VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KUJTESË ARGATËVE TË KOLLARISUR TË SERBISË NË KOSOVËNga ESHREF YMERI

                                                                                      

E Martë, 11.05.2024, 02:01pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

KUJTESË ARGATËVE TË KOLLARISUR TË SERBISË NË KOSOVË

Nga ESHREF YMERI


E Shtunë, 06.23.2012, 06:18am (GMT+1)

Në një material të faqes së internetit me titull"Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka: s'ka komb kosovar!", të cilin më 11 qershor 2012 e kishte botuar zoti Flori Bruqi, lexuesve u përcillej informacioni i mëposhtëm:

"Ambasadori shqiptar në Kosovë, Islam Lauka, gjatë mbajtjes së një fjalimi në hapjen solemne të konferencës dyditore me temën "Shekulli i shtetit shqiptar", ka hedhur kritika ndaj atyre që e kanë vënë në qarkullim tezën, siç e quajti ai, pseudoshkencore, atë të ekzistimit të kombit kosovar. Ai shtoi se bartësit e kësaj ideje e kanë vetëm një qëllim, që ta lënë kombin shqiptar pa histori, dhe si rrjedhojë e kësaj, ta lënë atë edhe pa të ardhme.

"Ju e dini se kohëve të fundit na kanë dalë disa teza, edhe të prodhimit vendor, por edhe nga importi, për një histori alternative, një histori tjetër nga jo që njohim deri tani. Me gjykimin nga ato që di, me këto teza pseudo-shkencore, bartësit e tyre kanë vetëm një qëllim. Cili është qëllimi i tyre? Që shqiptarët t'i lënë pa histori, t'ua vjedhin historinë, t'i lënë pa kujtesë historike dhe duke e lënë pa histori dhe pa kujtesë historike do të thotë që t'i lënë pa të ardhme, sepse një popull dhe një komb pa histori nuk ka as të ardhme", - ka thënë ai.

Publicisti i reformuar nga Mitrovica

Prof.dr.Nexhmedin Spahiu

Kurse publicisti Nexhmedin Spahiu i ka thënë Kosovapress-it përmes telefonit se ekziston kombi kosovar."Sigurisht që ekziston, me vetë faktin se çdo shtet ka pronarin e vet dhe pronari i shtetit të Kosovës sigurisht se është kombi kosovar, janë shqiptarët e Kosovës të cilët e përbëjnë kombin", ka thënë Spahiu. Ndërsa, ambasadori Lauka u është drejtuar atyre që mendojnë se ekziston kombi kosovar, duke u thënë se mbi ç'bazë dhe ide u ballafaquan, qëndruan dhe luftuan shqiptarët e Kosovës përballë Serbisë. Sipas tij, e tërë ajo qëndresë u bë mbi motivin e kombit shqiptar, kulturës e gjuhës shqipe.

"More zotërinj që pretendoni që Kosova që nga 1912-a e shkëputur nga Shqipëria paska krijuar një identitet të veçantë në ballafaqimin e saj me Serbinë, a mund të na thoni mbi ç'ide, mbi ç'bazë, mbi ç'ideologji, mbi ç'platformë rezistuan dhe përfundimisht triumfuan mbi dhunën sistematike të shtetit serb? Cila ishte kjo ide?
Dhe përgjigja është fare e thjeshtë edhe për kalamajtë e shkollës, e le më për këta manipuluesit dhe spekuluesit e rinj, mohuesit e Tiranës dhe të Prishtinës. Kjo përgjigje është kjo që po them më poshtë dhe që ju e dini dhe të gjithë e dinë që shqiptarët e Kosovës fituan me gjuhën shqipe, fituan me kulturën shqiptare, me traditat shqiptare, ata u udhëhoqën nga modelet e heronjve shqiptarë, realë, të gjallë, jo mitikë, por me emra konkretë", - ka thënë ai.

Kësaj deklarate të Lukës, publicisti Spahiu i përgjigjet duke thënë se edhe bullgarët kanë qëndrim se nuk ekziston kombi maqedonas, edhe serbët që nuk ekziston kombi malazez, edhe rumunët që nuk ekziston kombi moldav. Prandaj, sipas tij, kjo është një gjë e natyrshme për të gjitha ato shtete që kanë pretendime të zgjerohen territorialisht".

