VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KTHIMI I PËRJETSHËM I TEKI DERVISHITNga VELI KARAHODA

                                                                                      

E Djelë, 12.08.2024, 01:20am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

KTHIMI I PËRJETSHËM I TEKI DERVISHIT

Nga VELI KARAHODA


E Shtunë, 08.13.2011, 08:26pm (GMT+1)

Mungesa e tij shkëlqeu si shpata magjike e Siegfridit. Nuk më priste. Më në fund po dëgjoja fundin e requiemit. Me këtë muzikë të errët në shpirt, mendova, njeriu mund të kridhet lehtësisht në trishtimin e lamentit. Frika nga dorëzimi përpara ritualit më shkundi nga mendimi i mëkatshëm.

Sapo i lamë mbas pirgjet e mjegulluara të Kopenhagës, retë e mllefosura ngjyrë bronzi rënduan mbi qytetin e hirtë si një qiell i zymtë ikonash mesjetare. Zemërimi i lashtë i Thorit ose i Alfaderit iu vërsul botës me një rrebesh shiu të paparë dhe vërshoi rrugët e vjetra, monumentet, drurët dhe konceptin e ironisë. Përfytyrova rigat e kalamendura të shiut tek plaseshin trishtshëm pas xhamave të ndonjë kafeje a restoranti, ku unë e Maestro, Teki Dervishi, kishim ndenjur e biseduar për letërsinë, për mitologjinë nordike ose për konceptin e kohës. Koha ishte me rëndësi, sepse trysnia e çastit të ndarjes kishte trajtën e një shpate të lashtë dhe kërcënuese. Në mur, mbi vitrinat e rënda prej druri të errët, germat runike sajonin fjalë kriptike dhe të mistershme. Në Glyptotekë, në rrugën e Dantes, ishte ekspozuar fytyra e ngrirë e gjeneralit Pompeius Magnus. Sipas legjendës, Jul Cezari kishte dhënë shpirt te këmbët e kësaj statuje. Por asokohe, në nxitimin e ndarjes, dalldisja pas poezisë ishte e përsosur dhe vdekja s'ishte veçse figurë retorike në libër. Fillimi i takimit ishte gjithmonë i lehtë, si një muzikë dhome ose si një rondo e kënaqshme për violinë. Tingujt e mëndafshtë të lumturisë kalimtare të bënin të flisje për lulet, për zogun në fluturim, për lojën e shahut. Kur pushonte muzika e lehtë, ndarja tringëllinte si preludi i trishtë, i përzishëm i një requiemi që s'i dihej fundi.

Zemërimi i zotave

Me Teki Dervishin ishim pajtuar ngaherë për një interpretim të lirë të agnosticizmit. Ekzistenca e një Fuqie Supreme s'vihej në dyshim. Një kozmologji diskrete, e përcjellë nga muzika e dhomës dhe vera e shijshme nga fushat e Valpolicellës, po merrte formë. Sikurse edhe një refuzim metafizik ndaj ritualit, formalitetit, eulogjisë, epitetit dhe ligjëratës panagjiriste. Amshimi ishte fjalë e shenjtë. Për të shmangur profaninë dhe zemërimin e zotave, s'duhej përmendur. Ishte një përshtypje e përgjithshme se çdo përpjekje e ndershme për të kuptuar nocionin e Amshimit çonte dëshpërimisht drejt heshtjes agnostike që e pranon disfatën me zemërgjerësi. Me dy fjalë, e në gjermanisht me vetëm një fjalë, Ehrfurcht, mantra agnostike mund të shkojë përtej çdo ontologjie: respekt dhe frikë nga përmasa e pallogaritshme e gjithësisë dhe përsosmëria e saj.

