*** As Ballkani, as Evropa nuk kanë asnjë arsye, që të frikësohen nga
"Shqipëria e madhe", sepse ajo kurrë nuk ka ekzistuar dhe, as sot, nuk ekziston
si e tillë as si doktrinë e as si praktikë, por duhet t'i frikësohen vetëm
Serbisë së madhe, e cila, edhe sot, ekziston dhe jeton si e tillë, që në
vijimësi po e rrezikon bashkëpunimin, integrimin, paqen, sigurinë dhe
stabilitetin në rajon. Ky është problemi, jo "Shqipëria e madhe"-sajesë
politiko-propagandistike dhe diplomatike e mbrojtjes së Serbisë së madhe.
*** Hashim Thaçi: "Kosova e Serbia po e lënë pas të kaluarën... Nuk do të ketë
këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, e nuk do të ketë as Shqipëri të
madhe. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për
gazetën vjeneze Die Presse."www.kohanet/18/06/2013).
Është absurditet logjik, kur dikush (sikurse në rastin konkret kryeministri i
qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi) shërbehet me sintagmën politike " Shqipëria
e madhe", duke qenë se kjo kurrë nuk ka figuruar (si kërkesë, as si realitet)
në asnjë agjendë të derisotme programore historike, politike, propagandistike a
kombëtare të shqiptarëve dhe të Shqipërisë në Ballkan, që nga krijimi dhe
ekzistenca e tyre, edhe si komb, edhe si shtet. Kjo është e vërteta e
pamohueshme.
"Shqipëria e madhe" është trillim sui generis i Serbisë madhe!
Për këtë fenomen absurd, të shpifur dhe të trilluar nga pseudoshkenca
historiografike, nga Kisha Orotodokse Serbe, si dhe nga politika dhe propaganda
shekullore serbomadhe, kam shkruar dhjetra e dhjetra here, por megjithëktë, për
hir të së vërtetës, prapë po i referohem kësaj teme, të imponuar nga partizanët
e tezës "Shqipëria e madhe". Pse serbomëdhenjt e përdorin këtë termë si armën
kryesore për mohimin e identitetit kombëtar, territorial dhe shtetëror të
shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, nuk është ndonjë novus, por pse politika,
diplomacia, publicistika dhe mjetet e inofmracionit shqiptar këtë e"zhvatin" pa
kurrfarë "zori" dhe, pa kurrfarë nevoje, kjo është iracionale dhe e
papranueshme, sepse në asnjë formë (as ideologjike, as teorike e as praktike)
nuk ka ekzistuar dhe, nuk ekziston koncepti "Shqipëria e madhe"!
Për t'i fshehur qëllimet, aspiratat dhe pretendimet e saj kolonialiste dhe
imperialiste sidomos ndaj përthithjes dhe territoreve të Shqipërisë Etnike në
Ballkan, të gjitha regjimet e deritashme (mbretërore, fashiste, komuniste,
gjenocidale ) të Serbisë (1878-2013), janë shërbyer dhe, edhe sot, i
ashtuquajturi regjim "demokratik-socilaist proevropian" me në krye Tomislav
Nikloqin (president) dhe me Ivica Daçiqin (kryeministër), shërbehet me parullën
politiko-propagandistike antishqiptare "Shqipëria e madhe" mbase kjo është
strategjia dhe taktika më opportune dhe kohezive për t'i mbrojtur interesat
kolonialiste, hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë së madhe të Ilia
Garashaninit, të projektuar qysh më 1844 ("Naçertanie").