Ideja e ekzistencës së "kombit kosovar" sigurisht që nuk ka lindur në truallin shqiptar. Ajo është një ide që fillimisht është gatuar dhe ka ardhur duke u "selitur" ca nga ca në kthinat e mykura të politikës rusoserbogreke. Pas disfatës që pësoi në përpjekjet e veta të dëshpëruara për sabotimin e pavarësimit të Kosovës, kjo politikë treboshtore tani po bën çmos që të propagandohet me bujë ideja e ekzistencës së një "kombi kosovar" që nuk na paska, demek, asgjë të përbashkët me kombin shqiptar. Kjo ide djallëzore ka si pikësynim afatgjatë që të mos lejohet kurrë ribashkimi i popullit shqiptar të Kosovës me trungun amë dhe, rrjedhimisht, të sabotohet ideja njëshekullore e popullit shqiptar në mbarë trojet e veta etnike për t'u ribashkuar në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur. Politika ruse, si arkitektja kryesore e copëtimit të trojeve tona etnike, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit, fill pas çlirimit të Kosovës nga sundimi kolonial 86-vjeçar serb, filloi të ushtronte gjithë presionin e vet mbi Bashkimin Evropian, në mënyrë që ky të merrte tërësisht anën e Serbisë pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s. Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Me sponsorizimin e Moskës, Karla del Ponte hodhi në tregun mediatik një libër plot shpifje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kurse senatori Dik Marti, po me sponsorizimin e Moskës, përgatiti një raport të posaçëm, në përforcim të shpifjeve të Karla del Pontes. Ndërkohë, UNMIK-u dhe EULEX-i, që u dërguan gjoja për të ndihmuar në hedhjen e themeleve të para të një shteti ligjor në Kosovë, në të vërtetë, erdhën e u shndërruan dhumë shpejt në dado mjaft të kujdesshme për pakicën serbe. Si përfundim, sot në Kosovë kemi një shtet të derdelisur, që, pëmes dy strukturave të lartpërmendura, qeveriset faktikisht nga pakica serbe, e cila gjatë kohës së luftës shërbeu si mbështetje e fuqishme e krimeve të makinës ushtarake të Millosheviçit kundër popullit shqiptar të Kosovës. Kësisoj shteti i Kosovës sa vjen e po mbarset pak e nga pak me mikroshtete serbe brenda territorit të vet. Në këto kushte, fillon e merr sipërinë ideja e ekzistencës së një të ashtuquajturi "komb kosovar" që na qenka "pronar" i shtetit kosovar, siç deklaron profesori i reformuar Nexhmedin Spahiu. Pikërisht idenë e ekzistencës së këtij "kombi" që na paska në pronësi një shtet që nuk është i aftë të ngrihet më këmbë, të vetëqeveriset dhe të ushtrojë sovranitetin e vet në mbarë territorin e vendit, rusoserbogreqizmi kërkon ta jetësojë me të gjitha mënyrat. Sepse kësisoj trekëndëshi ortodoks e bën të paqenë realisht pavarësinë e Kosovës. Me të vetmin qëllim që Serbia, dikur, qoftë edhe në kohë të largëta, të rikthehet në Kosovë. A nuk pati deklaruar para do kohësh kreu i kishës shoviniste serbe, ai që zëvendësoi kryeshovinistin Pavle pas vdekjes së tij, se Serbia "do të kthehet" në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh?!

Në kundërvënien që i bën fjalës së ambasadorit të nderuar, dr. Islam Laukës, profesor Spahiu shkon shumë larg. Ai jo vetëm që deklarohet kategorikisht kundër aspiratës njëshekullore të shqiptarëve për ribashkim kombëtar, por ai e akuzon Shqipërinë Londineze edhe për shovinizëm, sepse kërkuaka të zgjerohet territorialisht në dëm të një shteti tjetër. Një akuzë absurde kjo për një intelektual me gramë të madhe që kërkon ta arratisë kaq larg Tiranën nga Prishtina. "Mirë" do të kishte qenë sikur Shqipëria Londineze të kishte manifestuar, qoftë edhe një herë të vetme, "synime shoviniste". Por kjo ka qenë e pamundur se ajo nuk ka ditur kurrë se ku bie me adresë nacionalizmi, e lëre më pastaj të ushqente edhe "pikëpamje shoviniste" në raport me vendet fqinje.

Për t'i "mbushur" mendjen mbarë opinionit publik shqiptar për ekzistencën e "kombit kosovar" dhe për pathemeltësinë e gjoja pretendimeve të Shqipërisë Londineze ndaj Kosovës, profesor Spahiu mundohet të sqarojë natyrën e qëndrimit të rumunëve ndaj kombit moldavian, të bullgarëve ndaj kombit maqedonas dhe të serbëve ndaj kombit malazez. Madje edhe sot, më 22 qershor 2012, në faqen e internetit "Çamëria", ai ka botuar një shkrim me titull "Irredentizmi shqiptar dhe kombi kosovar", ku ka shpalosur tërë akademizmin e vet për të na mbushur mendjen për ekzistencën e "kombit kosovar", që gjoja na qenka krijuar sipas shembullit të krijimit të kombit malazez,maqedonas dhe moldavian.

Këtu do të mjaftohem vetëm me idenë e shpikjes së "kombit" moldavian. Kjo ide erdhi u formësua fill pas përfundimit të Paktit të Mossulmimit Molotov-Ribentrop, të nënshkruar më 23 gusht të vitit 1939, në bazë të të cilit Bashkimi Sovjetik do të pushtonte Republikat e Priballtikut, Poloninë dhe Besarabinë.

