" i mohoi dhe i anatemoi.

Ai mishëronte aftësinë për t'u hyrë në zemër atyre që i rrinin pranë me përvojën e tij si mësues. Dhe shartonte në shpirtin e të rinjve të ndryrë etjen për kulturën me K të madhe. Prej tij dëgjova për herë të parë, për De Sanctisin, për Quasimodon, për të mëdhenj të tjerë të letërsisë italiane, që ai e njihte aq thellë.

Dhe jo vetëm për letërsinë. Në burg, asi kohe (nuk e kam kuptuar kurrë si e qysh), qarkullonte një libër i William Durantit "Heronjtë e mendimit". Ai libër, i shpjeguar me durim dhe përkushtim nga Arshi Pipa, na ndihmoi për të njohur mendimtarët e mëdhenj, që nga lashtësia, deri në kohët moderne. Dhe, them i bindur se nuk gaboj, na ndihmoi të ishim më të vetëdijshëm dhe më të plotë.

Filozofët e lashtësisë dhe deri ata të vonët të kohëve moderne, ishin njohuri abstrakte për ne të rinjtë e paditur që s'ua kishim dëgjuar as emrin. Se ç'mësohej aso kohe nëpër shkollat tona, dihet.

Dhe Pipa, me durimin e mësuesit, na shpjegonte atë që s'do ta kishim kuptuar kurrë. Ishte ky çasti kur, nga shok burgu, Arshi Pipa shndërrohej dhe bëhej mësuesi ynë. Dhe jo vetëm për letërsinë apo filozofinë. Ai më ndihmoi mua dhe një pjesë të shokëve të mi, për t'iu futur anglishtes, duke na nxitur me shembullin e tij: Atë gjuhë e kishte mësuar në burg. Dhe mjeshtër i fjalës dhe i vargut, ai përktheu aty, në Burrel Keats-in, Shelley-n e ndonjë tjetër.

Mësimet e tij nuk u zhvilluan në një klasë me banka e dërrasë të zezë dhe nxënësit nuk mbanin shënime nëpër fletore. As tekste nuk kishin. Por kishin dëshirën që të mësonin nga goja e një dijetari atë që s'kishin patur as kohë dhe as mundësi ta mësonin më përpara. Dhe privilegjin të kishin mësues si Arshi Pipa apo si intelektualë të kalibrit të tij, që nuk përndanin vetëm dije, por edhe mësime për atë që nuk fitohet në shkollë: Për integritetin dhe dinjitetin. Këto të fundit më shumë me shembullin e tyre se me fjalë.

Njihej për karakterin e tij të paepur, por kurrë nuk mbaj mend të na ketë folur për qëndresën e tij. Mbase edhe nuk ishte nevoja: Ai ishte dhe mbeti shembull i një karakteri të fortë që, krahas aftësive të jashtëzakonshme, më vonë do ta ngjiste në katedrat universitare dhe do ta bënte të njohur në vende të huaja, këtë shqiptar që në vendin e tij ishte burgosur dhe nxjerrë në harresë.

Pastaj, kur vitet rrodhën tej, na ndau koha, deri sa, në vitin 1991 më duket, më erdhi një letër nga SHBA. Ishte një letër e mikut dhe mësuesit Arshi Pipa, sepse kishte lexuar diçka timen të botuar në revistën arbëreshe "Katundi Ynë".

Na lidhën përsëri rrënjët tona të lashta dhe të përbashkëta. Dhe pastaj vijoi një letërkëmbim që e kam çmuar si një kujtim të shtrenjtë. Pa më nisi librin e tij "Contemporary Albanian Literature", më vonë kopje të revistës "Albanica", ndonjë letër. Ai, krahas angazhimeve të shumta dhe punimeve të tij mijëra faqesh gjente kohë t'i shkruante një shoku burgu.

Nuk u pashë më me mikun dhe mësuesin tim qysh fill pasi qemë liruar nga burgu (thuajse në një kohë). Nuk isha në Shqipëri kur ai erdhi këtu. Por e ndjeva veten krenar që u nderua, për aq sa u nderua, në vendin e tij.

