Nëse epiqendra e turit të tashëm të Presidentit amerikan Xhorxh W Bush ishte takimi i G8 në Hailigendam (Heiligendamm) të Gjermanisë, kryefjala dhe kryefjalia e këtij turi europian ishte Kosova.
Më shpejt dhe më qartë se të gjitha herët e tjera në veprimtaritë e tilla dhe turet e tilla diplomatike, analistët perëndimorë ishin të një mendjeje se çështja më e valë, më urgjente, prandaj edhe çështja me e trajtuar si në G8 ashtu edhe në të gjitha takimet dhe vizitat e Presidentit Xhorxh W Bush do të ishte pikërisht çështja e Kosovës. Analistët nuk mungonin të theksonin se çështja e sistemit raketor, natyrisht, sado vërtetë tejet e rëndësishme, nuk është ende në fazën e projektit, pra është ende në fazën e paraprojektit. Po ashtu, çështjet e ngrohjes së klimës, të luftës kundër epidemive, të luftës kundër varfërisë e tjerë, ndonëse edhe ato tejet jetike, gjithsesi nga analistët shikoheshin si çështje rutinë, të cilat nga koha në kohë gjejnë vetëm zgjidhje të pjesëshme.
Në prag të zgripit alarmant është sot vetëm një temë, aq më tepër në kuadrin e proceseve europiane, veriatllantike, në kuadrin e suksesit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e të tjera. Kjo temë është Kosova, është çështja e Kosovës, moszvarritja e mëtejshme e zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, çka do ta nxirrte këtë çështje nga duart e tyre që duan ta zgjidhin dhe do ta çonte në duart e atyre që nuk duan ta zgjidhin.
Prej atij momenti kur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës merret drejtpërdrejt, në mënyrë të deklaruar, në mënyrë publike kreu i Shtëpisë së Bardhë, do të thotë se i gjithë sistemi i hierarkisë amerikane, në të gjitha nivelet është duke funksionuar për të zgjidhur sa më shpejt, në mënyrë sa më optimale, sa më të qetë, sa më pa tronditje çështjen e Kosovës, pra zyrtarizimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Në përgjigjen që ia dha një gazetari amerikan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, Xhorxh W Bush e bëri të qartë se tash po punon ai, po punon Shtëpia e Bardhë, po punon Departamenti i Shtetit, po punon diplomacia europiane, po punon gjithë Perëndimi për të sheshuar çdo pengesë që do të nxirrnin serbët dhe rusët ndaj zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe ndaj të gjitha proceseve që e pasojnë këtë zhvillim epokal historik.
Mediat perëndimore, ndoshta më shumë se kurrë, e shoqëruan në mënyrë masive turin europian të tashëm të Presidentit amerikan Xhorxh W Bush, duke paralajmëruar gjithnjë se temë qendrore do të jetë Kosova. E tillë ishte Kosova në takimet mediatike të presidentit amerikan me krerët e vendeve të G8, e tillë do të ishte në takimet kokë më kokë, e tillë do të ishte gjatë vizitës në Çeki, e cila e hapi turin europian të presidentit amerikan, e tillë do të ishte në takimin me Papën Benedikti XVI, e tillë do të ishte në takimet me kreun shtetëror dhe qeveritar italian, e tillë do të ishte në takimin përmbyllës të turit në Bullgari.
Natyrisht, tema e Kosovës do të ishte filli që do të përshkonte krejt etapën e Shqipërisë të turit europian të Presidentit amerikan Xhorxh W Bush. Në konferencën për shtyp me Berishën ai përmendi deklarime të tij të mëparshme në përgjigjet e dhëna gazetarëve, deklarime të cilat shprehnin vendosmërinë amerikane dhe perëndimore, por që do të gjenin formulimin e tyre më të plotë, më të qartë dhe më të prerë pikërisht në Shqipëri dhe pikërisht në takimin zyrtar, takimin e gjatë kokë më kokë dhe në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha.
E gjithë përmbajtja e etapës së Shqipërisë në kuadrin e turit europian të Presidentit amerikan Xhorxh W Bush ishte në koherencë të plotë me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në gati një shekull, të cilat kanë përcaktuar momentet më kyçe të mbijetesës dhe të zgjidhjes së çështjes shqiptare, ku më thelbësorja është çështja e Kosovës. Ishte në koherencë të plotë me përpjekjet e bashkuara shqiptaro-amerikane në të gjitha frontet botërore ku udhëheq vendosmërisht dhe vizionarisht Amerika. Ishte në koherencë të plotë me domosdoshmërinë që zgjidhja e çështjes së Kosovës të mos vonohet më dhe të jetë në pajtim e përputhje absolute me vullnetin e popullit të Kosovës. Çdo vonesë e mëtejshme, çdo shmangie në zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të kishte pasoja nga më të pandreqshmet. Kjo përbënte vetëdijën e bashkëbiseduesve në etapën e Shqipërisë ashtu sikurse gjatë gjithë turit europian të Presidentit Xhorxh W Bush.
Rrafshi të cilit më së shumti i mëshoi Presidenti W Bush, për të cilin kërkoi mirëkuptim dhe besë, nëse do ta dëshifronim në sensin shqiptar deri në fund çdo kuptim të deklarimeve e të qëndrimeve të Presidentit amerikan gjatë vizitës në Shqipëri, është funksionimi i segmentit shqiptar të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Me segment shqiptar kuptohen kryesisht Tirana dhe Prishtina, pra Shqipëria dhe Kosova, por edhe krejt hapësira shqiptare dhe qenia shqiptare. Nga Tirana dhe Prishtina, nga të gjithë ne shqiptarët, Presidenti Xhorxh W Bush, si presidenti i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë, si kreu i vendit dhe kombit që ka bërë më shumë dhe po bën më shumë për ne, kërkoi që të jemi absolutisht koherentë me përpjekjet që po bën Presidenti amerikan, shteti amerikan, bashkësia perëndimore për një zgjidhje sa më të suksesshme, si në kohë edhe në përmbajtje, të çështjes së Kosovës. Vetëdija më absolute tek kreu amerikan dhe miqtë tanë perëndimorë është se çdo mangësi në funksionimin tonë, pra në funksionimin shqiptar do të pasqyrohej shumëfish në cilësinë dhe shpejtësinë e arritjes së rezultatit, aq të rëndësishëm dhe aq epokal.
Të gjitha këto e bëjnë absolutisht të pashmangshëm përfundimin se peshën specifike të turit aktual europian historik të Presidentit amerikan Xhorxh W Bush e përbën pikërisht Kosova, pikërisht zgjidhja e çështjes së Kosovës. Prandaj do të kemi të drejtë ta konsiderojmë atë turin europian historik të Kosovës të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W Bush.
©
Veta e parë LETËR ZOTIT PËR BARDHYL AJETIN!
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (shkruar më 4 qershor 2005)
SHQIPËRIA POSTKOMUNISTE DREJT PRESIDENTIT TË GJASHTË