Kryetari i parlamentit të Moldavisë, zoti Mihaj Gimpu, ka lëshuar këtë deklaratë për gazetën "Timpul":

"Për të justifikuar pushtimin e territorit moldavian, Bashkimi Sovjetik shpiku kombin moldavian. Mos vallë të jesh unionist do të thotë të jesh armik? Është shumë e rrezikshme dhe e turpshme kur ndodhesh në krye të shtetit dhe propagandon gënjeshtrën sovjetike, duke manipuluar njerëzit" (Citohet sipas: "Kombin moldavian e shpikën në vitin 1940". Gazeta "Timpul", 22 shtator 2009).

Kurse shkrimtari i mirënjohur rumun Paul Goma (1935), disident i periudhës së diktaturës komuniste, ish-i burgosur politik, të cilit iu hoq shtetësia rumune më 20 nëntor 1977 dhe u dëbua për në Francë, ku edhe banon tani, në librin e vet me titull "Besarabia", deklaron se gjuha moldaviane është shpikje e pastër ruse.

Duke perifrazuar deklaratën e zotit Mihaj Gimpu, dëshiroj të theksoj se është shumë e rrezikshme dhe e turpshme të shpikësh një "komb kosovar" kur je intelektual kosovar, deri edhe me përgatitje akademike, si puna e profesor Spahiut dhe e sivëllezërve të pikëpamjeve të tij.

Pra, profesor Spahiu dhe një dorë intelektualësh kosovarë, na e paskan shumë për zemër idenë rusoshoviniste të shpikjes së një kombi tjetër, të cilën Moska ia ka përcjellë Beogradit për zbatim përmes argatëve të tij të kollarisur që ka rekrutuar në Kosovë.

Gjithsesi, kundërvënia e profesor Spahiut ndaj fjalës së ambasadorit Lauka respektonte rregullat e etikës. Ndëkohë, kundërvënia e zotit Imer Mushkolaj, në artikullin e tij me titull "Leksione hegjemoniste nga ambasadori shqiptar", të botuar në gazetën "Express" më 15 qershor dhe në gazetat "Tema" dhe "Metropol", respektivisht më 15 dhe 19 qershor, binte në sy për mungesën e theksuar të etikës intelektuale.

Sapo e mbarova së lexuari artikullin e zotit Mushkolaj, menjëherë më erdhi ndër mend sulmi i paparim që ndërmori gazeta "Zëri i Popullit" (simotra e "Borbës") kundër dr. Islam Laukës, me rastin e emërimit të tij në detyrën e ambasadorit në Republikën e Kosovës, fill pas shpalljes së pavarësisë së saj. Në artikullin e vet, zoti Mushkolaj, me doza ironie, shkruan: "Lauka, tropojani studiues i rusishtes dhe ish-numri dy i ambasadës shqiptare në Moskë...".

Kësisoj zoti Mushkolaj ironizon me dashakeqësi për prejardhjen e ambasadorit Lauka nga Tropoja. Për dijeninë e zotit Mushkolaj, nga ajo krahina e vogël e Tropojës që atij nuk ia mbush syrin, kanë dalë kaq shumë intelektualë me emër, saqë do t'ia kishte zilinë edhe një qytet i madh shqiptar.

Ashtu si edhe "Zëri i Popullit" asokohe, edhe zoti Mushkolaj, qëllimisht, nuk nxjerr në pah kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë dr. Lauka me publicistikën e vet të shkëlqyer në mbrojtje të çështjes së Kosovës që asokohe kur ajo vuante nën shtypjen koloniale të Serbisë dhe pas çlirimit të saj. Gjatë kohës së kryerjes së detyrës së tij si diplomat në ambasadën tonë në Moskë, zoti Lauka punoi paralelisht edhe për mbrojtjen e temës së doktoratës. Dhe tema e doktoratës së tij ishte çështja e Kosovës. Në temën e doktoratës dhe gjatë mbrojtjes së saj para jurisë së Akademisë Diplomatike në Moskë në vitin 1995, ai shprehu burrërisht pikëpamjen e vet, të argumentuar shkencërisht, se zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësimi i saj.

Kryeministri Berisha bëri një zgjedhje mjaft të qëlluar me emërimin e dr. Laukës ambasador në Prishtinë. Sepse dr. Lauka, me përgatitjen e tij akademike, ishte figura më e përshtatshme për një post të tillë.

Këto të vërteta për përgatitjen akademike të ambasadorit Lauka, i cili që në bankat e Universitetit të Tiranës ka qenë i shkëlqyer dhe i tillë mbeti kudo ku ka punuar pas përfundimit të studimeve të larta, zoti Mushkolaj i lë qëllimisht në hije. Dhe kjo për faktin se publicistika e dr. Laukës e ka djegur keq shovinizmin rusoserbomadh, të cilit zoti Mushkolaj i bën fresk plot kënaqësi me sulmet e egra që ndërmerr kundër ambasadorit shqiptar.

