Është kënaqësi që t'ju raportoj sot në Kuvendin e riëprtëritjes dhe
rigjallërimit të Vatrës si editor i Diellit. Është e fundmja e gazetave të
Rilindjes Kombëtare, që vazhdon të jetë në botim. Ndërsa Vatra jonë nesër (28
prill) ka ditëlindjen e 101, me 15 shkurt 2013, zëdhënësi dhe avokati i
saj, Dielli festoi 104 vjetorin e lindjes. Një ditëlindje që ia vlen ta
festosh, ta kujtosh dhe të krenohesh, edhe pse ne nuk e festuam, thjeshtë e
përkujtuam përmes vetë gazetës, ose thënë shkurt-gazeta uroi vetëveten.
Që t'ju raportoj se çfarë ka bërë Dielli, nuk mund ta nis nga sot,sepse Dielli
i sotëm nuk ka kuptim pa atë të djeshmin, aq më shumë që ne kemi një masë të
madhe vatranësh të rinj, që pak janë të njohur me historinë e Diellit dhe të
vetë Vatrës. Pra më duhet të eci ca kohë pas, jo shumë, 104 vite të shkuara, me
15 shkurt 1909, kur Dielli nisi udhëtimin si organ i shoqërisë "Besa-Besën",
një nga shtyllat mbi të cilën u mbajt Vatra, kur u themelua me 28 prill 1912.
Nuk dua t'ju shpenzoj kohë duke bërë histori, por publikimi i programit
Kombëtar në numrin e parë të gazetës, dëshmon frymën dhe shpirtin rilindas të
Diellit dhe kthjelltësinë e atyre që e drejtuan. Gjatë kohës që Dielli ishte
gazetë e Besa-Besën kishte për editor burra fort të mençur të Kombit, si Fan
Noli, Faik Konica, Efthim Natsi e Kristo Floqi. Imzot Noli editoi 69 numra të
Diellit të Besa-Besës, Kristo Floqi, editori I fundit persa kohe ishte I
Besa-Besën, editoi 59 numra dhe ustai I letrave shqipe, Faik Konica 47
numra. Dielli i atyre viteve mbart gjurmët e drejtuesëve të vet dhe mbjelljes
së farës kombëtare për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta u bë pronë e Vatrës pasi Besa-Besën u shkri në Federatën Vatra. DIELLI
frymëzoi vatranët me frymën Kombëtare, aq sa ishin gati të jepnin edhe rrobat e
trupit për çështjen kombëtare. Gazeta u priu fushatave Kombëtare të Vatrës duke
kuvenduar përzemërsisht me shqiptarët e Amerikës.
Ashtu si edhe vetë Vatra, Dielli nuk i shpëtoi mentalitetit dhe psikologjisë
shqiptare, polemikave, deri në ekstrem. Kështu psh në kohën e çarjes së
parë të Vatrës, kur u shkëput fraksioni i Kristo Dakos, plasën polemikat
e fuqishme mes "Diellit" dhe "Albanisë" të K. Dako, pa kursyer edhe Atin e
Pvarësisë Ismail Bej Qemali. Kjo polemikë pati kundër edhe gazeta të tjera siç
ishte "Koha" e Mihal Gramenos, I cili edhe ishte sponsorizuar nga Vatar, siç qe
sponsorizuar edhe Atë Gjergj Fishta, Midhat Bej Frasheri e te tjerë atdhetarë.
"Dielli" e aso kohe u drejtuanga: Konica, Paskal Aleksi, Dennis Kambury,
Kostandin Çekrezi (i takon atij merita e botimit të përditshëm të Diellit),
Noli, Bahri Omari, Loni Kristo. Nëse do t'u drejtoheshim statistikave, kemi
këtë tablo ; Bahri Omari , kunati i Enver Hoxhës, i pushkatuar nga ai vetë,
editoi më shumë numra nga të gjithë,1074, Kostë Çekrezi 241 dhe Fan Noli
137.