Me të zbritur në aeroportin e Prishtinës, iluzioni flatroi mes reve të bardha si një zog mitik. M'u ngri gjaku nga mendimi se, këtë radhë, më kot do të zgjatja qafën për të parë, në grumbullin e njerëzve të përmalluar, Teki Dervishin, me buzën në gaz, me cigaren në buzë. Mungesa e tij shkëlqeu si shpata magjike e Siegfridit. Nuk më priste. Më në fund po dëgjoja fundin e requiemit. Me këtë muzikë të errët në shpirt, mendova, njeriu mund të kridhet lehtësisht në trishtimin e lamentit. Frika nga dorëzimi përpara ritualit më shkundi nga mendimi i mëkatshëm. Refuzova notën elegjiake, sepse kam bindjen se tamam kjo është mangësia serioze e çdo rituali që pretendon përmbylljen. Nota elegjiake s'le vend për asnjë shpresë. Për Borgesin, ajo që është elegjiake, e rëndë, rituale, nuk vlen për të Pavdekshmit.

Maestro do të kthehet

Helenët ngrinin monumente ose varre të zbrazëta, kenotafe, për shpirtin e luftëtarëve të humbur në fushëbeteja. Kësisoj, në zhurmën e ceremonisë mortore, mes goditjeve të çekanit dhe këngës së vajzave, zgjidhej edhe problemi i vjetër i dualizmit mes shpirtit dhe trupit, gjithsesi në favor të shpirtit. Në botën e letërsisë, vepra e autorit është "monumenti" që s'ka nevojë të ngrihet nga varrtarët, druprerësit ose burokracia e hirtë e Kafkës. Vepra është Realiteti Absolut i krijuesit: ajo pasqyron shpirtin e krijuesit, sidomos atë pjesën sublime të shpirtit që sipas Avarroesit, filozofit, ka diçka të përjetshme dhe divine. Njeriu niset, krijuesi kthehet. Kjo që thashë dhe sjellja ndërmend e serpentit Midgar që kafshon bishtin e vet në mitologjinë nordike, më bëjnë të mendoj se vepra e krijuesit mund të rehatohet lirisht në konceptin e Kthimit të Përjetshëm që mahniti pitagorianët, stoikët, Nietzschen. Kthimi i Përjetshëm është më përmbushës, më i plotë dhe më paradoksal se Amshimi. Në qoftë se, megjithatë, duhet thënë nja dy fjalë për Amshimin, atëherë po them se ka një mangësi dëshpëruese: edhepse përmban Përjetësinë, i mungon Kthimi. E Maestro do të kthehet. Si Zarathustra nga Mali i Lartë.

Jashtë riteve dhe traditave mortore, ma ha mendja se ekziston një "kierarki" psikologjike e vuajtjes që nis nga pikëllimi dhe ngrihet lart drejt kujtimit të pastër. Pikëllimi është njerëzor, kujtimi synon Përjetësinë. Mbas zisë dhe lamentit protokolar, ato që s'kuptohen për shembull ngjyra e Amshimit ose hamendja mbi destinacionin e fundit të shpirtit shtyhen për më vonë, dhe sensi i humorit rikthehet. Duhet të rikthehet. Sidomos kur është fjala për një shkrimtar të madh si Teki Dervishi, në veprën e të cilit, ashtu si në veprat e shkrimtarëve të mëdhenj që nga Servantesi, Rabelais, Sterne, Diderot e deri tek Joyce, Cortazari, Cabrera Infante e të tjerë, shkëlqen para së gjithash humori i shëndetshëm. Pa humor, pikëllimi është patos, kurse jeta është e padurueshme dhe e pamundur. Pa humor, të prishen dhëmbët dhe, eventualisht, si do të thoshte Neruda, i humb edhe flokët.

Në zhurmën e ngutshme të Nisjes sajohet edhe një mitologji lamtumirëse për artistin. Një si dëshmi urbane për ekzistimin e tij, për rrugët, drurët, pranverat dhe ndajmuzgjet. Shpalosen anët njerëzore të artistit si në një manual të psikologjisë behaviouriste: preferencat gastronomike, shakatë e mbasdarkës, stili i imponuar i një jete të stuhishme që ngatërrohet me boheminë, fjalët e nxjerra nga konteksti, momentet e ekzagjeruara të miqësive sipërfaqësore dhe trivia të tjera, të gjitha bagatella jashtëletrare, urbano-mitike dhe të harrueshme kundruall opus magnas letrare që la mbas maestroja, Teki Dervishi. E ky Teki Dervishi i vërteti, i përndjekuri, i panjohuri, heremiti, Lojtar Lojtari është ai Tjetri zëri vetmitar që tringëllin në shurdhësinë unanime të indiferencës: ekzistencialisti i parë shqiptar, poeti, liriku, asketi, ekspresionisti, esteti, adhuruesi i verës dhe arkitekti brilant i situatave dramatike që reflektojnë realitetin historik, politik dhe kulturor nëpërmjet absurdit, realizmit magjik, groteskës, parodisë, liricizmit dhe sidomos nëpërmjet një satire sublime që shkreptin si ajo perla proverbiale biblike brenda një kulture akoma të ngërçur nga provincializmi, socrealizmi, burokracia fraternaliste letrare dhe folklorizmi mazokist.