Në "Gazetën Shqiptare" të datës 04 korrik 2011 qe botuar një njoftim për një notë proteste që Rusia i paskej dërguar Tiranës zyrtare, në të cilën shprehej revolta e saj ndaj deklaratave për "Shqipërinë e Madhe", të bëra nga ish-deputeti Azgan Haklaj. Notëprotestën ruse ia pati përcjellë Tiranës zyrtare zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ruse, Aleksandër Llukasheviç. Gati një vit më vonë, më 01 qershor 2012, ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Konuzin, shprehu shqetësime për ekzistencën e Projektit "Shqipëria e Madhe".

Pas bërjes publike të këtyre dy qëndrimeve të turpshme të diplomacisë ruse, opinioni publik shqiptar nuk vuri re që profesor Spahiu dhe zoti Mushkolaj të mprehnin pallën e publicistikës dhe t'i tregonin vendin shovinizmit rusomadh për ndërhyrjet e tij skandaloze në punët e brendshme të kombit shqiptar. Jo, ata nuk e bënë një gjë të tillë se i përmbahen me bindje të plotë qëndrimit të politikës shoviniste ruse, sipas së cilës trojet etnike shqiptare nuk duhet të ribashkohen kurrë. Përkundrazi, zoti Mushkolaj kërkon "t'i tregojë vendin" pikërisht ambasadorit Lauka, vetëm e vetëm se ky deklarohet kundër idesë së ekzistencës së "kombit kosovar", sepse një komb i tillë nuk ekziston në realitet, ekziston vetëm një shtet i dytë shqiptar, i pavarur dhe sovran, siç e ka njohur edhe Tirana zyrtare.

Diku më poshtë zoti Mushkolaj deklaron:

"...Lauka do të duhej të fliste për shtetin shqiptar, pjesë e të cilit Kosova (përjashto një kohë të shkurtër gjatë Luftës së Dytë Botërore) nuk ishte asnjëherë gjatë 100 vjetëve".

Sigurisht, Kosova s'ka qenë kurrë pjesë e shtetit shqiptar pas dhjetorit të vitit 1913, se ujqit evropianë, me në krye kryujkun rus, e copëtuan nga trungu i etnisë shqiptare dhe me të zgjeruan territoret e Serbisë shoviniste, por zoti Mushkolaj harron qëllimisht faktin që Kosova ishte njëri nga katër vilajetet që përbënin etninë shqiptare në kuadrin e Perandorisë Otomane.

Sipas zotit Mushkolaj, na rezultuaka se shkëputja e Kosovës nga trungu amë i etnisë shqiptare dhe sidomos sundimi kolonial i Serbisë në Kosovë, na paska pasur "të mirat" e veta: ai sundim, demek, na paska ndikuar në krijimin e një kombi të ri në Evropën Juglindore, pra, në krijimin e "kombit kosovar". Personalisht jam i bindur se populli shqiptar i Kosovës as që mund ta përfytyrojë dot "bamirësinë" e sundimit kolonial serb në krijimin e të ashtuquajturit komb kosovar. Një "bamirësi" e tillë është produkt i fantazisë së çartur të shovinizmit rusoserb, fantazi kjo që duan ta kthejnë në realitet argatët e kollarisur të Serbisë në Kosovë, sipas urdhrit që kanë marrë nga agai beogradas.

Argatët e Serbisë, me kalimin e kohës, janë munduar të jetësojnë edhe ekzistencën e një "gjuhe kosovarishte" për "kombin kosovar". Dhe për krijimin e një gjuhe të tillë, shovinizmi serbomadh ka kohë që është përkujdesur posaçërisht.

Më 20 nëntor të vitit 1999, bashkë me një grup gazetarësh rusë, ndodheshim pranë fshatit Gorozhdec, që shtrihet shtatë km larg qytetit të Pejës. Sapo kaluam postbllokun e KFOR-it italian, hyjmë në fshat. U gjendëm para një lëndine të gjelbër në qendër të fshatit, ku jetojnë 200 familje serbe dhe një familje shqiptare. Aty pari ndodheshin ca shtëpi dhe një shitore ushqimesh. Gazetarët rusë takuan një grup grash të moshuara, të cilat sapo dolën nga shitorja. Gazetari Oleg Odnokolenko i gazetës "Sevodnja" të Moskës i pyeti nëse flisnin shqip (po-allbanski). Ato ia kthyen: "Ne flasim po-shiftarski".

Ç'është kjo gjuhë, - më pyet Olegu i befasuar. - Ato flasin po-allbanski, - i them, por në këtë mes ka një djallëzi. Beogradi, për qëllimet e veta shoviniste, është munduar ta bindë opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, sikur populli shqiptar i Shqipërisë dhe populli shqiptar i Kosovës na qenkan popuj krejt të ndryshëm dhe na folkan gjuhë krejt të ndryshme!

Evropa, nën presionin e shovinizmit rusocarist, vërtet e copëtoi me dhunë Kosovën nga trungu amë që në vitin 1913, por shqiptarët kurrën e kurrës nuk janë pajtuar me një copëtim të tillë.