Pra, vështruar si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik, Serbia e madhe
ka ekzistuar dhe, ajo ekziston edhe sot, si ngrehinë artificiale, e kompozuar
si tërësi territoriale, administrative dhe shtetërore me copat e territoreve të
aneksuara dhe të grabitura me dhunë, me terror me gjenocid nga Hungaria, nga
Kroacia, nga Bullgaria dhe, në masën më të madhe nga Shqipëria Etnike
(Anamorava, tanimë, e tëkurrur vetëm në trekëndshin Preshevë-Bujanoc-Medvegjë,
si dhe Novi Pazari me rrethinën e Sanxhakut).- De fakto dhe de jure kjo është
SERBIA E MADHE, e cila si e tillë (me një sërë problemesh dhe kontestesh të
pazgjidhura territoriale me vendet fqinje), tanimë, i ka bërë gati "valigjet",
që të udhëtojë për në Bruksel për t'iu bashkuar 27 shteteve-anëtare të
Bashkimit Evropian (BE-së) demokratike, e cila, tanimë, ia ka hapur dyert
Serbisë, që të aderojë në të, edhe pa njohjen e Republikës së Kosovës, edhe pa
decentralizimin dhe pa rajonizimin e saj sipas agjendës integruese dhe
demokratizuese të BE-së(!)
Serbomëdhenjt dhe miqt e tyre, mund të ushqehen me nusproduktin serbomadh
"Shqipëria e madhe", por jo edhe shqiptarët, assesi, sepse kjo do të ishte
turp, padituri dhe padrejtësi ndaj vetëvetës dhe ndaj identitetit të Shqipërisë
Etnike.
Marrëveshja Thaçi-Daçiq nuk mbyll kaptinën 100-vjeçare të armiqësisë serbo
shqiptare!!!
Kryeministri Hashim Thaçi me bashkëmendimtarët dhe me bashkëpunëtorët e tij
qeveritarë, mund të ëndërrojë dhe të deklarojë çfarë të dojë, kur është fjala
për afrimin e Kosovës me Serbinë, por nuk është e vërtetë se gjoja përfundimi i
Marrëveshjes me kryeministrin Ivica Daçiq në Bruksel (19 prill) bëri që "Kosova
dhe Serbia ta lënë pas të kaluarën", siç është prononcuar Thaçi në intervesitën
e tij për gazetën austriake "Die Presse".
Natyrisht, po të ishte kështu, kjo do të ishte e mira e Zotit, sepse pajtimi,
mirëkuptimi, mirëbesimi, bashkëpunimi dhe paqja thelbësore shpiejnë popujt
drejt afrimit, integrimit, zhvillimit, përparimit dhe ardhmërisë së mirëqenies
së tyre. Mirëpo, në rastin konkret, Marrëveshja Thaçi-Daçiq është e dyshimtë
dhe e dëmshme për interesin e përgjithshëm të shqiparëve dhe, për interesat
vitale të shtetit të pavarur të Kosovës ngase Serbia nuk po e njeh Kosovën si
shtet të pavarur dhe sovran, por vetëm si ngrehinë të përkohshme jolegale.
-Derisa presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, deklaron se "janë të përkoshme
institucionet shtetërore të Kosovës, dhe se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën",
atëherë, shtrohet pyetja: -Çfarë "marrëveshje historike, reciproke, pajtuese,
miqësore qenka ajo?!
-Si, me këtë marrëveshje difekte, që përfill vetëm interesat e politikës
kolonizuese dhe neokolonizuese të Serbisë ndaj Kosovës së pavarur, tanimë, sipas
konstatimit të kryeministrit, Hashim Thaçi: "Kosova e Serbia po e lënë pas të
kaluarën"!? - Kur, atëherë, kur Serbia ta njohë Kosovën, ashtu sikurse Amerika
dhe mbi 90 shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare!
Përkundrazi, Serbia po hap një kaptinë të re politike, me riaktualizimin e
historisë, të politikës, të diplomacisë dhe të propagandës së vjetër të saj
imperialiste: "Kosova në Serbi" e "Serbia në Evropë".Ky është kuptimi
domethënës i arritjes së kompromisit të keq politik i Marrëveshjes "historike"
Thaçi-Daçiq.
Ajo është një marrëveshje, që gradualisht (në faza) minoritetit serb i garanton
autonominë e plotë politike dhe territoriale, që ndërkohë, do të përfundojë në
shkëputjen e plotë territoriale, administrative dhe shtetërore nga Republika e Kosovës.