Dielli i është përmbajtur fryëmës Kombëtare, ç'ka ka karakterizuar vetë
Vatrën.Në vitet 1920-24, gazeta mbështeti përpjekjet e Fan Nolit për zhvillimet
demokratike, madje edhe Lëvizjen e Qeshorit dhe qeverinë e kryesuar nga Peshkop
Noli. Dielli e mbështetur edhe nga "Shqiptari i Amerikës", që pat nisë
botimin në Korçë më 1922, nën drejtimin e Loni Kristos si editor, ishin opozita
e shtypit të kohës kundër qeverisë së Ahmet Zogu. Madje Dielli u ndalua që të hynte
në Shqipëri, ndërsa Shqiptari i Amerikës u padit në Gjykatë, derisa u ndalua.
Drejtues të Diellit për atë kohë ishin: Andon Frashëri e Faik Konica, i cili
krahas drejtimit të "Vatrës", u zgjodh kryeeditor në Kuvendin e vitit 1923,duke
patur si ndihmës /editor Andon Frashërin dhe Aqile Tasi. Kur Partia
Liberale e Nolit humbi zgjedhjet, lufta politike mori flakë. Megjithëse "Vatra"
e përkrahu qeverinë e Nolit, "Dielli" i pat të ashpra kritikat ndaj saj. Me atë
rast, Konica shkroi një perlë për kohën :"Komedia e partive, dhe rreziku që
qëndron në derë të theatrës", ku ndër të tjera shkruante: "Në qoftë se anarkia,
e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon dhe ca kohë, ahere
optimisma s'ka vënt dhe trembem se diç do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të
vet-qojturve "˜udhëheqës' do t'u vijnë menttë dhe punët do të shtrohen. Po në
qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria fjalë fatale vdes, ahere
munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: "U-ngjall nga
idealistët, U- ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët".
Dielli si zëdhënëse e Vatrës, në vitet 1925-39,ashtu si Vatra vetë,
përkrahu politikën e mbretit Zog, duke lënë mënjanë liberalizmin demokrat
të Nolit dhe përqafoi qëndrimin e krahut të djathtë të Konicës. Siç ka
analizuar editori para meje, poeti dhe studiuesi Anton Çefa:" Ideologjia dhe
politika e gazetës kaloi në anën e qëndrës së djathtë, gjë që u pasqyrua në
qëndrimet promonarkiste, profashiste për një kohë të shkurtër, dhe
antikomuniste."
Humbja e Nolit në Shqipëri, ikja e tij në mërgim, ndërkohë që
kundërshtari i tij Ahmet Zogu e dënoi me vdekje në mungesë, krijoi probleme mes
vatranëve dhe e ndau federatën në dy kampe. Vatra zyrtare i ktheu kurrizin
Nolit dhe çdo gjë u përqëndrua në duart e Konicës nga viti 1926, ku ai u bë
Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Amerikë, Dielli ashtu si Vatra kishin një
komandant, Faikun. Gazeta filloi ta godiste dhe krijuesin e saj Nolin, madje me
artileri të rëndë. Fryma polemike u nxeh.Noli i përgjigjej me armë të të njëjtit
kalibër përmes në gazetës"Emigranti", që drejtohej nga editori i ardhshëm i
Diellit, Qerim Panariti dhe botohej në Worchester, Mass., si dhe në "Liria
Kombëtare" që botohej në Vjenë, e më pas në "Republika", në Boston. Polemikat
zgjatën deri në vitin 1937. Në ato vite Diellin e editonte "nxënësi i bindur"
Konicës, Nelo Drizari, që kishte kryer studimet për gazetari dhe kishte botuar
Gramatikën dhe Fjalorin shqip-anglisht. Drizari e bëri fakt të kryer pajtimin e
Diellit dhe të Vatrës me Kryepeshkopin përmes artikulli "Ungjillori i
shqiptarëve".