Më 28 janar 1918, Shoqata "Vatra", në letërprotestën e vet, drejtuar kryeredaktorit të gazetës "Mançester Gardian", ndër të tjera, shkruante:

"Shqiptarët u detyruan t'i përuleshin vendimit të Evropës, por ata nuk i quajnë tokat e aneksuara si të humbura përgjithmonë" (Citohet sipas: Arben Puto. "Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit". Shtëpia Botuese "8 nëntori", vëll. II. Tiranë, 1987, f. 663).

Kërkesa për rikthimin e trojeve etnike të copëtuara padrejtësisht pati bërë qeveria e Durrësit Konferencës së Paqes në Paris më 12 shkurt 1919; Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pasha më 07 mars 1919; Kristo Dako, Kryetar i Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, më 13 mars 1919, i cili u drejtohej presidentëve U. Uillson dhe Zhorzh Klemanso, Paris, si edhe përfaqësuesve të fuqive të mëdha aleate; Mithat Frashëri, si delegat i Shoqërisë Panshqiptare "Vatra", në SHBA, më 30 tetor 1919; Atë Gjergj Fishta në Konferencën e Paqes në Paris.

Publicisti i shquar Gjergj Bubani, në njërin nga numrat e gazetës "Shqipëria e Re" të vitit 1923, shkruante:

"Detyra jonë ndaj kombit aspak s'është mbarue, sa kohë Shkaba e Zezë me fushën e kuqe porsi gjaku, s'valon e lirë nëpër fushat dhe majëmalet e Kosovës dhe të Çamërisë".

Të njëjtat shqetësime për çështjen kombëtare shqiptare ngrejnë edhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Evropë dhe në SHBA dhe askujt prej tyre s'i ka shkuar kurrë ndër mend se na qenka duke u ngjizur një komb i ri në Evropën Juglindore, një "komb kosovar".

Në Shtutgard të Gjermanisë, në ceremoninë dhe koncertin e organizuar për shqiptarët e atjeshëm për nder të përvjetorit të dytë të pavarësisë së Kosovës, më 19 shkurt 2010, zoti Asllan Dibrani, organizator i këtij aktiviteti, deklaroi:

"Data 17 Shkurt 2008 do të mbetet në Historinë e Kombit Shqiptar si data më e madhe e pavarësisë së Kosovës pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë... Pas këtyre dy datave historike, do të jetë e mirëseardhur edhe dita e fitores së bashkimit kombëtar rreth një gjuhe, një kombi, një kulture, një gjaku dhe një Pavarësi e tretë" (Citohet sipas faqes së internetit, 01 mars 2010).

Në mbrëmjen e së dielës së 21 shkurtit 2010, unë me time shoqe dhe familja e tim biri, qemë ftuar nga komuniteti shqiptar i kryeqytetit të shtetit Arizona, Feniks (Phoenix), për të marrë pjesë në festimin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Zonja Ymrane Hajra që hapi ceremoninë, ndër të tjera, duke u drejtuar nga flamuri ynë kombëtar (që ngrihej përkrah flamurit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës), u shpreh:

"Ky është flamuri që bashkon rreth vetes gjithë shqiptarët, kudo që janë. Ndërsa ky tjetri (e kishte fjalën për flamurin e Kosovës), është flamur i përkohshëm, është flamur nga zori".

Kurse publicisti i njohur, zoti Hajro Hajra, që mbajti fjalën e rastit, tha:

"Në këtë përvjetor të dytë të shpalljes së Kosovës shtet, të gjithë ne që jemi të pranishëm në këtë mjedis festiv, por edhe të gjithë shqiptarët anekënd rruzullit, si dhe miqtë tanë të sinqertë, duhet të jemi të lumtur, por jo edhe të ngazëllyer. Pse? Populli ynë ka luftuar dhe ka derdhur gjak për një shekull të tërë, jo për një gjysmë-Shqipëri çfarë kemi sot, jo për një shtet të dytë, siç është Kosova, që ndonëse me mbi 90% shqiptarë, nuk është shtet i shqiptarëve, por shtet i qytetarëve të saj, ose i kosovarëve, siç po propagandojnë disa shërbëtorë të idesë absurde antishqiptare për krijimin e një kombi të ri, të kombit kosovar, por kanë luftuar e janë sakrifikuar për një shtet etnik, në kufijtë e tij natyralë, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë shqiptare, Kosovën Lindore, Çamërinë e trojet shqiptare të Malit të Zi. Kjo ka qenë ëndrra e atyre mijëra shqiptarëve që kanë dhënë jetën gjatë përpjekjeve, gjatë luftërave me pushtuesit, kjo është ëndrra e gjithë popullit shqiptar, ëndërr, gjysma e së cilës u bë realitet pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, falë, në radhë të parë, Amerikës (shtetit që na ka ofruar mikpritje) e aleatëve të saj, falë luftës heroike të UÇK-së, falë ndihmës e përkrahjes së pakursyer të diasporës...".