Nganjëherë ofshama e zvargur e vajit, edhe kur vjen si pasojë e zemrës së thyer, na hap telashe, si të thuash, aurikulare, e këto kanë të bëjnë përsëri me veshin e mprehtë ose me veshin e shurdhër dhe, sido që ta marrësh, ngelëm pa dëgjuar edhe një herë harmonitë e përzishme të Wagnerit: për shembull, Marshin Funeral të Siegfridit, si në muajin e qershisë, më 1992, një natë para se të merrnim rrugë, si në sagë, me Siegfridin në djep, drejt Veriut. Punë që s'bëhet, sipas meje, është kjo: të trazohet heshtja e domosdoshme e zisë: refleksioni dhe mbi të gjitha qetësia e rikuperimit, e psherëtimës, e rimarrjes frymë mbas ngërçit që shkakton humbja. Alkimisti i fjalës s'do himne, tirada, patos. Sipas bestytnisë, rrotullohet në varr. Fjala duhet kërkuar. Fjala duhet gjetur. Olesha pat folur për një dyqan metaforash, por dyqani nuk u hap kurrë: prandaj duhet rrokur veglat daltat, pergamenët, medikamentet si në metaforën e artistit, ku libri "shërohet" me ilaçe. E Tekiu, dihet, nuk e qet qafën pa e parë shpatën.

Ndajmuzgu

Në pritje të Fjalës, në stinën e pjeshkës, në këtë vapë vere që na la mbas Tekiu, pëlqej më shumë tema të lehta, të kthjellëta si qielli i kaltër dhe vera e mrekullueshme që e dehte kafeneve të Parisit Jean Biennalen e Babelit në përkthimin e bukur të Tekiut. Me sa duket, nota elegjiake është e pashmangshme dhe njerëzore. Lëshoj pe. Mund të flas edhe për takimin tonë të fundit, kur ndenjëm në kopshtin e një restoranti në Prishtinë. E mbaj mend të ulur midis luleve, si në përrallë. Folëm për poezinë dhe për trëndafilat, ndërsa ndajmuzgu vibroi në sytë e tij, si fundi i një tregimi. Kjo është shkreptima ngushëlluese e kujtesës. Kierkegaardi ngul këmbë se vetëm përsëritja, nëpërmjet të kujtuarit, e bën të mundur lumturinë e vërtetë. Me këtë mendim mjaft shpresëdhënës po nisem, edhe një herë, drejt Prishtinës: dua të rikujtoj një mbrëmje të largët që i parapriu takimit tim të parë, këtu e njëzet e një vjet më parë, me Tekiun. Po kaloja me vajzën e Tekiut përpara pastiçerisë "Elida" në qendrën e ashtuquajtur "Boro e Ramizi". Po ecnim të shkujdesur e ndoshta duke qeshur ose duke u grindur për cikërrima. Pas xhamit të bruztë të pastiçerisë, një burrë me mustaqe na i kishte mbërthyer sytë me një kureshtje të përzier me dyshim. Asokohe unë isha student i artit, i veshur me xhinse, me çizme kaubojësh, me flokë të gjatë, me mjekër dhe sigurisht me ndonjë shkreptimë arrogance dhe vetëbesimi budallaq në sy. U larguam me hapa të shpejtë duke lënë mbas një moçal dyshimesh të padobishme. Ishte e qartë se kjo punë s'kishte mbaruar me kaq.