Ashtu si Vatra nuk shpëtoi dot nga përçarjet, edhe zëdhënësi dhe avokati i saj
, Dielli, nuk pati imunitet nga sherret. Ashtu siç ishte përça në gusht të
vitit 1917, kur ish kryetari dhe editori i Diellit Kristo Dako,që i shkëputi
Vatrës nja grup vatranësh të degës Westchester, e njëjta gjë ndodhi 19 vjet më
pas, më 1936, kur Vatra u ca keqazi. U krijuan dy Vatra, një Boston, një në
Detroit. Po ashtu u krijuan edhe dy gazeta Dielli, ajo e vjetra e Bostonit dhe
e reja e Detroitit me kryetar Fazlli Panariti. Dielli i Detroitit u editua nga
dishepulli i Konicës, Refat Gurrazezi. Dielli i Detroitit kritikonte rëndë Fan
Nolin. Ky dualizëm vazhdoi për tre vjet, derisa vatranët gjetën forca dhe u
ribashkuan në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë. Po ashtu edhe Dielli i
Detroitit pushoi së botuari.Editorët të kësaj kohe për Diellin shërbyen:
Konica, Andrea D. Elia, Refat Gurrazezi dhe Nelo Drizari. Gjatë pushtimit
italo-Gjerman, Dielli kritikoi ashpër pushtuesit dhe nuk i kurseu kritikat për
Mbretin Zog, por ndërkohë, në Dielli u pasqyruan edhe përpjekjet e Fan S. Nolit
e të Faik Konicës për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim në kryesimin e
Ahmet Zogu, si një platformë politike e domosdoshme për shpëtimin e atdheut,
sigurimin e pavarësisë dhe integritetit tokësor të Shqipërisë.
Në vitin 1941 u shkaktua një çarje tjetër, e treta, ku pasojat ranë kryesisht
mbi Vatrën. Kostë Çekrezi formon "Shqipërinë e lirë" dhe nisi botimin e Shemrës
së Diellit- gazetën "Liria". Një pjesë e vatranëve kaluan me Çekrezin, i cili
iu kundërvu platformës politike të Nolit e Konicës për krijimin e qeverisë
shqiptare në mergim. Ai propozonte një Komitet, përmes të cilit të krijohej një
Front i Përbashkët për Shpëtimin e Atdheut.Fryma polemike u ashpërsua shumë.
Editorë të kësaj periudhe kanë qenë Petër Tiko dhe Qerim Panariti për të cilin
kishte akuza se anonte nga qeveria e Enver Hoxhës, por në fillim të viteve '60
Panariti shpërtheu plot inat kur gazeta Bashkimi e etiketoi si imperialist.
Vijmë tani tek periudha 1945-1990. Vatra, e lodhur nga lufta e gjatë politike,
shpreson tek demokratizimi i Shqipërisë, nga frika se Greqia vazhdonte të
pretendonte Shqipërinë e Jugut,u jep mbështetje udhëheqësve komunist, madje i
prêt dhe përcjell emisarët e Enver Hoxhës, duke filluar nga Noli vetë që vjen
në Nju Jork dhe takohet me delegacionin e Enver Hoxhës shumë herë. Po ashtu dhe
Dielli mbështet Vatrën. Që në faqet e para lexohen me shkronja të mëdha lajme
për qeverinë komuniste . Duket se Dielli dhe Liria e Bostonit ishin në garë
kush e kush të shkruante më mirë për qeverinë e Enver Hoxhës. Po të marrim hua
një shprehje nga Peter Ktona, broshura e tij"Misioni i federatës Panshqiptare
të Amerikës Vatra-dje dhe sot"; ajo periudhë mund të përshkruhet kështu"Pas
vendosjes së Qeverisë Komuniste në Tiranë, të dy organizatat, me anë të
organeve të tyre, Dielli dhe Liria, duallën hapur duke përkrahur regjimin
komunist shqiptar. Editori i gazetës Dielli, Qerim Panariti, tregohesh më i
flakët pro Enverit se sa gazeta Liria. Megjithëkëto Tirana nuk kishte besim tek
Vatra, siç duket për të kaluarën e saj patriotike dhe e hodhi peshën e
përkrahjes ndaj organizatës Shqipëria e Lirë. Një pjesë e vatranëve , shkruan
Ktona, dezertuan, shkuan tek Shqipëria e Lirë që kishte përkrahjen e Qeverisë
komuniste. Tek VATRA qëndruan nacionalistët dhe atyre iu shtuan në fund të
viteve '50 dhe fillim i viteve '60 e në vijim antikomunistët nacionalistë. Edhe
Dielli i forcoi pozitat nacionaliste. Në Liria botoheshin repotrazhe e intervista
që lanin e lyenin Shqipërinë si Kështjellë e Socializmit, që shkruheshin
nga ata që vizitonin shqipërinë sepse kishin bekimin e Qeverisë
Komunsite. Në këtë kohë, Dielli nuk i kursente kritikat.
