Që diplomacia është arti i bisedimeve në çdo situatë, për të sjellë paqen, po
provohet çdo ditë e më tepër në praktikën e jetës ndërkombëtare. Që "diplomaci"
do të thotë të bisedosh për hir të paqes me armikun, edhe kur armët nuk kanë
pushuar, ky është një mësim i madh dhe i rrallë, që SHBA i japin, jo vetëm
shteteve, por gjithë forcave politike të botës. Pakkush mund të kishte menduar
se do të ndodhë ajo, që brenda pak ditëve SHBA do të zhvillojnë bisedime
zyrtare me talebanët e Afganistanit, me të cilët janë në një luftë të ashpër
dhe të gjatë, që nga ndërhyrja e forcave të NATO-s në atë vend në vitin 2001.
Ambasadori Xhejms Dobins, i dërguari i posaçëm i SHBA për Afganistanin dhe
Pakistanin, do të kryesojë nga pala amerikane bisedimet, të cilat do të zhvillohen
në Doha të Katarit. Nga pala e talebanëve ndodhet tashmë në Doha një delegacion
prej tridhjetë vetësh, dhe në kuadër të këtyre bisedimeve të paqes u hap në
datën 18 qershor edhe një Zyrë e talebanëve në Katar.
Sfida që ndërmerr SHBA në fushën e diplomacisë për çështjen afgane është e
pashoqe. Diplomacia amerikane ulet në të njëjtën tavolinë për bisedime me
përfaqësuesit e talebanëve të Mullah Omarit, të cilët janë bërë një nga
sinonimet e së keqes ndërkombëtare, që prej 12 vjetësh. Mbi kokën e Mullah
Omarit vazhdon të qëndrojë posteri ndërkombëtar "Wanted" me një çmim astronomik
shpërblimi prej 25 milion dollarësh. Se çfarë ka ndodhur në Afganistan dhe se
çfarë ferri ka qenë dhe është situata atje, e dinë të gjitha shtetet anëtare të
NATO-s dhe në radhë të parë SHBA-ve, që kanë paguar çmimin më të madh të gjakut
me ushtarët e tyre të vrarë, e dinë dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s, që
kanë dërguar forca në Afganistan, me koston e gjakut të ushtarëve të tyre të
derdhur atje, ndër të cilat është dhe Shqipëria, si pjesë e kontingjentit
ushtarak të NATO-s dhe që ka paguar edhe ajo një çmim gjaku. Për ta
konkretizuar më mirë se si është situata në Afganistan, mund të përmendim se
vetëm një ditë përpara se të hapej "Zyra e paqes" në Doha, talebanët ndërmorën
një sulm terrorist kundër forcave të NATO-s në Afganistan, ku u vranë katër
ushtarë amerikanë.
Por diplomacia amerikane do të shkojë dhe do të ulet në një tavolinë për
bisedime direkte zyrtare dypalëshe me përfaqësuesit e talebanëve të Mullah
Omarit. Sepse, nëse ndërhyrja ushtarake në vitin 2001 u desh që të rrëzoheshin
nga pushteti talebanët, si baza dhe forca kryesore mbështetëse e "Al Kaedas" së
Osama Bin Ladenit, në vitin 2013 është gjykuar se duhet ndërhyrja e diplomacisë
për të gjetur rrugën e pajtimit dhe për të vendosur paqen. Në datën 18 qershor,
në Kabul u organizua një ceremoni e madhe sinjifikative dhe me karakter
historik. NATO, e përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm i saj Andes Fogh
Rasmusen, u dorëzoi forcave ushtarake dhe policore të qeverisë afgane
përgjegjësinë e sigurisë në të gjithë territorin e vendit. Ky kalim historik i
përgjegjësisë është një dëshmi e madhe, jo vetëm e suksesit të operacionit të
ndërhyrjes dhe të sakrificës, që NATO ka bërë në Afganistan, por është edhe një
arritje e madhe e misionit të lirisë dhe të paqes, që NATO përfaqëson në botën
e sotme.
