Mark Gjonaj, me origjinë nga rrethi i Ulqinit -- i cili për lexuesin është i
njohur nga disa shkrime të mëparshme mbi kandidaturën dhe fushatën e tij -- dhe
kandidati shqiptaro-amerikan për Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut fitoi dje në
zgjedhjet paraprake me 52 për qind të votave ndaj kundërshtares kryesore Naomi
Rivera e cila siguroi vetëm 41 për qind të votave. Mark Gjonaj fitoi edhe në
lagjet që mendohej se Naomi Rivera kishte mbështetje të fortë. Në fjalimin e
tij mbrëmë pas njoftimit të fitores në sallen e madhe "˜'Maestro's'' në Bronx,
Mark Gjonaj u tha përkrahësve të tij se ''Kjo është një fitore e të gjithë
banorëve të lagjes elektorale numër 80''. Ai shtoi duke thënë se banorët e
kësaj zone ''meritojnë një përfaqësues që punon aq rëndë sa punojnë edhe ata
vetë'', për familjet e tyre.
Mbrëmë ai u prit në sallën "˜'Maestro's'' nga një turmë e madhe vullnetarësh dhe
shqiptaro-amerikanësh, përfshirë edhe rininë, anëtarë të orrganizatës ''Rrënjët
Shqiptare'', të cilët brohoritnin "˜'Përpara me Mark Gjonaj'', i cili duke i
përshëndetur dhe duke i falenderuar përkrahësit, u tha atyre se ''kjo është një
fitore e gjithë neve dhe si të tillë e ndajmë gëzimin e kësaj fitore me të
gjithë ju. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti u bekoftë të gjithë ju që më
mbështetët dhe punuat në fushatën time.''
Këto ishin zgjedhjet pararkrake sipas sistemit elektoral amerikan, ku
kandidatët e të njëjtës parti garojnë për për tu zgjedhur kandidat i partisë,
në këte rast i partisë Demokrate, për tu ballafaquar me kandidatin republikan
në zgjedhjet e përgjithshme më 6 Nëntor, në të njëjtën zonë elektorale. Por kur
të merret parasyshë se lagja elektorale numër 80 e Bronksit është pothuaj
80-për qind demokrate, atëherë mund të arrihet në përfundimin se Mark Gjonaj e
ka siguruar mbrëmë postin e anëtarit të Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut nga
lagja 80 e Bronksit. Si i tillë ai bëri histori. Mesa dihet, Mark Gjonaj është
i pari shqiptaro-amerikan , nga trojet tona shqiptare në Ballkan, që ka
shpallur kandidaturë dhe ka zhvilluar fushatë, dhe më në fund të ketë fituar në
zgjedhjet për një post politik me rëndësi, siç bëri ai dje.
Pa dyshim se ky është një sukses i Mark Gjonajt, për të cilin ai meriton
lëvdatë për punën e rëndë dhe urimet tona, por është gjithashtu edhe një hap
përpara për komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi fitorja e tij shënon një hap
tjetër drejtë një angazhimi më të plotë, në procesin politik të këtij vendi,
nga ana e komunitetit shqiptar në Amerikë. Në të vërtetë, komuniteti
shqiptaro-amerikan, siç duket ishte i bashkuar dhe i vendosur, si asnjëherë më
parë, që të ndihmonte në fushatën për zgjedhjen e Mark Gjonajt.

Shqiptarët e Amerikës, megjithëse një komunitet i vogël, në krahasim
me komunitetet e tjera etnike, ka shënuar suksese në shumë fusha të ndryshme,
si art e kulturë, dhe sidomos atë të biznesit. Komuniteti shqptaro-ameirkan ka
ndihmuar gjithashtu financiarisht dhe ka mbështetur kandidatët vendas për poste
të ndryshme politike amerikane, përfshirë kongresmenë e senatorë, e deri tek
kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara. Kjo veprimtari ka
influencuar ndjeshëm dhe pozitivisht në politikën amerikane karshi Shqipërisë,
Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Ballkan. Por deri tani, për një arsye
ose një tjetër, anëtarë të përgatitur të komunitetit ngurronin të hedhnin vet
hapin e tyre drejtë pjesëmarrjes në politikë.
Fitorja e Mark Gjonajt është një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës për
komunitetin tonë këtu në Amerikë. Kjo, pra është sfida e brezit të ri të këtij
komuniteti, këtij brezi që ka mundësitë më të mira se çdo brez tjetër më parë i
shqiptarëve të Amerikës. Amerika u jep munësitë. Në asnjë vend tjetër mundësitë
nuk janë më të mira për tu bërë pjesë e procesit politik aty ku jetojmë në
Amerikë, duke kandiduar dhe duke fituar në fushata siç fitoi Mark Gjonaj. Rini
shqiptaro-amerikane, mos ngurro. Bëni histori siç bëri Mark Gjonaj.
Urime dhe faleminderit Mark për shembullin e mirë për brezin e tanishëm dhe
brezat e ardhshëm të shqiptarëve në Amerikë.