Megjithatë nga mesi i viteve '50 Panariti, që e drejtoi Diellin për 19 vjet,
ndërgjegjësohet dhe nis kritikat.Kritikon qeverinë komuniste për izolimin e
vendit nga bota perëndimore dhe për moslejimin e shqiptarëve të Amerikës për të
vizituar atdheun,-kritikohet gjendja e rëndë ekonomike, kritikohet refuzimi i
ndihmave amerikane dhe falënderohet Presidentin Amerikan Eisenhower për to,
etj.Panariti e editoi Diellin nga 1944 1963. Ai mbetet editori më jetëgjatë
në historinë e gazetës, dhe i vetmi që ka koleksionuar edhe një çmim amerikan
të Diellit në një konkurs ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë.
Në vitet 58-60, Panariti pati si ndihmës edhe Petër R. Prifti, që kreu edhe
detyrën e sekretarit të "Vatrës". Pas Panaritit, editor i Diellit vjen Athanas
Gegaj, i cili risjell frymën e monarkistëve në gazetën e Vatrës, i mëshon
nacionalizmit, ashpërson kritikat ndaj sistemit komunist. Edhe Xhevat
Kallajxhiu , solli një frymë të re të gazetës, duke rrahur shpesh temën e
bashkimit të shqiptarëve të Amerikës. Editorialet e Kallajxhiut përcjellin frymë
rilindasish. Pas tij gazetën e editoi Eduard Liço.
Tashmë vimë tek vitet 1990-2006. Nga viti 1990 94, gazeta nuk pati stabilitet
dhe kaloi dorë në dorë, ajo u botua tepër rrallë dhe kishte më shumë vlera
kronikale .Pas largimit të Eduard Liços në vitin "˜90, një numër e botoi Din
Derti. Në vitet 1991 dhe 92, Arshi Pipa, njëkohësisht edhe kryetar i "Vatrës"
dhe editor, botoi me ndërprerje 8 numra të gazetës, në këtë periudhë , '91, një
numër u editua nga Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj me asistencën e
Tahir Deskut e Muhamet Mjekut; në vitin 1992, një numër është edituar nga Agim
Karagjozi, kryetar i "Vatrës", dhe Gj. Buçaj, nënkryetar; në vitin 1993, Agim
Karagjozi botoi 3 numra, në vitin '94, u botua një numër nën editimin e Agim
Karagjozit dhe Anton Çefës. Nga tetor-dhjetori i këtij viti deri në vitin 2006
u botuan 45 numra nën editimin e Anton Çefës dhe me Agim Karagjozin si managing
editor. Gjatë editimit të Anton Çefës Dielli u ngrit nga ana cilësore dhe
kontribuoi në përcjelljen e vlerave studimore, historike dhe letrare.
Tashmë kemi mbërritur tek Dielli i sotëm. Ritheksoj se është një ditë e
shënuar për Vatrën kjo e sotmja sepse me këtë Kuvend ajo kërkon që të hapë një
faqe të re në historinë e saj 101 vjeçare. 101 vitet e saj nuk tregojnë shenja
pleqërie, përkundrazi, në këtë dekadë të fundit të shekullit të ri, Vatra e ka
përmirësuar mjaft profilin e saj kombëtar dhe së fundi po arrin atë që nuk
është bërë dot në 20- 30 vitet e fundit.