Në fund të vitit 2014 forcat e NATO-s do të largohen përfundimisht nga
Afganistani, gjë që shënon finalen e realizimit të misionit të tyre. Por NATO
dhe faktori ndërkombëtar perëndimor nuk mund ta quajnë të kryer këtë mision
historik, nëse nuk kërkohet të gjendet dhe të sigurohet mekanizmi i garancisë
së paqes dhe të stabilitetit në atë vend të shkatërruara nga luftërat e
brendshme dhe të mbushur me fraksione dhe komunitete të shumta etnike dhe
fetare, pashtunë, taxhikë, uzbekë, hazara etj., të cilat prej vitesh e dekadash
vriten egërsisht me njëri- tjetrin se kush do të qeverisë vendin. Bisedimet e
paqes, që diplomacia amerikane do të zhvillojë me talebanët e Mullah Omarit,
nuk është një "exit strategy" nga një luftë e gjatë e SHBA dhe e NATO-s në
qendër të Azisë. Nuk ka ngjashmëri as me situatën dhe as me kuadrin politik,
ushtarak e diplomatik, në të cilat u zhvilluan në vitin 1968 në Paris bisedimet
e paqes mes SHBA dhe Vietnamit, për t'i dhënë fund luftës në Vietnam. "Exit
strategy" do të ishte, nëse SHBA dhe NATO do ta braktisnin Afganistanin në
mëshirën e fatit të vet të hidhur dhe të përplasjeve dhe të përçarjeve të egra
etnike, që kanë njohur gjithmonë vetëm gjuhën e luftës. Në bisedimet
diplomatike për Vietnamin ishte kërkesa për paqen e amerikanëve, ndërsa në
bisedimet e tanishme diplomatike për Afganistanin është kërkesa për paqen e
afganëve.
Diplomacia e SHBA po përpiqet të ndërtojë rrugën e paqes dhe të pajtimit, që
shteti i largët aziatik të shndërrohet në një vend normal dhe të qetë, ku palët
kundërshtare, etnike, fetare dhe politike, të bashkëjetojnë në paqe, dhe në
vend të gjuhës së armëve dhe gjakderdhjes, të gjejnë dhe të ruajnë së bashku
qetësinë dhe sigurinë. Diplomacia amerikane riprovon se për hir të paqes duhet
biseduar dhe ky objektiv i madh duhet të mos pengohet nga përvojat e hidhura
dhe libri i gjakut, që kanë mes tyre palët që ulen në tavolinat e bisedimeve.
Madje libri i gjakut e bën më të nevojshme tavolinën e bisedimeve.
Diplomacia amerikane ndjek rrugën realiste, që bisedimet duhet të zhvillohen me
faktorët që kanë në dorë çelësat e destabilizimit dhe të stabilizimit të
vendit. Bisedimet zhvillohen me faktorët kryesorë dhe vendimmarrës të procesit
ndërtues dhe ekuilibrues të një shteti, pavarësisht nga opinioni, që është
krijuar në planin moral apo ideologjik nga përvoja negative dhe e hidhur e
marrëdhënieve me karakteret dhe me veprimtaritë e këtyre fraksioneve apo fiseve
apo bajraktarëve të luftës. Dihet se kush janë talebanët dhe kush është Mullah
Omari. Por çështja themelore është se ata janë faktor i rëndësishëm i skakierës
politike, shtetërore e strategjike në Afganistan. Ata nuk mund të përjashtohen
nga plani i madh perëndimor për të vendosur paqen dhe stabilitetin në
Afganistan. Ata janë një faktor i rëndësishëm politik dhe ushtarak dhe kanë
qenë të tillë që në kohën e kundërshtimit të agresionit të Moskës kundër
popullit afgan në vitin 1979. Kanë qenë të tillë edhe gjatë periudhës së ndërhyrjes
së NATO-s në Afganistan nga viti 2001 e deri tani. Siç shkruante gazeta
amerikane "Nju Jork Tajms" në 22 qershor, nga pala amerikane prej kohësh është
pranuar se grupi konservator "Pashtun", që përfaqësojnë talebanët, nuk mund të
shkatërrohet ushtarakisht dhe prandaj çështja duhet të rregullohet politikisht.
Por edhe talebanët e dinë tashmë nga përvoja e gjatë se ata nuk mund ta
qeverisin të vetëm vendin, pa marrëveshje me palët e tjera afgane. Diplomacia
amerikane prej kohësh ka këshilluar vendosjen e dialogut të drejtpërdrejtë mes
qeverisë afgane dhe talebanëve, për të biseduar për paqen dhe për të qenë pjesë
e procesit dhe e një marrëveshjeje politike të rregullimit të situatës
kombëtare dhe të pajtimit kombëtar në shtetin afgan.
Mund të numërohen disa faktorë, që mund ta kenë nxitur diplomacinë amerikane të
ndërmarrë nismën për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve me talebanët.
Së pari, nevoja për t'i dhënë fund luftës nëpërmjet rregullimit politik të
vendit dhe gjetja e dialogut dhe e rrugës së bisedimeve mes palëve ndërluftuese
afgane për të qetësuar, ndërtuar dhe drejtuar shtetin e tyre. Plani i NATO-s
për largimin e forcave nga Afganistani në fund të vitit 2014 kërkon garancitë e
paqes dhe të një marrëveshjeje të brendshme.