Dhe ndihem krenar përsëri që, falë përkujdesit të botuesit kulturëdashës Gjana, po edhe të ndonjë shkrimi (veçse gjithnjë të pamjaftueshëm për të ngërthyer personalitetin dhe vlerën e shkrimtarit dhe mendimtarit Arshi Pipa), sot nisim të kemi në dorë trashëgiminë e tij kulturore. Sepse, nëse dje, gjatë viteve të obskurantizmit komunist (duke parafrazuar fjalët e Durantit për Spinozën) "njerëzit ishin të paralajmëruar të mos flitnin me të, të mos komunikonin me shkrime ... dhe asnjë të mos lexonte asgjë të diktuar apo të shkruar prej tij", sot, po them, Arshi Pipa na kthehet jo vetëm për të jetuar përjetësisht midis shqiptarëve, por edhe për të na kujtuar, si thotë në esenë e tij "Skicë e një konceptimi për jetën" se, "edhe tek njeriu më i degjeneruar e më i korruptuar, ka një shkëndijë virtyti: Në mos gjë tjetër, të paktën ndjenjën e fajësisë, pendimin, brejtjen e ndërgjegjes". Thënie profetike, mendoj, për kohët që po kalojmë.

Na kthehet, pra, jo vetëm si mik që tërë jetën ia kushtoi vendit të tij të munguar, por edhe si mësues. Dhe ai kthehet jo vetëm për të mbushur një zbrazëti të ndjeshme, por edhe për të na kujtuar se gjatë tërë jetës së tij, ka ndjekur synimin fisnik, siç na e thotë vetë, "kam menduar ta tejlakoj njeriun ... te vetë njeriu".

Në një studim të hershëm të tij për Migjenin, ai e mbyllte kështu kontributin e tij për poetin e dhembjes: Ai asht nji hyll? Oh, jo. Nji kometë? Ai asht nji vetimë në nji qiell të kthjelltë... Dhe ajo vetimë diçka lajmëron: stuhi!".

Vetëtima Arshi Pipa jo vetëm që na ndriçoi qiellin tonë të zymtë, jo vetëm që u doli para kohëve të reja, por edhe na priu e na prin në rrugën e zhvillimit dhe të qytetërimit. Me shembullin, por edhe me veprën e tij të shkruar në disa gjuhë dhe të përhapur në disa vende. Dhe për këtë nuk mjafton vetëm një falënderim. Edhe pse i dalë nga zemra.

Bashkëkohësi ynë, që na u rikthye pas kalvarit të viteve të mundimshme të burgimeve dhe të mërgimit të hidhur, nuk është vetëm një shembull: Ai është një mik i të gjithë atyre që besojnë në të mirën dhe në kulturën, por edhe një mësues që, pa u lodhur dhe deri në fund, na ka falur mundin, urtinë, besimin që ai shpalosi në një jetë të tërë kushtuar vendit dhe qytetërimit.

Dhe, mendoj se ka rëndësi të parme, që krahas veprës së tij, të njihet edhe personaliteti poliedrik dhe fisnik deri në fund i Arshi Pipës tonë.

Jeta e tij që nisi duke dhënë mësim në bankat e gjimnazit të Tiranës dhe që vijoi nëpër katedra universitetesh të huaja dhe që është një flakadan, le të jetë shembull për bashkëkombësit e tij. Madje, unë jam i bindur se kështu ka për të qenë. Sepse vetëm kësisoj do të shlyhet një borxh ndaj tij. Sepse vetëm kështu do të mund të përsërisim bashkë me Ardian Marashin, që na kujton fjalët e mjeshtrit, "te vetja jonë, te ndërgjegjja jonë, qëndron dinjiteti ynë".

AMIK KASORUHO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HOMAZH PËR ZONJËN E RËNDË NEKIBE KELMENDINga REXHEP KASTRATI (06.23.2011)
SHQIPTARËT E NEW YORK-ut DEMONSTROJNË PARA U.N.O.*Një shkrim i rreth 40 viteve më parëNga FRANK SHKRELI (06.22.2011)
JU NDRIÇONI, NDRIÇONI NGA QIELLI DHE PLAS NATA SERBE NË FERR(Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin) Nga KËZE KOZETA ZYLO (06.22.2011)
ËSHTË E VËSHTIRË TË STUDIOSH NË EUROPË DHE TË KTHEHESH NË TIRANËNga Dr. ALBAN DACI (06.21.2011)
Ç'PATI GREQIA QË U MBYT NË BORXHE?Nga Prof. Dr. ESHREF YMERI (06.21.2011)
ELEGJI PËR VEHBI SKËNDERINNga PËRPARIM HYSI (06.21.2011)
AKUPUNKTURA E DHEMBJESNga LIMAN ZOGAJ (06.20.2011)
RUSIA NË PENËN E NJË RUSINga ESHREF YMERI (06.19.2011)
RAMA, NJË LIDER DISASTERNga ALBAN DACI (06.17.2011)
LIRIKU VEHBI SKËNDERI SHPIRTI I NDJESHËM I MBRUJTUR ME DIELLNga ÇELIK PETRITI (06.17.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2024  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]