Ardhja ime në Vatër si editor i Diellit, i takon 100 vjetorit të Gazetës
Dielli, ku referova kumtesën: " Gazeta "Dielli"- shkollë e shtypit të lirë për
gazetarinë shqiptare". Vatranët më pritën me zemër të ngrohtë. Jam
emocionuar nga njoftimi publik që publikoi Vatra me 1 gusht 2009, botuar në
numrin e parë të edituar nga unë , shtator 2009, nënshkruar nga kryetari
Agim Karagjozi. Në të thuhej:" Në mbledhjen e mbajtur me 1 gusht
2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emërimin nga
Kryesia të z. Dalip Greca editor i Diellit." Në njoftim përcillet edhe
informacioni për botimin një herë në muaj të Diellit pas një ndërprerje më
shumë se dy vjeçare. Për këtë qëllim lajmërohej edhe hapja e fushatës për
ndihma financiare që të mos ndërpritej Dielli, fushatë që nuk u kurorëzua
plotësisht, për shkak se jo të gjithë i mbajtën premtimet,por gjithësesi
ata që i mbajtën premtimet janë përjetësuar në faqet e Diellit, ku është
publikuar çdo dollar që kanë dhënë vatranët.
Jam përpjekur që ta justifikoj besimin që më dha Vatra duke punuar me të gjithë
fuqitë e mia. Se sa ia kam arritur
vlerësimin duhet ta thonë vatarnët. Mendoj se më e mira ende nuk është bërë.
Natyrisht që ka edhe të meta, që duhen korrigjuar. I falenderoj të gjithë ata
që më kanë mbështetur , ndërkohë që ftoj për bashkëpunim edhe ndonjë
që diku i ka mbetur qejfi.
Duke iu drejtuar statistikave, ashtu si paraardhësit e mi, gjatë kohës që e kam
edituar Diellin, me numrin e prillit 2013 bëhen 44 numra të edituar nga unë dhe
asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim vendimin e Këshillit për ta botuar Diellin
një herë në muaj. Madje edhe kur kam pasë problem me shëndetin, Dielli nuk
është penguar. Jam përpjekur që Gazeta të ruaj fizionominë e saj, të sjellë në
faqet e veta problematikën që ka trajtuar Vatra, frymën e saj Kombëtare,
shqetësimin e saj për zhvillimet demokratike në Shqipëri, jo rrallë ka pasë dhe
frymë polemike për t'u dhënë përgjigje atyre që hedhin gurë kundër Vatrës, etj.
Por duke qenë se gazeta ka qenë edhe para dy ngjarjeve të mëdha, 100 vjetorit
të themelimit të Vatrës dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i ka
mëshuar fort edhe historisë Kombëtare dhe historisë së Vatrës. Qëllimi ka qenë
që të evokojmë tek brezat e sotëm krenarinë e punëve të mëdha që ka bërë Vatra
për Kombin. Krahas temave të rrahura edhe më parë nga editorët paraardhës, jam
përpjekur që të gjurmoj edhe figura pak të trajtuara të vetë Vatrës, të sjell
histori për të parën herë etj. Falenderoj publikisht edhe median tjetër që na
ka mbështetur. Veçoj TV Kultura Shqiptare me Adem Belliun, me të cilin për një
vit kemi realizuar shumë emisione për historinë dhe rrugën 100 vjeçare të
Vatrës. Edhe Zëri i Amerikës e ka ndjekur nga afër ringritjen e Diellit
dhe na ka mbështetur.Po ashtu edhe TV 21, TV Alb, Bota Sot dhe Illyria etj.