Së dyti, likuidimi i kreut të "Al Kaedas", Osama Bin Laden, që kishte për 11
vjet mbështetjen dhe strehimin tek talebanët dhe i cili ishte ndër motivet
kryesore të ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare në atë vend, ka krijuar një
situatë tjetër në planin e sigurisë dhe të raporteve me terrorizmin
ndërkombëtar. Shkatërrimi i udhëheqjes së organizatës terroriste "Al Kaeda", ka
sugjeruar gjetjen e rrugës së bisedimeve për të mos lejuar talebanët të
ringrenë një valë të re dhe një bazë të re mbështetëse të terrorizmit
ndërkombëtar. Një nga kushtet e vendosura nga diplomacia amerikane para nisjes
së bisedimeve ka qenë heqja dorë e talebanëve nga veprimtaria e mbështetjes së
terrorizmit ndërkombëtar.
Së treti, stabiliteti i Afganistanit po bëhet gjithnjë e më dukshëm i lidhur me
stabilitetin e Pakistanit, një shtet aleat i Perëndimit, dhe ku veprimtaria e
talebanëve ka qenë dhe mbetet një burim i madh pastabiliteti. Qetësimi i
Afganistanit dhe i talebanëve, dhe gjetja e një zgjidhjeje nëpërmjet bisedimeve
brenda shtetit afgan, do të krijonte kushtet për një stabilitet më të madh në
Pakistan e në rajon.
Është e kuptueshme se detyra e diplomacisë amerikane për t'u ulur në një
tavolinë bisedimesh me talebanët është jashtëzakonisht e vështirë dhe plot të
papritura. Presidenti Barak Obama e nënvizoi këtë rrethanë në datën 19 qershor,
ku deklaroi në Berlin se "ata kanë luftuar për një kohë shumë të gjatë, ka një
mosbesim të jashtëzakonshëm. Ne ende besojmë që duhet të kemi një rrugë
paralele politike për të kërkuar perspektivën e një lloj ripajtimi global".
Diplomacia amerikane është e ndërgjegjshme për misionin e pamundur që ka marrë
mbi supe, por ajo ka pasur gjithmonë kapacitetin dhe largpamësinë e rrallë të
kërkojë dhe të gjejë çelësin e suksesit të misionit të paqes dhe të pajtimit në
tavolinën e bisedimeve. Është një model i madh diplomacie, që Amerika u jep
shteteve nga Azia e deri në Europë, sepse paragjykimet për të refuzuar urët e
bisedimeve dhe dialogun e paqes, janë një element qendror në metodën e
drejtimit të udhëheqjeve të shumë shteteve, të cilët vuajnë nga sindromat e
pashërueshme të armikut të përjetshëm e të papajtueshëm. Kemi shembuj në Rusi,
ku Kremlini ka dështuar të përdorë diplomacinë dhe të ulet në tavolinën e
bisedimeve me përfaqësuesit e luftëtarëve për liri dhe pavarësi të popullit
çeçen, dështim që ka shkaktuar të derdhet aq gjak i pafajshëm. Kemi shembuj në
Ballkan, ku udhëheqësit e Serbisë nuk guxonin t'i jepnin dorën udhëheqësve të
Kosovës dhe ende sot nuk guxojnë të ulen në tavolinë pa ndërmjetësim
ndërkombëtar, si përfaqësues të dy shteteve të pavarur njëri me tjetrin. Por
kemi shembuj edhe nga shteti shqiptar, ku Kryeministri i Shqipërisë ka
shtatë-tetë vjet që nuk i takon dhe nuk i jep dorën asnjë ambasadori iranian të
akredituar në Tiranë dhe shpall me emocion alogjik personal një luftë
diplomatike singulare kundër një shteti, që nuk i ka bërë asnjë të keqe
Shqipërisë. Dhe sa paradoksale është kjo diplomaci majekrahi duket nga fakti se
vetë SHBA kanë zhvilluar dhe pritet të zhvillojnë përsëri bisedime diplomatike
edhe me presidentin e ri iranian.
Diplomacia është arti i
bisedimeve me mikun dhe me armikun. Është mësim që vjen nga koha kur janë
krijuar perandoritë dhe shtetet. Është një mësim, që e kuptojnë mirë shtetet
dhe udhëheqësit që shohin përpara. Amerika vazhdon si gjithnjë të jetë
prekursore dhe model për të gjithë.