Unë nuk e di se nuk kam informacion se ku kanë qenë dhe me çfarë janë marrë profesor Spahiu, zoti Mushkolaj e të tjerë sivëllezër të tyre të idesë së ekzistencës së "kombit kosovar", gjatë kohës që Ushtria Çlirimtare e Kosovës qe ngjitur në male për të luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi kolonial serb. Por unë di me saktësi se ku ka qenë asokohe një burrë i shquar i Kosovës, një figurë dinjitoze dhe me integritet të shkëlqyer atdhetar. Ky është zoti Rexhep Selimi, njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe funksionar i lartë politiko-ushtarak, i cili, në një intervistë të paradokoshme, ka deklaruar:

"Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është një aspiratë e qytetarëve të Kosovës dhe vullnet politik, i cili duhet respektuar. Gjithsesi është një ngjarje e madhe për Kosovën dhe të ardhmen e saj, ngjarje për të cilën kanë sakrifikuar gjatë shqiptarët e Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se kjo është fjala jonë e fundit. Ka edhe shumë punë në të ardhmen që të realizohet plotësisht vullneti i shqiptarëve për vendin e vet. Kosova është pjesë e atdheut dhe e trungut shqiptar. Pavarësia është një interval në rrugën e zhvillimit të kombit tonë shqiptar... E drejta e shqiptarëve për të jetuar dhe për t'u zhvilluar si një komb është e drejtë e natyrshme e shqiptarëve. Konjunkturat politike janë shumë më të përkohshme sesa jeta jonë si komb. Asnjëherë shqiptarët nuk janë ndarë në shtete të ndryshme me vullnetin e tyre. Por, po ashtu asnjëherë shqiptarët nuk kanë hequr dorë nga kombi dhe flamuri që i bashkon, pavarësisht rrethanave të caktuara politike që i kanë fryrë ndarjes së shqiptarëve. Kombi ynë ka veç një kurorë dhe një emër, kurorë e jona është flamuri kombëtar, kurse emri - shqiptar". (Citohet sipas: Revista "Zëri i Shqiptarit", nëntor-dhjetor 2009, f. 25, 26).

Por përveç një dore intelektualësh të kollarisur të Kosovës, që, për turpin e tyre, i kanë lejuar vetes të shndërrohen në argatë të shovinizmit rusoserbomadh dhe të shovinizmit grekokaragjoz, ka edhe një masë të pamatë intelektualësh dhe njerëzish të thjeshtë kosovarë, të cilët e konsiderojnë absurde idenë e ekzistencës së "kombit kosovar" dhe e shikojnë me optimizëm çështjen e ribashkimit të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm kombëtar.

Në verën dhe vjeshtën e vitit 1999, i dërguar me shërbim nga Sektori i Jashtëm i Radiotelevizionit Shqiptar, në Kosovë pata shoqëruar si përkthyes tri herë grupe gazetarësh nga Ukraina dhe, siç e pëmenda pak më lart, edhe një grup gazetarësh nga Rusia. Kudo që shkuan për vizitë, që nga Kaçaniku deri në Pejë dhe që nga Prishtina deri në Prizren, pyetja më e shpeshtë që ata gazetarë më kërkonin t'u drejtoja qytetarëve kosovarë, ishte:

"Si e mendojnë këta të ardhmen e Kosovës?".

Dhe përgjigjja e vetme që jepnin qytetarët e Kosovës ishte:

"Ne kërkojmë që Kosova të shpallet e pavarur dhe pastaj të bashkohet me Shqipërinë'.

Këtu po ndalem vetëm në një rast konkret:

Më 24 korrik 1999, kur po shoqëroja grupin e parë të gazetarëve ukrainas, në hyrje të Grant Hotel-it takuam një qytetar të thjeshtë kosovar, zotin Enver Zeka. Ishte punonjës shërbimi në atë hotel. Kishte filluar punë aty për herë të parë në vitin 1989. E patën pushuar serbët në vitin 1990. Qe detyruar të punonte taksist me një motokultivator për të nxjerrë bukën e gojës. Qe rikthyer në punë në hotel më 30 qershor 1999. Përgjegjësi i grupit të gazetarëve ukrainas, zoti Xhon Karvatski (gazetar pranë Shtabit të NATO-s në Bruksel, qytetar kanadez, me prejardhje nga Ukraina), më kërkoi që zotit Zeka t'i drejtohesha me këtë pyetje:

Cili është mendimi i njerëzve të thjeshtë për të ardhmen e Kosovës?

Ja përgjigjja e tij, të cilën e hodha në bllok fjalë për fjalë qëllimisht, sepse do të më duhej për ta cituar në një shkrim timin që e botova më vonë në gazetën "55", me titull "Kur Kosovën unë e pashë", meqenëse për herë të parë po shkelja në Kosovën e dashur:

"Synimi ynë është pavarësia dhe mandej bashkimi me Shqipërinë e Jugut, se Kosova Shqipëri është, por Shqipëri Verilindore, kurse Shqipëria, me kufijtë e sotëm politikë, është, në të vërtetë, thjesht Shqipëri e Jugut, prandaj e përshëndes përzemërsisht popullin e Shqipërisë së Jugut që na u gjend në ditë të vështira".