Me krijimin e degëve të reja Dielli u ka dhënë hapësirë edhe informacioneve që
vijnë nga aktivitetet e tyre, por kjo kërkon përsosje të mëtejshme dhe degët
duhet të tregojnë më shumë kujdes, që kur zhvillojnë takimet të caktojnë
reporterin e cdo mbledhje dhe ai ta përcjellë informacionin dhe fotogarfitë në
gazetë. Kjo ka qenë traditë e Vatrës gjatë 100 viteve. Ju lutem kryetarëve të
kthehen tek tradita dhe të ndihmojnën Dillin jo vetëm nga ana financiare, por
edhe me informacione dhe me shkrime. Jo vetëm kaq, por degët duhet të sjellin
në gazetën e Vatrës çdo njoftim, që ka të bëjë me anëtarët e vet, i gëzuar apo
i hidhëruar, edhe një ditëlindje, fejesë a dasëm, edhe një dalje nga spitali i
një vatarni, apo një ditëlindje, nje kremtim, një dasëm, përbëjnë
lajm.Vatranët duhet ta konsiderojnë veten si pjesë e një familje të madhe ku
lajmet përjetohen bashkë.
Nëse do të rendisja arritjet e Diellit gjatë këtyre tre viteve dhe 9 muaj që
editoj do të përmendja edhe rritjen e numrit të faqe . Siç njoftonte editori i
mëparshëm, Anton Çefa: Gjatë jetës së tij të gjatë, "Dielli" është botuar në
shqip dhe pjesërisht në anglisht, me 2, 4, 6, 8, 10, 12, 14 dhe 16 faqe, me
formate të ndryshme. Ne nisëm rritjen e faqeve të gazetës, me 24, 28, 32, 36
dhe 40.
Një risi tjetër ishte edhe ajo që nisi në vitin 2009 me rastin e Ditës së
Flamurit ,ku ne nisëm botimin e edicionit special të gazetës me shumë faqe,
ç'ka nuk ishte bërë asnjëherë më parë. Fillimisht edicioni i numrit special të
Ditës së Flamurit nisi me 60 Faqe,në vitin 2010 dhe 2011 me 84
Faqe, në vitin 2012 me 108 faqe. Po ashtu u botua një numër special edhe me
rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës. Në atë numër Dielli u botua me
104 faqe. Editori i Diellit në bashkëpunim me vatranët përgatiti dhe editoi në
100 vjetorin e Vatrës edhe një botim special të ilustruar me 95 faqe, me
histori e urime, në traditën e botimeve të mëparshën në përvjetore të atilla. I
falenderoj të gjithë kontribuesit, pa lënë mënjanë dhe z. Ismer Mjeku që dha
një kontribut të veçantë në 100 vjetorin e Vatrës.
Në ndryshimet e sjella në gazetën Dielli është edhe kthimi i saj me ngjyra që
nga numri i qershorit 2010.
Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar
afër. Mendoj që për të ardhmen Dielli ka më shumë nevojë për bashkëpunim dhe
natyrisht për një staf të plotësuar, mundësisht edhe një editor për gjuhën
angleze.
Kjo i takon udhëheqjes së re që do të dalë nga ky Kuvend. Drejtuesit e rinj
duhet që ta mbështesin Diellin edhe me artikuj, ç'ka nuk është bërë mirë nga
kryesia e deritanishme, për të mos thënë se ka munguar deri tani.Veç kryetari
Buçaj, gazetarit Idriz Lamaj, firmat e tjera nga kryesia apo Këshilli kanë
munguar në faqet e Diellit.
Gazeta e Vatrës ka nevojë edhe për ndihmë financiare, ka nevojë për bujarinë e
vatranëve, mirëpo shumë pak nga ata që kanë biznese reklamojnë në gazetën
e tyre, Dielli, madje ka nga ata qe kane reklamuar dhe nuk kane paguar. Ndoshta
Dielli nuk të shton klientelën, por ti biznesmen vatran ia shton
jetëgjatësinë gazetës dhe me bujarinë tënde nxit të tjerët që të reklamojnë në
gazeten e Vatrës. Nuk ua mohojmë ndihmën që i kanë dhënë Diellit shumë nga
biznesmenët vatarnë me rastin e Ditës së Flamurit apo me rastin e 100 vjetorit
të themelimit të Vatrës, por me kaq nuk mjafton.Prandaj i ftoj publikisht
biznesmenët vatranë:Reklamoni në DIELLI se ia rrisni nderin vetes.