Kjo është esenca e marrëveshjes për t'i "rehatuar"serbët si faktor pandan ndaj
shtetit të Kosovës, ashtu sikurse figuron "Republika srpska" në federatën e
Bosnjës dhe Hercegovinës.
Edhe pse diç e tillë nuk figuron në asnjë rresht të Marrëveshjes së theksuar,
parapavija e saj politike është kjo, serbët në Veriun e Kosovës duan krjimin e
një mini shteti sikurse"republika srpska" ose bashkimin me Serbinë.
Prandaj, qeveria dhe parlamenti i Kosovës me në krye hashim Thaçi (sa herë të
duan), mund t'i ndryshojnë ligjet dhe Kushtetutën e tyre për t'i "akomoduar"
serbët (ashtu siç thuhet në atë Marrëveshje), por serbët e atjeshëm, kurrë nuk
do t'i njohin institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu sikurse Serbia e
Tomislav Nikoliqit(president) dhe e Ivica Daçiqit (kryeministër). Për më tepër,
këtë e ua garanton edhe Kushtetuta në fuqi e Serbisë (2006), sipas së cilës
"Kosova është pjesë integrale e territorit të Serbisë". Në këtë rast,
kush është disfatist dhe i vetëmashtruar, kryeministri Hashim Thaçi me vardisësit
e tij, askush tjetër. Po të ishte ndryshe (domethënë në interes të Republikës
së Kosovës), Beogradi zyrtar kurrë nuk do ta "aminonte" Marrëveshjen
Thaçi - Daçiq. Tanimë, këtë e dinë edhe "vremçat" e Kosovës, e lëre
më, ata që po merren me "politikë të lartë" për pajtim me çdo kusht
me Beogradin, pa e njohur Serbia Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Së fundi, jo vetëm qeveria e Hashim Thaçit, por i gjithë spektri politik
(pozitë e opozitë), duhet ta kenë të qartë se pajtimi historik, i ligjshëm,
konkret dhe realist (de fakto dhe de jure) i serbëve dhe i shqiptarëve,
përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të
bëhet vetëm atëherë kur Beogradi zyrtar, do ta njohë Kosovën si shtet të
pavarur dhe sovran, ashtu siç e kanë njohur më se 90 shtete të bashkësisë
ndërkombëtare me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, Marrëveshja e arritur në Bruksel, më 19 prill 2013, ndërmjet dy
kryeministrave Thaçi Daçiq me ndërmjetësimin e shefës së diplomacisë së
Bashkimit Evropian (BE), Catherine Ashton, nuk është në përputhje me të drejtën
historike e as me të drejtën ndërkombëtare.
Parimisht, çdo marrëveshje a traktat që lidhet ndërmjet dy a më shumë shteteve,
me qëllim të arritjes së bashkëpunimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve të
tyre dypalëshe a shumëpalëshe, e që është në funksion të sigurisë, të
stabilittetit dhe të paqes qoftë me karakter rajonal, evropian apo
ndërkombëtar, duhet mbështetur gjithanshmërisht, sepse është e pranueshme sipas
normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, si dhe sipas Kartës së
Kombeve të Kombeve të Bashkuara.
Mirëpo, Marrëveshja e sipërtheksuar nuk i përmbush kriteret dhe normat e
theksuara ligjore të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit pozitiv juridik
ndërkombëtar, sepse është një marrëveshje e njëanshme, që favorizon minoritetin
serb me tendencë të minimit të institucioneve shtetërore të Republikës së
Kosovës.
Pavarësisht nga "stili i lartë" politik dhe diplomatik i jusitifkimit
të nënshkrimit të Marrëveshjes Thaçi - Daçiq në dobi të Serbisë, vetëkënaqësia me asgjë, veprimi sipas inercionit, imponimit dhe diktatit të
Serbisë dhe mbështetësve të saj, nuk quhen politikë, as diplomaci e mirëfilltë,
por kapitulim përpara së keqes-Serbisë neokolonialiste.