Kur njihesh me reagimet e profesor Spahiut ndaj fjalës së ambasadorit Lauka dhe me sulmet e zotit Imer Mushkolaj kundër tij, vetvetiu të lind pyetja:

Si është e mundur që këta dy intelektualë radhiten përkrah politikës shoviniste rusoserbogreke dhe bëjnë kauzë me të kundër aspiratës njëshekullore të kombit shqiptar për ribashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm, duke kërkuar të vënë në jetë idenë e ekzistencës së "kombit kosovar"? Në një njoftim të datës 13 qershor 2012, që zoti Flori Bruqi e kishte botuar në faqen e internetit Agjencioni Floripress, me titull "Agjentë serbë në Shqipëri", njoftim ky që ishte botuar përmbledhtazi edhe në gazetën "Panorama" të datës 17 qershor 2012, zbulohej një fakt mjaft tronditës.

Sipas atij njoftimi, Millosheviçi paska pasur në shërbim 2200 agjentë në disa shtete të Ballkanit, nga të cilët 700 i paska patur vetëm në Kosovë.

Ndërkohë, në faqen e internetit me titull "Kërcënimet e Serbisë. Si funksionojnë shërbimet sekrete serbe në Kosovë?!?", jepet ky informacion:

"Edhe pas luftës në Kosovë, është bërë kooptimi i agjenturave serbe në shumë segmente të jetës politike, ekonomike, por edhe strategjike".

Profesor Spahiu dhe zoti Mushkolaj, gjatë gjithë këtyre ditëve, kanë heshtur për këto të dhëna me të vërtetë befasuese, por s'përtuan t'i kundërvihen ambasadorit të nderuar, dr. Islam Lauka, për pikëpamjet e tij shkencërisht të argumentuara se nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë "komb kosovar". Për këta dy zotërinj nuk paska fare rëndësi ekzistenca në Kosovë e batalioneve me spiunë në shërbim të shovinizmit serbomadh.

Studiuesi i talentuar, dr. Moikom Zeqo, thotë:

"Kombi shqiptar, duke krijuar vetëdijen e vet, ka krijuar njëkohësisht edhe vetëdijen për të tjerët. Që në gjenezë të gadishullit ilirik shqiptarët janë zhvilluar si komb gjatë mijëvjeçarëve sipas institucionit të identitetit gjuhësor, kulturor dhe historik. (Citohet sipas: "Shqiptarofilia si dashuri dhe arsyetim". Gazeta "Koha jonë". 04 gusht 2003).

Prandaj edhe personaliteti i shquar politik francez, Justin Godart (1871-1956), më shumë së një gjysmë shekulli më parë, i ka kërkuar Evropës të korrigjojë krimin që bëri me copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Kërkesë për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare pati bërë edhe senatori Helms në senatin amerikan në vitin 1983. Të njëjtën gjë kërkon edhe historiani i nderuar, dr. Aleksandër Lambert, në një intervist që i ka dhënë zotit Indrit Vokshi më 10 nëntor 2007. Para pak ditësh, zoti Feliks Taho botonte këtë lajm fort interesant në faqen e internetit:

"Kryeministri turk Erdogan, në një intervistë për kanalin shtetëror turk, deklaron se Turqia do të mbështesë vëllezërit shqiptarë nëse do të jetë e nevojshme edhe me trupa ushtarakë. Ai shtoi më tej se populli shqiptar ka të drejtën e vetëvendosjes për krijimin e një Shteti të madh Shqiptar, dhe se UÇK-ja nuk është organizatë rrebele-terroriste, por vullneti i shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre. Erdogan ka kërcënuar me shpërbërje të Maqedonisë dhe të të gjithë Ballkanit nëse të drejtat e shqiptarëve nuk merren parasysh. Ai shtoi se trupat kombëtare turke janë në gatishmëri dhe do të ndihmojnë shqiptarët për çlirimin e trojeve shqiptare. Kjo deklaratë ka bërë që ministrat e jashtëm grek dhe serb të reagojnë ashpër" (Citohet sipas faqes së internetit: "Kryeministri Turk Erdogan: Kërcënon me shpërbërje të Maqedonisë dhe të Ballkanit nëse të drejtat e shqiptarëve nuk merren parasysh". 18 maj 2012).

Madje në faqen e djeshme të internetit (21 qershor 2012) të zotit Feliks Taho, me titull: "Nismë e Universitetit Columbia për bashkimin e shqiptarëve", ishte botuar një informacion aspak ngushëllues për argatët e kollarisur të Serbisë në Kosovë. Në atë informacion thuhej:

"Profesori i Universitetit të Columbias, David Philips , i cili është njohës i mirë i çështjes shqiptare në Ballkan, pohon se ka marrë një nismë për promovimin e idesë për krijimin e Shqipërisë Natyrale, - njofton agjencia e lajmeve INA".

