PLEDOAJE PËR 'FUQINË E KATËRT' Nga XHEMAL AHMETI
E Djelë, 12.02.2012, 02:59pm (GMT+1)
1.
Asnjë skandal, qoftë ai edhe grahmëvrasësi i çdo vetëbesimi nuk e trondit më
kosovarin e bërë lesh e li nëpër histori. Jo dhuna, krimi, mashtrimi dhe
katastrofat natyrore habisin qenielodhurin e kërrusur bodrumeve sociale lart e
poshtë gjeografisë shqiptare, por ndonjë lajm adresëgabuar e pozitiv që ka dalë
vjedhurazi nga imagjinata e ndonjë redaktori të dehur. Dasmat dhe festat nuk i
përjeton ai për tu krenuar apo si demonstrim të vlerës së tij primaracore siç
akuzojnë mosnjohësit tok me dashakeqët e shpirtit shqiptar por për ta harruar
veten qoftë edhe vetëm për ca milisekonda.
Kjo është gjendja. Ajo më e poshtra dhe më e kobshmja e shumë popujve që ende
nuk kanë kuptuar se si të ekzekutojnë demonët e tyre të brendshëm.
Në kulmin e kësaj drame vegjetojnë ato shoqëri të cilat kanë humbur çdo
milimetër të tokëveprimit të tyre, nuk kanë askund hapësirë shprehjeje dhe u
është suprimuar e drejta e alternativave. No space no choice, thotë gazetarja
dhe kritikja sociale kanadeze Naomi Klein (No Logo; 2001).
2.
Do përgjime nga laboratorët e zyrave të hetuesisë së EULEX-it mbytën optimistët
e fundi të vetecjes së demokracisë kosovare dhe vullkanizuan mllefin e
pesimistëve të përhershëm. Qeveritarët e përgjuar thonë se audiot janë të
falsifikuara dhe paralelisht siç e kapi mprehtë një miku jonë në facebook i
pohon bisedat si origjinale duke thënë se janë të paligjshme.
Të habit habia e optimistëve dhe
të çorodit morali i mantelit pa astar i pesimistëve. Të bën të ndihesh infantil
loja e EULEX-it që banalizon «vjedhjen e përgjimeve» si akt të ndonjë urithi
hajn edhe pse tashmë çdo analist mendjemprehtë ka informata për strategjitë
konkurruese ndërmjet SHBA-ve dhe BE rreth çështjes se kush duhet ta qeveris
Kosovën pas zgjedhjeve të ardhshme dhe dinë për instrumentalizimin e EULEX-it
në këtë parakomplot.
Bisedat e përgjuara janë primitive, konform kapacitetit kalkulues të shtabeve
politike të qeverisë kosovare, në përputhje me historinë e deficitit
intelektual të të gjitha qeverive shqiptare deri sot.
3.
Po pse gjithë kjo habi, nga ku gjithë ky irritim për një akulturë komunikimi e
veprimi social e politik që na shoqëron si kancer gjithandej, jo vetëm brenda
zyrave të burokracive dhe qeverive shqiptare? Mos tërbimi vjen si çdoherë nga
mosdurimi i vetes sonë në pasqyrë? Nëse është kështu atëherë po përjashtojmë
botën nga odat tona dhe reflektojmë pak mbi veten.
Kur ta përmbysim paraprakisht çdo vetëpozë, kur t'ia lidhim sqepin papagajit të
egos tonë, bëhemi për ca sekonda të sinqertë dhe përjetojmë frymëbllokadën e
domosdoshme: a nuk është ky mentaliteti jonë i komunikimit. Pse bëhemi apostuj
të një morali të paqenë. Po si përpiqen emigrantët të sigurojnë ndonjë investim
të tyre në «atdheun e tyre të dashur»?
Duke mos lënë pa kontrolluar asnjë regjistër farefisnor kërkueshëm ta gjejë
ndonjë hallë a teze që e lidh me pushtetarë për ta kapur sistemin. Po si
funksionojmë ne kur duam ta punësojmë dikë të familjes tonë në punë? Duke
besuar në meritat e familjarit që dija gati ia plas qelizat e trurit? Jo. Kjo
nuk është praktika jonë shqiptarçe, ballkanase. Le t'i shesim moral ndonjë
banori të Australisë ama jo vetes. Qeveritë tona janë qendrat akumuluese të
injorancës tonë kolektive.
4.
Si ta ripushtojmë hapësirën, të drejtën tonë për alternativa? Tek partitë
ekzistuese kosovarët humbin besimin dita-ditës sa më shumë. Qeveritë janë
kuadrot e tyre. Koha e daljes në rrugë ka perënduar. Vetëdiegiet nuk zymtësojnë
as njërën vetull të politikanëve cipëdalë. Ku të shpresojnë masat e
depresionuara kundër shpresësabotuesve të tyre? Çka u bë me mitin e «fuqisë së
katër«?
Në mediet sociale lehtë konstatohet se sidomos gazetat mbajnë primatin sa i
përket orientimit të diskusioneve, debateve dhe diskurseve publike. Sa fuqi
kanë ato realisht?
Çdokush që ka studiuar historinë e medieve e di se faza ndërmjet 1950-1990
konsiderohet si etablimi kualitativ i medieve në pozitën e «fuqisë së katërt»
në shoqëritë perëndimore. Deri para kapjes së tyre nga oligarkët ato vërtet
luajtën rolin e kritikut dhe kontrolluesit pozitiv të demokracive dhe shoqërive
perëndimore. Ato nuk arritën të bëjnë asnjëherë vetëdijen dhe opinionin e
masave, mirëpo askush nuk mohon meritat e tyre për shpërndarjen e dijes, për
demaskimin apo përforcimin e strategjive dhe politikave. Kjo është periudha që konsiderohet
si më kualitativja në përforcimin e demokracive.
5.
Shqiptarëve ende nuk u kanë rënë nga duart prangat e njëmendësisë. Nuk kanë pas
kohë. Mediet në Shqipëri shquhen nga një multimonizëm bulevardesk, ato ende nuk
e kanë ndërmend të shkundin librat e profesionalitetit. Në Kosovë, sa i përket
profesionalitetit «teknik» qëmoti ka nisur një proces shpresëdhënës, mirëpo
shumica e tyre nuk guxojnë të kalojnë vijën përtej doktrinës personale të
botuesit (pronarit), financuesit (OJQ-ve, qeverive) ose klanit.
Parasëgjithash as ato nuk i ikin dot sistemit përzgjedhës të «hallave, tezeve,»
dhe «dajëve dhe praktikantëve» të Grabovcit, kështu duke paravdekur shumësinë e
alternativave intelektuale që masat do t'i përkrahnin duke shpërblyer mediumin
me statusin e opinionbërësit, kontrolluesit dhe korrektorit të demokracisë së
tyre. Vetëm me një «fuqi të katërt» që syhapur ndjek punën e qeverive, ndjek
përbërjet, sistemet dhe strategjitë e organizatave supranacionale (OKB, EULEX
apo kushdo tjetër) mund të sigurohet ai vox populi i shoqërisë përtej zyrave
dhe komploteve.
Hë për hë vazhdojmë me formulën e Kleinit «no space no choice». Ose
jo?
XHEMAL AHMETI
|