Falenderoj z.Sejdi Bitiçin që ka kontribuar në mënyrë të veçantë edhe në
përmirësimin grafik të gazetës duke sponsorizuar dizajnimin e saj. Po ashtu
falenderoj Danny Blloshmin që kohën e lirë, gjithëmon në orët e vona të natës
punon vullnetarisht për dizajnimin e Diellit. Po të mos ishte pasioni i tij,
vështirë do ta kishim në stabilizimin e Diellit në botimin e përmujshëm. Tash
ka ardhur koha që Dielli të hedhë hapin tjetër, të nisë botimin e përdyjavshëm,
duke synuar një botim të përjavshëm shumë shpejt. Por kjo nuk mund të bëhet
nëse nuk ka mbështetje dhe nëse nuk niset një fushatë me frymën e vatranëve të
vjetër për të siguruar të ardhura dhe nëse biznesmenët vatranë nuk reklamojnë në
të.
Jasht këtij raporti nuk mund të lë edhe gazetën në on Line. Mendoj se kjo e ka
bërë më publike gazetën dhe vete Vatren, ka shtuar bashkëpunëtorët, madje jo
vetëm nga Amerika e Kanadaja, por edhe në Evropë, Australi, Zelanda e Re, edhe
nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria. Me lajmet e Vatërs që nga viti 2011, po
jetojnë shqiptarët kudo ku banojnë. Po ju them vetëm një shifër nga analiza
googl-it: Diellin e vizitojnë më shumë se 25 mijë vizitorë. Dielli në on line
po na bashkon virtualisht kudo ku ndodhemi.Ju lutem shtojeni bashkëpunimin me
qëllim që ta bëjmë më interesant atë.
Përfundimisht: Unë e fus e veten tek optimistët. Përherë kam besuar tek fryma e
vatranëve, tek dëshira e tyre për ringjalljen e gazetës dhe i kam dhënë asaj
shpirtin tim. Ndoshta kjo nuk u bie në sy atyre që janë mësuar ta shohin nga
larg Diellin. Vatrën dhe gazetën e saj Dielli e kanë sulmuar për shumë kohë,
madje kjo ka ndodhë edhe pas 100 vjetorit, i cili qe një manifestim
madhështor, për ata që e shihnin me syze të errëta Vatrën dhe Diellin shanin e
mallkonin nëpër kafene dhe gazeta se Vatra po mbaron se Dielli po shuhet, Vatra
merret me politikë, Vatra është e izoluar etj.Këtë e thonë edhe tani ku Vatra
po ngre degë anë e kënd Amerikës. Po kur nuk i hodhën gurë Vatrës dhe Diellit?
Dhe që të dy këto instituticione kombëtare i kanë sfiduar shpifësit dhe
ndjellakeqët. Jetëgjatësinë e Diellit 104 vjeçar dhe të Vatrës 101 vjeçare nuk
mund ta kuptojë një njeri që e sheh Vatrën nga jashtë, dhe mban ndaj saj
pozicionin e policit kur shkelen vijat e bardha.
Mendoj se spjegimi i të ndjerit Peter R Prifti, editor i Dielli tetor
1958-16 shtator 1959,për jetëgjatësinë e Diellit dhe të Vatrës, është më i
argumentuari: "Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që
duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë
rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme,
kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet
Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtërore dhe
emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkuarën, me gjithë historinë e
tyre në Amerikë.".
Po e mbyll këtë raport me besimin e patundur se Vatra dhe Dielli, do të jenë të
përjetshëm.
* (Raport i editorit të Diellit, DALIP GRECA, përgatitur për në Kuvendin e
Vatrës, 27 prill 2013.Për mungesë kohe, raporti nuk u lexua në Kuvend. Editori
përshëndeti për 4 minuta)