Shovinizmi rusomadh, për interesat e shovinizmit serbomadh, nuk dëshiron në asnjë mënyrë që në jugun e Serbisë të krijohet një shtet i fuqishëm shqiptar. Prandaj, siç u përmend edhe më lart, ka shpikur "kombin kosovar", pronar të shtetit kosovar, siç i pëlqen të shprehet profesor Spahiu. Shovinizmit rusoserbomadh i intereson, makar edhe të ekzistojë një shtet i pavarur kosovar, me qëllim që të tallet me të, ashtu siç ka vazhduar të tallet deri tani, në mënyrë që të vijë duke e shkërmoqur ca nga ca përmes argatëve të tij të kollarisur që ka në Kosovë. Prandaj ka shumë të drejtë ai analisti atdhetar kosovar që thotë se prapa kodrës sebe dhe prapa malit grek qëndron Rusia.

Shteti karagjoz grek, nga ana e vet, po ashtu, nuk e dëshiron në asnjë mënyrë krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar në veriun e vet. Që prej vitit 1913 dhe deri në ditët e sotme, Greqia, kjo kryekështjellë e gënjeshtrës, e hipokrizisë dhe e mashtrimit, s'ka lënë kusur pa bërë që të marrë Epirin e Veriut, duke harruar qëllimisht faktin që trojet etnike shqiptare shtrihen deri në Artë e Prevezë. Arsyen e vërtetë se pse këtij shteti karagjoz i shkon me të vërtetë lodra e fëmijës kur e mendon se sipër kufijve të tij veriorë mund të krijohet një shtet i fuqishëm shqiptar, brenda trojeve të veta etnike, na e zbulon gazetarja holandeze Ingeborg Beugel në një intervistë që ka dhënë për Sarajevo-x.com. Ajo ka deklaruar:

"... kam dëgjuar gjatë gjithë kohës argumentet greke mbi rrezikun e një "aksi mysliman" rreth Greqisë, ku, me marifet, Kosova do të bashkohej me Shqipërinë dhe do të bënin një Shqipëri të Madhe, që do ta bënte Greqinë një "sanduiç" me armikun e saj të vjetër, Turqinë. Natyrisht që ishte edhe argumenti i solidaritetit ortodoks dhe urrejtja e vjetër ndaj myslimanëve, aleatëve të Turqisë. Por unë nuk e kam besuar kurrë këtë gjë" (Citohet sipas faqes së internetit: "Greqia, kjo bishë e Ballkanit".05 prill 2010. Përgatiti Albert Hitoaliaj. Marrë nga Sarajevo-x.com).

Pra, ja ku fle lepuri: Serbia dhe Greqia, me përkrahjen e Rusisë "prapa kodrës serbe" dhe "prapa malit grek", nuk dëshirojnë në asnjë mënyrë të lejojnë krijimin e një shteti të bashkuar kombëtar shqiptar, brenda trojeve të tij etnike. Prandaj treshja ortodokse ka shpikur një detyrë shumë të vështirë për t'u zgjidhur, siç është sajimi i "kombit kosovar" që nesër-pasnesër mund të shoqërohet edhe me sajimin e "kombit iliridas", pas një shpërbërjeje të mundshme të Maqedonisë. Dhe këtë detyrë kaq të vështirë, kjo treshe ortodokse ua ka lënë në derë për ta zgjidhur argatëve të lartpërmendur, të cilët, përmes zotit Mushkolaj, ndërmorën një sulm aq të egër kundër ambasadorit shqiptar në Prishtinë.

Santa Barbara, Kaliforni

22 qershor 2012

ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MARK GJONAJ MËSYN ASAMBLENË E SHTETIT TË NJU JORKUTNga FRANK SHKRELI  (06.23.2012)
SHQIPTARËVE NUK MUND T'UA BËJË ASKUSH SHQIPËRINË ETNIKENga ILIR HYSA (06.21.2012)
SHMANGIA E NJË KATASTROFE GLOBALENga LAWRENCE SUMMERS, Washington Post (06.21.2012)
AMERIKA PËRKUJTON VIKTIMAT E KOMUNIZMITNga FRANK SHKRELI (06.20.2012)
KUNDËRREVOLUCIONI EGJIPTIANNga SHABAN MURATI (06.19.2012)
PUNË TË MBARË ZOTI PRESIDENT(Urime edhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan)Nga FRANK SHKRELI  (06.17.2012)
A PO ZBATOHET "KATOVICA"Nga RESHAT KRIPA (06.15.2012)
FJALIMI QË I DHA FUND LUFTËS SË FTOHTËTHIRRJA QË NDRYSHOI BOTËN: "ZOTI GORBAÇOV, SHËMBE KËTË MUR’’Nga FRANK SHKRELI (06.14.2012)
SHQIPTARËT E MAQEDONISË, PRIORITET I ÇËSHTJES KOMBËTARENga SHABAN MURATI (06.12.2012)
NJË PËRVOJË ORGANIZIMI E KOMUNITETIT SHQIPTAR TË WORCESTER, MA TË SHBANga ARTUR VREKAJ (06.12.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]