Disa ditë më pas, unë e Tekiu u takuam për herë të parë në banesën e tij në Bregun e Diellit. U ulëm ballë për ballë. M'u prenë gjunjët. Nga tmerri më doli gazi. E Tekiu mbahej i qetë, i buzëqeshur, nonshalant. Ose shtirej mrekullisht. Me mustaqe mbi buzë si të Nietzsches, veshur me një kardigan bojëkafe, m'u duk i butë dhe zemërmirë. Vetëm mbas dy-tri fjalësh të shkëmbyera nga mirësjellja, ende pa e sosur kafen që më dridhej në dorë, ne u zumë për çështje letrare. Ai mjeshtër, unë shegërt. Ai me kulturë, unë kokëfortë si mushka. Ngre e mos e këput. Më kërkoi t'i përmendja një shkrimtar që e pëlqeja. U mendova pak. Kisha mjaft kohë sa për të demonstruar një mendjemadhësi rinore. E shfrytëzova rastin. Nga lartësia ime e rrafshët, me vetullën ngritur përpjetë, përmenda Marquezin. Nuk e hëngri. Pjesërisht i mirë. Sipas llogaritjeve rigoroze të një adhuruesi të sagave nordike, i mungonin herifit bukur do vjet në romanin "Njëqind vjet vetmi". William Blake? Asgjë. Aldous Huxley? Asgjë. I sikletosur përpara këtij burri që qullte mustaqet në filxhanin e kafesë, shkrepa edhe një herë. Po s'më eci, mendova, do të ik, do të vuaj. Punë e madhe. Ose do t'i përmend një filozof. E njoh Zenonin nga Elea që mohoi Lëvizjen, mund t'i thoshja. Për fat, nuk u futa llugave. Fola me gjysmë zëri. I thashë: Borges. Me këtë emër, atë natë dimri, në banesën e tij tashmë me derë të mbyllur e me dritë të fikur, në Bregun e Diellit, u vu mes nesh një lidhje shpirtërore e pashkëputshme deri në vdekjen e tij. Kur u morëm vesh për Borgesin, Teki Dervishi, mësuesi im i madh, si në konfidencë më tha: eh, mirë, dëgjo tash...

E lashë...

Me fjalët e Borgesit në buzë, njëzet e një vjet më pas, në Jakovën me shtëpi të vjetra e me rrugica gjarpëruese, e lashë të ngrirë midis luleve dhe dënesjeve njerëzore që s'mund të maten me gjithësinë.

 

(http://www.botasot.info)

VELI KARAHODA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GABIMI I BERLINIT I JFKNga GEORG F. WILL, Washington Post (08.13.2011)
KONKLUZIONET QË MUND TË NXJERRIM NGA TRAZIRAT E LONDRËSNga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (08.12.2011)
RREZIKU I MADH ËSHTË EVROPANga ROBERT J. SAMUELSON, Washington Post (08.09.2011)
EDITORIALET NUK LIDHEN ME FILLIM TË RI TË ED RAMËS- JANË REMINISHENCA,HISTORI E INERCI TË VJETRA -BASHA E DEBUNKERIZON BASHKINË, SI DO TË REAGOJË ED RAMA ?- Nga ELIDA BUÇPAPAJ (08.09.2011)
ALEANCA KUQEZI TA DËRGOJË NË GJYKATËN KUSHTETUESE LIGJIN ANTIKOMBËTAR TË REGJISTRIMIT TË POPULLSISËNga Prof. dr. ESHREF YMERI (08.07.2011)
LETËR E RRALLË QË TRONDITI DIKTATURËN KOMUNISTE (8 korrik 1978)!...ME ANE TE SAJ FADIL KOKOMANI, VANGJEL LEZHO IU KUNDERVUNE ENVER HOXHËS, PAS TYRE DHE XHELAL KOPRENCKANga SKIFTER KËLLIÇI (08.07.2011)
GËZIMET DHE HIDHËRIMET E RAMAZANITNga HESHAM A. HASSABALLA, New York Times (08.06.2011)
ANONIMËT - MODA E DITËS. DHE RRUGA DURRËS - PRISHTINËNga REXHEP SHAHU (08.06.2011)
DHUNIM KOMUNIST I KUJTESËS HISTORIKENga EDGAR FRASHËRI (08.06.2011)
IDENTITETI POLITIK SI PENGESËNga AFRIM KRASNIQI (08.05.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2024  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]